Sunday, 3 June 2018

GJELBËRIMI NË QYTETE

nga Prof. As. Dr. Zef GJETA 

 Tiranë

Zef GJETA 

Prej kohësh më shqetëson një fenomen për të cilin organet kompetente, ato që në fakt merren me këtë punë, ose nuk dijnë sa duhet, ose nuk duan, ose që të dyja. Bëhet fjalë për gjerbërimin në qytete, por edhe më gjerë, në rrugët tona locale apo kombëtare.

Fillimisht, drejtuesit e njësive vendore dhe ato të qeverive, nuk janë interesuar për çështje të gjelbërimit, ose janë marrë fare pak me to. Me një fjalë, gjelbërimi, hapësirat e blerta publike vazhdimisht kanë përberë një “dhimbje koke” më shumë, për drejtuesit e strukturave të ndryshme të pushtetit. Me kalimin e kohës, disa shoqata dhe organizata, kryesisht me nxitjen dhe mbështetjen e donatorëve të ndryshëm filluan të lobojnë për çështje që lidhen me gjelbërimin. Ato u përqëndruan në sensibilizim të publikut dhe të organeve kompetente, në gritje kapacitetesh, etj. dhe bënë shumë pak e deri në aspak në lidhje me investime konkrete në fushë të përmirësimit të situatës së gjelbërimit.

Më pas, ishin edhe vetë organet e pushtetit vendor, kryesisht bashkitë e mëdha që filluan të kushtojnë më shumë punë e para në drejtim të gjelbërimit të ambjejteve publike. Për pasojë edhe situate ndryshoi e po ndryshon përditë, duke u shtuar sipërfaqja e gjelbëruar në ambjente të brendëshme të qyteteve dhe në rrugë ndërqytetëse.

Në pamje të parë, por edhe në përgjithësi, kjo është një përmirësim i situatës, është një lëvizje positive. Por, duke e parë më në thellësi problemin ka edhe mjaft probleme. Tre nga problematikat më të rëndësishme mund të veçohen:
• Rendja pas sasisë duke mos u kujdesur për cilësinë;
• Mungesa e një plani për qëndrueshmëri të investimit;
• Tendenca për të mbjellë bimë të huaja (që nuk janë tipike të arealit shqiptar);
• Kopjimi i një iniciative a modeli (kryesisht që shfaqet së pari në Tiranë dhe e kopjojnë zonat e tjera).
Që të trija këto kanë dëmtuar e po dëmtojnë gjithnjë e më shumë shtimin e sipërfaqes së gjelbërt në vend, e bashkë me të edhe cilësinë e jetesës së popullatës. Por, ajo që është më shqetësuese (sëpaku këeshtu më duket mua), është se po vazhdojmë me “galop” në këtë drejtim, pa u shqetësuar “qytetarët”, pa u shqetësuar organet kompetente dhe pa u shqetësuar as specialistët e fushës përkatëse.

Tendenca e parë është një karakteristikë tipike e jona, sidomos në këto tri dekadat e fundit, ndikuar edhe nga psikologjia e kaluar kur shqetësoheshim më shumë për “letrat” sesa për atë se sa “bereqet” kanë veprimet dhe veprimtaritë e zhvilluara. Një shfqje tipike e “rendjes pas sasisë” ishte iniciativa e fundit e kryebashkiakut të kryeqytetit, kur rëndësi parësore kishte një numër i caktuar prej tij, sesa llojshmëria e pemëve të mbjella, cilësia e mbjelljes (përfshi këtu gropën, plehun e përdorur, përdorimin e ujit, ëtj.). rezultat i kësaj janë dështimet e shumta në pemët e mbjella.
  
Pikërisht këtu lidhet edhe pika e dytë e dobët që shfaqet në aktivitetin tonë referuar shtimit të sipërfaqeve të gjelbëra në ambjentet publike. Për shkak edhe të terrenit ku janë mbjellë pemët (bimët zbukuruese dhe gjelbëruese), por edhe për shkak të mos planifikimit si duhet të veprimtarive të nevojshme lidhur me ndjekjen e mbirjeve dhe shëndetin e mirë të bimëve të mbjella, ka mundësi që një pjesë e mirë e pemëve të mos i “zërë motmoti”. Kjo do të thotë se shumë nga përpjekjet e bëra për mbjelljen por edhe për mediatizimin e këtij “aksioni”, do të shkojnë kot. Ndaj kërkohet që karhas më planifikimin dhe ndërmarrjen e aktiviteteve me rëndësi, të ndërtohet edhe një plan i qartë që duhet të zbatohet në lidhje me qëndrueshmërinë e punës së kryer.

