Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Tuesday, 2 January 2018

Arti shqiptar i prodhimit të verës, kush është gjenerata e re e prodhuesve shqiptarë

Prodhimi i verës është si art, ashtu edhe shkencë, një përzierje e krijimtarisë individuale dhe teknologjisë inovative. Por prodhimi i verës është gjithashtu biznes, me faktorë ekonomikë që ngasin praktikat prodhuese.
Për të qenë i suksesshëm në tregun modern, një prodhues vere duhet të integrojë aspektet artistike dhe ekonomike të prodhimit të verës dhe të ketë njohuri të mira të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që motivojnë blerjen.
Nga Ledina Loga, Monitor.
Industria agropërpunese e verës ka shënuar rritje në vitet e fundit. Aktualisht, prodhuesit shqiptarë operojnë në një treg të vështirë, të deformuar nga konkurrenca e pandershme dhe të gjunjëzuar prej verërave të importit.
Nga një vend prodhues, por edhe importues i verërave, sot më shumë se 2000 vjet më pas, tregu shqiptar i verërave është “pushtuar” nga vera e importit. Prodhuesit pohojnë se gati 75% e tregut mbulohet nga vera që vjen nga jashtë, kryesisht nga Italia dhe Franca. Në vetëm pesë vitet e fundit, importet nga jashtë të verës janë rritur me mbi 50%. Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, importet e verës në 2016 kapën vlerën e 42 mijë e 140 hektolitrave.
Ndërsa eksportet e verës shqiptare jashtë mbeten ende një sasi tepër modeste. Në 2016-n, sasia e eksportuar nga vendi ynë jashtë ishte vetëm 150 hektolitra, apo rreth 100 mijë shishe. Edhe pse prodhuesit vendas kanë bërë hapa të mëdha për sa i përket përmirësimit të teknologjisë dhe metodologjisë së prodhimit të verës, sërish nuk po arrijnë dot që të mbulojnë së paku gjysmën e tregut e vendas.
Nga të dhënat e mbledhura indirekt dhe të përpunuara nga “Monitor”, në vend operojnë rreth 250 kantina. Pjesa më e madhe e tyre janë kantina të vogla dhe kanë një prodhim modest. Ndërsa sipas vetë aktorëve kryesorë të tregut, janë vetëm 20 kantina që mbajnë peshën kryesore të prodhimit për nga cilësia dhe sasia.
Megjithatë, segmenti i tregut të verërave po njeh zgjerim. Këtë e tregon si rritja e prodhimit, që pohohet nga të gjithë aktorët kryesorë të tregut, edhe rritja e importeve të verës. Në 2011, importet e verës ishin 27 mijë hektolitra, më pak se gjysma e sasisë që importohet në ditët e sotme.
Është zgjuar interesi tek biznesmenët, por edhe tek individët e thjeshtë për të rritur sipërfaqet e mbjella me vreshta, e për rrjedhojë është, edhe sasia e rrushit të prodhuar. Megjithatë, prodhuesit thonë se në këtë luftë për mbijetesë në tregun vendas, ata janë vetëm. Fermerët shqiptarë nuk subvencionohen, për këtë shkak çmimi i lëndës së parë është i lartë krahasuar me fqinjët. Prodhuesit vendas thonë se mund të blejnë rrush në vendin fqinj, Maqedoni, 20 cent për kg, ndërkohë që në vend e marrin për 35 cent për kg.
Shumë prej prodhuesve kryesorë po përpiqen që të bëjnë integrimin vertikal të kantinave të tyre. Prodhues si Arbëri, Nurellari, Çobo, Shehi dhe Kokomani, kanë shtuar sipërfaqet e mbjella me vreshta. Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, në 2016-n, në Shqipëri, sipërfaqet e mbjella me vreshta përllogariteshin rreth 10 mijë e 533 hektarë, rreth 93 hektarë më shumë se një vit më parë. Gjatë 2016-s u prodhuan rreth 205 mijë e 300 tonë rrush, i cili pjesa më e madhe është për konsum tavoline.
Pjesa e mbetur shkon për prodhimin e pijeve nga fermentimi i tij. Nga të dhënat e mbledhura nga prodhuesit vendas dhe përllogaritjet e kryera nga “Monitor” në mënyrë të tërthortë, kantinat shqiptare kanë një kapacitet prodhues prej 1 milionë e 500 mijë shishe, e përkthyer në hektolitra do të ishin rreth 11 e 250 hektolitra (1 shishe verë standarde përmban 0.75 litra verë).
