Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Wednesday, 24 June 2020

KELMEND/Lepushë - Berizhdol - Paje - Vajushë

nga: Anton PLLUMAJ

Tuz, Mali i Zi


Kjo zemër e Malesisë së Madhe e veshur në kurora të shkrepta malesh, të cilat duken se atje diku puqen me qiellin, ngërthen ne vete: brinja, qafa, gerdhata, gryka, shpella, pllaja e vija. Duke e soditur këtë bukuri të rrallë të kësaj parajse nën qiell, të cilën e bën edhe më madheshtore relievi i saj i thyer, njeriu gjithnjë e më shumë bindet se ky vend tërheqës paraqet pamje tipike të trevave shqiptare.

Majat e këtyre bjeshkëve që nga dimri e, pothuajse, gjithë verës ruajnë bardhesinë e borës së paperlyer. Këto shtresa kristale në të cilat thyhen rrezet e diellit, shkëlqejnë si copëza diamanti në lartësi. Nën këtë mozaik ngrihen fshatrat, të cilat të shpërndara tej e mbanë me nga një grumbull shtëpish të ndertuara nën hijen e ndonjë mali gri, në shpat, apo në ndonjë luginë, duken nga larg si të varura në qiell. Këto pamje mahnitëse midis shkëmbinjsh, kodrash e sukash, thurin e thyejnë pejzazhin e kësaj natyre të paprekur. Atje larg mbi shpatet e maleve blu bien në sy kurora të blerta ahi në miniaturë.

Kullat e pakta, që ndrisin si sy të malit, rrëfejnë se edhe në këto pjesë të larta të Malësisë ruhen simbolet e para të artit dhe të qëndresës së shqiptarëve. Qëndrojnë në majë të ndonjë kodre dhe të bëhet se vëzhgojnë çdo lëvizje përreth. Në shumë prej tyre ballin e oxhakut e stolis lahuta e cila sjell ndër mend këngët dhe kreshnikët e këtyre viseve. Në anën tjetër, thuajse të ekspozuara, heshtin oaza të vogla armësh nga të cilat malësori asnjëherë nuk u nda. Lidhur me këtë lirisht mund te thuhet se e tërë psikologjia e kësaj bote të fortë dikur sillej rreth shpatës dhe hutës.

Falë mërgimtarëve, kesollat e dikurshme që i rëndonte dhe thyente bora e shtrëngata, sot i zëvendesojnë shtepitë e reja. Për fat të keq shumica e tyre janë të braktisura. Njerezit morrën botën në sy. Pleqtë dhe ata pak të rinj që ruajnë vatrat, gjallojnë nga blegtoria dhe bujqësia. Gropëzat që natyra dhe duert e vyeshme të vendasve i hapën midis shkëmbinjsh, janë arat ku banorët e bjeshkës kultivojnë, kryesisht, patate e perime të tjera që i rezistojnë motit. Këto dhe misri deri vonë ishin burimet kryesore të jetesës të kelmendasve. Por kohëve të fundit këtij vendi po i buzeqesh edhe turizmi. 

Si monumente të perjëtshme të një populli, bien në sy varrezat, të cilat me arkitekturën e vet dëshmojnë traditën e lashtë të ruajtjes së kultit për të ndjerët, gjë që rrëfen për një civilizim të kamotshëm të kësaj bote të shkëmbit. Në mesin e tyre hasen lapidare të familjeve në mërgim. E, megjithese e dine mirë se ata do të prehen atje, diku larg ku për çdokënd janë të huaj, lapidaret duhet të qëndrojnë aty, tek të parët, tek rrënjët e tyre si provë e dhimbëshme dhe e përhershme e familjeve të tretura në botë.

Devotshmëria dhe vetemohimi i kësaj bashkësie e mbështetur në fe të lashtë, në krishtërim, ruajnë lidhjet dhe veçoritë kombëtare, historike e shoqërore të këtyre banorëve të malit. Kjo popullatë e shkathtë, jo e pasur me prona, por me vlera të tjera nga të cilat peshojnë, në veçanti, ato shpirterore, pasqyrohen në zemrën e hapur, buzeqeshjen dhe sytë e tyre xixë, kur miku ua mesyn derën. Për këtë krijesë për ta "Hije e Zotit", lumturohen dhe shkrihen, meqë kelmendasit për mikpritje janë të veçantë.

Duke u falenderuar vlerave dhe pasurisë që posedon kjo pjesë e Malësisë së Madhe vihet në përfundim se: çdo njeri që një herë shkel në këto treva, gjakon t’u kthehet përsëri; të ngjallë kujtimet për bukurinë e egër të kësaj natyre të virgjër, por edhe të mrrekullohet me karakterin, ligjet e zakonet e këtij populli të vogel burrëror duke përjetuar edhe një herë kultin e trimërisë, kryelartesinë, besnikerinë, miqësinë dhe nderen e mikut.

Po. Ishin këto disa nga ripërtritjet time në mendje, të cilat i ruaj dhe do t’i rikujtoj me xhelozi bashkë me ato pamje mbresëlenëse, copeza stolish të një natyre tërheqëse, të një bukurie me zë ekzotike e të pafund të vendlindjes të të parëve të mi!







Marrë nga FB.

Saturday, 13 June 2020

MAJDANOZI (Petroselinum crispum Mill.)

Pérgatiti; Koço MOSKO
Boston, MA-SHBA

Kujtimet e mia


Nga fëmijëria më kujtohet se mbrëmjeve në fshatin tim të lindjes burrat mblidheshin aty nga qendra e fshatit duke biseduar për punët, problemet e fshatit deri të atyre të politikës ndërkombëtare. Gratë dhe vajzat mblidheshin së toku në lëminjtë apo pezulet(sofatë) e portave dhe bizedonin për punët e tyre duke bërë edhe ndonjë thashethem, por njëkohësish duke menduar dhe se çfar do të gatuanin për darkë. Kjo barrë u binte gjithmonë atyre. Gjat verës kur fshati popullohej nga mysafirët e shumtë, të ardhurit nga qytetet, kjo sëkëlldi bëhej edhe më e madhe. 

