Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Sunday, 10 May 2020

QIQËRA (Cicer arietinum L.)

përgatititën: Besnik ISMAILATI
Agronom-
Libohovë, Gjirokastër

Koço MOSKO
Agronom
Boston, MA-SHBA


Qiqëra në Shqipëri
Në Shqipëri qiqëra është një kulturë bujqësore e ardhur nga lashtësitë. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerë në dritë se rreth 3500 PK kjo kulturë bujqësore kultivohej në  Thesali, Kastanas, jo shumë larg kufirit greko-shqiptar te sotëm. Qiqëra në atë kohë kultivohej për ta konsumuar si gjthë bishtajoret e tjera, por edhe për gatimin e bukës.  Para futjes së misërit në Evropë dhe Ballkan qiqëra duhet të ketë patur një rëndësi të veçantë për ushqimin e njerëzve. Gjithashtu mbeturinat bimore nga shirja mund të përdoreshin edhe si ushqim për bagëtinë.
Në Mesjetë mbillej në tokat e varfëra(të lodhura), ku nga drithrat në këto toka mirrej një rendiment shumë i ulët. Tokat e varfëra nga përmbajtja e lëndëve ushqyese dhe humusi mbilleshin për disa vjet me qiqëra për t’i pasuruar. Dihet që qiqëra është një nga bimët bishtajore që pasuron tokat me azot. Kjo për mendimin tonë, si dhe marrja e një prodhimi më të lartë se drithrat në toka të varfëra, është dhe një nga arsyet kryesore që në Shqipëri ka zenë një vend të rëndësishëm në strukturat e mbjelljeve deri në mezin e shekullit që lamë pas.
Bukë e gatuar me miell nga qiqërat dhe miell gruri
Me qiqëra gatuhej një bukë cilësore, e bardhë që quhej franxollë. Kjo bukë bogaçja, siç quhej,  bëhej për dasma sepse ruhej e freskët dhe nuk thahej. Po sipas të dhënave, në shekullin e kaluar mielli i qiqrave përzihesh me miellin e misrit ose dhe të grurit për të gatuar një bukë cilësore me shije të veçantë. Para kolektivizimit të bujqësisë në Shqipëri kishte shumë familje që i mbillnin qiqërat për këtë qëllim, sidomos në zonat kodrinore e malore. Me kolektivizimin e bujqesisë kjo kulturë bujqësore u la pas dore. Nuk kemi të dhëna studimore se cilat qenë shkaqet thelbësore. Në shekullin e kaluar në qoskat shitej edhe e pjekur, njëkohesisht ështe tregëtuar ose ende tregëtohet e sheqerosur si karamele në amballazhime të veçanta.
Në Shqipëri, përfshi edhe zonën e Libohovës e më gjerë, kultivimi dhe përhapja e qiqërës është e hershme, pavarësisht se nuk ka të dhëna të sakta për përhapjen e saj. Ajo është mbjellë dhe është përdorur  nga çdo familje fshatare gjatë periudhës së dimrit së bashku me fasulen, e gatuar në gjellë, e përzier me misrat e zier  si fasulet (veçanërisht në muajin janar në festimet e vitit të ri allaturka), por edhe e pjekur dhe e bluar për ta pirë në vend të mungesës së kafes. Gjithashtu duke e konsumuar shpesh edhe të freskët.  Tradita dhe përvoja e kopshtarëve libohovitë, labovitë, nepravishnjotë, suhotë, dropullitë, lunxhiotë, zagoritë   e më gjerë, në lidhje me kultivimin e qiqrës në kopshte vazhdoi deri në vitet 1980 -1985, të cilët krahas perimeve të tjera, mbillnin edhe sipërfaqe të vogla me qiqëra, nga të cilat siguronin një prodhim mesatar vjetor prej 10 – 15 kg kokërr. Ajo mund të kultivohet edhe  nëpër  lulishte si bimë zbukuruese, por edhe në vazo.
Statistikat e FAO-s nuk kanë të dhëna për prodhimin apo sipërfaqen e mbjellë me qiqëra në Shqipëri që nga viti 1960. Me sa duket nuk ka patur prodhim ose prodhimi ka qenë në sasira të të pakonsiderueshme. Që nga viti 1996 këto statistika tregojnë se janë importuar mesatarisht për çdo vit 7,5-10 ton. Për të gjithë vitet janë shpenzuar gjithësej rreth 200 mijë dollarë, vlerë monetare e cila pa asnjë vështirësi mund të ishte injektuar në buqësinë shqiptare, në zonat rurale. Përveç kësaj do të ishte mirë edhe për industrinë përpunuese ushqimore, nuk duhet që çdo ushqim ta marrim nga jashtë, kur qiqra vëndin e saj ideal për tu kultivuar e ka në Shqipëri, njëkohësisht do të përmirësonte ndjeshëm tokat bujqësore, dhe eksportet. 
Në zonën e Mesdheut ku bën pjesë edhe Shqipëria, mbjellja e qiqrës  bëhej në fund të dimrit, ndërsa  korrja në muajt korrik-gusht. Falë rrënjëve të thella, qiqra ka aftësinë që t’i  rezistojë mirë thatësirës, por ajo është në gjendje që të përballojë edhe sasinë e tepërt të lagështisë së tokës. Rendimenti më i mirë i qiqrës për prodhim kokrre mund të harrijë deri në 30 kv/ha.
Origjina, përhapia në botë dhe prodhimi