Pra, vetëm 25% e tregut të verërave në total. Sipas përllogaritjeve nga “Monitor”, konsumi për frymë i verës në Shqipëri nuk i kalon 2.26 litra në vit. Në harkun kohor të një viti, një shqiptar pi afërsisht 3 shishe e gjysmë verë.
Tregtia e verës së gazuar
Ekzistojnë lloje të ndryshme të verës së gazuar , si proseco, spumante apo shampanja. Në Shqipëri, importet e verës së gazuar kanë ardhur në rritje, duke shënuar në 2016-n vlerën e 1.1 milionë dollarëve.
Destinacionet kryesore e importeve në Shqipëri janë vendet europiane, Italia dhe Franca.
Europa është eksportuesi numër një i verës së gazuar në botë.
Në 2016-n, u eksportuan rreth 744 milionë litra verë e gazuar nga vendet anëtare të Bashkimit Europian. 62 për qind e këtyre eksporteve (465 milionë litra) ishin brenda vetë vendeve anëtare të BE-së.
Tregu mbizotërohet nga Italia, Franca dhe Spanja
Italia, Franca dhe Spanja mbizotërojnë tregun e verave të gazuara. Vendi ynë fqinj, Italia mban vendin e parë ku në 2016-n rreth 335 milionë litra verë e gazuar u eksportuan në 2016-n, apo 45 për qind e totalit të vendeve anëtare, Franca renditet e dyta me 172 milionë litra apo 23 për qind dhe Spanja e treta me 168 milionë letra (23 për qind). Më pas ndiqeshin nga Gjermania me 32 milionë litra apo 4 për qind dhe Letonia me 8 milionë litra apo 1 për qind.
Vera e gazuar europiane kryesisht shkon në ShBA
Ndërsa për sa i përket eksporteve në vendet jo-europiane, vera e gazuar shkon kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (114 milionë litra, apo 41 për qind e totalit të eksporteve jashtë BE-së e verës së gazuar), ndjekur nga Japonia (26 milionë, mbi 9 për qind), Rusia (25 milionë) dhe Zvicra (20 milionë litra), Kanadaja (12 milionë litra) dhe Australia (11 milionë litra).
Varietetet autoktone shqiptare
Për varietetet autoktone të ilirëve, trojet ku sot jetojmë ne shqiptarët, do të shkruanin poetët e kohës. Këtë e dëshmojnë më së miri, jo vetëm mbishkrimet e poetëve nga antikiteti, por edhe toponimet e vendeve. Fshatrat Kallmet, Shesh, Komuna e Hardhishtës, fshati Cerujë në Burrel janë dëshmi se vitikultura ka qenë traditë nga antikiteti, në mesjetën e vonë dhe gjatë Perandorisë Osmane, ku sulltani vendosi taksë për pijen e verës në Shqipëri.
Vreshtaria është kryesisht e përqendruar në Ultësirën Perëndimore, për shkak edhe të klimës, ku secila zonë është e njohur për varietetin e saj.
Llojshmëria e varieteteve shqiptare, por edhe cilësia e tyre, janë një ndër pikat e forta të industrisë agropërpunuese të verërave, për të qenë konkurruese jo vetëm në rajon, por edhe më tej.
Sheshi që e njohin të gjithë
Vetëm 15 kilometra larg Tiranës gjendet fshati kodrinor i Sheshit. Prej kodrave të Sheshit mund të dallohen në horizont bregdeti i Adriatikut. Klima është tipike mesdhetare.
Ka shumë ditë me diell. Era është e butë, ndërsa toka shumë e pasur me minerale. Kjo zonë njihet si pikë origjine për varietetin më të famshëm të rrushit shqiptar, Sheshin.
Varieteti i rrushit Shesh, që është emërtuar kështu prej zonës (ose zona prej rrushit – mbetet ende një enigmë), është në dy lloje: i zi dhe i bardhë. Prej zonës, varieteti do të përhapej në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në zonën e Shqipërisë së Mesme, kryesisht në Tiranë dhe Durrës. Sipas përllogaritjeve mendohet që ky varietet mbulon rreth 35% të vreshtave në Shqipëri. Varieteti i Sheshit, sipas ekspertëve, shërben si bazë, për ndërthurjen me lloje të tjera europiane të rrushit, si Merlot apo Kabernet.