Nëna nganjëherë para se të shkonte në këto kuvende kalonte nga kopshti, që e kishim pranë shtëpisë, mblidhte një dorë me majdanoz dhe e lante tek çezma. Në fshat thuhej mandanoz. Kur e pyesnin shoqet e saj se çfar kishte ndërmend të gatuante për darkë, ajo e kishte në majë të gjuhës përgjigjen:
- Shqeto të rreme.  
Në atë kohë unë e mendoja se këtë shqeton e rreme vetëm nëna ime dinte ta gatuante dhe majdanozin në kopësht, e mbillte vetëm për të gatuar shqeton e saj të famëshme. Po le të sqarojmë së pari çfar ishte gatimi shqeto e rreme.

Shqeto e rreme, sipas nënës time, përgatitej me një dorë majdanoz të freskët të grirë në copa të vogla. Mirrte një xhëng(1) gjalpë, siç i thoshte ajo, e bënte një kaurdisje me miell. Në përfundim të kaurdisjes i hidhte një okare qumësht të sapo mjelë, dhe aty nga fundi vluarjes hidhte mandanozin dhe e trazonte.  E linte të mirrëte dy valë e pastaj e priste me vezë e limon. Në këtë proçes shumë herë e ndihmoja dhe unë për t’i mbajtur kupën e për ta trazur, se pritej dhe nuk e kishte shijen e dëshiruar. Për pak kohë darka ishte gati. Nëna na mbushte kupat dhe të gjithë e hanim me shije, gjat ngrënies dëgjohej vetëm trokëllima e lugëve në kupa. Mund të shoqërohesh edhe me ndonjë ushqim tjetër si djath, sallat, etj. 

Kjo ishte shqetua e rreme që na bënte nëna për të kaluar një darkë vere. Nënën time për shijen e shqetos së rreme e ndihmonte mjdanozi freskët i kopshtit, gjalpi dhe qumështi bio me vlera të larta ushqimore që ja sillnin në tenxhere bagëtia duke kullotur malit. Pastaj veza e limoni, plotësonin kështu jo vetëm nevojat ushqimore, por ky gatim ishte i shijshëm dhe me vlera të shumta mjekësore, siç do ta shohim hollësisht më poshtë.  

Nëna i thoshte këtij gatimi “shqeto e rreme”, sepse nuk ishte gatimi shqeto e vërtetë. Gatimi shqeto bëhej me mish qengji ose keci. Ky gatim ishte më me shije sa, “të lëpije gishtërinjtë” thuhej. Në atë kohë mendoja se shqetoja ishte një gatim që vetëm nëna ime e gatuante. Kur u largova nga fshati dhe vajta në Gjirokastër mësova se ky gatim me mish quhej “Shqeto Lunxhi”, një gatim tipik i traditës lunxhiote, dhe më pas mesova se shqetoja me mish gatuhet edhe në vende të tjera në Shqipëri. Në Lunxhëri shqetua sigurisht me mish, bëhej në dasma, festa familjare por edhe për ceremoni mortore. Shërbehej si pjata e parë.  

Majdanozi është një erëz që gjen një përdorim të gjerë në kuzhinën shqiptare dhe më tej, jo vetëm për gatimin e shqetos. Përdoret i freskët, por dhe i tharë për dimër. Amvisat e mblidhnin, e linin të thahesh, e vendosnin në një vazo qelqi dhe e përdornin kur të kishin nevojë. Majdanozi përdoret për tu dhënë shije e aromë shumë gatimeve të ndryshme: në patëllxhane, patate, në turshi të ndryshme, fasule jahni e pllaqi, domate e speca të mbushura, në peshkun e furrës, tavë ose jahni me pulë, në qofte, sallata të ndryshme, konserva, etj. Tradicjonalisht është një nga erëzat më të përdorura në kuzhinën shqiptare, por sot edhe në gjithë botën. 

Nuk ka familje që mos ta ketë mbjellë një vllajë me majdanoz pranë shtëpsë kur ka kushte e ka një kopësht sado të vogël, madje e mbjellin edhe nëpër ballkone e taraca në vazo lulesh. Nuk ka kopësht të shqiptarëve edhe këtu në Amerikë ose kudo ku kanë emigruar që të mos kenë mbjellë një vëllajë me mandanoz.   Shpesh majdanozin të riturit e hanin gjethe të freskët sepse siç thoshin, përmirësonte disa sëmundje si: tensjonin, dhimbje koke, zemrën, etj. Sot në restaurantet luksoze nuk shërbehet pjata pa një degë majdanoz të freskët. Në Qarkun e Gjirokastrës sipas disa vrojtimeve mbillen rreth 2,8 ha me majdanoz dhe mirret një prodhim prej rreth 60-65 kv. Ndërsa si Shqipëri mbillen rreth 32 ha me majdanoz. 

