Kush është i zenë me shumë punë s’ka kohë as të qajë
Sokrat JANI |
nga: Dhimitër SHTËMBARI
Tiranë
Ftesa për të marrë pjesë në një ekskursion turistiko – mësimor që do të bënin disa studentë e pedagogë të Universitetit Bujqësor në Reç të Malësisë së Madhe, na qe përsëritur disa herë nga Prof. Sokrat Jani: mos na mungoni! Hipur mbi autobus së toku me gazetarin e njohur Zylyftar Hoxha, pikërisht në çastin e nisjes së mjetit, profesori na kërkoi leje:
– Tani së bashku do të takohemi në Reç. Mirë? Unë po dalë përpara, përkrah
shoferit, – na drejtohet.
Teksa pamë që na u shkëput, pse ta fsheh, na u duk mëndjemadh: vet na pat ftuar
dhe po vet po na kthente kurrizin! Mirëpo… paskeshim gabuar.
Sapo qe nisur autobusi, përmes një mikrofoni dëgjojmë të flasë profesori: Të
dashur studentë e pedagogë! Jemi nisur drejt Reçit të bukur, drejt Reçit
historik e turistik, drejt Reçit të plantacionit të madh të gështenjave, drejt
Reçit me bukuri mahnitëse natyrore…
E mësuam pse na kishte “braktisur”. Dhe… interesant! Prisnim të dëgjonim
shkencëtarin, po dëgjonim shkrimtarin! Kështu do ta përshkruante deri në Reç
gjithçka që shihte përmes xhamave të autobusit.
Le ta njohim lexuesin tonë të dashur me këtë shkencëtar të
perimeve:
I lindur në Verri të ish rrethit të Fierit, disa vite të fëmijërisë do t’i
kalonte në Tiranë, pranë familjes së dajos së të atit: Josif Ndonit. Josifi
burrë me mend. Mbaruar në Torino për Drejtësi, pas çlirimit i gjori vuajti
biografinë! Dhe nga jurist, berber! Gjthësesi, Sokrati nxuri shumë nga dajoja.
Kur mbaroi tetëvjeçaren në Verri, e drejta e studimit i doli për agronom. E po,
këtë kismet pate, o bir, i qe drejtuar i ati. Atje do të shkosh. Dhe, deshi,
s’deshi, Sokrati shkoi në Teknikumin Bujqësor të Fierit. Një ditë i pat shkuar
i ati në Teknikum për ta takuar.
– S’është këtu me ne Sokrati, – i tha dikush të ardhurit nga Verria.
– Po, pse; ku është?!
– Paralel me Teknikumin, Sokrati vazhdon edhe Gjimnazin këtu në Fier…
– Gjimnazin?! Unë e kam prurë për agronom! – pat folur i habitur i ati.
Kur ishte kthyer i biri, i kishte treguar të atit se vazhdonte edhe Gjimnazin,
që t’i jepej mundësia për të vazhduar ndonjë fakultet jashtë agronomisë.
Mbaroi njëkohësisht Teknikumin dhe Gjimnazin e, si tërë të tjerët, djaloshi nga
Verria kaloi një vit stazh në prodhim: në NB të Levanit. Drejtor: Teki Aliaj.
– Ç’të them për Tekiun! – shprehet Sokrati. – Drejtues i talentuar, specialist
i mbaruar, njerëzor si rrallëtjetër, i dashur si të qe prind. Një vit në Levan:
sa për një universitet…
Mbas stazhit Sokrati përgatiti kërkesën për studimet e larta: mjekësi,
drejtësi, filozofi. Kur shikoi listën, ku shënoheshin të drejtat e studimit për
çdo maturant të rrethit, listë e vendosur diku në qytet, mësoi se i duhej të
shkonte student në Institutin e Lartë Bujqësor! Me të mësuar këtë, tepër i
mërzitur, futi në xhep dy diplomat dhe gjeti mundësinë të takohej me Sekretarin
e Parë të Komitetit të Partisë të rrethit, Piro Gusho.
– Shoku Piro, unë kam mbaruar dy të mesme, por… e drejta e studimit më ka dalë
për agronomi!
