Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Saturday, 18 February 2023

MENDIME E MBRESA PREJ LIBRIT TË KOÇO MOSKO SELCKËS "UDHETIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

         "Për Shqiptarët aso kohe Pandeli Sotiri qe një diamant i rallë vezullues midis vëllezërve rilindas që e donin dhe e adhuronin për dituritë, punët e mira në shërbim të atdheut..... "

nga : Zija BASHA

Milwaukee, WI - SHBA 

Zija BASHA 

Një analizë shumë të bukur për këtë libër të Koço Moskos e bëri gazetari, shkrimtari e publicisti, pandelisotirasi i pedagogjikes së Gjirokastres, Avdulla Kenaçi, por unë për miqtë e mi do të shkruaj për pjesën e parë të këtij libri "Historia dhe veprimtaria patriotike e vëllezërve rilindas Sotiri". Do të shkruaj se më emocionoi shumë jeta e vepra e tyre dhe më ka dhëmbur tërë jetën thellë në shpirt se vepra e jeta e tyre në shërbim të arsimit shqip u mbyll me kurorën me gjëmba prej tiranisë osmane e shteti shqiptar nuk i vuri siç e meritojnë në piedestal.

 

Ky libër i Koço Moskos në çdo fjalë e rrjesht me emocionoi, më ledhatoi shpirtin e më forcoi bindjen se shpirti shqiptar, human e atdhetar rron edhe në këto kohë të errëta që po kalon shoqëria shqiptare e kombi ynë. Autori thote se librin ua dedikon bijave te tijë të dashura Oltianes e Arditës, por libri u bën nder edhe Lunxherisë e lunxhotëve edhe Shqiperisë e terë shqiptarëve kudo ku janë. Që nga kreu e gjer në fund të librit rreh zemra e një shqiptari e atdhetari të përmalluar për mëmëdhenë, historiani e shkencëtari që të rrëmben e të fut nëpër rrjedhat e historisë, gjuhësisë shqiptare, traditave më të mira kombetare etnokulturore, florën e faunën e një prej krahinave më të mira shqiptare, Lunxhërisë, plot lezete. 

 

Ne që e kundrojmë çdo mëngjez malin e Lunxhërisë e krahinën që shtrihet nën këmbët e tijë e quajmë malin më të bukur të botës. Po njerzit që e banojnë atë krahinë, lunxhotet? Ne i quajmë shqiptarë të kulluar me të gjitha virtytet njerzore shqiptare që shquhen. Në studimet antropologjike që u bënë më 1972 që mori shkas nga shkatërimi fatal i varrezës mbi 2000 vjeçare në kishën e vjetër të Shën Todhrit në Gjat të Lunxhërisë rezultoi se lunxhoti e lunxhotja janë popull në vazhdim iliro-mollos që ruajnë karakteristikat e tyre deri në ditët tona. Prandaj lunxhoti e do vendlindjen, krahinën, atdheun gjuhën e traditën si shpirtin e tijë të lirë lunxhiot. 

 

Të  tillë atdhetarë e trima qenë edhe bijtë e kësaj krahine Koto e Pandeli Sotiri. Ishin dy vëllezër nga Selcka ku u lindën, por që u bënë dy yje vezullues për arsimin shqip duke sjellë dritën e diturisë në mëmedhe trimërisht në mes te reziqeve. Në këtë pjesë të librit me shumë dashuri jep të dhëna interesante për jetën e veprën e tyre, fqinji i tyre pranë shtëpisë ku lindën e u ritën në atë Selckën e bukur rrëzë malit Koço Moskua. Ai tregon të vërteta që të emocionojnë si dy djem jetimë të një familjeje fisnike, jetën e tyre të ndritur në shërbim të kombit deri në vdekjen e shkaktuar nga shteti tiranik osman. 