Qiqëra, Cicer arientinum L.,  është një kulturë  bishtajore  nga më të vjetrat të domestikuara apo të kultivuara në botë. Së bashku me drithërat, thierzat dhe bizelet përbënë në atë kohë, atë që quhet “Revolicion Bujqësor” i botës së vjetër pas periudhës së akullnajave.  Gjurmët e përdorimit të kësaj specie, sipas gjetjeve arkeologjike dhe shkrimeve te vjetra, e kanë fillesën e tyre  7400-10.000 vjet më parë në Irak. E dëshmojnë gjetjet arkeologjike, në disa zona të Lindjes së Mesme.

 Sipas studjuesave origjina e saj është nga një territor në Jug Lindje të Turqisë që shtrihet deri në Siri, ku dhe thuhet se është dhe domestikuar. Këtu janë gjetur format e egëra (C. reticulatum, C. bijugum, C. echinospermum ),  që mendohet se janë paraardhëset e qiqrës së kultivuar. Nga të dhënat e deritanishme qiqëra e kultivuar nuk gjëndet në gjëndje të egër në natyrë.
Gjetjet arkeologjike në Turqi të pranuara nga të gjithe stjuduesit
Gjetjet arkeologjike në Turqi datojnë 5450 vjet PK,(Helbaek, 1970) ndërsa në Egjypt 1450 vjet PK(Darby, 1977). Nga vatra e Lindjes së  Mesme mendohet se është përhapur edhe në Indi, 2000 vjet PK.(Ramanujam, 1976). Një vatër tjetër sekondare stjudjuesit mendojne se është dhe Etiopia. Shkrimi më i vjetër për qiqrën, 3000 vjeçar ështe gjetur në Irak. Qiqëra përmendet edhe në Iliadën e Homerit.

Nga vatra e Turqisë së sotme u përhap me shpejtësi edhe në Ballkan. Gërmimet arkeologjike në Greqi kanë nxjerë në dritë se rreth 3500 vjet PK kjo kulturë bujqësore kultivohej në  Thesali, Kastanas, jo shumë larg kufirit greko-shqiptar të sotëm, çka do të thote se nga shqiptarët, ose në Shqipërinë e sotme, qiqëra njifesh mirë dhe përbënte ushqimin kryesor të njerëzve, që në atë kohë e në vazhdim, gjat Antikitetit dhe gjat Mesjetës. Të dhëna të tilla rreth kësaj date ka dhe në gadishullin e Peloponezit e Bullgari. 
Në gadishullin Italian gërmimet arkeologjike kanë vërtetuar se në Toskanë 1100-1000 vjet PK. janë gjetur gjurmë të kultivimit të qiqrës( Bellini, etj. 2008) . Kjo periudhë përputhet me emigrimin masiv në këtë vend të Etruskëve, popullsi pellasge nga Gadishulli Ballkanit. Kjo na bën të dyshojmë se etruskët e kanë shpërndarë qiqrën në Itali ndoshta dhe më gjerë. Në Romën e lashtë termi "cicer" tregoi edhe njohjen e pseudonimit të dhënë një stërgjyshi të folësit të famshëm Marco Tullio Cicerone për shkak të një lythi (nishani) që ai kishte në hundë në formën e një kokrre qiqre.
Për përhapien e qiqrës në kontinetin Evropian të dhënat janë kontradiktore. Ndërsa thuhet se ka të dhëna se qiqëra është përhapur në këtë kontinent në mijevjeçarin e parë dhe të tretë Para Krishtit, të shkruarat për këtë kulturë i gjejmë më von, në periudhën antike, e më pas. Përmendet në vitin 812 në Francë për barërat që mbilleshin në kopshte. Gjat Mesjetës qiqra përmendet si bar në besimet popullore. Ndërsa St.Hildegard (1148- 1179) përmend qiqrën si një ushqim të lehtë, të shëndetshëm dhe të dobishëm kundër etheve. (Gams 1924). Pra qiqëra në Evropën Qëndrore dhe veriore kultivohej si bimë medicinale në kopshte, për kafe ose dhe për zbukurime. Kultivimi qiqrës në këtë rajon filloi në shekullin e 20-të. Në Gjermani pas luftës së Parë Botërore kurse në Austri dhe Zvicër pak më parë se kjo datë.
Sot (statistika të vitit 2018, FAO) kutivuesit dhe prodhuesit më të mëdhej të qiqrës në Evropë janë: Spanja me 91,5 mije ton në vit, Bullgaria me 58,3 mijë ton, Italia me 47 mijë ton, Greqia prodhon 14, 5 mijë ton në vit. Në gjithë Bashkimin Evropian mbillen  rreth 172, 3 mijë ha dhe mirret një prodhim prej 216 mije ton në vit, me një rendiment mesatar prej 12, 5 kv/ha 
Në kontinetin Amerikan  qiqëra ka hyrë qysh me ardhjen e evropjanëve të parë. Rrugë që përshkoi qiqëra nga vatra fillestare për në kontinentin Amerikan paraqitet në skemën grafike të mëposhtëme të përgatitur nga një grup autorësh të Universitetit të Kordovës, Argjentinë. Kjo skemë përputhet edhe me ato që kemi thënë edhe ne për qiqrën, na u duke interesant.