Kallmet, mbreti i Veriut
Në veriperëndim të Shqipërisë mbizotëron një tjetër varietet, Kallmeti. Kallmeti është kultivuar kryesisht në zonën e Lezhës dhe Shkodrës. Ngjyra e rrushit Kallmet është e kuqe dhe zonat më të njohura për kultivimin e tij janë krahinat e Lezhës, Zadrimës, Shkodrës, Bukëmirës dhe rreth liqenit të Shkodrës. Ky varietet u shpërnda nga romakët në vendet e Europës Qendrore. Verërat e këtij varieteti janë me ngjyrë rubini, kanë karakter dhe një shije që të mbetet lehtë në kujtesë.
Disa prej kantinave më të mëdha shqiptare, si kantina “Arbëri”, më e madhja për sa i përket prodhimit në vend, prodhon verë nga ky varietet. Prodhimi vjetor i kantinës “Arbëri” është mesatarisht 100 mijë shishe në vit dhe sipas Rigersit, enolog i kantinës, rreth 15% e tij eksportohet jashtë. Destinacionet kryesore ku shkon vera nga kantina “Arbëri” janë vendet e Europës Perëndimore, e deri në Nju Jork. Vlerësimi që marrin nga të huajt është shumë pozitiv.
Kultivimi i këtij varieteti rrushi dhe vera e prodhuar prej tij janë trashëguar falë famullive dhe familjeve verëprodhuese të zonës, të cilat, e kanë bërë të famshëm këtë varietet në të gjitha epokat historike.
Edhe në krahinën e Mirditës, banorët e së cilës i përkasin besimit katolik, vera (apo gjaku i Krishtit) është pije që nuk duhet të mungojë në raste festash dhe ditë të shënuara.
Jurgen Pashuku, i kantinës “Zadrima”, tregon se vera “Kallmet” pëlqehej dhe nga vetë Papa. Zona që përfshin fshatrat tona e quajtur ndryshe dhe rajoni i Fushës së Zadrimës, është i njohur historikisht për prodhimin e rrushit dhe përpunimit të verës.
“Mbreti i zonës sonë është kultivari Kallmet, i njohur që në lashtësi me romakët e lashtë që më pas e kultivuan dhe në Hungari, Serbi dhe Bullgari që njihet me emrin ‘Kadarka’, ‘Skadarka’ (që vjen nga emri i qytetit Shkodër). Po ashtu, në Mesjetë dhe në periudhën e pushtimit osman, ky rajon kur ishte jo nën sundimin e plotë osman, ka pasur zhvillim të madh në prodhimin e verës cilësore ‘Kallmet’, ku Frang Bardhi e përmend në relacionet e tij që të dhjetat që i dërgoheshin Vatikanit, i dërgoheshin me verë ‘Kallmet’ dhe ne me krenari e themi që vera ‘Kallmet’ është pirë dhe pëlqehej edhe nga vetë Papa”, – ka thënë Pashuku për “Monitor”.
Rajoni kodrinor i Zadrimës është nga rajonet më të përshtatshme për prodhimin e rrushit, dhe Kallmeti bëhet vetëm te ne, – shton ai. Në vitet e komunizmit, ky kultivar (Kallmeti) ishte i vetmi i certifikuar në Francë dhe vazhdon të ngelet kultivari i vetëm i certifikuar në Shqipëri.
Përpos llojeve Shesh dhe Kallmet, një tjetër varietet i famshëm i rrushit shqiptar është Pulsi Beratit. Pulsi është rrush i bardhë, më i rëndësishmi i krahinës së Përmetit, Beratit, Skraparit, Mallakastrës. Është rrush me pjekje të vonë. Verërat kanë përmbajtje të lartë alkooli dhe aciditet mesatar.
Pulsi Beratit
Qarku i Beratit është një nga zonat më të njohura për prodhimin e verës në Shqipëri. Në këtë zonë janë themeluar disa prej kantinave kryesore në vend, si kantina “Çobo”, “Nurellari”, “Luani”. Kantinat janë bazuar përgjithësisht në prodhimin e verës prej kultivarëve autoktonë, ku më i rëndësishmi i zonës është Pulsi.
Vera e bardhë e prodhuar prej Pulsit ka aromë të fortë lulesh. Sipas zotit Petrit Çobo, i kantinës “Çobo”, rrushi thith çdo gjë që ka pranë. Aromat e verërave të prodhuara nga ky varietet vijnë prej luleve që rriten rrëzë malit Tomorr. Mbizotërojnë aromat e freskëta.
