nga Simon VRUSHO
Berat
Në shkurt të ’79-ës, kur
sa kishte kaluar të 70-atë, im atë, i veshur me shajak të zi, më kthehet:
Toku Miti VRUSHO (1908-1983) |
Po ndahem nga gjëja e
gjallë që po lë... Ca dele, disa dhën nëpër kushërinj... Po të lë shtëpinë dhe
një pulë të veme, pulën e zezë që të sheh si njeri, se mos e ther, po të lë një
mace, edhe ajo të sheh si njeri dhe, në fund, po të lë qenin, Balikun e Madh që
të sheh si njeri i madh... Ke odën, binxën, kasollen... Ke edhe fiqtë, rrushin,
mollët, kumbullat, qershinë, por mos harro pulën e zezë, macen dhe Balikun e
Madh... Do pyesin për mua, do më kërkojnë dhe u thuaj se do vijë, unë do pyes
për këta tre, do interesohem dhe kjo do t’i qetësojë disi, por prapë do
hidhërohen për mua se nuk do më shohin më me sy...
Kur zbrisja herë pas here në
Urë, babai pyeste me radhë për pulën e zezë, macen gri dhe Balikun e Zi... Kur
i thoshja se ishin mirë, vija re se një hije gjallërie i kalonte në sy... Por
kjo nuk do të vazhdonte gjatë... Në një nga zbritjet e mia i dhashë babait
mandatën e parë: Pula e zezë ishte zhdukur pa nam e nishan, duke e lënë qymezin
shkretë plotësisht, sepse gjysma shkretë ai ishte qëkur kishte mbetur me një
pulë të zezë...
Gjithë ai qymez!...
Babai u pre... Ndonjë dhelpër, dhelpër
ishte futur deri brenda lagjes!..
-E, po, shiko macen e qenin, Balikun tani. U
bëj të fala!...
Shkuan javë, muaj... qeni e macja mbaheshin mirë.... Për në një
zbritjet e tjera, më vonë, më pas, zbrita në Urë bashkë me lajmin se edhe macja
ishte zhdukur pa nam e nishan! ... Mandata e dytë, kjo... Babai nuk u besonte
veshëve...
-Nuk ka mundësi, -thoshte.
-Ishte mace edhe e fortë, edhe e
zgjuar... Mbase të ka ndjekur, por ti nuk e ke vënë re, duke hipur nëpër makina
e autobusë dhe atë e ke lënë në këmbë.... Por mbase vjen këtu, në Urë, tek
mua... Dhe babai ngrihej herët dhe shihte ndanë rrugëve të Urës se mos shihte
macen tonë, macen e tij, me kujdesin se mos ia shtypte ndonjë makinë... E priti
gjatë...
Të falat tani shkonin vetëm për qenin, për Balikun e Zi... Dhe
do të kalonte, pothuaj, një vit... Baliku i Zi po refuzonte ushqimin, bukën,
dhallën, kosin, qumështin... Dhe mbylli sytë...
Kur ia dhashë mandatin e tretë
tim eti, ai ngriu... Mandatin e tretë, për Balikun e Zi, që dikur ai e kishte
pasur qen të kopesë, nuk e përtypte dot...
-Tani, vërtetë, ne u ndamë nga gjëja
e gjallë... Edhe ti ke për të ikur tani... por unë do të iki akoma më përpara,
akoma më larg...
Dhe nuk do të zgjaste shumë... Kur zbrisja unë, babai ishte
ngjitur shumë lart...
No comments:
Post a Comment