El cultivo de garbanzo en Argentina/Julia Carreras; Vilma Mazzuferi; Marcos Karlin; editado por Julia Carreras; Vilma Mazzuferi; Marcos Karlin. -1a ed.- Córdoba: Universidad Nacional de Córdoba, 2016.
567 p.; 23 x 16 cm. ISBN 978-950-33-1251-3 
5. Spanjë
6. 
7.Panama
8. Peru
9. Kili
10. Argjentinë
650-550 PK
1492
1494
1535
1545
1582
 
Në Argjetninë, Kili dhe Peru është kultivuar gjat gjithë kohës, në sipërfaqe të mëdha që në fillimet e shek. të 20-të. Ndërsa në Amerikën e Veriut sipas statistikave të FAOS në vitin 1991 kemi prodhimin e parë prej 1179 ton qiqëra të raportuara. Ndërsa Kanadaja fillimet e saj i ka në vitin 1992 ku prodhoi 3000 tonët e para. Në Australi çfaqet në vitin 1983, u prodhuan 3600 tonët e para.
Sot në botë kultivimi bishtajoreve, ku bën pjesë dhe qiqëra, zë një vend të veçantë për rëndësinë që kanë ato në ushqimin e miliona njerëzve. Bishtajoret janë ushqime shumë të pasura me proteina, kalcium, hekur, Fosfor, etj. Siç dhe i quajnë “mishi i fukarait”, konsumohen nga njerëzit në mënyra të shumëllojëshme: të freskëta, të konservuara, si supëra të ndryshme, gatimin e bukës, etj. Gjithashtu janë shumë të rëndesishme për të pasuruar tokat me azot dhe ruajtjen e pastër të tokës nga problemet që mund t’u shkakëtohen drithrave kur mbillen për shumë kohë në të njëjtin vend. Për të ritur sigurinë ushqimore institucjonet kërkimore shkencore sot në botë i kanë kthyer sytë nga këto kultura. 
Prodhimi i qiqërave në botë po rite vitet e fundit(FAO, 2020)
Qiqëra tashmë e ka fituar këtë garë bujqësore. Ajo kultivohet ne 60 shtete në mbar botën. Vitet e fundit jo vetëm në vendet në zhvillim por edhe ato të zhvilluara kanë shtuar ndjeshëm sipërfaqet e mbjella me qiqra. Sot qiqra në botë me një prodhim vjetor prej mbi 17 milion ton në vit, zen vendin e tretë pas fasules(30,5 milion ton) dhe bizeles (prodhim kokër 13 milion ton dhe jeshile 21 milion ton ne vit). Pra si prodhim kokër ze vendin e dytë. Për vitin 2018 në botë u mbollën gjithësejt mbi 17, 8 milion hektarë me qiqra  dhe u harrit të mirret  një rendiment mesatar prej 10 kv/ha. Si eksportues dallohen Argentina, Kanadaja dhe Australia.
Vendet me prodhimin më të madh të qiqravenë botë, viti 2018(FAO, 2020)

Etimologji, Folk.

Në latinish emërin shkencor qiqëra e ka Cicer arientinum L. Këtë emër ja ka vendosur botanisti dhe zoologu suedez C. Linnaeus(1707-1778). Fjala “Cicer” është marrë nga gjuha latine, por nuk të jep ndonjë kuptim në këtë gjuhë. Disa autorë përfshirë italianë, madje dhe shqiptarë thonë se kjo fjalë latinisht rrjedh nga gjuha greke nga fjala “Kikus”, të tjerë mendojne se rrjedh nga gjuha hebreike nga fjala “Kirkes”, ndërsa studjuesit serbë mendojnë se rrjdh nga gjuha maqedone e vjetër nga fjala “Kikeppoi”( A. Mikic, 2013). Në gjuhën greke për qiqrën ka vetëm këto fjalë: ρεβίθι, ροβίθι, ερβίθι – (revithi, rovithi, ervithi). Në Iliadën e Homerit sipas Theofrastit(370-285PK.) qiqra përmendet me emrin “Eribinthos”. Ndërsa në gjuhën maqedone qiqëra ka këto emra: леблебија, наут, слануток – (leblebija, naut, slanutok)

