Tuesday 23 July 2024

NJË JETË NË SHERBIM TË BUJQËSISË.

 

nga: Profesor dr. Llukan TASE

Tiranë

 


Prof. dr. Llukan TASE
Kam ardhur në Tiranë në vitin 1941

Origjina ime është nga Zguraleci -një fshat i Leskovikut (në buzë të malit të Lipecit), pra me origjinë jam Kolonjar. U shpërngulëm nga vendlindja sepse e kishim të pamundur jetesën pa tokë bujqësore të mjaftueshme.

 

Vitet e para edhe në Tiranë jetesa e pesë frymëve ishte e vështirë, sepse kishim për të jetuar vetëm me rrogën e babait, që ishte punëtor marangoz.

Vitet e para të shkollës i kam kaluar në Lagjen e Dibranëve në periferi të qytetit, që aso kohe ishin popullata më e civilizuar e Tiranës.( Bekteshët, Tominët, Kastratët, etj. në lagjen e sulmit siç quhej atëherë ).

Aty qëndruam deri në mbarimin e luftës.  Në vitin 1945 si fëmijë shkolle,  u aktivizova edhe unë me pionerët e kohes. (shtëpia e pionerit )

Dëshira për tu bërë agronom për mua ishte e lindur-sepse isha bir fshati dhe i rritur me fukarallëkun e kohës.

 

Dëshirën time për të ndjekur shkollen bujqësore ma inkurajoi atë kohë edhe nje udhëheqës pionerësh në Shkollën e Kuqe i quajtur A. Anadolli, i cili më tha se po te shkosh në bujqësi, ushqimet i ke të garantuara.

 

Si adoleshent mendova se kjo na duhej. U regjistrova ne Teknikumin Bujqësor të Kamzës, që në atë perjudhë ishte e vetmja shkollë e mesme e bujqësisë. Shumica e nxënësve të teknikumit vinin nga fshati, kurse unë vija nga kryeqyteti dhe shkollën 8 vjeçare e mbarova me rezultate të mira, pra, kisha mundësi të zgjidhnja një degë tjetër.

 

Në moshën 18 vjeçare mbarova shkollën e mesme dhe në vitin 1953 u emërova në Stacionin e Kërkimeve Bujqësore, që ishte e para bërthamë e shkencës bujqësore shqiptare ( me pastaj u quajt Instituti Kërkimeve Bujqësore " Ivan V.Miçurin." Në qendër në Lushnjë. Stacioni më dërgoi përgjegjës i qendrës së Korçës,  pranë NB. Maliqit, ku eksperimentonim problemet e panxharit, grurit dhe misrit në kushtet klimatike të zonës.  

 

Isha vetëm 18 vjeç por si edhe shokët e moshës sime atëherë ishim më të pjekur dhe të gatshëm per pune (ndërsa sot 18 vjeçari në përgjithësi se ka atë dashuri për jetën siç e kishim në atë kohë).

 

Mbas tre vjet pune të suksesshme në fermën e Maliqit, më doli bursa për agronomi në Bullgari. Kam studiuar pesë vjet në Akademinë Bujqësore "Gj.Dimitrov" në Sofje. Ja dimë për faleminderit popullit bullgar, pedagogëve dhe bashkëstudentave tanë bullgarë, të cilët na ndihmuan për tu përgatitur për jetën tonë në shërbim të bujqësisë shqiptare.

 

Mbas kthimit në Shqipëri, meqenëse isha specializuar për perimet u emërova në NB. Sukth, aty kam punuar përgjegjës i sektorit të perimeve që në atë kohë ishte sektori më i madh në republikë, kishte afro 1000 punonjës. Furnizonim çdo vit 50 -55 mijë kuintalë perime për dy qytetet kryesorë: Tiranën dhe Durrësin. Për rastesi në Ndërmarjen Tregëtare të Tiranës në atë periudhë ishte drejtor i mirënjohuri miku ynë Sabri Godo, me të cilin kemi punuar shumë për tregun e Tiranës, që në atë kohe ishte problemi numër një për drejtuesit e pushtetit.

 

Në vitin 1964 papritmas më dërgojnë Drejtor të Teknikumit Bujqësor në Kavajë të rrethit të Durrësit. Për mua kjo ishte drejtim krejt i ri dhe i panjohur më parë. Gjeta nëKavajë një kolektiv arsimor të përgatitur dhe njerëz të mrekullushëm që ma bënë detyrën time të suksesshme duke përgatitur agronomë të mesëm shumë të nevojshëm për rrethet e ndryshme të vendit.

 

Në vitin 1967 pata një shkëputje të shkurtër nga profesioni. Si njohes i gjuhës bullgare më derguan në ambasadën tonë në Sofje. Për shkak të

politikës antiruse në prag te festivalit te rinise që u zhvillua në Sofje na dëbuan nga Bullgaria si persona "non grata. Më vonë bullgarët kërkuan falje,  duke ardhur ne Ministrinë e Jashtme në Tiranë vetë ministri i punëve të jashtme bullgare dhe nofka për të gjithë punonjësit e ambasadës na u hoq, pra u bëmë prapë miq.