Pika e tretë e dobët është e lidhur me tendencën për të mbjellë bimë të huaja (që nuk janë tipike të arealit shqiptar). Rasti më flagrant ishin palmat e mbjella në rrugën e Durrësit, deri tek mbikalimi i Kasharit. Por, ka edhe raste të tjera të shumta që shfaqet kjo tendencë. Le ta sqarojmë: shumë bimë që përdoren në ambjentet e lulushteve të qyteteve, kanë një mënyrë të lehtë të shtimit të tyre, kanë zënie të lehtë dhe durojnë krasitje dhe dhënie të formave sipas dëshirës. Por nuk janë vetëm këto bimë që i kanë këto karakteristika, janë edhe bimë të tjera që i shfaqin këto karakteristika, por shfaqin edhe avantazhe të tjera: siç është prodhimi i luleve dhe frutave të dobishëm. Pra, pyetja që shtroj është: pse të mos mbjellim shegë e dafinë, levandul dhe sherebelë, rozmarinë dhe trumzë në lulishtet e qyteteve tona? Pse të mos mbjellim kumbull e frashër, panjë e gështenjë (në ato raste kur edhe mikroklima e favorizon)?! E këto të jenë në vend të palmave, oleandros, ligustave, e të tjerave që janë shumë bajate ti shikosh në lulishtet tona. 

Ndërsa pika e katërt shumë në dëm të një diversifikimi të bimëve të mbjella dhe krijimit e ruajtjes së identiteti të qyteteve tona është kopjimi i një iniciative a modeli (kryesisht që shfaqet së pari në Tiranë dhe e kopjojnë zonat e tjera). Kështu, kudo janë shtruar pllaka të kuqe (si ato të shëmtuarat në Bulëvardin e Tiranës), kudo po mbillen palma, kudo po mbillen rrapa apo rrapenj (në Shkodër njihen me emrin çinar). Që të dyja këto bimë kanë specifikat e veta dhe duhet të mos teprohet me përhapjen e tyre. Fillimisht, palmat përveçse nuk janë tip[ike të vendit tonë (janë simbol i shkretëtirës),nuk kanë ndonjë pamje për tu patur zili, nuk lëshojnë ndonjë hije të konsiderueshme, e për më tepër kushtojnë shtrenjtë dhe dëmtohen lehtë një një dëmtues që ka gjetur shumë përhapje këto kohë. Ndërsa rrapat, janë të bukur në vitet e para, më pas bëhen shumë të rrezikshëm: thithin shumë ujë, kanë sistem rrënjor shumë të fuqishëm dhe çojnë trotuaret dhe rrugët, duke sjellë shpenzime marramendëse për riparimin dhe mirëmbajtjen e këtyre rrugëve. 

Habitem pse specialitet e vendit tonë, nuk rekomandojnë në shtimin e bimëve të vendit si: frashëri, krekza, thana, panja, e shumë të tjera (duke i përshattur për ato qytete që kanë mikroklimë të përshtatëshme për to, megjithëse shumica e tyre bëhen kudo). Nga ana tjetër, në anë të rrugëve nacionale duhet me patjetër të ndërhyjmë në mbjelljen e bimëve prodhuese (pemë me fruta), të tilla si: shega, ulliri, gështenja, lajthia, arra, etj. Kjo duhet të bëhet sipas specifikave që kanë zonat. Psh. Sugjeroj që rruga Shkodër Tiranë të mbillet më nga tre rrreshta me shëge. Një bimë e bekuar nga Perëndia, shumë e lehtë në zënie, pa kërkesa të ekzagjeruara për ujë apo shërbime, që duron çdo lloj krasitje, që shfaq 2-3 muaj një lule të mrekullueshme, që shfaq për 2-3 muaj një frut shumë interesant (pra që përmirëson shumë pamjen e dy anëve të rrugës), por që jep në fund një frut që është i pakëtuar për bukuri dhe që ka vlera shumë, shumë të larta për shëndetin e njeriut. Nga ana tjetër, bima e shegës, vetë trungu i saj nuk është i rrezikshëm në rast të daljes së makinës nga rruga, përgjithësisht mund të ndalojë makinën, por nuk ka atë forcë sa të mbysë pasagjerët.
Në këtë logjikë, duke marrë edhe masat e duhur për distancën nga rruga, duhet të vazhdohet edhe me bimët e tjera frutëdhënëse të paraqitura më lart, sipas tipicitetit të zoonës ku do të mbillën: në Tropojë gështenja, e në Vlorë ulliri, e kështu në vijim.

Jam me shpresë se dikush dhe dikur do ti bjerë në mend që të reflektojë në lidhje me këtë shqetësim i cili nëse do të adresohet do të shtojë shumë bukurinë e vendit, por nga ana tjetër do të kursente para dhe do të shtonte shumë cilësinë pozitive të parametrave të shëndetit të popullatës. 