Të gjithë këta autorë duan të përafrojnë fjalën  “Cicer” me fjalët “Kikus”, ose   “Kikeppoi, fjalë që nuk gjënden në asnjë fjalor për qiqrën, e anashkalojnë gjuhën shqipe. Harrojnë se në këto troje banojnë shqiptarë autoktonë që kanë fjalën “Qiqër”.  Këta autorë, për mendimin tonë duhet të thoshnin se fjala cicer në gjuhën latine ështe huazuajtur nga fjala shqipe qiqër, më e pakta do të ishte që ta përmendënin si një alternativë. Por ka dhe disa autorë të tjerë që e thonë këtë.

Lidhur me fjalën “Cicer” në latinisht L.J. G Van Der Maesen, profesor i departmentit të taksonomisë së bimëve në Universitetin Bujqësor Wageningen, Hollandë, një nga universitetet bujqësorë më të mirë në botë, citon: “Emri Cicer është me origjinë Latine (Horace) dhe ka të ngjarë të rrjedhi nga gjuha para-indogerman nga gjuha pellazgjike, e fiseve që jetonin në veri të Greqisë, para se ta huazonin fiset greqisht folëse.”(1) Ne do të shtonim këtu se ishin këto fise pellasgjike të quajtur Etruskë ato që e çuan këtë fjalë në Toskanë, së bashku me bimën e qiqrës, rreth një mije vjet PK.

Sipas prof. dr. Resmi Osmanit kjo bimë edhe tek arbëreshët e italisë quhet qiqër.Ata kur duan të kuptojnë që dikush nuk është arbëresh por hiqet si i tillë, e venë të shqiptojë fjalën qiqër, po e shqiptoj cicer, nuk është arberesh”. Për fjalën qiqër nuk ka studime nga gjuhëtarët, ose nuk i kemi gjetur dot ne. Kjo bimë quhet qiqër kudo në trojet shqiptare, nuk ka forma dialektore, e flasin rreth 10 milion shqiptarë. Kjo tregon se është një fjalë e vjetër e shqipes ashtu si: fiku, shega, gruri, dardha, etj. 

Kokrra të qiqërave
Në Dalmacinë ilirike quhet “Cic”, që mund të jetë forma arkaike e fjalës qiqër. Përveç kësaj një pjesë e shqiptarëve gërmën “C” dhe “Ç” e shqiptojnë “Q”. Kjo dukuri ndodh dhe sot. Pellazgo-Ilirët kanë kontribute të veçanta jo vetëm në kultivimin e qiqrës qysh në lashtësi në trojet e tyre, por dhe në shpërndarjen e saj në Evropë. Ndaj dhe C. Linnaeus për emërtimin shkencor të qiqrës ka flolur shqip. 

Kurse fjala “arientinum” sërisht rrjedh nga gjuha latine “Aries” qe do të thotë dash ose kokëdashi, ashtu si tek horoskopi për shenjën dashi(Aries). Shumë autorë thonë se kjo fjalë(arientum) ka ardhur nga gjuha greke “Κριός, κριάρια”(dash, desh-shumës). 

Qiqëra si një bimë e vjetër, mijëravjeçare( rreth 6 mijë vjet ) në trojet shqiptare është përfshirë edhe folklor. Tek shqiptarët në lidhje me qiqrat ka shumë shprehje që përdoren dëndur në bisedat midis tyre si: “ Me shëndet je si një kokërr qiqër”, “I doli rakia u bë qiqër”, “e ka syrin, veshin qiqër”, "e ka mendjen qiqër", "u gdhi qiqër", etj. këto shprehin një gjendje shëndetësore shumë të mire, ose shkathtësi e mprehtësi. Përdoret dhe fjala "qiqërohem" që tregon se u pastrova e u rregullova mirë e mirë. Shprehia tjetër: “ Ç’na thua tani, qiqëra në hell? “, që do të thotë se ashtu sikurse qiqrat nuk mund të gatuhen në hell, po ashtu edhe thënia apo mendimi që ti shpreh për  diçka, nuk mund të realizohet.


Dobitë e qiqrës.


Dobitë e bimës së qiqrës për njerëzimin janë të shumta. Që në fillimet e tij njerëzimi ja ka ndjerë dobitë kësaj bime bujqësore. Qiqra për mijëra vjet me radhë i ka shërbyer njeriut dhe aktivitetit të tij të frytshëm bujqësor në shumë drejtime.