 

Në vitet gjashtedhjetë, djemve tanë të Teknikumit të Kavajës bashke me shumë të tjerë fëmijë të përkushtuar, pata rastin tu sherbeja me modesti për përgatitjen e tyre profesionale. Kjo ndodhi mbas kthimit në Atdhe, kur u transferova në Institutin e Lartë Bujqësor.

 

Këta studenta djem dhe vajza, bashkë me ne, pak më të moshuar,  përbënim atëhere brezin e punës dhe të dashurisë,  per ta transformuar bujqësinë. E gjetëm me parmendë, pa kanale dhe investime. Shpesh punohej me zakonet dhe mendësitë e kaluara, kur toka lëvrohej akoma me kafshët e punës. Per kultivimin e perimeve as që kishte haber(me përjashtim të kopshteve të vogla fshatare).  Shteti, megjithëse akoma i varfër, investoi duke bërë kanalizimin e tokave. U arrit te puna me traktorë e kombajna, u bënë me qindra hektare sera qe sfidonin kushtet e klimes.

 

Kryesisht prodhohej për nevojat e vendit, por një pjesë perimesh e frutash shkonin për eksport,  se shteti kish nevoje për valutë që të blinte fabrika, e pajisje të cilat na mungonin.

Brezi ynë ishte brezi i punës, i shoqërise dhe i marëdhnieve në mes të njerëzve, që e dashuronin këtë vënd. Nuk i kthehet më këtij vendi ai brez idealistësh dhe fisnikësh.

 

Në viti 1970 nga ILB.-ja u transferova në Komitetin Ekzekutv të Tiranes. Në fillim isha K\Specialist për perimet dhe më vonë shef i Seksionit të Bujqësisë në rreth. Shtatë vjet punë bashke me shokët e mij specialiste u përballëm me nje periudhë pune të vështirë, sepse në atë kohë komitetit së bashku me ndërmarjet vartëse ju duhej të zgjidhnin konkretisht çdo problem, në mënyrë operative dhe konkrete. Por punën tonë e lehtesonte bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe harmonia e njerëzve kudo ku punohej, e në veçanti në kooperativat bujqësore, ku Tirana relativisht kishte terren shumë të vështirë (Zallë Dajti, Zallë - Bastari, Shkalla, Kllojka, Bërzhita, Shëngjergji, Gurra, etj.)

 

Në Komitetin Ekzekutiv punova shtatë vjet. Marrrëdhëniet dhe bashkëpunimi ynë me Ministrinë e Bujqësisë dhe veçanërisht me të palodhurin dhe gojë ëmbëlin Loni Çukon ishin të veçanta.

 

Kam punuar me tre kryetarë komiteti. Njeri prej tyre, Ndue Marashi, u vra në rrethana te pa zbardhura deri më sot. Në atë perjudhë, pas helmimit të lopëve në Baldushk dhe pas vrasjes së  N. Marashit u bë nje kontroll i veçantë dhe i gjatë i sektorit të bujqësisë drejtuesit e rrethit me përkrahjen e sekretarit të parë të PPSH.-se Manush Myftiu. Na derguan për të dhënë llogari për ato që ndodhën, në Keshillin e Ministrave. Përveç kryetarit të vrarë ata kërkonin të dënoheshim- unë si Shef i Bujqesisë dhe Zv/ Kryetari që mbulonte bujqësinë, gjë që nuk ndodhi, sepse nuk ishim ne fajtorët.

 

Pas kësaj ngjarje unë u sëmura nga stresi dhe u transferova në IPP

në motivacionin e transferimit, sekretari i ri i PPSH në rreth- Simon Stefani më tha, ndër të tjera ,se arsyeja ishte se kisha në biografi dhe ca kritika e vërejtje. Ju përgjigja se, ai që punon ka dhe vërejtje, ai që rri pa punë nuk merr vërejtje.

 

Në vitin 1976 fillova detyrën si Përgjegjës i Sektorit të parë Shkencor e më pas Zv/ Drejtor i i Institutit te Perimeve dhe Patates, në këtë institut punova deri në daljen në pension.

 

Aktiviteti im në Shkencën Bujqësore njihet nëpërmjet botimeve të shumta dhe bisedave shkencore në radjo dhe televizion. Në periudhen 15 vjeçare,

në kohën që punova në shkencë jam specializuar: në Bullgari (në Stacionin Shkencor të Perimeve për 6 muaj në "Negovanska Opitna Stancija" ), në Francë dhe Egjypt për farën e patates shkuam në vitin 1965 me të ndjerin Skënder Xhiku. Ne vitin 1972 në Hollandë (tre muaj) për teknogjinë e serave bashkë me agronomin e mirënjohur Nezir Konin, në vitin 1980 një grup i Instutit shkuam në Greqi dhe Turqi për kultivimin dhe punën shkencore të perimeve me grup pune, në vitin 1985 ne Itali dhe në Francë për punën shkencore në hortikulturë me Arben Hasanin.