Vëndorigjina dhe përhapja në botë

Vendorigjina e majdanozit (Petroselinium crispum) nuk është e pëcaktuar qartazi sepse, ka një farë të imët dhe është e vështirë të përcaktohet në zbulimet arkeologjike. Sidoqoftë të gjithë autorët që e kanë përshkruar këtë bimë mendojne se origjina e tij është nga Mesdheu Lindor. Përfshihen këtu: Turqia, Libani, Greqia, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria. Kultivimi i tij të shpie thellë në lashtësi, mbi 2500 vjet më parë. Nuk kemi shumë të dhëna për këtë periudhë.  Tek Odisea e Homerit shkruar në shek. 7-të Para Krishtit, përshkruhet majdanozi që rritej në ishullin Ogygia, mjerisht një vend imagjinar. Në ishullin Ogygia, Odiseu, luftetar në Trojë kur po kthehej për në Itakë, u mbajt për shtatë vjet nga Nimfa shumë e bukur Kalipso. Ku ndodhet ky ishull!? Ende është një enigmë e stjuduesavenë mbarë botën. Atje rriteshin fusha me majdanoz. Po sipas Homerit kuajt e qerreve ushqeheshin me majdanoz nga luftëtarët përpara betejës për t'i bërë më të shpejtë dhe më të shkathët. Që nga periudha Antike, si Plutarku, Straboni, etj. e deri në ditët tona studjuesit janë munduar të përcaktojnë vend ndodhjen e këtij ishulli. Disa e vendosin në Atllantik, disa afër Maltës, por ka dhe disa që e vendosin në ishujt e Detit Jon. Ja si përshkruhet tek Odisea e Homerit:

Një larushk kish rrethuar shpellën me mure të lëmuar
tufa-tufa të varura krijonte një gjelbërim të bujshëm
ndërsa katër burime flluckonin afër njeri-tjetrit
të cekta me ujë qelibar, rridhnin në vija të dukshëme aty-këtu
përmes luadheve me lule manushaqe të majdanozit të butë.



 Një shekull më vonë, majdanozi përmendet në lojërat Nemean; fitimtari shpërblehej me një kurorë “majdanozit”. Lojrat Nemean, sipas dëshmive të shumë autorëve, janë zhvilluar në shekullin e IV – VI Para Krishtit. Majdanozi në atë kohë përdorej si ushqim por edhe për vlerat e tij mjekësore. De Candolle (1778-1841), botanist sudez, për origjinën e majdanozit thotë se e ka nga: Turqia, Libani e deri në Algjeri. Ndërsa C. Linneaus(1707-1778), botanist e zoolog suedez, mendonte se vendorigjina e tij është ishulli  Sardenjës dhe ishte i kultivuar në këtë ishull që nga shek. III PK. Në këto përshkrime të autorëve të lashtësise kultivimi i majdanozit për ushqim si erëz, por edhe për qëllime mjekësore, padyshim që ishte shtrirë gjerësisht edhe në trojet pallazgo-ilire. 

Duke u kthyer në Periudhën Antike Greko-Romake, dëshmitë që vijnë për majdanozin tregojnë se në atë periudhë konsiderohej si  një bimë e shenjtë. Ndërsa ka të dhëna të mjaftueshme që përdorej për qëllime mjekësore, si ushqim nuk përdorej nga grekët dhe romakët e lashtë. Grekët e lashtë kanë  shumë mite për këtë. Në një nga këto mite thuhet se: majdanozi buronte nga gjaku i derdhur i heroit Archemorus kur e hëngrën gjarpërinjtë. Nga grekët e lashtë besohej se majdanozi ishte një bimë që ndillte harresën, vdekjen. Ata nuk e vendosën kurrë në tavolinat e ngrënies së tyre. Përdorej tek kufomat e të vdekurve si deodorant, duke shpërndarë rreth arkivolit fletë majdanozi, bënin kurora, si dhe mbillej nëpër varre. Ndërsa romakët thuhet se perdornin për të hequr erën e alkolit dhe për të ndihmuar tretjen. Vetëm në fund të periudhës romake, rreth viteve 1400-1500, filloi të përdorej disi nga romakët si erëz në tavolinat e ngrënies së tyre. Edhe pse nuk ka të dhëna të mjaftueshme, nga sa janë thënë deri tani, na bën të dyshojmë se pellazgo-ilirët dhe më pas shqiptarët majdanozin e kanë përdorur si erëz në tavolinat e tyre pandërprerje që nga lashtësia, madje në trojet e tyre mund të jetë dhe vatra fillestare e domestikimit të kësaj bime. 

Rreth viteve 1100 u shpernda në Rusi, kryesisht i mbjellë në kopshte për qëllime mjekësore. Si rjedhojë e miteve për majdanozin nga bota antike, edhe gjat shpërndaries në Evropë majdanozi u prezantua si një bime mistike, si një bimë që fshihte shumë mistere. Në dasmat romake vendoseshin kurora me majndanoz për tu mbrojtur nga shpirtrat e këqinj. Me që fara e majdanozit ka fuqi mbirëse të ulët thuhej se: fara para se të mbijë shkon nëntë herë te Djalli dhe kthehet para se të dalë. Farat që nuk mbijnë i mban Djalli për vete., Dita e premte ishte si një ditë më e sigurt për të mbjellë majdanoz, dhe zakonisht bëhej nga një kryefamiljar mashkull për të larguar çdo efekt të lig të djallit, etj, 

Në mesin e shekullit të 16-të evropianët filluan ta përdorin majdanozin gjerësisht si erëz dhe për ushqim në tavolinat e tyre. Gjat kësaj perudhe  u përfol se Catherine de'Medici (bashkëshortia i Mbretit të Francës), e solli majdanozin në Francë nga Italia. Më vonë, krishterimi ja dedikoi këtë Apostullit Pjetër, si kujdestar i portave të parajsës. Gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë majdanozi u natyralizua në Angli. Sot në Evropë në vendet e Bashkimi Evropjan majdanozi është bërë erëza kryesore në kuzhinat e tyre. Mbillen rreth 7000 ha. me erza ku pjesen më të madhe e zen majdanozi.