1.  Qiqëra së pari si bimë e familjes Fabaceae ose legominoze është bimë azoto-fiksuese, pra e pasuron tokën me azot. Në rrënjët e saj zhvillohet një bakter Rhizobium, që jeton në simbiozë me bimën i cili e kryen këtë funksion.  Kontributi shumë i madh që jep qiqëra për fiksimin e azotit në tokë, është me rëndësi jetike për bujqësinë në drejtim të rritjes së pjellorisë së tokës duke zvogëluar ndikimin negativ të plehrave kimike për mjedisin. Kjo është vrejtur që në lashtësi, sidomos për rritjen e rendimenteve të kulturave bujqësore në tokat e varfëra. Ajo ka ruajtur pjellorinë e tokës në një nivel të caktuar për shekuj me radhë. Shkenca sot po i kushton vëmdje të veçantë kësaj dukurie për të rritur pjellorinë e tokës bujqësore, si dhe per të siguruar një mjedis të pastër e të shëndetshëm. Qiqëra jep një kontribut të madh në rotacionin ose siç quhet qarkullimi bujqësor duke e pasuruar dhe e shëndetsuar tokën. 


2.    Qiqra sot në botë është ushqimi i miliona njerëzve duke kontribuar në sigurinë ushqimore të planetit. Përbën një pjesë të rëndësishme të dietës së vegjetarianëve dhe fëmijëve. Ka një shmëllojshmëri përdorimi si ushqim: E freskët, e pjekur, e konservuar, e përpunuar nga industria ushqimore, për gatimin e bukës, mbeturinat e saj mund të përdoren si ushqim për bagëtinë, etj. 

3.     Qiqra ka vlera të larta ushqimore. Është një burim i mirë i proteinave me bazë bimore, një gotë( 152 gram qiqra të thara) përmban 11 gram. Proteina është e rëndësishme në mirëmbajtjen e një sistemi imunitar të shëndetshëm. Shërben gjithashtu për shëndetin e flokëve, lëkurës dhe thonjëve si dhe ndihmon në  ndërtimin e indeve të muskujve. Shumica e kalorive tek qiqëra vijnë nga karbohidratet. Ka rreth 35 gram në një 1 gotë. Pjesa më e madhe e karbohidrateve janë fibrat(9.6 gr/gotë) dhe niseshteja. Sheqernat janë 6 gr./gotë. Qiqra përmban edhe pak yndyrna shumë të shëndeteshme 3.8 gr/gotë.

Qiqërat janë dhe një burim i mirë i vitaminës B6 dhe folate. Një gotë qiqrash  ofron rreth 14% të nevojave ditore. Përmban sasira të kënaqëshme të vitaminave të shëndetëshme si: vitaminë C, vitaminë B, tiaminin, riboflavin, niacin dhe acidin pantothenic, etj.

Eshtë gjithashtu burim për mineralet të shëndetshëme si: mangan, fosfor, bakër, hekur, magnez si dhe përmban sasira më të vogla të kaliumit, selenit dhe kalciumit.

Efektet mjekësore të qiqrës janë të konsiderueshme sepse ka përmbajtje të larta të vitaminave, mineraleve, proteinave dhe fibrave.

a) Ndihmojnë në shëndetin e zemrës sepse përmbajnë fibra(16% të nevojave ditore që mirret nga një gjysmë gotë). Rreth një e treta e fibrave në qiqërat janë fibra të tretshme, duke e bërë kështu një ushqim të shëndetshëm për zemrën. Studimet kanë treguar që njerëzit që hanë dieta të pasura me fibra zakonisht mbajnë një peshë më të shëndetshme dhe kanë një rrezik të zvogëluar të sëmundjeve të zemrës. Disa studime kanë vërtetuar se një diete me bishtajore duke përfshirë dhe qiqërat çon në humbje të peshës edhe kur dietat nuk janë të dizajnuara për të kufizuar kaloritë.

b) Mund të ndihmojnë në parandalimin e disa llojeve të kancereve. Përmbajtja e lartë fibrave dhe komponime të acidit butirik tek qiqërat mund të parandalojë kancerin e zorreve ose prostatës. Një dietë me qiqra përmirëson shëndetin e sistemit të tretjes e veçanërish të zorrës së trashë.  Përmbajtjet e larta të vitaminës B mund të parandalojnë çfaqien e kancerit të gjirit. Ndërsa saponina(glikozide amfipatike)  ndihmon në parandalimin e shumë llojeve të kancereve.

c) Regullatore e sheqerit në gjak. Qiqrat, si bishtajoret e tjerë, përmbajnë niseshte rezistente që ngadalëson tretjen e karbohidrateve. Të paktën një studim ka treguar që zëvendësimi i karbohidrateve të tretura më shpejt me bishtajore rrit kontrollin e glicemisë duke përmirësuar ndjeshmërinë ndaj insulinës tek njerëzit me diabet.

d) 
Kujdes! Në disa raste qiqërat mund të jenë dhe alergjike.  Duhet bërë kujdes në se keni alergji nga soja, kikirikët, bizelet, thjerrëzat, lajthitë si dhe të çfaqet ndonjë simptomë pasi të keni konsumuar qiqra, duhet të shkoni të konsultoheni me mjekun tuaj për të përcaktuar se çfarë është e sigurt për dietën tuaj.

e) Mund të kenë dhe efekte anësore.
 Ashtu si dhe fasulet tek disa njerëz. Qiqrat mund të shkaktojnë disa simptoma tek zorrët, si gazra. Në këtë rrast balancimi i dietës i parandalon këto simptoma.