 

Historia është shkencë se lë gjurmë materiale në memorjen e njerzve, në dokumenta të shkruara apo të vjela në kohë nga dëshmitarë të vërtetë larg falsifikimeve siç këshillon Babai i historisë Herodoti. Autori Koço Mosko ka punuar me përkushtim human e atdhetar për shumë kohë e dokumenton deri në shterim të të dhënave të sakta me shkresa e memorje të besueshme autorësh për veprën e mbrekullueshme të vellezërve Sotiri me të gjithë rilindasit në Stamboll si vëllezërit Frasheri e të tjerë në organizimin e shoqatave atdhetare. 

 

Të prekin këto rrjeshta;"Pandeli e Koto Sotiri u rritën e u edukuan në një mjedis patriotik te zjarrtë, gjithmonë në luftë e përpjekje për shkollën e arsimin shqip.. Merguan në moshë të njomë në Stamboll me kokën mbrapa, duke mbartur me vehte hallet e vendlindjes, hallet e dertet e Shqipërisë". Në Stambolll, duke u rritur me tej në një ambjent patriotik e familjar shqiptar ata ecën përpara në rrugën e shqiptarizmës, duke mbaruar në atë qytet të zhurmshëm shkollën mesme,  nga më të mirat për kohën "Gallatasaraj High schooll". Një fat i mbrekullueshëm për të dy vëllezerit. Por xhaxhai i tyre i mirë Thimjo Sotiri nuk u ndal me kaq për shkollimin e nipërve. I shkolloi më lart në Universitetin e Vjenës nga ku Kotua doli jurist e Pandeliu mjek. Veçse të dy vëllezerit ishin po ata, por më diturakë e atdhetarë zemërzjarrtë.

Arsimimi i tyre në Vienë e venia e tyre në shërbim të mëmedheut në atë kohë të errët obskurantiste ku ndodhej Shqipëria të ve në mendime të thella që ta përjetosh e të vleresosh këta të dy vëllezër titanë qe i vunë supin njeri tjetrit për tu bërë pishtarë të arsimit kombëtar duke shpërfillur interesin e tyre material, shembull i shkëlqyer i atdhetarizmit. Ata u betuan përpara altarit të Atdheut, e këtë e vërtetoi jeta e tyre për përhapjen e shkronjave shqipe se për ta nuk kishte tjetër kuptim jeta e tyre e re se sa -Mjafton të rrojë Shqipëria se si ajo s'ka tjetër, se për ata s'ka memë tjetër që të pjellë një të dytë si ajo. Ata mendonin se përpjekjet e tyre me penë ishte vazhdimi i lavdishëm i përpjekjes së ndritur të të parëve të tyre, prandaj Pandeliu i thotë me ledhatim e përkedheli nxënëses së tijë filloriste Polikseni Luarasit, mesuese e ardhëshme që ndriti në arsim: "Jemi të dy nga një vend, nga Gjirokastra me vulë," duket jehona e këngës së Shemo Kaso gjirokastritit. Këta bij të ndritur të kombit ndjejnë thellë jehonën e jetës së lavdishme të të parëve, sepse të vdekurit e mëdhenj të altarit të mëmëdheut janë udhëheqesit e përhershëm të brezave që vijnë e ata ua ndriçojnë rrugën. 

 

