Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Monday, 28 August 2017

ËNDËRR ME ZANA

                          ESE
                                                          nga Pirro LOLI

                                                             (Shkrimtar dhe Poet)-Tiranë
    
Pirro LOLI
         Zanat janë prej zëri. Ne u themi edhe shtojzovalle (shtoju-zot-vallet) që në thelb shprehin dëshirën e shumimit, të zërit, valles, bukurisë së madhe e të vazhdueshme. Të gjitha janë të gjinisë femërore, vasha të bukura, “nudo”, prej drite, tingulli e aromash që këndojnë e vallëzojnë deri në magjepsje. (Homeri i përfytyron sirenat qenie me fytyrë, qafë e gjoks të brishtë femre, me këmbë zogu dhe bisht peshku, duke e perceptuar thelbin e tyre edhe më mistiko-magjik se aedët paganë pararendës).
         Zanat jetojnë, këndojnë e vallëzojnë larg syrit të njeriut, lartësive olimpike, pranë burimeve të Hipekronit, në Helikonin e pyllëzuar, në pllajat e malit të Pindit (rastësisht pranë vendlindjes sime), dhe gjithandej bjeshkëve të malësive tona, atje ku bari dhe gjethja prekin majëmalet e dëborta, atje ku hëna ulet e i lan pllajat e burimet me lëngun e saj të argjendtë...
***
         Nuk mbaj mend në ç’përrallë a mësim shkolle i kam ndeshur për herë të parë, por gjithmonë më ka shoqëruar enigma e çuditshme se këto bukuroshe kanë qenë edhe të rrezikshme nëse kontakton me to, ose nëse kërkon të këndosh si ato. Nga shkolla në shkollë e nga libri në libër, unë do t’i plotësoja njohuritë për to, do pyesja e do debatoja edhe me profesorët e mi Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Zihni Sako etj. e gjithmonë me vështirësi, do t’i përfytyroja herë si hyjni, herë si xhinde, herë zana, herë muza, herë sirena, të gjitha të njohura në mitologjinë ballkanike në Iliadën homerike dhe në eposet tona; balada, këngë, përralla, poezi etj. Të gjitha mbulur me një tis mjegullor enigmtik e të frikshëm.
Një plakë e moçme në fshat analfabete më tregonte për një Marie që i kishte humbur lopa e doli rrëzës së malit për ta kërkuar. Te shkëmbi i Somanikut; “viu-viu- viuuuu” iu bë një zë e një erë e çuditshme që mbushi luginën. Seç qe një si vajzë e bukur, tha, që kishte zë të ëmbël, të magjishëm e këndonte për një yll të vdekur. E pa Maria e desh t’i fliste, por ajo xhinde e bukur i mori gojën. Si i mori gojën, e kam pyetur unë. Ia mori, po. Ia mori në vend. Iu pre zëri në fillim e pastaj i pushoi zemra. Pa zë vdiq. Pa gojë, nga ajo e bukura....
         Norbert Jokli thotë se: “Zana” rrjedh prej latinishtes “Diana”, por mua më bind më tepër prof. Çabej, që te “Zana” shikon thelbin za – zë- zëri, prej nga merr edhe emrin. Kuptimi pagan i tyre si zë, është shumë i lashtë. (Kujto se tempulli i muzave [Zanave] “Museioni”, është ndërtuar në vitin 200 para Krishtit dhe, para se të shkatërrohej nga arabët, u bë fidanishtja më e madhe artistike e botës antike).