Prof. As. Dr. Zef GJETA



Rruget e Bostonit, SHBA gjelberuar me lisa ( foto nga K. Mosko)





Monday, 30 April 2018

BESNIK HAJREDIN ISMAILATI, INTELEKTUAL LIBOHOVIT ME INTEGRITET

- NJË JETË KUSHTUAR BUJQËSISË DHE SHKOLLËS  TË VENDLINDJES -



Të shumtë janë ata që kanë shkruar për shoqërinë dhe për shokët  e tyre, sidomos  për shokët  e  fëmijërisë, të  rinisë shkollore, të punës, si dhe për bashkëpunëtorët e tyre  në rrjedhën e jetës.

   E ndjej  detyrim qytetar dhe intelektual  që nëpërmjet këtij shkrimi të flas e të evidentoj  diçka në faqet e gazetës “Libohova” nga jeta dhe puna  e shokut dhe mikut tim që nga vegjëlia e deri sot, Besnik  Ismailati, i  cili tërë jetën dhe veprimtarinë e vet 65 vjeçare, ia ka përkushtuar vendlindjes së vet, Libohovës. Edhe pse tashmë në pension, që në fillim dua të  theksoj se puna dhe veprimtaria e tij e palodhur dhe plot pasion dyzetvjeçare në fushën e bujqësisë, arsimit, kulturës, administratës publike dhe në mjaft veprimtari të tjera shoqërore, përbëjnë një kontribut të spikatur dhe të dallueshëm në personalitetin e tij si qytetar dhe intelektual. 

1. Besnik Ismailati dhe Ismail Shehu ne Libohovë  2. Takim në Libohovë me shkrimtarin Xhevahir Spahiu, 
viti 1988.
Me një  karrierë të pasur në  disa fusha të jetës, Besnik Ismailati  njihet  si një njeri punëtor i mendjes, mësues, drejtues shkolle dhe specialist agronom i lidhur fort me bujqësinë dhe mjedisin.

Po cila është jeta dhe veprimtaria  e tij ?

Besnik Hajredin Ismailati lindi në Libohovë më 21 korrik 1952. U rrit, u edukua dhe u arsimua me dashurinë dhe  kujdesin e veçantë të gjyshes së tij Merushe Ismailati dhe xhaxhait Hidajet Ismailati. Arsimin 8 vjeçar e mbaroi me rezultate shumë të mira  në Libohovë në vitet 1959-1967.

Qëndron një vit në shtëpi, pasi nuk i jepet e drejta e studimit për arsye të kota biografike dhe vitin tjetër pas shumë përpjekjesh shkon në Teknikumin Bujqësor Delvinë, dega e agronomisë, ku për periudhën kohore 1968-1972 mbaron shkollën e mesme me rezultate shumë të mira. Këtu dallohet për aftësitë dhe dëshirën e tij për punët e bujqësisë. Falë mbështetjes dhe inkurajimit të mësuesve të vet, Jorgo Dhimpali drejtor shkolle, Qerim Bejleri nga Libohova, Esat Kardhashi nga Gjirokastra dhe Pavli Gjati nga Delvina, për dy vjet rresht, në pranverën e vitit 1970-197, Besniku  merr pjesë aktive në  bërthamën shkencore  të punës së shkollës për prodhimin e farës hibride të domates me pjekje të hershme “10 x Bizon”, e cila në atë kohë shpërndahej në ekonomitë e ndryshme bujqësore të vendit. Në këto vite ai fillon të mësojë  gradualisht në mënyrë të pavarur e në heshtje gjuhën italiane.

Kolektivi i matures në Teknikumin Bujqësor Delvinë
Në vitet 1972-1976  mbaron studimet e larta në degën e agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor të Korçës me rezultate shumë të mira dhe diplomohet agronom i përgjithshëm me temën studimore “Përbërja mekanike e tokës në fushën e Drinos”,  me udhëheqës teme pedagogun Stavri Kreshpanji dhe specialistin e laboratorit të tokave në Gjirokastër Stavri Koça. Por edhe në shkollën e lartë Besniku vazhdoi të  merrte pjesë aktive  edhe me veprimtaritë jashtëshkollore, veçanërisht  në teatrin e shkollës dhe në veprimtari të tjera letraro-artistike që zhvillonte shkolla në ato vite. Edhe këtu ai vazhdon të studiojë më  me ngulm gjuhën italiane, duke shfrytëzuar  në maksimum materialet e ndryshme të Bibliotekës së qytetit të Korçës.

Nga jeta në ILB Korçë
Besniku e nisi punën si stazhier në vitin 1976  si brigadier bujqësie, në N.Bujqësore “M.Asqeri”, në sektorin e Nepravishtës. Këtu kryen edhe studimin e vet  shkencor për mbrojtjen e temës së  diplomës “Përbërja mekanike e tokës në fushën e Drinos”, i cili në vitet pasardhëse shërbeu si bazë  për sistemimin, punimin dhe përmirësimin e kushteve prodhuese të tokës arë  të kësaj zone në një sipërfaqe prej 350 ha. Efektet e këtij studimi u ndien menjëherë pas disa vitesh në rritjen e ndjeshme të rendimenteve të drithrave të bukës dhe kulturave të tjera bujqësore, duke e kthyer sektorin e Nepravishtës në pararojë të të gjitha ekonomive bujqësore të rrethit të Gjirokastrës, por edhe në shkallë Republike. Në këtë  ndërmarrje ai punoi si agronom  nga viti 1976-1985, ku dha kontributin e vet edhe në sektorin e Goranxisë, Odries dhe pranë degës se bujqësise në Drejtorinë e Ndërmarrjes.