Përdorimi i qiqrave në kuzhin.

Në dallim nga bishtajoret e tjera, siç janë bizelet, qiqrat konsumohen  të thata. Ato kanë një vlerë të lartë energjie me një përmbajtje të mirë proteine ​​dhe sasi yndyre të ulët.  Për shkak të strukturës së tyre të veçantë, gatimi i qiqrave të thata kërkon një njomie të gjatë dhe një periudhë të zgjatur gatimi.

Ka shumë receta që mund të me këtë bishtajore, më e thjeshta është supa klasike  me qiqra.  Para gatimit, rekomandohet që qiqrat e thata duhet të mbahen në ujë të paktën 12-16 orë. Kjo  procedurë  lejon pakësimin e përmbajtjes të disa anti-ushqyesve dhe, pjesërisht, edhe të oligosakarideve të fermentueshme. Pas njomjes, qiqrat  mund të zihen për rreth 1-2 orë.  Ato mund të gatuhen edhe  në tenxhere me presion, të cilat janë gati  për rreth 30-40 minuta, apo edhe  nën vakum në  temperaturë 90 ° C. 

Shija e qiqrave të gatuara  është shumë e veçantë gjatë konsumimit, në disa varietete ajo ngjan me shijen e lajthisë gjatë përtypjes në gojë. Qiqrat janë të shkëlqyeshme  në përgatitjen e  sallatave,  supave dhe gatimeve të tjera me lëng, të përziera me  drithëra, mish ose peshk.  Por me  qiqrat e ziera mund të përgatitet  edhe  një krem ​​që mund të përdoret për  përgatitjen e pjatave të ndryshme.

Qiqrat zenë një vend të rëndësishëm në kuzhinën e shumë vendeve të Mesdheut: në Portugali gatuhen të shoqëruara me  mish dhe peshk, në Spanjë i gjejmë në  gatimet tipike  të quajtura “tapas”, si dhe në gatimet fetare madrilene të quajtura “cocido madrilène” , e cila është një supë tipike dimërore e gatuar me qiqra, perime, mish derri dhe  mish viçi. 

Në të gjithë Lindjen e Mesme, qiqrat  kanë përdorim të veçantë në përgatitjen e kremit të qiqrave, ​​i cili më pas përzihet me vaj ulliri, hudhra, limon dhe tahinë (produkt me bazë susami), për të përgatitur  “hummus – in”, i cili  është një  shoqërues tipik për një numër të madh pjatash të  kuzhinës në këtë zonë.  Edhe “falafelët” e kësaj zone, që  janë qofte të përgatitura me kremin e qiqrave, janë gatime specifike  që shërbehen të shoqëruara me salcë tahini (që përgatitet nga farat e susamit të bardhë).

Në Itali qiqrat konsumohen si  garniturë në  gatimin e supave  dhe makaronave ndërsa me  miellin e tyre gatuhen “panelet” (bukëvt) siçiliane dhe “farinatat  ligure” (gatime me miell qiqre).

Por qiqrat janë edhe një nga  përbërësit kryesorë  të kuzhinës indiane dhe të Lindjes së Largët, ku përdoren për sallata, supa, miell, besanit që përgatitet nga qiqrat e thata  ose të pjekura dhe është bazë  e një shumice  recetash të ndryshme. Edhe uji i zier gjatë gatimit të  qiqrave, i quajtur ndryshe edhe  acquafaba (ujë bathe), mund të përdoret si  përbërës për përgatitjen e vezëve të rrahura, akulloreve, makaronave dhe ëmbëlsirave të tjera. Falë pranisë së sheqernave, proteinave dhe substancave të tjera të lëshuara nga farat, ky ujë  mund të  ruhet në shishe dhe të përdoret në vend të vezës në recetat vegane.Qiqrat  e ziera mund të ruhen  të gatuara dhe të kulluara, të rregulluara  me pak vaj. Në këto kushte  mund të ruhen në frigorifer për 3 ose 4 ditë, por këshillohet që ato duhet  të konsumohen  brenda një dite nga koha e hapjes së amballazhit.

Për t’i ruajtur sa më gjatë  qiqrat për konsum dhe për të mos gatuar qiqra të ngrira, mënyra më e mirë e ruajtjes së tyre është ajo e konservimit në kavanoza qelqi. Në se  kavanozi hapet, atëhere qiqrat duhet të konsumohen brenda 2-3 ditësh. 