Zanat ose shtojzavallet pa dyshim janë produkte shpirtërore çastesh të rralla, gjendje të veçanta ku shpirti i njeriut dëshiron të dëgjojë zërat magjikë të natyrës e, duke dashur t’i ketë brenda rrethit të njohurive të veta, i ka krijuar (përfytyruar) si vasha hyjnore, orë e zana ogurmira. .. U ka bërë edhe statuja e muzeume atyre të bukurave, por edhe me huqe të rënda e me ligjet e çuditshme të mosprekjes së Bukurisë (me B të madhe); atje, caktuar pranë hyjnisë, por gjithsesi zëra të natyrës, reflekse jehonash, zëra mistike të paimitueshëm, melodi ere, shushurimë krojesh e dallgësh, këngët e shiut e të gjethes, drithërimat e barit, zilet dhe këmborët..., krejt këngët e tokës e të detit që prej paganizmit të lashtë erdhën deri te njeriu modern i cili filloi të imitojë sadopak nëpër vegla, kallama, bilbila, fyej curle, çifteli, lira e deri te veglat e sotme elektronike e orkestra moderne së bashku me shenjat e tyre (grafinë) në pentagram. Imazhi i parë ka qenë hedhja e “yllit” në pentagram (një pikë në vijë apo fushë) sepse çdo yll qiellor nga pozicioni që ka, jep edhe tinguj të ndryshëm. Pentagrami me notat dhe kodet e veta me kombinacionet e pafundme, është shenja më e kompletuar simbolike në të gjithë artet, që e bën muzikën mbretëreshën e padiskutueshme të çdo krijimtarie artistike. Por, ndërsa meloditë afroheshin gjithnjë e më shumë te veshi i njeriut, ai, përfytyrimi fillestar i tyre, zana, si vashë, shtyhej tutje pranë lartësive misterioze, diku në të fshehtat e natyrës, më afër qiellit se tokës, deri te hyjnesha e tyre, Artemida, (motër binjake me Apolloin), ajo virgjëresha bukuroshe e pyjeve, krojeve, gjahut të sorkadheve, këngëve e valleve, por, gjithsesi, e paparë nga syri i njeriut, sepse...
         Sepse imazhet nuk flasin dhe asnjë i gjallë nuk e ka parë fytyrën e tyre, me përjashtim të poetëve.
Ju kujtohet Aktioni, gjahtari i mitologjisë, i sorkadheve, i privilegjuari i Apolonit, që, mjeroni ai, pa dashur, pa me sy Artemidën me zanat e veta përreth, që po lahej lakuriq në buzë të lumit, e ajo, virgjëresha bukuroshe, e ktheu Aktionin në sorkadhe e qentë e tij të gjahut sa ndjenë erën e sorkadhes, e copëtuan të zotin e tyre...
         Kushdo që i ka ndeshur ato ballë për ballë, ka vdekur. Madje edhe përfytyrimi i njeriut për to është i ndryshëm. Dhe në emra. Ato thirren Zana, Orë, Nereida, nimfa, nuse, sirena(tek ne shtojzavalle- shtoju Zot vallet) etj. të gjitha, në thelb, janë zë, tinguj, melodi magjike dhe të bukura te zoti, andaj dhe me aftësi çudibërëse e profetike.
         Kryesisht këngëtare e valltare, por ato janë edhe vajtojca, që qajnë bukur, “sirena vajtore”, “muzat e vajit”. Te ne njihen këto si vajtore të Durrësit, Antigonesë, Apolonisë, Vlorës, dhe quhen edhe “vajzat e virgjëra të natës”, apo stihitë e vdekjes. 
* * *
         Te grekët e lashtë, afër vajtojcave tona janë Erinitë, vajzat e Hadit, të bukurat e vdekjes, me flokë gjarpërinjsh e sy të zjarrtë, që hakmerren ndaj atyre që dëmtojnë seksin femër. Folklori ynë i ka ulur zanat e muzat më në tokë, i ka anthopozuar si femra për të kënduar e për të qarë (Vajtimi i Ajkunës), ose këngë e vaje në Labëri e në Malësinë e Veriut, sidomos në Tropojë.) Vdekja është dhembja me ndjeshmëri të lartë dhe njeriu ndien nevojën të shprehet me zë, këngë, ofshama, britma, gjeste e lot; në vajet tona “këndojnë” vajtojcat, por në disa zona, qajnë edhe burrat. Sidoqoftë, në këto raste kemi uljen e Zanës nga trojet mistike të së bukurës së padukshme në trajtat e njeriut.
Këtu unë e kam fjalën për të bukurat lart, ato enigmat e mbuluara me mister, zanat me zërin së sipërmi, ku hyjnia ka pjesën e vet.