 Gjatë ushtrimit të detyrës si agronom, Besniku krahas punës si specialist i aftë dhe kompetent në zbatimin e teknologjive bashkëkohore bujqësore, ka kryer dhe udhëhequr edhe disa punime studimore shkencore  për kulturën e grurit e misrit, duke evidentuar në to përvojën e pasur të punonjësve të bujqësisë të sektorit të Nepravishtës për marrjen e rendimenteve të larta (mbi 45 kv/ha grurë dhe mbi 76 kv/ha misër), të cilat shërbyen si përvojë pune për të gjitha ekonomitë bujqësore  të asaj kohe të rrethit të Gjirokastrës.

Gjatë kesaj periudhe dhe më vonë, Besnik Ismailati si specialist bujqësie është karakterizuar nga pasioni dhe optimizmi për të vënë në praktikë çdo mësim të shkollës së lartë në bujqësi dhe sektorët e tjerë, në degën e frutikulturës dhe veçanërisht të ullishtarisë të zonës së Libohovës, si dega më e pëlqyer dhe më e preferuar e tij, për t`u pozicionuar pastaj në Shkollën e Mesme  Bujqësore “11 Shkurti” – Libohovë, 5 vjet në drejtimin e saj (1985-1990). Kjo periudhë  pune është e mbushur me plot veprimtari dhe arritje të shkëqyera në procesin mësimor-edukativ në rrang rrethi e vendi, falë kjo punës të përbashkët e plot pasion të të gjithë kolektivit mësues – nxënës.Shkolla e Libohovës në këto vite me një staf pedagogjik të përzgjedhur e të pëgatitur, me një bazë prodhuese të plotë e  model për aftësimin praktik të nxënësve, u bë qendër e rëndësishme kualifikuese për të gjitha shkollat bujqësore të rrethit. Por ajo që është arritja më e madhe në këto vite, është vendosja e shkollës së Libohovës si fituese e vendeve të para në olimpiadat e kimisë në shkallë vendi për disa vite rradhazi, falë punës plot talent e këmbëngulëse të mësuesit të palodhur të  kimisë, Yzeir Poshi dhe kolegëve të tij me nxënësit e talentuar të asaj periudhe Eli Lako, Inajete Isaraj, Dhimitraq Dimareli, Dhimitër Kolonjari, Artan Zaimi, etj., por edhe në olimpiadat zonale të matematikës, biologjisë, fizikës, etj., ku meritë të madhe kanë mësuesit e këtyre lëndëve Thoma Polo, Thollori Pasko, Sofokli Kadhulli, Koço Pasko, Jorgo Çati,etj. Në çdo rast e në çdo takim të shpeshtë  që ne zhvillojmë me Besnikun si drejtues e mësues, ai gjithnjë shprehet  me respekt e admirim për të gjithë kolegët e vet, për punën dhe arritjet e përbashkëta në procesin mësimor - edukativ, të cilat edhe sot e kësaj dite mbeten krenari e shkollës dhe e gjithë Libohovës.

Nga jeta dhe veprimtaria në Shkollën e Mesme Bujqësore “11 Shkurti” , Libohovë
Në vitin tranzitor 1990, Besnik Ismailati pas detyrës 8 vjeçare të zëvendëskryetarit, zgjidhet kryetar i Këshillit Popullor të qytetit Libohovë, periudhë në të cilën ne si kolegë dhe bashkëpunëtorë në drejtimin e pushtetit vendor në vitet 1982-1990, punuam me ndërgjegje për kryerjen e shërbimeve dhe zgjidhjen e mjaft problemeve sociale të të kohës për  Libohovën dhe banorët e saj.

Nga tetori 1990 - nëntor 1992, ai  rikthehet mësues specialist në shkollën e mesme Libohovë ku jep mësim lëndët e ndryshme të agronomisë.

Nëntor 1992 - shtator 1993  jep mësim lëndën e kimi - biologjisë në shkollën 8 vjeçare Suhë. Gjatë kësaj kohe pranë kësaj shkolle organizon edhe kurset e mësimit të gjuhës italiane me një grup prej 30 fëmijësh.