 

Kam mbrojtur dhe kam fituar titujt shkencorë. Jam i pari që kam mbrojtur doktoraturën për hortikulturën në Shqipëri.(i ndjeri Avni Oktrova, Shefi kKtedrës aso kohe e mbrojti në bullgari).

 

Nga viti 2000 deri ne vitin 2024 bashkë me shokët e mi ish bashkëstudenta dhe me shume dashamirës si dhe biznesmenin selim hoxha, formuam Shoqatën e Miqësisë "Miqtë e Bullgarisë", 24 vite si kryetar dhe organizator i kësaj shoqate të gjithë se bashku ( një pjesë e madhe kanë ndërruar jetë – qofshin të pa harruar) zhvilluam shumë aktivitete në dobi të forcimit të miqësisë midis dy popujve tanë ballkanikë.

 

Në bashkëautorësi me profesor Abdurrahim Myftiun, kemi botuar librin “Bullgaria dhe Studentët Shqiptarë” që është i vetmi i këtij formati në Shqipëri.

 

Aktualisht jam në pension dhe gëzoj respektin e miqve të shumtë të punës dhe të shkollave ku punova për afro 36 vjet. I falënderoj të gjithë miqtë e mi, që më respektojnë dhe më japin optimizëm për të jetuar edhe mbas moshës nëntëdhjet vjeçare.

 

Pasuria më e madhe për mua ka qenë dhe mbetetet familja dhe Shqipëria , për ta bërë më të mirë e më të bukur se shoqet e saj -në kuadrin e evropës së bashkuar. Me shumë respekt prof. dr. llukan tase

 

Monday 22 July 2024

DËSHIRA E VËRTETË E SHQIPTARËVE

Poemë nga: Naim Frashëri (e shkruar greqisht është botuar së pari në Bukuresht më 1886, me titullin “O alithis pothos ton Skipetaron”)

 

Përktheu nga greqishtja: Pano Çuka Poet nga fshati Sopik i krahinës së Pogonit. 

 

 

O ju bij të mëmëdheut, ju o patriotë trima,

Luftëtarë të dëgjuar edhe po kaqë të urtë,

Të bashkuar si vëllezër neve jemi kurdoherë,

Krahë të vendit të shtrenjtë edhe besnikë ndaj kombit.

Dhe kështu lipset të jemi, si përherë të bashkuar.

Ca më shum’ sot që tirani mezi mbahetë në këmbë,

Ne duhet edhe më fort të lidhemi që të gjithë,

Për qëllimin ton’ të shenjtë, në emërin e lirisë.

Ju, stërnipër të të Madhit Aleksandër e të Piros,

Të dëgjuar, të lavdishëm, ju, o bij të Skënderbeut,

T’atij burri të vërtetë, që në botë shok s’ka pasur,

Trima, shpresa dhe guximi kurdoherë të na prijnë

Dhe të gjithë me një mendje të bëjmë detyrën tonë.

Ne pellazgë kemi lerë para se të lindte hëna,

Kur Adami nuk ka qenë veçse ujë edhe pluhur,

Dhe të parët tanë s’ishin vetëm baballarë popujsh,

Porse ishin baballarë dhe të vetë perëndive.

Motit, gjuha jon’ e dlirë, gjuha jonë e pavdekshme,

E kulluara, e kthjellta, mahniti dhe perënditë.

Askush s’e mohon në botë famën e të parve tanë

Dhe punërat e shkëlqyera ua dëshmon historia.

Dikur në Azin’ e largët si shqiponja fluturuan

Edhe fronin e Dariut e përmbysën ata trima.

Duke thyer në betejat ç’qenë përsanë barbarë,

Dhe qytetërimin mbarë e shpëtuan nga rreziku.

Tjetër herë, si luanër, ata iu vërsulën Romës

Dhe romakëve mizorë më t’u kallën lemerinë.

Kush qe ai burr’ i huaj, kush qe ai maqedonas,

Që dikur grekët në luftë fund e krye i dërrmonte?

Dhe kush qe njeriu i shquar, që më kot grekët e thyer

U munduan me sofizma porsi grek ta paraqitnin?

Kur të huajt pa të drejtë rojën kishin masakruar,

Cilët qenë ata që Thivën e rrënuan po shtëpinë

E Pindarit nuk e prekën, sepse përnderonin muzat?

Ata s’qenë aspak grekër as dhe skitë, jo, nuk qenë;

Maqedonët tjetër s’qenë veçse baballarët tanë.