Në këtë libër, që jam fatlumë që e kam në dorë ndjen lexuesi se këta atdhetarë të medhenj mëndjendritur e shpirtbardhë duken të shenjtë se kryen një vepër shpirti në rrethana të vështira e nuk shkuan kundër shpirtit që i thërriste çdo çast, por ishin qëndrestarë të patrembur. Koçua i vendos natyrshëm në vendin e vet të qëmtuara me kujdes dokumentat e shkruara të kohës,, memorjet e vjela nga autorë shkrimesh,, dëshmitarë që i kanë përjetuar përpjekjet e vëllezërve Sotiri për arsimin e shkronjat shqipe, hapjen e shkollave të para në Korçë e Pogradec, duke sqaruar në menyrë të saktë se e Korçës u hap në 9 shkurt 1886 me drejtor Pandeli Sotirin dhe e Pogradecit me 14 mars 1887 me drejtor Koto Sotirin, pra një vit më vonë. Dokumentimi i punës intensive atdhetare të Pandeli Sotirit në Stamboll për alfabetin shqip, botimin shqip të librave e gazetave, artikujve të tijë në nivele të larta diturie e shkence e bëjnë librin e autorit Koço Mosko Selcka që ta përpishë në çdo fjalë e rrjesht me kërshëri të madhe sepse shikon jetën në levizje të një njeriu bir të shqipes që perpiqej ti bënte punët një për një me radhën e vet për të parë shqiptarët sa më shpejtë e pa humbur kohë dritën e diturisë. Për Shqiptarët aso kohe Pandeli Sotiri qe një diamant i rallë vezullues midis vëllezerve rilindas që e donin dhe e adhuronin për dituritë, punët e mira në shërbim të atdheut ku shfaqte dashurinë e pakufishme në çdo fjalë që thoshte në ato kohë me vështiresitë e jashtzakonshme që i krijonte tirania osmane e ballabanët shqiptarë në oborin perandorak e kudo ku vepronin. 

 

Po Pandeliu e Kotua nuk jetonin vetëm mes gjarpërinjsh në atë mision të shenjtë.  Këta misionarë të paepur jetonin edhe midis miqsh e shokësh shqiptarë rilindas qe i donin me shpirt e vellezërisht. Në një vjershe kushtuar Koto Sotirit miku i tij Stefan Thodhoraqi nga Leskoviku i shkruan:


"Ndë botë, në rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,

Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,

Mirësia dhe e vërteta të mos duken asgjëkund,

Gjithmonë në gjykon djalli dhe botën e tund"…

 

Shpirtërisht ne pandelisotirasit e pedagogjikes së Gjirokastrës kurrë nuk e kemi besuar se Pandeli Sotirin e vrau gruaja me ndihmën e grekomaneve te Fanarit, por autori Koço Mosko me argumenta hedh poshtë intrigën e stisur për vdekjen e tijë. Gruaja e Pandeliut nuk ka të dhëna të besueshme se isht greke. Ajo nuk mund ta ngrinte peshë burrin e sajë e ta hidhte nga dritaria se ai qe diturak e i rëndë si lis Lunxhërie e s'e ngrinte dot. Atje qenë edhe familjarët e tijë, por ai rreshqiti nga dritaria për tu shpëtuar xhandarëve që i mësynë shtepisë në befasi. 

 

Ka shumë tregime që gratë gjatë historisë që nga lashtësia kanë helmuar e vrarë princër, mbretër a perandorë , por kjo pér Pandelinë tonë nuk qëndron dhe argumentohet qartë. Vet rilindasi Ismail Qemali, këshilltari kryesor i sulltan Hamidit té dytë vizitoi shtëpinë e tijë, hetoi çështjen me urdhër të sulltanit që i kishte dhënë me doren e tijë 2 lejet për të dy shkollat Pandeliut e Pandeliu i kish dhuruar atij një abetare shqip pergatitur enkas për të. Pavarsisht intrigave e thashethemeve që u thurrën për ngjarjen nga tirania turke e gjakprishurit e cmirezinjtë shqiptarë, rilindasit e shqiptarët atdhetarë e nderuan me veneracion atë fatos të kombit në funeralin e tijë.

 

Koço Mosko Selcka nuk tregon për këta martirë të arsimit shqip, vëllezër e luftetarë të pandarë, por u këndon me një melodi që herë ngjan me kengët e zogjëve në degët e lisave të Lunxhërisë në pranverë, herë me feshferimën e pemëve lunxhiote nga era e rrebeshi dimëror, herë herë me melodinë e vajeve të nënave lunxhiote se ashtu qe jeta e tyre, jetë guximtarësh atdhetare qe i nxori Selcka e Lunxhërise. Po i mbyll keto rradhë me fjalet vleresuese te tre dishepujve te tyre të thëna në fillim të viteve 60-të të shekullit që lamë pas:


1. -Thoma Papapano,"Mesues i Popullit:

"O djem e vashëza, mësues të rinj! O pandelisotiras! Kujtoni përherë Pandeli e Koto Sotirin! Kujtoni Koto Hoxhin që kur e vizitoi në burgun e Jedi Kules në të 4 budrumet "Mesuesja e Popullit" Sevasti Qiriazi kishte humbur të parët! Perse ? Për arsimin shqip"  Korrik 1964.