Në shtator 1993-shtator 1995, bazuar në aftësitë e tij drejtuese e menaxhuese të arsimit profesional,  emërohet  zëvendësdrejtor në shkollën e mesme Libohovë për arsimin bujqësor. Gjatë këtij viti kryen edhe specializimin 3 mujor pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës  për reformimin e shkollave bujqësore sipas sistemit amerikan, dhe po atë vit mbron gjuhën italiane pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Por pasi mbaron këto specializime, kur rikthehet në Libohovë, fati do ta sjellë që të mbyllet dega e agronomisë, fakt që ndikoi negativisht si në përgatitjen e specialistëve të mesëm të bujqësisë, por edhe në reduktimin e vendeve të punës.

Tetor 1995- janar 1996, Besniku punon mësues i histori - gjeografisë në shkollën 8 vjeçare Nepravishtë dhe nga janari 1996 - shtator 1996  emërohet drejtor në shtëpinë e kulturës  “Kujtim Ruli” Libohovë. Falë përpjekjeve dhe kujdesit të tij në këtë institucion, fillon riorganizmin për ruajtjen, sistemimin dhe pasurimin e bibliotekës së qytetit,  ruajtjen dhe mirëadministrimin e  shtëpisë muze të  Heroit të Popullit Avni Rustemi në lagjen Marinë, e cila në atë kohë ishte akoma në gjendje të mirë funksionale për vizitorët e ndryshëm  vendas e të huaj.

Duke parë  gjendjen e ecurisë  të shkollës  së mesme në ato vite, falë përvojës dhe  aftësive të tij drejtuese në fushën e arsimit, në shtator 1996-shtator 1999, Besnik Ismailati  rikthehet  tashmë  drejtor në shkollën e mesme Libohovë. Këto janë vite pune plot përpjekje, këmbëngulje, sakrifica dhe arritje, ku ai së bashku me kolektivin mësues – nxënës, prindërit, por edhe me mbështetjen e  organeve qeverisëse vendore dhe arsimore  të asaj kohe, bën të mundur rikthimin e shkollës në normalitet në të gjitha hallkat e procesit mësimor – edukativ. Gjatë këtyre viteve, Besniku realizon edhe një prej dëshirave të tij më të mëdha, në këtë kohë ai  bëhet edhe mësuesi i parë  i lëndës së  gjuhës italiane  i kësaj shkolle me program të rregullt shkollor. Gjatë këtyre viteve  ai nxit, organizon  dhe inkurajon krijimin e kabinetit të biologjisë me mësuesin e talentuar Gentian Hyka, organizon dhe realizon botimin për herë të parë në historikun e shkollës    gazetës të saj “Sfida”, falë përpjekjeve dhe talentit të mësuesit të letërsisë Blerim Kore së bashku  me stafin e shkëlqyer të  mjaft nxënësve gazetarë të asaj periudhe. Po kështu në ato vite të pazakonta shkolla organizon edhe një sërë veprimtarish të tjera jashtëshkollore me karakter edukativ, si ekspozita pikture, konkurse letërsie, aktivitete sportive e futbollistike me skuadrën e qytetit, etj., të cilat u bënë edhe bazë  e fuqishme mbështetëse në mbarëvajtjen e procesit mësimor – edukativ. Këto vite pune Besniku i kosideron edhe vitet më mbresëlënëse të jetës dhe veprimtarisë së tij, pasi kjo periudhë u karakterizua nga një mbështejte dhe solidaritet i gjerë dhe i padiskutueshëm i të gjithë banorëve libohovitë dhe organeve qeverisëse vendore të atëhershme, por nga ana tjetër kjo periudhë tregoi edhe qytetarinë, traditën  dhe kulturën shumëshekullore të  Libohovës  edhe para mjaft  organizmave  europiane që operonin dhe vizitonin qytetin tonë e veçanërisht shkollën e Libohovës. Pikërisht për këto cilësi dhe arritje, Besniku  gjithnjë shpreh respekt dhe dashuri  të madhe për Libohovën  dhe bashkëqytetarët e vet.

Besnik Ismailati  si mësues dhe drejtues shkolle, kudo ku ai ka dhënë mësim , gjithnjë është karakterizuar nga shkalla  e lartë e përgjegjësisë, duke siguruar vazhdimisht tregues të lartë dhe realë të njohurive të nxënësve. Krahas plejadës së madhe të mësuesve libohovitë, edhe Besniku  radhitet me dinjitet  në armatën e mësuesve më me zë të kësaj treve. Ai punoi me pasion të veçantë, kishte vullnet  dhe ego të madhe, në kuptimin më të mirë të fjalës. Për një periudhë gati 18 vjeçare si drejtues shkolle dhe si mësues i mjaft lëndëve të ndryshme profesionale bujqësore në shkollën e Mesme Bujqësore “11 Shkurti” Libohovë, atyre shkencore në fushën e biologjisë, kimisë, e deri në mësimdhënien e gjuhës italiane në shkollat e arsimit 8 vjeçar të Libohovës, Suhës e Nepravishtës, Besnik Ismailati është dalluar  si një drejtues i aftë  dhe profesional, falë kjo edhe  formimit të  shkencor dhe profesional me pretendime të larta për vete dhe punën.  Nxënësit e tij  gjithnjë janë dalluar  për ruajtje njohurive dhe aftësive  mësimore.