Majndanozi është një nga erëzat më të përdorëshme sot në gjithë botën. Në Kontinentin Amerikan majdanozi u fut gjat shekullit të 17-të. Sot në Amerikë majndanozi ka një përdorim shumë të gjerë. Tregu ka gjithmonë majdanoz të freskët nëpër supermarket, por dhe të thatë.  Në vitin 2016 në SHBA vlera e shitjes së majdanozit në treg ishte rreth 19 milion dollarë.  Nga vatra fillestare e domestikimit e Mesdheut Lindor, majdanozi sot si erëz në kuzhina përdoret gjërësisht në të gjithë botën në: Evropë, Vendet e Lindjes së Mesme, Veriun e Afrikës, Australi, etj. Përmirëson me vlera të larta ushqimore e mjekësore dietën e përditëshme të njerëzve, si dhe  përmirëson ndjeshëm edhe shijen e gatimeve të ndryshme. 
Parcela me majdanoz në Itali

Etimologji


Emërin shkencor majdanozi e ka Petroselinun crispum Mill.. Ndërsa në shqip ka dhe emra dialektorë si mandanoz dhe magdanoz. Me  emërat, petroselinum dhe majdanoz, thërritet pothuajse në pjesën më të madhe të gjuhëve në botë, në trajta gjuhësore të ndryshme. Emri “Petroselinum” ja ka vendosur dijetari grek Dioscorides(40-90 pas Krishtit, i punesuar si mjek në ushtrinë romake), kur ka përshkruar majdanozin në shkrimet e tij. Kjo fjalë vjen nga fjala greke “petra” që në greqisht do të thotë “gur” dhe fjala “selino” një emër tjetër ky erëze që i ngjan majdanozit, ndoshta vjen nga gjuha pellazge. Pra “selino i gurit” me që rritesh në zona gurishtore. 

Gjat kërkimeve të mia në internet për etimoligjinë e majdanozit shumë interesant na u duk studimi i një studjuese të pavarur angleze, Maria Fremlin. Ajo ka kryer një studim 3-vjeçar për etimologjinë e fjalës majdanoz në gjuhët mesdhetare dhe më gjerë. Kjo zonjë konkludon se etimologjia e fjalës majdanoz në gjuhë të ndryshme rrjedh nga dy fjalë “Petroselinum” dhe “mayndanoz”. Në hartën e mëposhtëme shprehen shumë qartë.
Harta e përpunuar nga M. Fremlin. (http://maria.fremlin.de/parsley/gfweb.html)
Nuk po zgjatemi me argumentat që sjell kjo studjuese. Për mua duket qartë se rreth detit mesdhe, pjesa lindore dhe në brigjet jugorë emëri majdanozit rrjedh nga fjala “Maydanoz”. Kjo fjalë në disa rraste si origjinë i referohet gjuhës turke. Kjo shpërndarje gjeografikisht rreth mesdheut e kësaj fjale tregon se kjo fjalë ka egzistuar edhe më parë se të vinin turqit në vendin që sot është Turqia. Turqit e ardhur nuk e kishin një fjalë për këtë bimë, ndaj përdorën fjalën që gjetën tek vendasit. Këtë e ka konstatuar edhe studjuesja M. Fremlin. Pra kjo fjalë rrjedh nga ndonjë gjuhë e humbur, ose pse jo nga pellazgjishtja që disa studjues e kanë të vështirë ta pohojnë. 

Me që në gjuhët arabe majdanozi kryesisht quhet "Maqdunis" ose "baqdunis" ka zera që thonë se kjo fjalë ka të bëjë me fjalën "Maqedoni", aludohet edhe per fjalen "Majdanoz" ta ketë prejardhjen nga fjala "Maqedoni". Fjala "Maqdunis", mund të ketë rrjedhur direkt nga fjala "Majdanoz". Ka dhe një versjon të tretë në të cilin thuhet se sirianët në lashtësi kishin një bimë të ngjashme me emrin "magydaris", turqit e kanë marrë këtë emër për maydanoz. Kjo tezë nuk ka baza reale.

Fjala “Petroselinum” ka ndikuar në gjuhet moderne të Evropës Qëndrore e Veriore nga që romakët e përhapën me këtë emër që ja vuri stjudjuesi grek Dioscorides që në shekullin e parë.(Shiko hartën lart). Që gjat kësaj periudhe majdanozi u përhap në Itali dhe filloi të depërtojë edhe në Evropë shumë ngadalë, deri sa erdhi shekulli i 16-të dhe evropianët filluan t'i ndjejnë përfitimet ushqimore e mjekësore të majdanozit. Në gjuhën Boshnjake-peršun; Sërbisht-першун; Italisht-prezzemolo; Fërngjisht-persil; Rusisht-петрушка; Sllovenisht-peteršilj; Spanjisht-perejil; Gjermanisht-Petersilie; Anglisht- parsley; Suedeze-persilja, e kështu me radhë. 

Ndërsa fjala "crispum" rrjedh nga latinishtja dredha-dredha kaçurel. Përshkruhet gjethja, disa lloje majdanozi i kanë gjethet të rrudhura, dredha dredha.

Në gjuhën shqipe ka dhe një thënie të çuditëshme për majdanozin. Nuk pëlqehen mustaqet në formën e gjetheve të tij. Thuhet shpesh për një njeri satrap, që nuk pyet njeri e bën si do vetë e nëpërkëmb të drejtat e të tjerëve.
"Vetë shkruan, vetë vulos,
Mor mustaqe majdanos,
Nuk të thotë njeri se mos!"

Në fjalorin e gjuhës shqipe gjetëm dhe një thënie tjetër pë majdanozin. “Në çdo gjellë majdanozi ron”, thuhet kur dikush, me vend e pa vend, merr pjesë në të gjitha punët, çështjet, bisedat ose kur diçka përdoret për shumë punë edhe kur s'është nevoja.