Disa receta të thjeshta gatimi  me qiqra

Hummus: është receta më e njohur e kuzhinës arabe. Në një tas shtoni një filxhan me qiqra të gatuara (të ziera), dy thelpinj  të prerë të hudhrës, kumin (lloj erëze aromatike që përmban shumë hekur), vaj ulliri, majdanoz të copëtuar, kripë dhe lëngun e një limoni. Shtoni pak ujë dhe të gjithë përmbajtjen coptojeni në grimca të vogla. Sapo të fitohet një krem,  atëhere  ky lloj gatimi është gati. Shërbehet duke e spërkatur me  shumë vaj ulliri dhe spec djegës. Hummusi  hahet me pita (bukë arabe), por ai  është  edhe një lloj mezeje e shkëlqyeshme.

Qofte me qiqra  (falafel): Në një  tas me ujë hidhni një filxhan  me qiqra dhe lërini të pushojnë gjatë gjithë natës. Të nesërmen, gatuajini  derisa në çastin sa uji të fillojë të vlojë. Më vete, përzieni një qepë, dy thelpinj hudhër, koriandër, piper, kumin  dhe spec djegës. Shtoni qiqrat dhe i grini me blender. Përmbajtjen vendoseni  në frigorifer për një orë. Merrni një sasi të vogël dhe bëni topa të vegjël për tu skuqur në vaj perimesh.

Hamburger me qiqra dhe polenta (përvëlak): ziejini qiqrat dhe pastaj  bëjini  pure. Përgatitni polentën apo përvëlakun duke zier ujë dhe kripë, pastaj shtoni një lugë vaj ulliri dhe miell të verdhë pak nga pak. Kur të jetë gati , shtoni purenë e qiqrave. Shtoni një karotë dhe një qepë të prerë shumë imët. Lëreni të ftohet në një tabaka për një orë. Jepini asaj formën e një hamburgeri dhe më pas gatuajini me pak vaj perimesh ose në furrë.

Karakteristikat botanike

Qiqra bën pjese në familjen Fabaceae e njohur ndryshe si Leguminoze ose Bishtajore, një nga familjet më të mëdha të bimëve lulore. Kjo familje përbëhet nga 751 gjini me 19 mijë specje, nga të cilat rreth 60 janë të domestikuara ose të zbutura. Gjënden në formë shkure, barishte një vjeçare dhe shumë vjeçare.
Gjini Cicer përmbledh rreth 30 specie të shperndara në gjithë botën. Në Shqipëri janë përshkruar dy specje: C. arientinum L. dhe C. montbretii Jaub. Gjëndet në formë shkure.

Qiqra (C. arientinum) është  bimë barishtore njëvjeçare, me trup të drejtë, gjysmë të përkulur ose të përkulur, lartësia mund të arrijë deri në 1 m, por  rrallë i kalon 0,50-0,60 m. E gjithë bima është  e mbuluar me  push të dendur qimesh  me gjendra,  të  cilat sekretojnë një eksudat (acidin oksalik dhe malik).

Sistemi rrënjor është boshtor, mjaft i thellë (deri në 2 m), i përbërë nga një rrënjë kryesore me zhvillim kryesisht vertikal dhe degëzime të shumta anësore. Tuberkulat apo gungat azotofiksuese në sistemin rrënjor janë të mëdha.

Kërcejtë janë të drejtë ose të përkulur në llojet gjysmë të përkulur këndorë, pak a shumë të degëzuar.

Gjethet janë të përbëra, tekpendore, me 5-7 palë gjethëza ovale ose eliptike (me gjethëzën skajore), me dhëmbëzime anësore karakteristike në forma të çrregullta. gjatësia 50-60 mm; me stipula (veshëza ose ndajgjethëza) ovale ose trekëndore.

Lulet, tipike papilionace apo fluturore janë të gjata 25-40 mm, janë të vendosura në pozicion sqetullor, të vetmuara ose rrallë në çifte në një bisht të vetëm; kurora është përgjithësisht e bardhë ose e bardhë me shirita me ngjyra të ndryshme (rozë, të kuqe, blu, jeshile). Lulëzimi është i llojit "akropetal" dhe, si i tillë, fillon në degët e poshtme, duke vazhduar lart. Fekondimi i luleve është kryesisht autogamik (maksimumi 2% e tyre kanë fekondim të kryqëzuar). Një përqindje pak a shumë e madhe e luleve që formohen, pësojnë abort fiziologjik.

Fruti është bishtajë me gjatësi 20-30 mm, me formë vezake të zgjatur, i mbuluar me push të dendur, që përmban 1 ose 2 fara.
Farat kanë forma të ndryshme morfologjike: ato mund të jenë me formë globulare ose këndore me sqep; me sipërfaqe të lëmuar ose të rrudhosur; me ngjyra të ndryshme (të bardha, krem, jeshile, të kuqe, kafe, të zezë); pesha e një kokrre shkon nga  170 - 600 mg e më shumë.