Pamje nga aktivitete të ndryshme të promovimit të librave në gjuhën italiane me shkollat e Libohovës
Në rolin e mësuesit dhe edukatorit  Besnik Ismailati   vazhdimisht  është paraqitur si  njeri serioz, me karakter të fortë, me një figurë të lartë morale, studiues dhe hulumtues i apasionuar, modest e shumë punëtor. Gjatë jetës së tij në punë ai është karakterizuar nga thjeshtësia dhe maturia  në të folur, por edhe për aftësitë  në fushën  pedagogjisë e psikologjisë, të gjuhës, të letërsisë dhe të problemeve të ndryshme  shoqërore të kohës. Edhe pse tashmë në pension, pasioni i tij bazë është libri, të cilin  nuk e shqit kurrë nga duart. Në biseda me të, ai sjell mjaft shembuj e fakte  të përpjekjeve të tij dhe të kolegëve për shkollën dhe edukimin e brezave në vite si dhe pengesat që sillte koha.
Nga shtatori 1999-janar 2010, Besniku emërohet përgjegjës dhe inspektor i Agjencisë të Shërbimit Kombëtar të Punësimit për qytetin e Libohovës. Edhe në këto vite ai i kushtoi vëmendje kryrjes sa më të mirë të shërbimeve të ndryshme  të qytetarëve të vet.

Shkurt 2010- tetor 2010, ai kthehet përsëri në profesionin e vet, agronom i fara fidanave në Drejtorinë Rajonale të  Bujqësisë Gjirokastër, vend pune të cilin e shfrytëzoi për t’i dhënë shtysë dhe përkrahje shtetërore financiare e  profesionale fermerëve të zonës për shtimin e sipërfaqeve me ullinj dhe pemë frutore. Falë kësaj pune në këtë periudhë në zonën e Libohovës dhe Nepravishtës u mbollën mbi  2000 rrënjë ullinj në blloqe dhe mbi 500 rrënjë pemë frutore. Po kështu ai pas shumë përpjekjesh gjatë këtij viti organizoi në Libohovë edhe Panairin e Agrobiznesit me prodhimet bujqësore e blegtorale të zonës e më gjerë, aktivitet i cili  bëri të mundur rritjen sadopak  të njohjes dhe interesit të prodhimeve tona bio me mjaft vlera  matanë kufijve të rrethit e më gjerë, i cili tashmë është bërë traditë, duke u organizuar çdo vit në periudhën e verës në qendrën e Libohovës.

Nëntor 2010- shtator 2011, Besniku  emërohet specialist në laboratorin e bujqësisë pranë Drejtorisë Rajonale të AKU Gjirokastër, ku vëmendje të veçantë i përkushtoi ndihmesës së fermerëve të rajonit në përzgjedhjen e farave dhe fidanave cilësore,  të pastra e të shëndosha për të garantuar prodhime me rendiment e qëndrueshmëri, falë kontrolleve dhe analizave laboratorike periodike të materialit mbjellës pranë çdo framacie bujqësore të qarkut në bashkëpunim  dhe mirëkuptim  të plotë  me të gjithë specialistët e tjerë agronomë.

Puna me ullirin dhe organizimi i panaireve të produkteve bujqësore në Libohovë dhe Tiranë
Shtator 2011 - shtator 2015, Besnik Ismailati zgjidhet sekretar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Libohovë me votat e plota të këshilltarëve  nga i gjithë  spektrit politik, detyrë të cilën e kreu me  ndërgjegje e përgjegjshmëri.

Gusht 2016- korrik 2017, emërohet  inspektor bujqësie dhe  mjedisi në Bashkinë Libohovë, ku vëmendje dhe kujdes të veçantë ai i kushtoi problemeve të ruajtjes së mjedisit në të gjithë territorin e Bashkisë. Për mbarëvajtjen dhe menaxhimin sa më të mirë të këtij mjedisi me vlera të mëdha natyrore, ai hartoi për herë të parë  edhe studimet e veta me mjaft vlerë për të ardhmen e tij si: “Raport mbi vlerësimin e problemeve të zhvillimit të planit të mjedisit në Bashkinë Libohovë” ; “Raport mbi gjendjen e grumbullimit dhe përpunimit të mbeturinave në Bashkinë Libohovë”, si dhe “Plani për menaxhimin e mbeturinave në Bashkinë Libohovë”, me shpresë dhe  besim se këto materiale në të ardhmen do të shërbejnë për përmirësimin dhe shëndoshjen  graduale të mjedisit tonë.