“Ka një aromë shumë të veçantë, aromë lulesh. Nuk mund të thuash se një varietet është më mirë apo më i keq se një tjetër varietet. Por ka varietete që janë të veçanta. Aromat karakteristike që vijnë nga lulet që rriten rrëzë Tomorrit dhe kanë një shije të fundme shumë të gjatë. Dallon nga të gjitha të tjerat. Pulsi është përfshirë në Atlasin Ndërkombëtar të Verërave”, – tha zoti Çobo kur u pyet për karakteristikat e varietetit të Pulsit.
I ëmbli Vlosh
Në jugperëndim të Shqipërisë, varieteti mbizotërues është Vloshi. Sipas ekspertëve, varieteti i Vloshit ka përmbajtje të lartë të sheqerit dhe piqet në fund të shtatorit. Kantina “Balaj”, në Qarkun e Vlorës, e ka bazën e prodhimit të saj nga ky varietet.
Ceruja, rrushi “spartan”
Ndërsa në verilindje, varieteti Ceruja i Burrelit. Fshati Cerujë, i cili ka marrë emrin për shkak të rrushit, njihet si vend i pasur me mineralin e kromit. Duke qenë se rrushi i varietetit Cerujë rritet në një tokë të pasur, vera e prodhuar nga rrushi Cerujë është e pasur me minerale, të cilat ndihen gjatë degustimit të verës së prodhuar nga kantina “Uka”.
Flori Uka, enolog i kantinës, prodhon vetëm dy etiketa, verën e bardhë Ceruja dhe verë të kuqe me varietetin Kallmet. Sipas Florit, është e rëndësishme që të prodhohet verë prej varieteteve autoktone shqiptare.
Pse janë të rëndësishme varietetet autoktone? Në një treg ku është i mbushur me varietete ndërkombëtare. Kantinat shqiptare janë të vetëdijshme se mund të konkurrojnë me cilësi dhe jo me sasi dhe të vijnë të veçanta me anë të varieteteve autoktone. Në botë ekzistojnë më shumë se 10 mijë lloje të ndryshme të varietetesh. Disa janë hibridë të llojeve më të hershme. Varietete të ndryshme janë popullorë në vende të ndryshme.
Gjenerata e re e prodhuesve 
Të rinj në moshë, disa nga prodhuesit e kantinave shqiptare, kanë gjetur përveçse profesionin që duan, edhe pasionin e jetës. Gjenerata e re e prodhuesve është ajo që po rend më tepër pas varieteteve autoktone shqiptare.
Prodhuesit e rinj kanë studiuar në shkollat më të mira të vreshtarisë – enologjisë në Europë.
Shqipëria është i vetmi vend në botë ku mund të pish një gotë verë të bërë nga rrushi Ceruja, Kallmeti apo Puls, vlerën e të cilëve po e ngrenë në një piedestal tjetër katër djem të rinj: Flori Uka, Rigers Kaçorri, Jurgen Pashuku dhe Levent Nurellari.
Leventi, historia që nis nga një fidan
Leventi përfaqëson brezin e dytë në kantinën “Nurellari”, që gjendet në fshatin Peshtan të qytetit të Beratit. Në fillim të ’97, i ati i Leventit mendoi që t’i hynte tregtisë së fidanëve për disa varietete europiane të rrushit.
Në atë kohë, Leventi ishte vetëm shtatë vjeç. Për fatin e keq (ose të mirë) prej trazirave në vitin e mbrapshtë, Fatos Nurellari nuk mundi të shiste asnjë prej fidanëve. Fidanët zunë rrënjë në tokën e familjes Nurellari.
Shumë shpejt do të jepnin prodhim. Për të mos e çuar dëm gjithë atë sasi të prodhuar, Fatosi nisi të prodhonte sasi vere. Fillimisht në mënyrë artizanale, ndërsa pak më vonë do të fuste teknikat moderne të të bërit verë. Leventi, djali i dytë i një familje me tre djem, do të ishte i vetmi që do të ndiqte hapat e familjes. Nisi të studionte Kimi Ushqimore dhe çdo verë shkonte të bënte punë sezonale në një kantinë në Itali. Pas përfundimit të studimeve, Leventi u bë më aktiv në drejtimin e kantinës. Deri në atë kohë, familja Nurellari prodhonte verë me varietetet europiane.