         Pushteti i tyre është zëri melodioz dhe, si çdo pushtet, ato imponohen edhe në “sanksione” apeluese për ata që i shohin e i dëgjojnë. Ato nuk pranojnë asnjë sfidë. Diku thashë që janë të gjitha të gjinisë femërore ndoshta, prandaj pushteti i tyre është më zemërak; ndoshta kjo lidhet me shpërbërjen e matriarkatit e ajo, femra që humbi pushtetin, mbajti vetëm dy elemente bazale, atë të lindjes dhe atë të bukurisë. Dy pushtete këto që nuk kapërcejnë dot te mashkulli; është ofshama shpirtërore, shpërthimet e ndjenjave të skajshme, që japin lot e kënaqësi të veçantë, por edhe të rrezikshme në profecinë e tyre fataliste e vrastare për atë që guxon t’i sfidojë. Të vret bukuria, të vrasin vajet e sirenat me këngë; të vret poezia e bukur, e panjohura, e padëgjuara, misteriozja (kujto sa vrastare qenë sirenat tek “Odiseja” e Homerit). Ishulli i tyre “Anthemoezes” (ishulli i luleve, greqisht), ku jetonin sirenat, ishte mbushur me varre. Lule dhe kocka. Këngë e melodi që çmendën Odisenë me atë kënaqësi magjike, por edhe mashtrim e kurth për t’i çuar në Had. Edhe shpellat e guvat e gjelbëruara, ku jetojnë zanat në bjeshkët tona, “krejt rrethuar janë me bregore kockash e kafkash”.
         Dhe dihet: Gjeto Muji, kreshniku i eposit tonë, e dinte rrezikun: ato kthenin në gur ose kallkan të gjithë kalimtarët që i shohin ose kalojnë pranë tyre duke kënduar. Dhe u tha Muji dasmorëve......: “Kur në bjeshkë keni me dalë,/ mos bani as za e as piskamë,/ se zanat kanë me u zanue...”. (Kujto porosinë e Circes tek Odiseja... vulosi veshët me dyllë... ). Dasmorët e kreshnikët e harruan porosinë dhe Zanat i zanuan të pabindurit (Vini re foljen “zanoj”, “me zanue” – rrënja është zë, za; veprim ndëshkimor me zë). Krushqit i gurëzuan dhe nusen e Mujit e morën robinjë. Më vonë Muji dhëndër, mbetur pa nuse, mësoi se forca e orëve qëndronte te një pëllumb, e vetëm pasi e kapi dhe e vrau atë, çliroi krushqit dhe nusen e tij. Mesazhi kalon brezash i pashkruar, si erë e si jehonë: Mos e prek botën e misterit, mos e sfido shpirtin suprem të bukurisë; në katin e sipërm të artit, ku banon ajo, nuk shkohet me opinga me baltë; nëse të takon diçka nga festa në altar, mos harro të ulësh kokën e të veshësh sandale të mëndafshta.., se “zanat kanë me të zanue...”.
* * *
         Një natë në ëndërr, kur isha shtruar në spital pas një operacioni të vështirë në zë, u bëra me poetin e madh, Gjergj Fishtën. I paskesha dërguar unë një e-mail dhe i kërkoja takim urgjent për... Ai erdhi. S’e kisha takuar ndonjëherë kaq afër. Ishte burrë i bardhë, vetullshkruar dhe i qeshur, ekzemplar i një race të bukur e të lashtë iliriane. I putha dorën me ndrojë e ai u fut menjëherë në bisedë.
-Ju keni pasë do vrejtje për muzat e mia?
-Po, atë.
-Rrnofsh, o bir! Po të nij, pa hë!
-Më ndje atë, - fillova unë, por ju në poemat e tuaja u keni dhënë zanave funksione që nuk i kanë; zanat ose muzat si frymëzim poetik i të gjithë poetëve të Ballkanit që nga Homeri, te ju zhvendosen nga sferat qiellore të së bukurës në tokë dhe thirren për armë, duele, therori e ato, nga fluide siç janë nëpër këngët e vallet tona, bëhen luftëtare “e luftojnë gryk për gryk e flak për flak”.
-S’i kam thirrë unë o bir, - tha ati i shenjtë, - por kombi im.
-... më fal, atë, por ky kombi ynë kështu do na i mbyllë gojën gjithmonë, ndaj nuk u bë...?
Pashë që poeti u ngrys dhe nuk i pëlqeu mendimi im, por ashtu siç qe, poet dhe prift, ma liroi litarin e fjalës.