Shumë shkronjës si Plutarku, Demosteni dhe Straboni

Me shokët e tyre thonë se ngahera kombi ynë

Ishte si dhe sot fisnik, trim, hyjnor, i madhërishëm.

Si dhe ne, ata po qenë shqipëtarë të kulluar

Dhe shqiptari këtë emër e ruan, sepse e pat

Në flamur gjithnjë shqiponjën, shenjë force dhe fitorje.

Gjithnjë brenda Shqipërisë dhe Zeus’ i madh banonte.

N’atë të shenjtinë Tomor një tempull të bukur kishte

Dhe gjithë popujtë atje vinin me nderim të thellë,

Që t’i faleshin asaj perëndie shqipëtare.

Sikur të studiosh të urtin dijetar, Aristotelin,

Ptolemenjt’ e plot të tjerë, me kujdes, mirë edhe drejt,

Do mësosh se dhe i madhi Kostandin, pjellë dardani,

Fisit trim e të dëgjuar të shqiptarve i përkiste.

Edhe mbretëresha e grave të ditura të ksaj kohe,

Dora d’Istria, mos vallë s’ish bij’ e Shqipërisë?

Kurrë s’e harroi atdhenë të stërgjyshërve të saj

Dhe shkruan për “alvanitët”, siç i quajnë të huajt,

Sepse, si të huaj, emrin e vërtetë s’ua dinë.

Edhe thellë ndjen për fisin dashurinë më të kthjellët,

I këndon atij virtutet dhe i jep shpresa të vyera.

O sa kombe janë zhdukur si të qenë gjethe vjeshte,

Dhe sa kombe kanë lindur prej të tyreve rrënoja!

Kurr’ në shekuj kombi ynë s’ka ndryshuar dhe siç qenë

Ashtu mbetënë vetijat, gjuha, doket e zakonet.

Shqiptari është siç ishte në fillim, i pandryshuar.

Maqedonasit, ilirët e thesprotët e molosët,

Shqipëtar’ ishin të gjithë si edhe në ditët tona.

Kurrë dyndjet e të huajve s’arritën të shkatërrojnë

Kombin ton’ as gjuhën tonë dhe shqiptarët s’i ndryshuan

Kombësinë dhe zakonet e mënyrën e jetesës.

Veshur përherë me hekur, kordhëtarë ndër beteja,

Ishin gati dhe të vdesin për Shqipëri, mëmën tonë.

Për shqiptarët kurdoherë të huaj kan’ qenë grekët,

Edhe sllavët edhe keltët, edhe skitët e romakët.

Gjithë kombet nënë zgjedhë të romakëve u vunë;

Ndërsa shqipëtarët vetëm kanë luftuar hordhitë

E romakëve, si burra, me guxim e gjer në fund.

Sa beteja dhe sa luftra të përgjakshme kanë bërë

Baballarët tanë trima kundër dyndjeve barbare!

Ranë dëshmorë në luftë ata burra të vërtetë

Për mëmëdhethin e dashur, për lirinë edhe për nderë.

U mbyt në gjak mëmëdheu, armiqtë na e shkretuan,

Porse Shqipëria kurrë s’e duroi robërinë.

Askush nuk ka mundur kurrë që ta vërë nënë këmbë

Shqipëtarin e dëgjuar, këtë heroin e botës.

Në kohë paqe, i butë si qengj është shqipëtari,

Por në luftrat e betejat si luan i tmerrshëm bëhet.

Kur hordhi bishash të egra, që erdhën nga larg, nga Lindja,

Kundër botës u lëshuan edhe vendet po shkretonin,

Që të gjitha mbretëritë edhe kombet u tmerruan.

Bizantinët fanatikë, frikacakë, të pazotë

Për postin që kanë pasur, nuk u kundërshtuan fare,

Po ranë duke shpresuar në gjëra fyl e pa bukë,

Dhe u bënë ata shkaku i së rëndës robëri.

Turqit, bishat gjakatare, shkatërronjësit e botës,

Porsi ujqër të uritur njerëzve u shqyen zorrët.

Perëndimi mbarë dridhej nga të frikëshmit barbarë

Dhe Arusha u kish mbetur e vdekur, pa shpirt në duar.

Asnjeri guxim nuk pati t’i luftonte ato bisha,

Po ndërsa të gjithë ulën qafën nën zgjedhën e zezë,

Një komb vetëm i guximshëm, një komb trim, i papërkulur,

U rreshtua para tyre edhe më t’u kalli dërrmën,

Përsëri duke shpëtuar nga rreziqe të llahtarshme

Perëndimin që s’ia diti, të pabesënë Evropë.

Kush qe, vallë, atëherë ai prijësi i kombit,

Ai trimi sypatrembur dhe ajo shqiponjë mali?

Mos qe Marsi a Minerva, a mos qe Zeusi vetë?