Vendosi që një prej etiketave të kantinës “Nurellari” të ishte me varietet autokton shqiptar, i cili rritet në zonën e Beratit, Pulsin. Sot, 20 vjet pas vitit famëkeq ’97, kantina “Nurellari” e ka rritur sipërfaqen e mbjellë me vreshta.
Ka ndërtuar një kantinë moderne dhe po mendon që asaj t’i përfshijë edhe një njësi akomoduese për turistët e pasionuar të verës shqiptare. Si teknolog ushqimor, Leventi mendon se vera nuk duhet të jetë në grupin e pijeve alkoolike, por të jetë pjesë e grupit të ushqimeve, siç është në vendin fqinj Itali. Sipas tij, vera, sidomos e kuqja, është e pasur me vlera ushqimore, është antioksidant i fuqishëm dhe ngadalëson plakjen. Ndryshe nga pijet e tjera me përmbajtje alkooli, Leventi thotë se është shumë herë më e vështirë që të krijosh varësi nga vera.
Rigersi, studenti që bindi italianët
Kantina “Arbëri” ishte një nismë e Fran Kaçorrit, i ati i Rigersit. Kur nisi puna në kantinë, ai ishte fare i vogël. Por, kujton se në familjen e tyre është pirë gjithnjë verë. Përpara se të ndërtohej kantina “Arbëri”, ai mban mend se verën e prodhonin në mënyrë shumë artizanale.
Duke parë investimet e familjes dhe përkushtimin që kishin ndaj kantinës, vendosi që pasionin ta shikonte si profesion. Pas mbaroi gjimnazin, u regjistrua në degën e Enologjisë në Universitetin e Bolonjës. Diplomën e mbrojti duke prezantuar varietetin Kallmet, për të cilin hasi dhe shumë vështirësi, duke qenë se nuk njihej nga pedagogët italianë.
“Nuk besonin që prodhohej verë në Shqipëri. Arrita t’i bind me argumente dhe duke i çuar verë shqiptare në Itali, – tha Rigersi.
Për Rigersin, profesioni i enologut është shumë delikat. Të bësh këtë profesion, sipas tij, është e ngjashme me të dhënët jetë të diçkaje. Kur deguston një verë, shqiptare apo të huaj, konsumatori shijon një varietet, një zonë malore apo kodrinore, një metodë prodhimi, nuk pi vetëm verë.
Ferma Uka, Flori, e nisi i pari
Ndryshe nga Leventi dhe Rigersi, Flori Uka është brezi i parë i kantinës që ai vetë ka ngritur. Megjithatë lidhja e tij me bujqësinë ka qenë shumë e afërt. I biri i një agronomi dhe pedagogu në Universitetin Bujqësor u ushqye me dashuri për këtë profesion.
Megjithëse jetonte në qytet, Flori punonte në fermën që familja e tij kishte në periferi të Tiranës, në fshatin e Laknasit, ku sot, përveç kantinës, ka ngritur dhe një restorant në të cilin shërben vetëm prodhime organike shqiptare.
Tre vitet e para të studimeve do t’i bënte në Fakultetin e Vreshtari-Enologjisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ndërsa specializimin për enologji, në Pisa të Italisë. Paralelisht me shkollën nisi të bënte edhe sasitë e para të prodhimit. Flori i dha jetë një varieteti të harruar autokton shqiptar, rrushit Ceruja, që rritet vetëm në fshatrat e luginës së Matit. Për varietetin Ceruja, Flori do të dëgjonte fillimit nga i ati, të cilin e kishte hasur kur kishte qenë agronom në zonën e Matit. Pasi u njoh me rrushin, Flori ishte më se i bindur për potencialet që kishte varieteti. Sot ai prodhon verën e bardhë me rrushin Ceruja, të cilin e mbledh shtëpi më shtëpi në fshatrat e Matit.
“Universiteti ishte i një niveli të lartë dhe aty u kualifikova, fitova kompetencat për profesionin tim. Ne bënim vizita të shpeshta në kantina të mira në Itali”.
Kantina Zadrima
Ndërkohë që nisi studimet, filloi dhe prodhimin e parë të verës, në 2005-2006, duke bërë sasi të vogla të prodhimit. Në 2006-n, sasia ishte vetëm 500 kg rrush dhe prodhimi modest. Në vitin 2008, mori sasi më të mëdha, rreth 7-8 tonë rrush dhe vuri në punë kantinën. Aty u përball me problemet e vërteta që ka enologu në kantinë.