 

2. Drejtori historik i shkollës pedagogjike "Pandeli Sotiri" Tomor Tushe:
"
Mësuesi rilindas Pandeli Sotiri nga Selcka e Gjirokastrës, drejtori i shkollës së parë shqipe qe u hap 73 vjet më parë në Korçë u martirizua nga turqit për alfabetin shqip. Që nga sot shkolla jonë e re do të quhet "Shkolla e mesme pedagogjike" Pandeli Sotiri " Gjirokastër. Ta ngremë larte emrin e atij mesuesi të paharruar! “ Tetor 1959.

 

3. Vasil Kamani, drejtor i shkollës Normale të Elbasanit "Mesues i Popullit para mësuesve e nxënësve të shkollës pedagogjike "Pandeli Sotiri" tha:

"Dielli që flakëron në jugun e Shqiperisë për ndriçimin e arsimit e kulturës kombëtare është shkolla juaj  "Pandeli Sotiri" Ju lumtë. Nuk jam Cezari, por do them fjalët e tijë:"Erdha, pashë, fitova!" Maj 1963.


Shkolla e Mesme Pedagogjike "Pandeli Sotiri", Gjirokastër



 

9 comments:

  1. Kostandin Gjinarali
    Analizë e detajuar për librin e Koços Moskos. Urime prof Zija dhe Koço.

    ReplyDelete
  2. Koço Mosko
    Ju falenderoj perzemersisht i dashur Zija. Shkrimi i shkruar me dashuri e me nje patriotizme te kulluar qe vetem ju mund ta beni kete, te them te drejten me mallengjeu. Ju e keni pasuruar me tej veprimtarine patriotike te vellezerve Sotiri me eksperiencen tuaj jetesore. Sado te kalojne vite, madje dhe shekuj, sado pluhur i harreses te jete hedhur mbi veprimtarine patriotike te Pandeli e Koto Sotirit, ata shkelqejne si nie gur diamanti ne thellesine e viteve. Respekte dhe respekte miku im.

    ReplyDelete
  3. Ilir Ilir
    Vleresim i argumentuar me detaje dhe informacion shtese, shoqeruar nga dashuria dhe mirenjohja per vepren dhe autorin e saj.
    Nuk e kam mare ende librin, por shkrimi juaj me shtyn ta lexoj pa humbur kohe. Suksese Koços Moskos! Faleminderit edhe Ju Zija. Sot qe mungon pothuajse teresisht kritika letrare, referime te tilla jane te domozdoshme per mesuesit dhe brezin e ri.

    ReplyDelete
  4. Paqesor Bedaj
    Pershd. i miri prof.
    Zija Basha.🙋‍♂️
    I madh ne te kujtuar, fole dhe shkruar bukur. Ta kam zili ne kujtese dhe memorje, ne edhe pse te rinj
    kemi ngel mbrapa.😂😂
    Fshati Selcke njeri nga fshatrat me te mire ne zonen e Lunxherise por edhe te Gjirokastres.
    Ishte vite 94 dhe do beheshin votimet e referendumit. Dhe shefi i madh i policise Gjirokastres, duke bere listen e policave neper qendrat e votimeve.
    - Me pyet:
    Paqo ku do te vesh ti.
    Se do te jesh edhe pergjegjes.
    Une u çudita. Ai beri ne shenje respekti pasi isha puntor, i ndershem dhe i pakorruptuar dhe inkriminuar si nje pjese e madhe e tyre qe i grabisnin njerezit rruges ...etc.
    - I them se:
    Do pyes se cili eshte fshati
    me i mire dhe do te them.
    Pyeta disa police dhe
    njeri me thote:
    Selcka e Lunxherise.
    Shko shikoje.?
    Dhe me caktuan edhe pergj. per grumbullimin e votave per zonen
    Zagori, Pogon me qender Polican.
    Dhe ishte me te vertete fshati i vogel dhe i bukur, vendos larte
    ne gryke.
    Me njerez te mire dhe te nderuar e respektuar. Me nje komunitet te vogel Vlleh a-rumune, qe nuk dallonin na tjeret...etc.
    🔹 ️Udhezim, jete e shendet dhente
    Zoti per ty, femijet, familjen dhe gjith tjeret. Amin.