Veçoritë Biologjike

Qiqra si pjesë e grupit të bishtajoreve, klasifikohet si një specie mikrotermike apo me kërkesa të pakta për nxehtësi, pasi ajo është e aftë të vegjetojë dhe të zhvillohet edhe në temperatura relativisht të ulëta. Cikli i përgjithshëm biologjik i qiqrave nga mbjellja deri në pjekje ka një kohëzgjatje që varion nga 4 - 8 muaj, në varësi të kohës së mbjelljes. 

Qiqëra është një bimë e ditës së gjatë: me kalimin nga vegjetacioni në fazën riprodhuese, bima i përgjigjet ciklit fotoperiodik të ditëve të pranverës me gjatësi në rritje, por kjo varet edhe nga regjimit termik. Kushtet optimale për lulëzimin e bimëve janë në një periudhë ditore me dritë midis 11 dhe 14 orësh, me temperatura mesatare ditore midis 15 dhe 23 ° C. Faza e lulëzimit është mjaft e gjatë dhe, në kushte normale, shtrihet për një periudhë jo më pak se 3-4 javë.  Kushtet e pafavorshme për këtë fazë delikate të ciklit janë: temperaturat nën ose më lart se 25 ° C,stresi nga mungesa e ujit, shirat e tepërt dhe lagështia.

Qiqra gjatë gjithë ciklit të saj biologjik, ka nevojë për një konsum maksimal të ujit deri në 450 mm. Falë karakteristikave të saj morfofiziologjike, ajo ka një aftësi të shkëlqyeshme për të nxjerrë ujin nga toka. Ndër faktorët që mund të veprojnë më shumë ndaj fenomeneve të stresit të ujit mund të përmenden: mbjellja e vonë e pranverës dhe në tokë me kapacitet të dobët të depozitimi të ujit (p.sh. tokat argjilore të rënda dhe ato me taban shumë të cekët). Zonat që karakterizohen nga reshjet e tepërta të pranverës së vonë të shoqëruara me lagështi të lartë atmosferike të natës, favorizojnë shfaqjen e parazitëve (Ascochyta, Botrytis, etj), çrregullimet e fekondimit dhe fenomenet shqetësuese të rritjes së tepërt vegjetativ të qiqrave. 

Qiqra kërkon toka të kulluara mirë dhe me pH neutral 6.5 – 7. Për një rritje dhe zhvillim normal të bimës, qiqra shkon mirë në tokat subargjilore të pasura me hekur dhe zink.  

Veçoritë Agroteknike

Në botë ka disa lloje qiqërash, më kryesoret janë llojet “Kabuli” ose “Garbanzo”. Afati mbjelljes përcaktohet sipas llojit të qiaqërave, lloje pranverore ose dimërore. Fara e dezinfektuar mbillet në një distancë 35-40 cm, midis rreshtave në thellësi 5-7 cm dhe me një dendësi prej 20-30 bimësh për metër katror. Mbjellja mund të bëhet me makina me preçizjon. Mund të përdoren plehëra fosforike dhe potasike. Korret gjat muajve Korrik-Gusht. Mund që të kryen ujitje në se janë të nevojëshme ose kërkohen rendimente të larta. Bëhet kujdes për infeksonet nga barishte e këqia, sëmundjet dhe dëmtuesit.
Qiqra është e ndjeshme ndaj sëmundjeve si antraknoza (Ascochyta rabiei), ndryshku i (Uromyces cicer-arietini), etj. Dëmtues të saj janë Heliotis, Liriomyza cicerina që dëmton gjethet, si edhe Callosobruchus chinensis, i cili dëmton farërat në depo


Literatura:
1. Origjin, History and Taxonomi of Chickpea. L.J.G. Van Der Maesen (first publications, 1972-1976) Department of Taxonomy, Agricultural University, Wageningen, The Netherlands.
2. Domestitication of Plants in the Old World- D. Zohary, M. Hopf, E. Weiss- Oxford-2012
3. FAOSTA – Crops and livestock Products.
4. USDA – Clasification for Kingdom Plantae Down to Species
5. Cicer L., a monograph of the genus, with special reference to the chickpea (Cicer arietinum L.), its ecology and cultivation -Wageningen University Resach- 1972
6. El cultivo de garbanzo en Argentina/Julia Carreras;et al. Universidad Nacional de Córdoba, 2016.
7. Bulgarian Journal of Agricultural Science, 19 (No 4) 2013, 885-888 Agricultural Academy 
8. Fitoteknia, botimi i Institutit të Lartë Bujqësor, Tiranë, 1987.
9. Flora Ekskursioniste e Shqipërisë, M. Demiri- Tiranë, 1981.

QIQËRA (Cicer arietinum L.) is Copyright © 2020 by Bota Bujqësore

1 comment:

  1. Shume informacion i nevojshem. Kam vite qe po kerkoj receten e gatimit te bukes me qiqra qe e benin ne Korce. Eshte e papershkrueshme aroma bukes qe sapo dilte nga furra.

    Shume faleminderit per kete informacion

    ReplyDelete