Nga tre djemtë e familjes Uka, Flori, më i vogli, është i vetmi që në njëfarë mënyre ka ecur në hapat e të atit. Dy djemtë e tjerë kanë zgjedhur profesione larg bujqësisë, i madhi në fushën e turizmit dhe djali i dytë për arkitekturë.
Jurgeni, djali që braktisi Greqinë
Një tjetër i ri i është kushtuar menaxhimit të kantinës, që i ati e ka ngritur në bashkëpunim me fermerët e zonës së Zadrimës.
Jurgen Pashuku, përfaqësues i fabrikës së prodhimit të verës nga vreshtat e Zadrimës, pohon se gjithçka i ka fillesat në vitin 1999, kur i ati, Zefi, vendoi të kthehej nga Greqia. Nga kontaktet me organizatën ndërkombëtare OXFAM, ai u nxit të punonte në bujqësi, pikërisht në vreshtari që ishin tipike të zonës. E nisi me 6 dynymë vreshta për verë e raki, të cilat më pas duheshin përpunuar. Jurgeni kujton se në periudhën 2003-2004, në Europë, nisi një lëvizje për uljen e sasisë së vreshtave për shkak të mbiprodhimit, ndërsa në Shqipëri ndodhte e kundërta, ato ishin shkatërruar dhe po rimëkëmbeshin.
Emocioni i Ukajve
Flori Uka përfaqëson brezin e parë në kantinën që ai vetë e ka ngritur. Thuhet se një kantinë fillon të jetë fitimprurëse pas brezit të katërt.
Edhe pse fillimet ishin shumë të vështira për shkak të tregut me probleme, Flori Uka tregon se nuk e ka menduar asnjëherë që të heqë dorë nga profesioni i enologut edhe sikur, biznesi i tij, të mos funksionojë. U bë pjesë e bujqësisë pa e kuptuar, megjithëse me një traditë familjare në këtë profesion.
Për Florin, bujqësia është profesioni më i mirë. Një ditë, i vëllai që studionte Luzanë të Zvicrës për Hoteleri-Turizëm, i tregoi se jo çdo njeri di të shërbejë verën dhe se për të duhet të jesh i mirëshkolluar. Pikërisht atë ditë, në ato momente, Flori tha se iu hap një botë e re.
Kishte vendosur që të studionte për informatikë, por u regjistrua në Fakultetin e Vreshtarisë-Enologjisë (degë e cila kishte vetëm dy vite që ishte hapur) në Universitetin Bujqësor, ku i ati ishte pedagog.
Deri në ato momente, i ati, profesor Rexhep Uka, ishte i mërzitur që asnjë prej djemve nuk kishte vendosur që të ecte në hapat e tij. Ndërkohë familja Uka kishte ngritur dhe një fermë, rreth dy hektarë, në fshatin Laknas, shumë pranë Tiranës.
Punoi katër sezone në Itali në një nga kantinat më të famshme, ndërsa pranimi për specializim në një nga pesë fakultetet botërore për enologji ishte i papritur. “Universiteti ishte i një niveli të lartë dhe aty u kualifikova, fitova kompetencat për profesionin tim. Ne bënim vizita të shpeshta në kantina të mira në Itali”, tregon Flori.
Ndërkohë që nisi studimet, filloi dhe prodhimin e parë të verës, në 2005-2006, duke bërë sasi të vogla. Në 2006-n, sasia ishte vetëm 500 kg rrush dhe prodhimi modest. Në 2008-n, mori sasi më të mëdha, rreth 7-8 tonë rrush dhe vuri në punë kantinën. Aty u përball me problemet e vërteta që ka enologu në kantinë.
Shqiptarja më e shtrenjtë
Kantina “Nurellari” është themeluar në vitin 1995 nga familja Nurellari. Që prej vitit të krijimit dhe deri në ditët e sotme, cilësia e prodhimit dhe produktet janë rritur. Kantina ndodhet midis qytetit të Beratit dhe Poliçanit në fshatin Fushë-Peshtan, 10 kilometra nga Berati.
Vera e kantinës “Nurellari” ka marrë vlerësime të shumta në kompeticione të ndryshme. Në vitin 2016, kantina “Nurellari” në konkursin ballkanik “Ballkan International Competition 2016”, në Sofje, Bullgari, u vlerësua me “Medalje Argjendi” për verën “Pulsi Beratit 2015”.