Ti, o muzë gojëartë, që njeh mirë të vërtetën,

Thuaje emërin e ndritur, emërin e perëndijtë,

Këndo, o hyjni fisnike, trimërin’ e tij të rrallë.

Lëri mitet e Homerit për Akilin këmbëshpejtë,

Lër Eneun adhuronjës dhe përrallat e Virgjilit,

Se heroi i vërtetë tani njihet nga të gjithë,

Është prijsi i shqiptarve, është Skënderbeu i madh.

Lumthi ti, shpirt i pamort! Lumja ti, zemër hyjnore!

Ti, o emër shumë i dashur, emër hyjnor, aq i ëmbël,

Ti je shembull dashurie, ti je monument virtyti,

Manument patriotizmi, trimërie dhe lavdie!

Ty, o bir fisnik, i lartë, i atdheut të shumvojtur,

Shqipëtarët ta nderojnë emërin dhe kurdoherë

E shqiptojnë veç me lotë dashurie dhe respekti,

Se ta njohinë lavdinë, njohin bëmat burrërore.

Kur do vijë vallë dita të të ngrenë monumentin,

Të përgjunjenë me zjarr para këmbëve të tua?

Trimërit’ e tua, prijës, dhe fitoret legjendare

Ne, pasardhësit, na mbushin me guxim e burrëri.

Kur ti vdiqe, na ke lënë neve një atdhe të lirë

Dhe e lirë do të jetë Shqipëria jote prapë.

Varri yt siç i ka hije do nderohet mot e jetë.

Nëpër shekuj do të rrojnë emri dhe veprat e tua.

Pra, vraponi, o miq të mi, mëmëdhetarë vraponi,

Me një qëllim, një dëshirë, përpara për Shqipërinë!

O vëllezër shqipëtarë, o ju bij të mëmëdheut,

Ne të gjithë një komb jemi, një gjak, një fis e një farë,

Të gjithë të njëjtit shpirt e të njëjtës zemër jemi,

Ne kemi të njëjtat ndjenja dhe të njëjtën gjuhë flasim,

Ne nuk jemi kurrsesi as turq, as grekër, as sllavë,

Jemi vetëm arbërorë, shqipëtarë zemërtrima,

Dhe ky emër i nderuar, i lavdishëm ësht’ ngahera.

Kush s’nderon kombin e vet, ai ësht’ i ndyr,’ i poshtër,

Ai është gënjeshtar, është tradhëtor i ulët.

Mjer’ ai që i jep puthjen e tradhtis’ kombit të vet,

Mëmëdheut dhe të birit të të lartit zot në qiell!

Deri kur, o miq të dashur, do mundin këta të huaj

Të na kthejnë ne në kafshë me atë shkopin e Çirçës?

Deri kur për interesat e të tjerve do punojmë?

Pse të tjerve t’u shërbejë gjith kjo mendje e trimëri?

Mjerë ne! pse për të huajt kaq flijime e vetmohim?

O sa vepra madhështore kanë bërë shqipëtarët,

Por më kot, se të dobishme qenë vetëm për të tjerë!

Ne, medet, vam’ u shërbyem turqëve, vrasësve tanë,

Bishave t’egra mongole, që veç dëm na kanë prurë!

O miq, gjaku i shqiptarit është derdhur kurdoherë

Që të rrojn’ ata përbindsha, ata turq shkatërrimtarë.

Sa tmerr të ndihmosh armiqtë e atdheut tënd të dashur!

Dhe një gjë të till’ e bënë kaqë burra të dëgjuar!

Cilët qenë ata që jetë shtetit të turqve i dhanë?

Qyprylinjtë dhe të tjerë të gjith’ ishin shqipëtarë.

Shqipëria ime e dashur, mëmëdheu im i shtrenjtë,

Të kesh kaq burra në zë dhe të jesh akoma skllave!

Ti të kesh Mehmet Alinë dhe Ibrahimin me shokë,

Ata të shpëtojn’ Egjiptin dhe ti të tiranizohesh!

Ç’fat i mjer’, i mallëkuar, oh çfarë mynxyr’ e zezë!

Të kesh Boçarin, Xhavellën, Miaulin, Bubulinën,

E shumë heronj të tjerë, dhe ata të mos përpiqen

Për ty, Shqipëria ime, po për grekët e Greqinë!

O heronj të paharruar, u munduat kot së koti,

Me të shenjtin gjakun tuaj, me armët tuaja të lara,

Me atë gjuhën e shenjtë flaku zgjedhën tej Greqia.

Ju si burra të vërtetë me zell e me zjarr luftuat,

Po, për fatin ton’ të keq, përfituan ca të tjerë.

Dhe u shojtën për së dyti shpresat tuaja të shenjta.

