- Kujtime -
nga : Prof. Dr. Llukan TASE
Agronom në Pension
TIRANË
Llukan TASE |
Mbasi mbaruam shkollën e mesme jeta na ndau. Farudinit i doli bursa për studime në Hungari, ndërsa mua në Bullgari. Ngjarjet që ndodhën atëhere në Hungari e detyruan shtetin shqiptar që disa prej studentëve të vazhdonin studimet në Bullgari. Ndër ta erdhi në Sofje edhe Faudini. Ishin vitet -58 dhe jeta na bashkoi përsëri. Në Sofje Farudini ishte nga studentat e inxhinjerisë, shumë serioz në mësime në dallim nga disa që ishin më aktivë në jetën shoqërore. Studjoi me vullnet gjatë gjithë kohës( megjithese në fillim ju desh të mësonte edhe gjuhën bullgare). Farudini gjatë kohës së lirë bashkohej me futbollistat e studentave shqiptarë të Sofjes, sidomos kur luanim me bullgarët dhe grupet e studentëve të huaj ,që ishin në kryeqytetin bullgar.
Farudini ishte djalë i dashur dhe shumë i respektuar nga kolektivi i studentave shqiptarë, që në atë vit ishim një grup i madh në fakultete të ndryshme. Më shumë studjonin për agronomi dhe mjekësi e ekonomi, por grupi i inxhinjerisë ishte i madh dhe me djem shumë të mirë, që e donin dhe e respektonin shumë mikun tim, Farudin Hoxhën.
Kur u kthyem në Shqipëri në vitin 1961 për shkak të profesioneve të ndryshme(unë agronom dhe ai inxhinjer), rrugët tona u ndanë në detyra e vende të ndryshme. Por, ne e ruajtëm miqësinë edhe kur ai arriti në elitën e shkencës, si drejtues i Akademisë edhe më vonë, kur doli në pension. Së bashku me shokët vinte në organizimet që bënte Shoqata "Miqtë e Bullgarisë" dhe festonim e kujtonim Bullgarinë që na dha profesionin dhe dashurinë për këtë popull mik. Edhe kur doli në pension, shpesh pinim kafe bashkë dhe kujtonim me nostalgji vitet e rinisë tonë. Ai u nda nga jeta pak vite më parë, duke lënë trashëgim jetën e tij të pastër e të sukseseshme.
Nga e majta ne te djathtë: Ing. Mehmet Molloholli, Ing. Farudin Hoxha, Dr. Ago Shametaj, Agr. Llukan Tase. Foto e vêtit 200 dalë në Sofie, Bullgari |
Farudin Hoxha, miku im i vegjelisë do të mbetet i pa harruar jo vetëm nga unë por nga gjithë shqiptarët, që së bashku me inxhinjerët e tjerë i dhanë Shqipërisë dhuratën më të bukur, veprat e hidrocentraleve mbi lumin Drin, që edhe sot ndriçojnë vendin tonë si një fitore e dritës mbi errësirën.
I kujtova këto mbresa të varfëra për një mik të madh sepse keto ditë, me 20 Janar ai kishte ditelindjen.
Profesor Dr. Llukan Tase
Tiranë 16 janar 2022
BIOGRAFI E AKADEMIKUT FARUDIN HOXHA.
Specialist i shquar i energjitikës, drejtuesi Institucioneve shtetërore kombetare. Akademik Farudin Hoxha u lind në Gjirokastër, më 20 janar 1936.
Shkollen e mesme e kreu në Politeknikumin"7 Nentori" në Tiranë me 1954, kurse studimet e larta në Budapest e në Sofje, në fakultetin e Inxhinjerisë, Dega Hidroteknike, specialiteti Ndërtime Hidroenergjitike më 1961. Dhjetë vjet më pas është specializuar në Francë për mekanikën e dherave dhe ndërtimin digave të larta me materjale vendi ose rrethanore.