Gjithashtu më 17 dhjetor 2015 dhe 16 dhjetor të 2016, kantina “Nurellari” u vlerësua edhe në rang kombëtar në konkursin e organizuar nga Ministria e Bujqësisë, duke fituar çmime për kategorinë e verërave të kuqe të vjetruara përkatësisht në vitin 2015 me: “Reserva 2012”, çmimin e parë dhe “Montemeca 2009”.
Në vitin 2016 u vlerësua si vera më e mirë shqiptare me “Reserva Superiore 2013”.
Bankieri që gjeti pasionin te vreshtaria
Kantina “Shehi” është zero kilometra larg Tiranës, në zonën e Farkës. Puna filloi në vitin ‘99, kur iu kthyen tokat e familjes Shehi, si familje autoktone.
Në atë kohë kur shkuan për të punuar tokat e trashëguara, të gjithë i paragjykonin. Në një kohë kur të gjithë po i largoheshin bujqësisë dhe fshatit, ata vendosën që të ndërtonin fermën. Zona e Farkës ka qenë para viteve ’90 fermë. Familja Shehi e nisi me vreshtarinë.
Pranë vreshtit ndërtuan dhe një godinë të vogël për ta ruajtur. Aty ku ata mbollën vreshtat, nga rrushi i të cilave sot prodhohet vera e kantinës, ishin shkulur vreshtat e mëparshme nga të ardhurit në atë zonë. Prodhimi i parë ka qenë në mënyrë shumë artizanale, tregon Enveri, një prej vëllezërve të familjes.
Kantina dhe ferma janë bashkim i pesë vëllezërve Shehi, njëri prej të cilëve fatkeqësisht humbi jetën duke punuar në vreshtat e familjes, për shkak të një aksidenti fatal. Në vitin ‘99, ata u bënë bashkë dhe vendosën që me tokën e trashëguar nga familja të mbillnin kultura të ndryshme, veçanërisht vreshtat dhe ullinj. Fillimisht ata mbollën tre hektarë vreshta dhe më pas mbollën dy hektarë ullinj dhe një hektar arra.
Në dy-tre vitet e para, prodhimi u bë në kushte shumë artizanale, me fuçi. Prodhimi i parë u bë në 2005-n.
Një nga drejtuesit e kantinës, Enveri, i cili është edhe bankier në një nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, na tregon se prodhimi i verës është pasion për familjen e tyre. Enveri është trajnuar për agrobiznes në Amerikë. Secili anëtar i familjes Shehi është profesionist në punën që kanë zgjedhur për të bërë në përditshmëri, ndërsa verën e kanë pasion.
Çdo fundjavë, e gjithë familja mblidhet në fermë, e cila mesa duket ka shërbyer për t’i bashkuar edhe më shumë me njëri-tjetrin. Gjatë sezonit të vjeshtës, ku puna për prodhimin e verës është shumë intensive, i madh dhe i vogël jep kontributin për prodhimin e verës “Shehi”.
Familja Shehi asnjëherë nuk ka shpërndarë dividend. Çdo vit, fitimet që vijnë nga ferma që kanë ngritur shkojnë për t’u investuar në fermë. Në planet e tyre është edhe ndërtimi i restorantit, në mënyrë që të mbyllet i gjithë cikli.
Stema e kantinës “Arbëri”
Në principatën e verës
Në luginat malore, sidomos ato të Bukëmirës, në të cilat murgjit e manastireve katolike shijonin çdo pikë të verës së prodhuar nga këto troje, vijon të ndiqet tradita e lashtë e prodhimit të saj.
Duke u nisur nga tradita e hershme e trevës së Mirditës për kultivimin e vreshtit dhe prodhimin e verës, dhe me dëshirën e mirë për të ringjallur këtë traditë, Fran Kaçorri, administrator i kantinës “Arbëri”, vendosi të investojë për ngritjen e një kantine vere, e cila do të ishte përfaqësuese e kësaj tradite në prodhimet autoktone të zonës. Kantina “Arbëri” do të ishte pioniere në prezantimin e një brand-i, i cili do të përfaqësonte prodhimet autoktone të zonës në fushën e verës.
Kështu, në vitin 2003, u bë një investim prej 500 mijë dollarësh për ngritjen e kësaj kantine. Makineritë dhe pajisjet u morën nga dy kompani italiane, Cavalzani dhe Mori (Firence).