Besnik Ismailati ka edhe eksperienca të tjera pune: vitet 1998- 2005  bëhet drejtues i kurseve jashtëshkollore të mësimit të gjuhës italiane me fëmijët libohovitë. Në vitin 2007, zhvillon kurset e mësimit  të gjuhës italiane  me pjesmarrjen e mbi 150 kursantëve të moshave të rritura pranë Drejtorisë Rajonale të  Formimit Profesional Gjirokastër, falë kjo edhe ndihmesës dhe dashamirësisë të drejtorit të saj dhe mikut të tij, shkrimtarit dhe gazetarit të njohur Thanas Dino.

Tetor 2004- qershor 2007, ai është  mësues i jashtëm i gjuhës italiane  në klasat e ciklit të ulët në shkollën 8 vjeçare" A. Rustemi" Libohovë. Gjatë këtyre viteve, në bashkëpunim dhe mbështetje  të ngushtë me nxënësit më të talentuar, prindërit, kolegët e vet dhe  miqtë e dashamirësit vendas e të huaj, organizon në Libohovë dy veprimtari letraro – artistike  me poezi italiane të krijuara nga fëmijët libohovitë, të titulluara “Parliam anch’italian”, me pjesmarrjen në to edhe të autoriteteve konsullore italiane, të cilat përbëjnë një nga arritjet më me vlerë të Basnikut si mësues apasionant autodidakt i gjuhës italiane, por edhe të Libohovës si vendi i  rezatimit të  qytetarisë, dijes dhe kulturës mbarëkombëtare.

Besniku ka botuar dy libra me poezi italiane   "Parliam anch' Italian – Flasim dhe italisht";  ka  përrkthyer nga gjuha shqipe  në gjuhën italiane  librin me novela të shkrimtarit  Izet Culli,  " Fajin nuk e ka pasqyra- Davanti a uno specchio"; librin e  autorit të shquar libohovit  Moikom Zeqo " Bota e krijuar nga Onufri- Il mondo creato da Onufri", si dhe disa vepra teatrale të Nobelistit Italian Luigi Pirandello, etj.

Është  anëtar i redaksisë të gazetës  “LIBOHOVA” ku vazhdimisht ka botuar artikuj me tematika të ndryshme për Libohovën dhe njerëzit e saj.

Që  prej vitit 1998  është kryetar i shoqatës kulturore “AGIMI”, dega Libohovë,  e cila merret me shkëmbimet kulturore italo- shqiptare. Në bashkëpunim të ngushtë me  sekretarin e saj Bexhet Çobani dhe koordinatorit për rajonin e Jugut, Teodor Bilushi, ata vazhdimisht si  brenda Libohovës, ashtu  edhe në takimet e përvitshme të organizuara në Itali me shoqatat e tjera simotra, kanë përcjellë me dinjitet e krenari vlerat shkëlqyera trashëguese të kulturës dhe qytetarisë libohovite.

Si veprimtar shoqëror i vendlindjes së vet, Besniku ka marrë pjesë aktivisht në mjaft emisone televizive kushtuar Libohovës, siç mund të përmendim  emisionin televiziv “RRUGËTIM”, të  gazetarit Fatos Baxhaku në Top Chanel  “Në këmbë të Buretos"; " Udhëtim në Libohovë " të TV Jon Sarandë,  si dhe në shumë reportazhe të realizuara për Libohovën me  kanalet televizive locale TVGJ, ALPO TV, etj.
1 1.Takim me  aktorin e madh Kadri Roshi në Libohovë 2.Takim në Libohovë me aktorët e filmit “Koncert në vitin 36”

Si  intelektual dhe si  kontribuues në fushën e dijes e të kulturës, Besnik Ismailati gjithnjë  ka punuar  me pasion e  përkushtim  për Libohovën e zonën përreth. Kontribut të veçantë siç e kam theksuar edhe më lart në veprimtarinë e tij zë përhapja dhe  të mësuarit e gjuhës e kulturës italiane në shkollat e Libohovës e jashtë saj  me  mbi 500 fëmijë e nxënës të moshave të ndryshme shkollore, apo edhe me të rinj e të reja brenda e jashtë Libohovës, ku falë përpjekjeve e bashkëpunimit edhe me mjaft organizma shtetërore dhe shoqërore italiane, ka bërë të mundur që 12 të rinj e të reja libohovitë të ndjekin studimet e larta  në auditoret e universiteteve të ndryshme italiane të Leçes, Materës, Padovës e Kaliarit të largët.

Nga veprimtaritë e ndryshme të Shoqatës Kulturore “AGIMI”,  në Libohovë e Itali
Duke parë veprimtarinë , kontributin  dhe  punën e tij  shumëplanëshe  drejtuese, studiuese dhe   krijuese, përfshi këtu edhe  botimet e ndryshme  me autorësinë e tij,   natyrshëm  lind pyetja se si është  formuar e konsoliduar  sistemi i punës së tij si intelektual, specialist dhe qytetar.  Në sintezë përgjigjen e kësaj pyetje mund ta shprehim në këtë mënyrë: Në sistemin e punës së tij mësimore edukative, Besnik Ismailati gjithnjë ka ruajtur me fanatizëm  parimin  se çdo arritje në jetë e shoqëri  varet nga puna që bën njeriu në jetën e vet.

