Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Friday, 5 January 2024

KREMTIMI I UJIT TË BEKUAR NË PESHTAN

nga: Andre LLUKANI 

Muzeu Historik Kombëtar

TIRANË


Pas celebrimit të meshës në kishë, peshtanakët drejtoheshin për tek Kroi i madh, që ishte rreth 400 metra larg Kishës së Shën Thanasit. Kroi kishte dy kamare tek të cilat vendosnin ikonat. Besimtarët e fshatit shkonin duke kënduar:

"O Zot shpëtoje popullin tënd

e bekoje trashëgimin tënd

dhuroju shpresëtarëve 

fitore mbi barbarët

dhe ruaje shtetin tonë

me anën e kryqit tënd." 

 

Gjatë kësaj shërbese kryqi vihet në një enë me ujë dhe me një tufë borziloku. Kryqi hidhej në pellgun pranë Kroit të Madh dhe ai që do ta kapte kryqin do të shpërblehej. Menjëherë besimtarët puthnin kryqin dhe spërkateshin me ajazëm (ujë të bekuar). Ndërkohë psaltët këndonin himnin kryesor të së kremtes:


"Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot

alja e Trinisë kudo u shfaq

Se zëri i Atit të dëshmonte

Bir të dashur të tij të quante

E shpirti në formë pëllumbi

E vërtetonte vërtetësinë e fjalës

O Krisht që u fanepse

Dhe ndriçove botën, lavdi më Ty."


Ky tropar këndohej nga të gjithë të pranishmit. Besimtarët mbushnin nga një shishe të vogël me ujë të bekuar dhe sapo mbërrinin në shtëpi, spërkatnin të gjitha anët. Më pas shishen e vendosnin pranë ikonës në vendin e lutjes. Këtë ujë të bekuar e mbanin deri më 6 janar të vitit pasardhës. Ky ujë përdorej si shenjë bekimi në rast sëmundjesh. Gjithashtu gjatë së kremtes së ujit të bekuar, pas Liturgjisë Hyjnore burrat e fshatit mblidheshin në hajatin e kishës ku zhvillohej ankandi i shitjes së ikonave. Ai që paguante më shumë, kishte privilegjin që ta mbante ikonën disa ditë në shtëpi për mbarësi. Rrugës për në shtëpi këndonin:


"Nga mot për shumë mot

Me djem e bereqet plot."


Të afërmit e fqinjët vizitonin familjet që kishin blerë kryqin dhe ikonat duke i uruar për mbarësi. Më të lumturit në këtë ditë të shënuar qenë priftërinjtë dhe epitropët, të cilët pas ankandit të ikonave do të ndanin paratë e fituara. Sigurisht një pjesë e së cilave i kalonte kishës. Gjithashtu u jepnin edhe fukarenjve


.

 2.) PËRSHKRIMI IKONËS “PAGËZIMI I KRISHTIT”


Ikona “Pagëzimi i Krishtit” është realizuar nga ikonografi Onufër Qiprioti në shek. XVII. Ajo i përket ikonostasit të kishës së Shën Nikollës në Saraqinishtë të Lunxhërisë në rrethin e Gjirokastrës. 


Në ikonë paraqitet skena e Pagëzimit të Krishtit në lumin Jordan. Në kohën kur u pagëzua, Krishti ishte 30 vjeç. Krishti është në qendër të ikonës, gjysëmlakuriq mbi një gur, prej të cilit dalin katër koka gjarpërinjsh. Këta të fundit, duke u ndërthurrur me valëzimet e ujit dhe peshqit, që notojnë, japin pamjen e botës nënujore. Mbi kryet e Krishtit gjendet Shpirti i Shenjtë në formën e një pëllumbi, ndërsa engjëjt në pjesën e djathtë të ikonës janë duke adhuruar Trininë e Shenjtë. 


Në bregun e majtë të kompozimit, mbi shkëmb qëndron Joan Pagëzori, i cili është përkulur drejt Krishtit për ta pagëzuar. Vepra kryesore e Joanit ishte parapërgatitja e popullit për ardhjen e Mesisë. Prandaj ai quhet pararendësi i Krishtit. Këtë e bëri realitet me predikimin e tij. Pararendësi i ftonte njerëzit të pendoheshin e të pagëzoheshin, si parakusht për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë. 


Gjatë pagëzimit, Krishti shpalosi se ishte personi i dytë i Trinisë së Shenjtë, pra, Biri i Perëndisë. Emri i festës “Theofani” do të thotë Shfaqje e Perëndisë.








No comments:

Post a Comment