 Dobitë ushqimore dhe mjekësore

Majdanozi është një nga perimet me pak kalori, por nga më të pasurat me lëndë ushquese të rëndësishme si: proteina, vitamina C, provitamina A(karotinë), Vitamina K, etj. Majdanozi është edhe një burim i mirë me magnez, kalium, folate, hekur dhe kalcium, të cilat janë shumë të rëndëshime për një shëndet të mirë të njeriut. Gjethet e majdanozit janë shumë të pasura me fenolate(apiol). Për qëllime medicinale  përdoren rrënjët, frutat dhe gjethet në formë çai, llapa, gatime dhe gjethe të freskëta. Gjermanët me majdanoz përgatitin një lloj salce jeshile me shije të mrekullueshme. Majdanozi është një bimë aromatike, u jep një aromë të veçantë gatimeve të ndryshme ku përdoret.  Perdoret gjithashtu në kozmetikë, parfum par burrat dhe si repelent(frikësues) për disa dëmtues të kulturave bujqësore. Është një bimë e mirë shoqëruese, veçanërisht pranë trëndafilave, domateve, karrotave, qepujkave dhe asparagusit duke i mbrojur nga dëmtues si: mizat e rrënjës së karrotës, brumbujve të trëndafilit, etj.  

Në mjekësinë popullore shqiptare majdanozi është përdorur tradicionalisht për: përmirrësimin e veprimtarisë nervore, muskulare, për hapien e oreksit, përmirësimin tretjes së ushqimeve, rregullues të ciklit të menstruacioneve tek femrat, largimin e gazrave, shton sekretimin e urinës, mjekimin e plagëve, si mjet për pakësimin e qumështit tek gratë me fëmijë në gji, semundjet e veshkave, tëmthit, fishkëzës së urinës, rrugëve urinare të poshtëme, qarkullimin e gjakut, sëmundjeve të zemrës,  etj.

Studimet e ndryshme, hulumtimet  kanë listuar mbi 20 probleme shëndetsore ku majdanozi i përdotur në forma të ndryshme përmirëson shëndetin e njeriut. Blogu jonë ka qëllime didaktike nuk mban përgjegjësi për veprimet anësore të bimëve  medicinale. Gjithmonë duhet të kërkoni këshilla nga një profesionist para se të përdorni një bimë në mënyrë medicinale. Disa përfitime shëndetsore nga majdanozi janë:
Antioksidant. Majdanozi përmban nivele të larta të beta-karotinës dhe vitamin C. Këto të dyja së bashku me luteolin dhe zeaksanthin ndihmojnë organizmin e trupit të njeriut për t’u mbrojtur nga radikalet e lira. Kështu parandalohen: sëmundjet e syve nga plakia, diabeti, degjenerimin makular(sëmundjeve të plakjes) dhe disa kancere. Gjithashtu zvogëlon impaktet negative të asmës, osteoartritin( prishja e kërcit të kyçeve) si dhe arthriteve reumatizmalë.
Anti inflamator: Majdanozi përmban një vaj të quajtur eugjenol. Ky vaj i paqëndrueshëm është vërtetuar se ka veti të fuqishme anti-inflamatore dhe veti anti-arthritike.

Përmirëson sistemin imunitar: Majdanozi ka përmbajtje të lartë të vitaminës C, B12 dhe beta karoten të cilat rrisin imunitetin ndaj ftohjes. Beta karoteni shëndrohet në vitaminë A e cila prodhon qelizat e bardha të gjakut të cilat shkatërojnë bakteret, forcon traktet respiratore dhe ne zorrët e aparatin urinar, etj. ësht vërtetuar se gjethet e majdanozit të freskët kanë veti antibakterjale dhe antikërpudhore.

Forcimin e kockave: Majdanozi përmban me shumicë vitaminë K. Kjo vitaminë forcon kockat dhe ndihmon për të parandaluar depertimin e kalciumit në inde të cilat mund të çojnë në sëmundje si ateroskleroza, sëmundjen e Alzheimerit, goditja dhe sëmundje të tjera kardiovaskulare. Dy lugë majdanoz përmbajnë 153% të dozës së rekomanduar ditore të vitaminës K, dhe është natyrale dhe organike, e cila është mënyra më e mirë për të konsumuar këtë vitaminë.

Kundra semundjeve kardiovaskulare: Majdanozi është i pasur me folate ose vitaminën B5. Kjo mbron zemrën nga goditjet(ataku), goditjet në tru, arterioskleroza. Mban zemrën të shëndetëshme duke larguar hocisteinën. Ka patur studime që tregojnë se ngrënia e majdanozit të freskët(gjethe) mund të ndihmojë në pastrimin e gjakut, ruajtjen e elasticitetit të enëve të gjakut dhe mund të shpërndajë mbetjet që ngjiten në venat. 

Parandalon formimin e gurëve në tëmth: Pirja e çajit të majdanozit të nxehtë ose të ftohtë mund të ndihmojë në shpërndarjen e gurëve të tëmthit në mënyrë që ata të kalojnë nëpër trup më lehtë. Do të duhet të pini rreth gjysmë litër çaj majdanoz çdo ditë që kjo të jetë efektive.

Kundra erës së keqe të gojës: Ilaçi më i mirë dhe më natyral është maria disa gjetheve të majdanozi ose dhe pirja e lëngjeve të majdanozit. Nëse keni ngrënë, qepë, hudhra, etj.  përtypja gjethe majdanoz do të ndihmojë shumë për të eleminuar çdo erë të keqe në gojë.

Kundra anemisë: Majdanozi ka një përqëndrim shumë të lartë të hekurit, 6.1 miligram për çdo 100 gram majdanoz. Konsumimi i majdanozit rregullisht do të krijojë nivelin e hekurit në organizëm. Organizmi ka shumë nevojë për hekur për të prodhuar heme. Hemet janë përbërësit thelbësorë që mbartin oksigjenin në qelizat e kuqe të gjakut. Pra, njerëzit me anemi mund të pinë lëng majdanozi.