Veprimtarija e tij e gjerë profesionale, shkencore, projektuese e drejtuese lidhet me një sërë detyrash në rradhë të parë në fushën e energjitikës me studimin, projektimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e veprave energjitike në Shqipëri, me drejtimin e disa dikastereve qëndrore e institucioneve akademike, me drejtimin ose pjesemarrjen në një sërë organesh e organizma shtetërore të rëndësishme etj.
Prej vitit 1961 ka punuar në Institutin Shtetëror të projektimeve në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve dhe më vonë në Institutin e Studimeve e të Projektimeve të Hidrocentraleve, Nënstacioneve dhe Linjave te Tensionit te Larte. Pavarësisht nga funksionet e tjera që ka pasur, në Institutin e Projektimit ka vijuar rregullisht të kryeje detyra studimore e projektuese deri në vitin 1993.
Si anëtar i Grupit Qendror për studimet, projektimet dhe ndërtimet në fushën e energjitikës ka punuar, ndër të tjera, për keto vepra madhore hidroenergjitike: Skema e shfrytezimit hidroenergjitik të lumit Drin: Hidrocentrali i Vaut të Dejës, me fuqi 250.000 KW dhe me prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike 1 miljard kilovat/ore; Hidrocentrali i Komanit, me fuqi 600.000 KW dhe me prodhim mesatar vjetor 2 miljard kilovat/orë; Hidrocentrali i Fjerzes me fuqi 500.000 KW dhe me prodhim mesatar vjetor 1,70 miljard kilovat/orë; Hidrocentrali i Banjës; Hidrocentrali Bistrica ll; Hidrocentrali i Bogovës. Ka qenë projektues dhe Kryetar i grupit të studimit dhe projektimit të të gjitha digave të hidrocentraleve të mësipërme me lartesi nga 40 m. deri në 167 m. disa prej të cilave, nga Komiteti Boteror i Digave te Medha (ICOLD), janë klasifikuar më të larta në Europë e më gjerë. Po ashtu ka qenë Kryetar i Komitetit Kombetar Shqiptar të Digave të Larta ( 1991-1995 dhe 2002 e në vijim).
Ka dhenë ndihmesë të vazhdushme edhe në një serë organizmash të tjera të réndesishme kombëtare: Anëtar i Këshillit të Rregullimit të Teritorrit (1997- 2008), anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe Zhvillimit Teknologjik (1997-2004); anëtar i Komisjonit Qeveritar për ekonominë ujore me vendet fqinje ( 1973-1982 ) dhe (2000-2005).
Nga nentor i vitit 1982 deri në maj 1988 ka qenë Ministër i Ndërtimit dhe me pas deri më 21 shkurt 1991, kur dha doreheqjen dhe u largua nga Qeveria, ishte minister per Bashkepunimin Ekonomik me Jashtë. Më 1999-2000 ka qenë Drejtor i Përgjithshem i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH).
Veprimtaria drejtuese e Farudin Hoxhes lidhet ngushtë edhe me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Mer titullin "Profesor"në vitin 1986 pranohet anëtar korespondent, kurse nga viti 1989 eshte anetar i saj. Më vonë zgjidhet Sekretar Shkencor i Akademisë ( 1997-1999) dhe Zëvendës Kryetar i saj (2008). Gjithashtu është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve te Malit te Zi( nga viti 2006).
Farudin Hoxha ka qenë i zgjedhur edhe në organet e pushtetit vendor si anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit të Tiranës.
Per arritje të shquara në punën e studimore e projektuese është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës të shk. l.
Aktualisht, vazhdon punën studimore e projektuese në fushën e hidroenergjitikës dhe hidroteknikës, si një ndërspecialistet më në zë, me emër brenda e jashtë vendit, që gjithë jeten ja ka kushtuar energjitikës shqiptare.
Shënim:
Kjo Biografi është marë nga libri: "BULLGARIA DHE STUDENTËT SHQIPTARË" - Botim i vitit 2011 i autorëve Llukan Tase dhe Abdurrahim Myftiu.
No comments:
Post a Comment