    ReplyDelete
  5. Gligor Zeridhi
    Libri i juaj i dashuri Koco u vleresua nga shume njerez . Veprimtaria patriotike e Pandeli
    Sotirit, e Koto Hoxhit dhe shume te tjereve do te jene busull per brezin e ri dhe me shume per
    mesuesit qe edukojne brezat qe vijne !

    ReplyDelete
  6. Sotiris Tsiatis
    Pergezime te dyve: Autorit ,te cilin kam pasur rastin ta njoh dhe kam pershtypjet me te mira, si njeri ,si intelektual e shkencetar. Paste udhetim te mbare libri i tij i pare (ne mos gaboj)!
    "Dollia" e dyte i takon pandelisotirasit tone te njohur,Zija Basha, si historian e analist i talentuar e objektiv i fakteve historike, te paraqitura me nje gjuhe te bukur e te rrjedhshme, qe te fton ta lexosh sa me shpejt e me nje fryme !
    Urime , shendet e gezime !,

    ReplyDelete
  7. Irena Shehu
    Një shkrim,që krahas punës së lavdërueshme dhe shumë të vlerësuar nga vetë autori,që sjell fakte dhe informacion të bollshëm për zonën me vlerat e saj, që shpreh më së mrë dhe dashurinë e respektin e Z. Basha për krahinën e Lunxhërisë dhe lunxhotët.
    Respekte për të dy.

    ReplyDelete
  8. Avdulla Kënaçi
    Historiani Zija Basha, bashkenxenes i pedagogjikes "Pandeli Sotiri", i ka kushtuar kete shkrim te zjarrte dhe plot pathos, autorit Koço Mosko ne shenje mirenjohje per risite dhe informacionin historik qe sjell ai ne librin " Udhetim ne shpirtin lunxhiot". Urime Zija, mendoj se kete qendrim duhet te mbajme te gjithe ndaj librit dhe autorit Koco Mosko.

    ReplyDelete
  9. ILLO FOTO
    Opinioni qe çfaqi Prof. Basha, per librin e Koço Moskos, eshte nje mbeshtetje tjeter shkencore, per pjesen historike te librit. Kjo mbeshtetje me vlere te spikatur profesionale jo vetem nga ana historike, por dhe nga konsiderata, qe ka shprehur Profesori, per Lunxherine dhe lunxhotet. Kjo do te thote se puna dhe lufta per arsimin shqip, nuk linden ne boshllek, por ne nje krahine me virtute njerezore dhe historike.
    Edhe fjalet e shkencetareve te gjuhes, per shkollen e mesme "Pandeli Sotiri " ne Gjirokaster perbejne nje mbeshtetje tjeter per librin e agronomit, Koço Mosko . .
    Kisha shume kohe, pa degjuar, per Mesusin e shquar gjirokastrit, Thoma Papapano. Kur e lexova emrin dhe shprehjen e tij historike, mu duk se u takova me te. Eshte mesusi im i pa harruar. Jo vetem i imi, por i disa brezave gjirokastrite . .
    E uroj profesor Bashen, per kete informacion shtese, per librin e autorit te librit.

    Me konsiderate : Illo Foto

    ReplyDelete