Gjatë bisedave të ndryshme të zhvilluara me shokë e miq të shumtë  brenda e jashtë Libohovës, unë vazhdimisht  kam dëgjuar  të shprehin vetëm fjalë të mira dhe respekt për  Besnik Ismailatin si mësues, edukator dhe veprimtar shoqëror. Në punën e vet ai gjithnjë ka bërë  ç‘është e mundur që ta kryejë më së miri detyrën e mësuesit dhe edukatorit të vërtetë, pasi ai vazhdimisht  ka ditur të futet në botën e brendshme të nxënësve, t’i mbajë ata afër e me dashuri njerëzore dhe të ecin bashkërisht në udhën e vështirë të dijes, duke ndihmuar të kuptojnë të fshehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energjitë e tyre të brendshme dhe duke i drejtuar me durim e dëshirë në fushat e begata të paqes, qytetarisë, mirësisë, dashurisë dhe humanizmit. Ai vazhdimisht ka punuar dhe akoma vazhdon të punojë  pa kursyer asgjë nga vetja në shërbim të shoqërisë dhe komunitetit.
Ne bashkëqytetarër, shokët dhe miqtë e tij të shumtë, por edhe banorët e fshatrave  përreth, ruajmë respekt dhe konsideratë të veçantë për Besnikun, jo vetëm si edukator dhe krijues, por edhe për karakterin e tij njerëzor, i cili  me natyrën e tij  njerëzore  ka luajtur me mjeshtëri  rolin e edukatorit dhe të prindit në çfarëdo lloj situatash e problematikash shkollore e familjare. Edhe se shpesh herë  i  lodhur  nga ngarkesa  e punës, ai  gjithnjë  në punë shfaqej  i  gatshëm, serioz dhe
kompetent në kryerjen e detyrës, nuk dinte kurrë të ofendonte njeri, nuk krijoi asnjëherë probleme me kolegët e tij të punës.
Besnik Ismailati është tip shoqëror dhe i perpjekur për të ndarë me të tjerët çdo shembull dhe përvojë pozitive. Optimizmi është në natyrën e tij. I tillë është ai edhe në jetën dhe marrëdhëniet e veta familjare, i dashur dhe i kujdesshëm, njeri i një jete të thjeshtë e normale. Me njerëzit  është i hapur dhe këmbëngulës në zbatimin e ideve, veprimeve e iniciativave në  dobi të zhvillimeve të reja dhe rritjes së mirëqënies  së tyre.

Edhe pse tani në pension,  Besniku gjithçka të mirë që di dhe mëson nga zhvillimet e reja të shkencës bujqësore e fushave të tjera të ekonomise dhe kulturës, e ndan dhe e shpërndan me pasion e dëshirë  me të tjerët. Ai është njeri  modest, pasi akoma mendon   dhe shpreson se ka  shumë gjëra për të kryer, ndjehet mirë dhe i respektuar e  i vlerësuar nga bashkeqytetarët e  vet, për aq sa ka bërë dhe vazhdon të bëjë për ta.

Për të gjitha këto cilësi, kontribute dhe arritje në veprimtarinë e gjithanshme jetësore, ai ka marrë edhe vlerësimet e nevojshme e të merituara si: në tetor 1984 medaljen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RPSSH  “Për punë të shquar në ekonominë bujqësore” me motivacionin “ Për aftësi të mira drejtuese dhe organizuese dhe për zbatim të të rejave shkencore në prodhim. Sektori ku punon për 5 vjet me rradhë ka plotësuar planin e prodhimit 115 përqind. Me punën e tij është bërë shembull edhe për specialistët e tjerë”; qershor 2008 me rastin e 100 vjetorit të çeljes së shkollës së pare shqipe në Libohovë, titullin “Aktivist i shquar në fushën e arsimit”, akorduar nga Bashkia Libohovë  me motivacionin: “ Organizator, drejtues i shquar  dhe i përkushtuar në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri” dhe  në vitin 2013 Shoqata Atdhetare Kulturore “Avni Rustemi” dhe Redaksia e Gazetës “Libohova” e nderon me titullin “Aktivist i dalluar" me motivacionin:” Për ndihmesë të veçantë në botimin e shumë shkrimeve cilësore në gazette”

Unë, si shok dhe mik i tij i ngushtë nga fëmijëria e deri më sot, i uroj  Besnikut jetë të gjatë dhe pension të mbarë !
Përgatiti: Ismail SHEHU
Libohovë- Shkurt, 2018