Balancues hormonesh: Majdanozi përmban beta-karoten dhe acid folik. Këto vajra të paqëndrueshëm ndihmojnë në mbajtjen e niveleve të hormoneve të ekuilibruar, dhe mund të ndihmojnë gjatë çrregullimeve menstruale të grave dhe ngërçeve. Përmirëson nivelet dhe ekuilibrin e estrogjenit dhe progesteronit në trup. Mënyra më e mirë është   për ta përdorur si një çaj, ose me një çaj tjetër bimor siç është kamomili.

Detoksikues: Apigenina është një flavon i bimëve që ndodh natyralisht, gjithashtu Myristicina është një përbërje organike natyrore së bashku me fenilpropenin. Të dyja këto ndihmojnë për të rritur produktivitetin e enzimave në mëlçi, e cila detoksikon organin dhe e mban atë të funksionojë në mënyrë efikase.
Kujdes: Përdorimi me doza të larta i majdanozit shton qarkullimin e gjakut dhe bëhet i dëmshëm sepse rrit me tepricë gjakun në kokë dhe shkakton trullosje, mund të shkakëtojë alergji dhe probleme tek gratë shtatëzanë. 
Në marketet në SHBA majdanozi i freskët nuk mungon asnje ditë të vitt.
( foto: lart majdanoz kaçurel, poshtë majdanozi gjethesheshtë)
Veçoritë Botanike
Majdanozi bën pjesë në familjen Apiaceae ose Umbrellore, sepse lulja e tij është në formë ombrelle. Familja Apiace është një familje e madhe e luloreve, përmbledh rreth 3700 lloje në 434 gjini. Në këtë familje hyjnë: Karrota, koriandri, selino, kopra, etj. Kjo familje përfshin dhe shumë bimë helmuese.

Gjinia Petroselinum ka dy specie, P. crispum, majdanozi dhe P. segetum, kjo specie nuk ndodhet në Shqipëri. Mjdanozi(P. crispum) ka disa sinonime: Apium crispum  Mill.,  Apium petroselinum  dhe L.,  Petroselinum stivum Hoffm. Sot në botë kultivohen kryesisht tre lloje majdanozi(P. crispum): Majdanozi me gjethe të sheshta, majdanozi me gjethe kaçurela dhe majdanozi frutrrënjor. Majdanozi frutrrënjor kultivohet për rrënjët e tij. Këto frutrrënjorë janë në formën e një boshti me ngjyrë të verdhë të lehtë. 


Majdanozi është bimë dy vjeçare. Në vitin e parë formon një rozetë me gjethe dhe frutrrënjorin. Vitin e dytë zhvillojnë kërcejtë me lulet ku mund të harijnë deri në 70-120 cm. Kërcelli del nga mezi rozetës, është i drejtë me kënde e me shumë degëzime që mbarojnë në lulesa në formë ombrelle. Pjalmëzimi bëhet kryesisht me anë të insekteve, lulet e tij i tërheqin shumë insektet. Lulet janë të vogla me ngjyrë të verdhë në të gjelbërt, dyseksore. Lulëzon gjat muait qershor-korrik. Farërat janë të vogla me ngjyrë të gjelbër në të hirtë, të shtypura nga njera anë, me aromë specifike që e dallon lehtë nga farërat e tjera. Farërat mund te ruhen për 2-3 vjet. Fuqia mbirëse 70-80 %. 

  Majdanoz në lulëzim; bimë majdanozi viti i dytë; farë majdanozi, lulesë majdanozi.

Veçoritë biologjike


Majdanozi është një bimë që i duron temperaturat e ulta(-5 deri dhe -100C). Ka kërkesa të moderuar ndaj dritës së diellit. Ka kërkesa të veçanta ndaj tokës. Duhet të jenë të pasura në humus, të lehta dhe të mbajnë lagështinë. Toka të përshtatëshme janë ato ranore-argjilore, me pH neutral ose pak bazike.

Veçoritë agroteknike.


Majdanozi mbillet herët në pranverë. Para mbjelljes fara mund të futet në ujë për të shpejtuar mbjelljen, fara e majdanozit mbin me vonesë, duhet të mbillet cekët. Mund që të trajtohet edhe me stimulues. Në fushë mund të mbillet me makina mbjellëse 20x20x20 x50, me lente. Nevojiten 10 kg/ha. E rëndësishme për kultivimin e majdanozit është largimi i barishteve të këqia, sidomos në fazat e para të zhvillimit të tij. Kërkon ujitje. Pas mbirjes mund të bëhet ndonjë rrallim. Majdanozi për gjethe vilet disa herë gjat vitit, kurse majdanozi rrënjor në fund të muajit tetor. 


Literatura:
1.      D.J.Charles , in Handbook of Herbs and Spices, Volume 2, 2004
2.      Parsley: Growing Practices and Nutritional Informatio. By Roby Jose Ciju - AGRIHORTICOMay 21, 2019
3.      V. Kumar, ... A. Dey, in Encyclopedia of Food and Health, 2016
4.      C. Agyare, ... J.A. Apenteng, in Medicinal Spices and Vegetables from Africa, 2017
6.      PERIMKULTURA - Tekst mësimor - Tiranë, 1971. 
7.      USDA – Clasification for Kingdom Plantae Down to Species
8.      Flora Ekskursioniste e Shqipërisë, M. Demiri- Tiranë, 1981.
9.      Homer “The Odyssey” translated by Robert Fitzgerland- New York, 2000
10.   “Bimët Mjekësore në Familje” – P. Kokalari, etj.- Tiranë 1980.
13.   Biology and Molecular Biology of Plant-Pathogen Interactions-by J. A. Bailey, 1985 