N’atë vend që ju, o trima, e çliruat aso kohe,

Erdhën lajkësit e turqve, bizantinë dhe romej,

Fanarjotë dhelparakë edhe kalemxinj të ulët,

Komb’ i lirë, çobaxhinjtë nga qenë edhe nga s’qenë,

Me fjalë të tjera grekët, ata miqtë tan’ të mirë,

Dhe ju quajtën të huaj, ju thanë “palarvanites”.

Dhe ata mosmirënjohës, o sa keq, gërmuan varret

Dhe shpërndanë nëpër rrugët eshtrat tuaja të shenjta.

Vetëm rastësisht një herë ata shprehën të vërtetën

Se vërtet jeni shqiptarë dhe porsi të huaj jeni.

Të ushqesh në gji një gjarpër të helmuar, të pabesë,

Dhe të bëjë çmos ngahera si e si të të helmojë.

Ç’doni ju nga Shqipëri? Grekër, me siguri doni

Që të vrisni djemt’ e Piros fshehurazi me një tjegull.

Po të rremat, djallëzitë, asnjëherë s’japin fryte.

Gjer më sot, më thoni, vallë, sa bullgar’ u bënë grekër?

Kush kërkon që të këmbejë kombësin’, gjuhën e mëmës,

Të mohoj’ atdhenë, ndjenjat, ai do të jetë kafshë.

Si? Ju duket e arsyeshme, o filiza të Sokratit?

Dhe a është, vall’, e mundur të harrojë komb’ i tërë

Gjuhën e tij amëtare, t’i humbasë që të gjitha?

Fjalët ua mbuloft’ harresa, posht’ e rrema, djallëzia!

Ju kë quani si trima patriotë, kë nderoni,

Miltiadhn’, Themistoklinë, Qimonin, Epaminondën,

Apo Pausanin’ e ndyrë, Efialtin e pacipë?

Djallin që tradhton atdhenë nuk e do as mëma vetë.

A nuk është mëmëdheu më i dashur, i nderuar,

Nga çdo gjë e mir’ në botë, nga prindët e farefisi,

Nga fëmijët dhe nga miqtë? A ka ndjenjë më fisnike

Se ndjenj’ e atdhetarisë edhe se ndjenj’ e lirisë?

Si? Qenkemi ne grekër? Jo, më falni! Jemi vetëm

Alvanitër, miq të dashur, jemi vetëm shqipëtarë.

Çdo gjë tjetër është sharje, fyerje dhe blasfemi.

Të ndërrojmë emrin tonë kombëtar? Mos qofë thënë!

Ashtu si fjala grek është për ju e shtrenjtë, e dashur,

Dhe për ne fjala shqiptar është e shenjtë dhe e çmuar.

Nëse thoni që edhe ju jeni, gjithashtu, pellazgë,

Dihetë se pellazgjikë janë kaq e kaë kombe:

Italianët e francezët dhe psanjollët e të tjerë.

Pra, ju jeni italianë? Mos ju quajtën francezë?

Po, të gjithë jemi pjellë të Adamit e të Evës.

Porse çdo njeri një kombi i takon dhe një detyrë

Është e shenjtë dhe hyjnore: “Të luftojë për atdhenë!”

Jeni, thoni, të krishterë. Shumë bukur. po mos vallë

Duhet që çdo i krishterë të jetë dhe grek pa tjetër?

Evropainët që të gjithë janë, dihet, të krishterë,

Po nuk janë aspak grekë dhe as ndjenja greke kanë.

As Krishti as apostojtë s’kanë qenë kurrë grekë.

Kombësin’ e Jezu Krishtit që të gjith’ e dinë mirë.

A, qenkeni ortodoksë. Shumë bukur. Po dhe rusët

Dhe të gjithë sllavët rrotull gjithashtu jan’ ortodoksë.

Dhe ata ndaj fesë, ndofta, mund të jenë më besnikë,

Atëherë përse grekët nuk janë asfare sllavë?

Po atë besim e kishë kanë dhe grekët dhe sllavët,

Dhe, madje, armëtë sllave, mbrojtja dhe kujdesi i tyre,

Në çdo rast ndihmuan grekët sa u dhan’ e Thesalinë.

Po në vend që miq me sllavët të jenë, paskëtaj, grekët,

Në të kundërt, jan’ armiq dhe armiq të përbetuar,

Sepse dridhen se mos sllavët dhe ata i bëjnë sllavë.

Pra, o miq të dashur grekë, ju të krishterë të mirë,

Krishti tha: “Mos ia bëj tjetrit, atë që s’e do për vete!”

Atë që ju keni frikë se mos jua bëjnë sllavët,

Pse kërkoni kaqë fort shqipëtarëve t’ua bëni

Me gënjeshtra dhe intriga? Feja urdhëron: “Të duash

Dhe të afërmin si veten”, ndërsa ju të gjith’ i ndiqni.

Ju akoma keni grekër që në robëri rënkojnë

Dhe të tjera kombe doni vetë ju t’i robëroni?