– Për agronomi?! Shumë mirë! Me këto nota të shkëlqyera që ke në këto dy
diploma, ti nesër do të na bëhesh profesor…
Më vuri dorën në sup dhe vazhdoi:
– Po, po; profesor ke për t’u bërë dhe zor se do t’na kthehesh këtu në Fier…
– I kujtoj shpesh fjalët e të ndjerit Piro Gusho dhe, si të ketë qenë profet,
vite më vonë vërtet do të titullohesha profesor, – na thotë Sokrati.
Pa e patur as këtë herë fatin me vete, Sokrati shkoi për studime në Institutin
e Lartë Bujqësor. Mbas vitit të parë e kishin njoftuar se duhej ta paguante vet
të drejtën e studimit nga që ashtu interpretohej një tregues ekonomik familjar.
Madje, dikush i qe shprehur se do të shkëputej nga studimet në rast të
mosshlyerjes financiare! Kishte ndërhyrë zëvendësrektori, Syrja Hysi, që kish
urdhëruar vazhdimin e studimeve me bursë shtetërore. Ne ku t’i gjejmë studentë
të shkëlqyer si ky e jo t’i përzemë, qe shprehur Syrjai, një ish kuadër i
mirënjohur i Luftës.
Me të mbaruar studimet e larta, Sokrati u mbajt punonjës kërkimor shkencor
pranë Universitetit Bujqësor. Që para vitit 1990, krah shkencëtarëve të tjerë
të njohur, edhe ky qe dërguar jashtë shtetit për thellim të mendimit shkencor e
për marrje përvoje. Kështu, në vitin 1982 dërgohet në Salerno të Italisë. Dy
vjet më pas, për dy javë, dërgohet në Hungari. Një vit më vonë (1985) gjatë
pesë muajve do të gjendej në Milano.
– Gjatë po kësaj kohe ndoqa një kurs për gazetar, që e drejtonte Prof. Luan
Zelka, – tregon Sokrati, – dhe arrita të marrë Dëshminë e Gazetarit.
Fushat e specializimit për Sokratin ishin të shumta: përmirësimi gjenetik i
bimëve, menaxhimi i resurseve gjenetike të bimëve, seleksionimi dhe prodhimi i
farërave të perimeve, eksperimentimi shkencor në bujqësi, teknika dhe
teknologjia e kultivimit të perimeve, marketingu i produkteve bujqësore,
trajtimi dhe ruajtja e produkteve perimore pas vjeljes etj.
– Parapërgatitesha para se mbërrija atje për ku isha nisur, – tregon Sokrati. –
Lexoja historinë e gjeografinë e atij vendi, por edhe zhvillimin shkencor në
fushë të bujqësisë, konkretisht në perimekulturë. Në vitin 1989 isha në
Bullgari, sigurisht që shkova i parapërgatitur.
Qendron një hop dhe vazhdon:
– Me shumë vullnet, deri edhe me sakrifica, kam mundur të mësojë italisht e
anglisht, por kam arritur të komunikoj edhe rusisht e gjermanisht. Mësimin e
këtyre gjuhëve m’i ka diktuar nevoja për bashkëbisedim me kolegët jashtë
vendit, por edhe për studimin e literaturës në gjuhë të huaj.
Mbas vitit 1991 komunikimet me studiues dhe shkencëtarë të huaj u bën më të
shpeshta. Në vitin 1996 Sokrati ishte mes studiuesve të Institutit Mesdhetar të
Barit. Një komunikim të tillë shkencor pati po këtu (në Bari) edhe në vitin
1998. Në vitin 2000, gjatë një muaj, ishte mes specialistëve shkencëtarë në
Izrael. Një vit më pas, përgjatë një muaj e gjysmë, ishte në Egjipt. Në vitin
2002, gjatë pesë muajve, do të ishte në Gjermani. Një vit më pas – sërish në Izrael,
ndërsa në vitin 2009 – në Danimark.
– Kudo që shkoja, – tregon Sokrati, – mundohesha të zbuloja e të merrja me vete
atë çka do t’i shërbente bujqësisë shqiptare. Pse të mos e themi; jo gjithçka
ta falin në dorë të huajt! Se çdo gjë është kapital material. Është vlerë.