Përgatiti;

Koço Mosko
Boston, Ma - SHBA
Qershor,2020

"Majdanozi(Petroselinun crispum Mill.)" is Copyright © 2020 by Bota Bujqësore

Wednesday, 10 June 2020

GRURI, USHQIMI BAZIK I SHQIPTAREVE

“Punoni o këmbë e duar
Të hani bukë e lakruar”
Populli

             Në menutë shqiptare çdo gjë mund të ndryshojë, vetëm buka, ky asortiment bazik, ka mbetur e njëjtë, përditë e për çdo vakt, për mijëra vjet me radhë. Shqiptarët kur ulen të konsumojnë ndonjë ushqim thonë: “do të hamë bukë”, ose “u shtrua buka”. Në shekuj buka konsiderohej e shenjtë. Nuk duhej të shpërdorohej, të lozje me të, ta hidhje poshtë, apo më keq, ta shkelje me këmbë, sepse “ishte gjynah nga Zoti”. Mbeturinat e bukës përdoreshin ushqim për bagëtinë, apo shpendët shtëpijake. Asnjë thërrime nuk duhet të shkonte kot. Sofra(sufrai) nuk duhej të mbetej zbrazët, pa një fetë bukë edhe kur të ngrënët kishte përfunduar. Betimi më i zakonshëm ishte: “për këtë bukë”, ose “më zëntë buka sytë”, “betohem për bukën që hamë”. “Bukë e krypë e zemër, mirëseardhe”, i thuhej mikut në hyrje të shtëpisë.  Gjithashtu edhe mallkimi më i rëndë për shqiptarët ka qenë: “Të zëntë buka grykën, apo sytë”, etj. Ky respekt dhe vlerësim i trashëguar brez pas brezi, ishte ngulitur thellë në ndërgjegjen e çdo individi, sepse buka ishte jetike, sigurohej me shumë vështirësi, sakrifica e mundime.

            Sipas burimeve të shumta historike e arkivore, të shkruara dhe zbulimeve arkeologjike, që në lashtësi, shqiptarët janë shquar për prodhimin e drithërave, sidomos në llojet e gatimit të bukës. Për prodhimin e bukës, në prehistori, sipas historianeve bimorë, epirotët domestikuan një lloj lisi per prodhimin e lëndeve, duke përmiresuar vetitë e tyre ushqyese, por kjo nuk dihet pse nuk u vazhdua më tej, por u ndërpre. Gjatë gërmimeve arkeologjike në fshatin Vashtëmi të Korçës, një ekspeditë shqiptaro-amerikane ka zbuluar se aty ka qenë një nga vendet e para pioniere në Europë ku fshatarët kultivonin drithërat e bukës. Ky zbulim, daton 8600 vjet përpara. (Allen&Gjipali, 2014, 2016).

            Shqiptarët kanë qenë nga të parët në Evropë edhe për gatimin e bukës, madje ishin ata që e shpërndanë këtë gatim në popujt e tjerë të Europës. Me pushtimin e Ilirisë prej romakëve, shek II pk., filluan të shfaqen në Romë furrat e bukës. Plutarku shkruan se mbasi në Epir romakët dogjën 70 qytete sollën me vete skllevër për t’u shërbyer në shtëpitë e tyre. Sipas prof. Niko Qafëzezit referuar një studjuesi italian, Pajonët ishin të parët që u mësuan Masapeve teknikën e gatimit të bukës, etj. 

            Sundimet e gjata nga okupatorët e huaj, luftrat që nuk kanë reshtur kurrë këto 20 shekujt e fundit, nuk i kanë lënë këta banorë paqësorë të zhvillojnë në qetësi aktivitetet jetësorë. Populli ynë, ashtu, përmidis barbarizmave dhe luftrave të gjata, cfilitëse e të pabarabarta, diti si të vazhdonte të prodhojë ushqimin e të mbijetojë, duke refuzuar dhe me me armë. Një pjesë u rrudhën nëpër male. Atje, me shumë durim, punë të mundimshme, shpesh midis gurëve e bokërrimave, mbuallën arat dhe mbijetuan për mijëra vjet. Tokat i mbillnin me drithëra dhe më së shumti me grurë, për të siguruar jetesën e përditëshme. Të parët tanë i quanin ose vetquheshin Arbër, që për disa studjues do të thotë arë-bërës.

            Të habit mjeshtëria, finesa dhe prakticiteti i ndërtimit të këtyre arave; format e tyre të përshtatura estetikishit me mjedisin. Arbërit ashtu siç janë shquar në ndërtimin e banesave, objekteve fortifikuese, ndërtimeve sociale si urat, çesmat dhe ujësjellësit, po aq të talentuar e krijues shfaqen edhe për bërjen e arave. Destabilizimet dhe okupimet e bënin të vështirë gjetjen e tregjeve me leverdi, sepse dhe në fusha prodhimi i grurit ishte i paktë. Ishte mungesa e nje shteti të mirfilltë shqiptar ku të përfshiheshin të gjitha trojet etnike shqiptare për të pasur një treg të qëndrueshëm e shkëmbime të ndërsjellta. Ndaj prodhimi i grurit fillimisht përbënte një nevojë jetike, ishte një lloj kodi mbijetese. Me kalimin e një kohe të gjatë kjo u bë edhe traditë. Motoja e këtyre njerëzve punëtorë e paqësorë ishte: “Puno si rob e jeto si zot”.