Cilin? Këtë shqipëtarin? Këtë fatosin e dheut?

Edhe kur, në këtë shekull? Në këtë epokën tonë?

A e doni miqësinë edhe dashurinë tonë?

Hiqni dorë nga sofizmat, nga gënjeshtrat, nga mashtrimet.

Ne, o miq, jemi shqiptarë, ju helenë: Shqipërinë

Kemi ne dhe ju Helladhën; gjuhën tuaj ju, ne tonën.

Kështu vetëm mund të lidhet miqësia e vërtetë,

Ne me sllavët e me grekët, me të gjithë fqinjët tanë,

Duam të rrojmë ngaherë me harmoni, si vëllezër,

Veç e drejta e secilit gjithënjë të respektohet.

Sot tiranin e pret vdekja, pra nuk duhet të luftojmë

Si armiq me njëri-tjetrin; miq të jemi, në një mendje,

Mjaft kaq vuajtje që shkuam, mjaft kjo tirani e zezë,

Pa të marrimë sot frymë dhe lirinë të gëzojmë!

Poshtë, pra, trazirat, grindjet, rroft’ e qoftë vllazëria!

Nëse rrojnë disa grekë brenda Shqipërisë, vallë

Mos janë pak shqipëtarët që brenda Greqisë rrojnë?

Edhe shumë shqipëtarë rrojnë në viset me sllavë.

Poshtë duart, ju o sllavë, larg ju, larg nga Shqipëria!

S’ju arrijnë ato vise të paana të Skitisë?

Shqipëria shqipëtarve u takon, o miq të dashur,

Dhe askush nuk ka të drejtë që të kundërtën të thotë.

Nëse doni që të kemi dashuri mes nesh përherë,

Jetën të çojmë si fqinjë në mirëkuptim e paqe,

Edhe ne po këtë gjë shum’, o miq, e dëshirojmë.

Po në qoftë se ju doni të rrëmbeni trojet tona,

Atëherë, mos nuk është vdekja fundi i njeriut?

Zjarrin, pra, dhe le të digjet gjithë bota, anembanë!

Po të jetë se humbasim ne atdhen’ e dashur tonin,

Qielli le të përmbyset, me të edhe perënditë!

O, ju dashkeni që vendin e gjigantëve të zini,

Të atyreve që mundën e shfronësuan hyjnitë?

Ju, o fqinjët tanë, dhe ti o diplomaci dinake,

Binduni njëher’ e mirë dhe pa pikën e dyshimit,

Se shqipëtari atdhenë s’ia dorzon askujt e kurrë.

Ju atdhetarinë e tij duhet ta keni provuar;

Atë nuk e mposhtën shtete sado të mëdha, të forta,

Bizantinët e romakët, venedikasit e turqit,

Dhe na dashki që taninë para jush të gjunjëzohet?

Poshtë duart, që të jemi miq të mirë përngahera!

Mbi një mal’ të lart’ më shfaqet hieja e Skënderbeut,

Shpatën zhveshur mban në duar dhe dëgjoj një zë gjëmonjës,

Që me burrëri të madhe dhe duke rënkuar, thotë:

O djema të mir, ku jeni, ju o burra shqipëtarë,

Ju petrita zemërtrima të atdheut kaq të dashur,

Varrin tim vazhdojn’ akoma të huajtë të ma shkelin.

Turp për ju, sa turp, o burra, të lëngoj’ atdheu juaj!

Kudo hieja fanitet edhe malet po gjëmojnë.

Befas lart, që nga Tomori, një rrufe lëshon Zeusi

Dhe për gjithë gjakatarët gati zhdukjen e sigurtë.

Miqt’ e mi, mendohi mirë, të mos biem në lathime,

Se të gjithë, po lathitëm, do ta humbasim shpëtimin.

Perëndi, ndriçoji popujt, sill ti paqen në mes tyre

Edhe ndihi të fitojnë lirin’ e shtrenjtë të gjithë.

Solomon, mos ma pre foshnjën, mos e pre, n’emër të zotit,

Le të mbetet pjella ime e paprekur, pacenuar.

Dhe ju, perëndi të qiellit, ju o perëndi të paqes,

Jepjani mollën e sherrit drejtësisht kujt i takon.

O vëllezër arbërorë, shqipëtarë zemërtrima,

Të kaluarën e shihni, gjithashtu edhe të sotmen,

Po sakaq na lipset shumë të kujdesemi për nesër.

Të kujdesemi për gjuhën, për mësimin, mbrothësinë,

Për shpëtimin tonë, nderin, për lavdin’ e kombit tonë,

Se ky shekull, o vëllezër, është shekulli i dritës,

Dhe pa gjuhën e pa shkencën, pa shkollën e mbrothësinë,

Pa të mjafta dituri, sot asgjë nuk vlen në botë.

Pra, përpara, o vëllezër, ja se ku qëndron shpëtimi!