-Po ti fol, o bir! E kombi ynë ka nevojë me na nigju...
-Poeti nuk mund të identifikohet me zanat e aq më pak me zanat luftëtare... me emra e mbiemra nga vajzat dhe gratë e malësive tona; zanat janë produkte qiellore. “Gruaja grue e Zana zanë”.
-Të qiellës jemi të tanë, o bir. Pse a keq me kenë dhe ushtar dhe kangtar?!
Pastaj ai se ç’tha një lutje nëpër gojë. Një re shkajti midis nesh e u mblodh shtjella shtjella në trungun e një bredhi e një kor bilbilash u dëgjua më tej. Simfoni bjeshkësh.
-Këto zana luftëtare, - vazhdoja unë në vetmi, - s’na kanë dhënë fitore. Kombi ynë vazhdon të jetë...
-...
-Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, - vazhdova, - këto zana u bënë partizane, vëlla e motër me shqaun... e u bënë luftëtare dhe spiune dhe...
-...
-E më vonë zanat u katandisën kooperativiste, zetoriste e zboriste...
-...
         Vonë e kuptova që po flisja me vete. M’u zhduk nga sytë edhe ajo reja që u mbështoll pas bredhit të bardhë.
         Ra nata, ra dhe hëna e plotë që mbuloi dheun me një dritë qumështoreje e m’u bë se Fishta po mbante një meshë para një grupi varzash të bukura e ai, poeti e personaliteti i madh i shqiptarizmës, nuk po u fliste për zotin, por po u thosh ca vargje melodike. Ngrita veshët e dëgjova: “... u prijnë valleve tue ndritë hana” e “jehojnë male e zalle n’ato kangë e n’ato valle”... “tue m’u la, tue m’u flladitë, herë n’për hanë e herë n’për dritë”.
-Këtu më ke, - thirra unë, e pylli që po digjej nga flakët e hënës e shpërndau zërin tim tejpërtej.
-Ku je? – tha poeti me zërin e ëmbël.
-...herë n’për hanë e herë n’për dritë... .
Dhe për çudinë time fillova të bëja portretin e tyre me fjalët e Fishtës. Them për çudinë time se unë nuk shquhem për përmendësh, por në ëndërr m’u kujtuan të tëra vargjet e mësuara që para tridhjetë vjetësh për portretin e Zanave (!)
“Ardhë shtatit si breshana
Rreze dielli dora e llana
Ftyra shtru n’flet t’drandofillit
Shartue zanin n’za t’bilbilit
Diçka borë e diçka brymë
Si ai qielli më fërfëllimë...”.
         .. E m’u fundos poeti. Diku e mbështolli një re e bardhë a diku një dallgë lumi kockash dalë...Pastaj, andej nga qe zhdukur ai, m’u bë një vajzë bjonde. Lakuriq. E bukura e dheut. Një fjollë e trashë floku i niste në ballë, palosej pas koke, bëhej komb në qafë e si një gërshet gjysmë i shpërbërë i kalonte mbi gjinj, i varej poshtë e i arrinte deri te seksi i tyre. Këmbët e holla i kishte në një këpucë që, në fakt, ishte një guaskë deti, e lart trupi i bardhë me kokën pak anash si portreti i Afërditës së Milosit (varianti grek i perëndeshës)... M’u afrua. Priste fjalën time. Ose këngën. Ose zërin. E tha një çast: -Ç’do prej meje, o vëlla? – Atë që humba, - desha t’i thosha.(Kisha një javë që isha operuar nga laringu)....
Dhe në ëndërr kisha ankthe. Në çast u tremba nga një hije e që m’u hodh me shpejtësi e më pllakosi trupin krahëhapur për të më mbrojtur. -Mos!, - bërtiti, - mos! - Ishte nëna, në-në-za ime. – Mos i hap sytë, mos u zgjo, bërtiste, - mos fol! Ajo kërkon të të marrë...Ajo është zanë, zanë e don me të zanue.. – Desha të flisja, t’i thosha se kjo bukuroshe s’ka çe do vdekjen time, por s’kisha zë e, kur po përmendesha, Ylli i mëngjesit më ra në sy e më zgjoi.
E njihja këtë yll. Ishte zana e zanave
Afër –dita jonë...

No comments:

Post a Comment