            Përpara çdo gjëje ishte ushqimi për familjen, buka e përditëshme. Kjo duhej të sigurohej edhe në kushtet e luftrave dhe okupimeve, madje të qe e mirë, e shijshme, e shumëllojëshme. Shqiptarët si mbartës të një civilizimi e qytetërimi të lashtë, kishin kërkesa të larta për ushqimin në vatrat e tyre. U duhej të gatuanin një shumëllojshmëri të madhe bukësh e ushqimesh të tjera me bazë grurin që e prodhonin vetë, të një cilësie të mirë e të kontrolluar. Llojshmëria dhe cilësia e bukëve që ata gatuajnë bëjnë xhelozë edhe sot marketot më të mira të tregëtimit të ushqimeve. Këto nuk bëheshin në njësi të specializuara, por i përgatitnin amvisat nikoqire, fluturat duararta, në shtëpitë e tyre, atje rrëzë shkrepave të maleve, në bazë të një kodi të pashkruar që trasmetohej nga nëna tek e bija, nga vjehrra tek nusja, në mijëra breza.


            Shtëpitë e ndërtuara që në vitet 1700, apo edhe më herët, dëshmojnë se secila kishte edhe furrat e veta të bukës për nevojat familjare. Gjatë perandorisë osmane të shumtë qenë ata shqiptarë që ushtronin zanatin e furëxhiut në Stamboll e gjetkë, e sot në të gjithë botën. Si përfundim mielli grurit është një përbërës themelor në rreth mbi 60 lloje gatimesh e ëmbelsirash të ushqimit të përditshëm të shqiptarëve. Më saktë, ai zë 25-30% të ushqimit të përditshëm.         

Prodhimi i grurit në botë gjithmon në rritje.
            Trojet shqiptare  kanë kushte të përshtateshme për kultivimin e grurit dhe drithrave në përgjithësi, ka një eksperiencë dhe traditë mijëravjeçare, ka fusha pjellore si: Fusha e Kosovës, Myzeqeja, Fusha e Korçës, Ultësira e Veriut . Jo e vogël dhe jo më pak pjellore është edhe Lugina e Drinos në Gjirokastër, etj. 
Sot në Shqipëri importohet mesatarisht mbi 250 mijë ton drithëra në vit, të cilat mund të prodhohen pa ndonje vështirësi. Sigurimi i kësaj sasie në vend do të bëjë të zihen më shumë njerëz në punë, të zhvillohen e të popullohen zonat rurale, të rriten të ardhurat e banorëve dhe të shtetit. Do të rritet cilësia e ushqimeve e nuk do të detyrohemi të marrim të fshirat e hambarëve të botës. 

Si specjalist i mbrojtjes së bimëve e njoh mirë rrezikun toksik të sëmundjeve e dëmtuesve të grurit në fushë dhe gjatë ruajtjes në depo si dhe të kimikateve që përdoren në drithrat e bukës. Duke i përdorur pa kriter, ose duke mostreguar kujdes, këto  bëhen të rrezikshme për shëndetin e njerëzve e të kafshëve, sidomos kur nuk ka kontroll. Eshtë e vështirë që karantina bimore dhe laboratorët në Shqipëri të kenë garanci për këto. Mosfuksjonimi ashtu siç duhet i karantinës bimore me ekspertë të kësaj fushe, korrupsjoni e bëjnë edhe më të vështirë akoma. 

Mirpo nga statistikat shofim se shteti nuk po tregon aspak kujdesin dhe vlerësimin e duhur ndaj kësaj kulture bujqësore bazike dhe me rëndësi strategjike e ekonimike. Këto vitet e fundit sipërfaqja e mbjellë me grurë është zvogëluar me rreth 50 mijë hektarë dhe ka tendencë të ulet akoma, pa përmendur këtu kujdesin për farërat që u trgëtohen fermerëve. 

           Shteti, qeveria, duhet t’i kushtoje vëmendje prodhimit të grurit dhe drithrave në përgjithësi, t’i subvecjonojë fillimisht, sa të mëkëmbet ky aktivitet. Me  hapjen e kufijve, tregtia është e lirë, kushtet kanë ndryshuar, ka konkurencë. Ka sinjale se tani pas pandemisë të COVIT-19 çmimi i grurit në tregjet ndërkombëtare po të rritet ndjeshëm. Nuk e dimë dhe si do të jenë këto të korra që po vinë. Por çfarë duhet bërë?

Shteti të ndihmojë fermerët me mjete mekanike e agregate bujqësore edhe falas, të ulet çmimi i naftës, ndoshta edhe të përgjysmohet për punimet, të përjashtohen nga taksat tregëtimi i farërave dhe i imputeve bujqesore, të kenë një çmim të kontrolluar nga shteti në tregétimin e tyre, të rritet puna kërkimore shkencore me farërat, etj,.  Ministria e Bujqësisë duhet të ulet e të programojë punët. Tregu i grurit duhet të jetë i sigurtë për prodhuesit e duke ndërhyrë edhe shteti me politika fiskale e grumbullimin i tepricave që nuk shkojnë në treg, etj. Guri ka mundësi të ruhet në depo për një periudhë të caktuar kohore.

Kemi eksperiencën tonë. Në Shqipërideri ne mezin e viteve 1960  mirej vetëm 7-10kv/ha grurë dhe 9-15kv/ ha misër. Këto rendimente, sipas edhe zvillimeve botërore,  në fund te viteve 1980 u pesëfishuan, duke përmirësuar farërat dhe teknikat e kultivimit. Gjithashtu dhe sipërfaqja nën kulturë u rrit. Këtë duhet të bëjmë dhe tani për t’i dhënë popullit një ushqim të shëndetshëm e cilësor, të ardhura e mundësi për t’u zenë në punë e të mos e braktisin vendin. 

Koço MOSKO
Agronom i Mbrojtjes së Bimëve
Boston, Ma-SHBA
Maj, 2020 


"Gruri, Ushqimi Bazik i Shqiptarëve"is Copyright © 2020 by Bota Bujqësore