Ne kemi një komb të zgjuar, trim e që vështron përpara,

Edhe gjuha jonë mundet të punohetë paprerë.

Ne rrugën e mbarësisë mund ta ndjekim fare lehtë.

Pra, ç’na duhet, o vëllezër? Dashuri, bashkim, përpjekje,

Mençuri, barazi, punë, vëllazëri, një dëshirë,

T’i shërbejmë mëmëdheut me besnikëri gjithmonë,

Çdo kujdes, çdo gjë e mirë t’i blatohet Shqipërisë,

Për atë të të bëhet vetëm, për vëllezrit shqipëtarë.

Ne jemi një komb të gjithë, jemi bijt’ e një atdheu,

Një trup jemi dhe një zemër, jemi një fis e një farë,

Kemi një ide, një gjuhë, një palë doke e zakone

Dhe, së fundi, që të gjithë sot ne jemi në një mendje

Për të mirën e përbashkët, për lavdin’ e Shqipërisë.

Një perëndi që të gjithë kemi dhe të njëjtën besë,

Pa, secili, si të dojë le t’i falet perëndisë.

Që të gjitha fetë kanë veç një themel të përbashkët,

Ndërsa themel i themelit është vetëm njerëzimi,

Fjalëve t’armiqve t’egër kurrëmos u vini veshin,

Se ata duan gjithmonë me intriga të urrejtshme,

Me çdo mjet ta bëjnë fenë vegël të shkatrrimit tonë,

Ata duan të na ndajnë për të tyret interesa.

Duhet mbi çdo gjë, pa tjetër, kombësia të fitojë.

Në një kohë, në mesjetë, një ndikim të madh ushtronin

Barbaria, fanatizmi, errësira e padija.

Atëherë ne luftuam pa qëllim e kot së koti,

Për të huajt, për armiqtë e kombit, të mëmëdheut,

Porse sot më kot mundohen të huajt të na gënjejnë.

Shqipëtari mendjemprehtë kurrë më nuk do të mashtrohet

Dhe s’ka nge që të djersijë, të coptohet për të tjerë.

Çështjeve, siç është feja, sot me sot u kaloi koha,

Ajo sot është në zemër, në ndërgjegjen e secilit.

Feja e kohës së sotme është vetëm njerëzimi.

Hapësira e paanë është tempull i Krijuesit.

Natyra gjith’ anembanë është libri i tij i shenjtë

Dhe shkronja të atij libri janë trupat qiellorë.

Ndërsa si meshtar në tempull është shkenca, që njeriun

E afron tek perëndia, q’është gjithëçka në botë.

E të madhit zot fytyrë është drita që shikojmë

Dhe njeriu është korë edhe shëmbëlles’ e zotit.

Zemëra e tij e pastër është fron’ i perëndisë

Edhe vetëdia e tij një gjykatës brenda vetes;

E shpërblen për çdo të mirë, e mundon për çdo të keqe.

Sidoqoftë, gjithsekush çdo besim ta respektojë,

Fen’ e tij dhe fen’ e tjetrit; të mos bëjë dallim feje,

Sepse është e nderuar ajo që nderon dhe tjetri,

Sidomos çka respekton vëllai, djal’ i mëmës sate,

Që një gjak keni në deje, që ka shpirtin, gjuhën tënde.

Është e shenjtë dhe hyjnore çdo gjë që beson njeriu,

Çdo gjë që beson një popull dhe një shoqëri e tërë.

I mësuari, i urti është besimtar, po s’është

Fanatik dhe për besimet mendon pa paragjykime,

Ai s’është gojëprishur, egoist, rrugaç, mashtrues.

Mbarë bota flet për Besën dhe për nderin e shqiptarve.

Për vetijat, vllazërimin, harmoninë, miqësinë,

Dashurin’, afetarizmin, kombësinë, urtësinë,

Trimërinë dhe kujdesin për të mirën e atdheut.

Bota mbarë u njeh prirjen për liri, dituri, dritë.

Kështu, pra, çdo atdhedashës e ka zemërën plot shpresa,

Dhe me ne është përherë perëndia zemërbardhë.

Gjuha jonë, dituria, do të sjellin mbarësitë

E atdheutë fisnik, vllazërimin dhe lirinë,

Mirësitë, begatinë, vetë shekullin e artë,

Dhe, së fundi, sigurojnë qenien tonë në mes botës.

Ato do t’i japin dërrmën çdo armiku e tirani

Dhe në majën më të lartë do ta ngrenë ne, shqiptarët.

Rroftë, rroftë gjuha jonë! Rroft’ e qoftë Shqipëria!

Rroftë kombi yn’ në shekuj! Rroftë vllazërimi ynë!

Poshtë armiqt’ e tiranët! Poshtë grindja, errësira!

Rroftë Besa dhe liria! Rroftë drita, dituria!