Duhet edhe t’ua marrësh, natyrisht me shumë xhentilencë.
Gjatë po këtyre viteve (1991 – 1996) Sokrati ndoqi me korrespondencë dhe mori
diplomën e juristit.
– I ndoqa studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës; jo në universitet
kioskë, – na thotë duke buzëqeshur.
Së toku me bashkëshorten, Vjollcën , dhe me vajzën ekonomiste e lartë, familja
Jani është një bërthamë e shëndoshë intelektualësh.
Ku ka dhënë kontribut shkencor Prof. Sokrati?
Në shumë sektorë: Gjatë viteve 1980 – 1988 – punonjës kërkimor shkencor
në Institutin e Kërkimeve të Perimeve dhe Patates në Tiranë. Viteve 1981 -1990:
lektor për “Perimtarinë”në Katedrën e Frutikulturës të Universitetit Bujqësor.
Periudhës 1990 – 2006: punonjës kërkimor shkencor dhe drejtues i Departamentit
të Kërkimit Shkencor në Institutin e Kërkimeve të Perimeve dhe Patates. Për
nëntë vjet (2006 – 2015): punonjës kërkimor shkencor dhe drejtues i
Departamentit të Kërkimit Shkencor në Qendrën e Transferimit të Teknologjive
Bujqësore (QTTB), Lushnjë. Dhjetë vjet (2015-2025): lektor për modulin
“Prodhimi i farërave”, Departamenti i Shkencave Agronomike në Universitetin
Bujqësor i Tiranës. Ndërsa në vitet 2015-2025: punonjës akademik kërkimor
shkencor në Institutin e Resurseve Gjenetike të Bimëve në Universitetin
Bujqësor të Tiranës.
– Profesor, ç’arritje vetjake mund të na thuash në fushë të shkencës?
– Nuk është lehtë të flasësh për arritje të mirëfillta vetjake, sepse, si kudo,
ka bashkëveprim. Gjithsesi, mund të them, se kam krijuar disa linja, kultivarë dhe
hibride të rinj, mes të cilëve mund të përmendim Pjeprat “Qarrës-78”,
“IPP-6006F1” dhe “IPP-6020 F1”; shalqinin “KS-74”; kungullin “I bardhi i
gjellës”; sallatën jeshile “Jona” etj, të cilat janë miratuar edhe nga
Komisioni Shtetëror i Varieteteve dhe regjistruar në Katalogun Zyrtar të
Varieteteve.
– A keni botime shkencore në qarkullim?
– Mbi 20 të tilla, një pjesë e të cilave me bashkautorë.
– Po artikuj, kumtesa dhe prezantime shkencore brenda e jashtë vendit?
– Shumë! Kush i mban mend! Mbi 100 të tilla!
– Ju kemi parë të drejtoni një emision interesant në RTSH…
– Ooo, kjo ka një histori interesante: kur isha në Gjermani, na erdhën aty ku
punonim disa gazetarë të ZDF – së Gjermane. Na thanë: “Ne kemi emisione të
posaçme veç për bujqësinë, veç për blegtorinë, veç për…”. M’u duk përvojë e
mirë. Sapo erdha në Shqipëri shkova e bisedova me ish Drejtorin e Përgjithshëm
të RTSH, Thoma Gëllçi, dhe ai ma pranoi sugjerimin. Për rreth pesë vjet (1
tetor 2019 – 30 qershor 2025) jam autor e moderator i mbi 150 emisioneve për
bujqësinë, ushqimin dhe mjedisin, në kuadër të programit televiziv “Rrënjët e
ushqimit tënd”.
– Keni qënë skllav i punës dhe rob i shkencës, po tani që jeni në pension?
– Vazhdojmë, – na përgjigjet me humor. – Më mirë puno kot, se sa të rrish kot,
ka thënë një i mënçur. Sepse kush është i zënë me ndonjë punë, nuk ka kohë as
të qajë, ka pas thënë një tjetër.
Botoi Gazeta SOT