Rigersi, i biri i Franit, duke parë investimet në kantinë dhe pasionin që kishte për verën, vendosi që këtë të fundit ta shikonte si profesion.
Pas përfundimit të gjimnazit u regjistrua në një nga universitetet më të mira për enologji në Itali. Ai do të renditej në tetë studentët më të mirë të fakultetit. Fitoi përvojë në të gjithë Europën, por sytë i kishte nga kantina.
“Arbëri” është nga të paktat kantina që verën “Made in Albania” e ka çuar përtej kufijve. Sot, një verë “Kallmet” mund ta shijosh dhe në restorantet e Nju Jorkut apo Brukselit.
Pesha e një emri
Kantina e pijeve “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është kantina më e vjetër shqiptare. Fillimet e saj datojnë që në vitin 1933 ku në Sukth, zonë pranë Durrësit, u ndërtua një kantinë familjare me kapacitet prodhues 130,000 litra.
Kjo kantinë ishte një bashkëpunim i një familje italiane dhe një familje shqiptare, dhe ekskluzivisht vetëm për prodhimin e verërave. Në vitet 1960 në Rrashbull të Durrësit u ndërtua një prej dy kantinave që edhe sot vazhdojnë me prodhimin dhe ambalazhimin e pijeve.
U aneksua nga shteti shqiptar kantina e Sukthit, e cila tashmë është e modernizuar dhe me pajisje përpunuese të rrushit të vitit 2016. Në vitet 1988, përfundoi ndërtimi i bodrumit të dytë dhe tashmë gjithë kapaciteti arriti 12.000.000 litra.
Në vitin 2001, kantina u privatizua dhe më pas filluan investimet ku preken të gjitha hallkat e prodhimit, ambalazhimit. Kantina zotëron tani rreth 40 hektarë vreshta të lokalizuara në zonën e Arapajt, ku janë kultivuar hardhi ndërkombëtare si Cabernet Sauvignon, Primitivo, Negroamaro, Sangiovese, Merlot, Riesling, Chardonnay, Moskat etj.
Vera për Papën
Në mitet e njerëzimit, vera ka qenë përherë simbol i gëzimit, bashkëpunimit e prodhimtarisë. E tillë ka shërbyer dhe për Shoqërinë e Parë të Bashkëpunimit Bujqësor në Shqipëri “Vreshtarët e Zadrimës”, e krijuar që në 2005-n.
Sot, ajo është dëshmi se ka qenë zgjidhja më e mirë për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e mirëqenies së banorëve të zonës. Me 50 hektarë vreshta të mbjella si formë bashkëpunimi e 60 fermerëve, zona e Zadrimës vijon të ruajë traditën 45-vjeçare të prodhimit të rrushit autokton, fara e të cilit, për fat të mirë, ka mbetur e pacenuar.
Jurgen Pashuku, përfaqësues i fabrikës së prodhimit të verës nga vreshtat e Zadrimës, pohon se gjithçka i ka fillesat në vitin 1999, kur i ati, Zefi, vendosi të kthehej nga Greqia. Nga kontaktet me organizatën ndërkombëtare OXFAM, ai u nxit të punonte në bujqësi, pikërisht në vreshtari, që ishte tipike e zonës. E nisi me 6 dynymë vreshta për verë e raki, të cilat më pas duheshin përpunuar. Jurgeni kujton se në periudhën 2003-2004, në Europë filloi një lëvizje për uljen e sasisë së vreshtave, për shkak të mbiprodhimit, ndërsa në Shqipëri ndodhte e kundërta, ato ishin shkatërruar dhe po rimëkëmbeshin.
Kjo është një mënyrë bashkërendimi dhe bashkëpunimi midis ekonomive vreshtare me sipërfaqe nga 0,3 hektarë deri në 1 hektar dhe disa familje me mbi 3 hektarë. Secila familje punon në vreshtin e vet dhe sipas nevojës së ortakëve në vreshtat e grupit.
Drejtuesit e kooperativës, së bashku, organizojnë me gjithë vreshtarët punimet e mekanizuara të tokës, spërkatjet, grumbullojnë e përpunojnë rrushin cilësor, prodhojnë dhe tregtojnë verën më të mirë në tregun lokal e kombëtar me logon “Zadrima”. Sasinë tjetër të prodhimit e përpunojnë për përdorim familjar me pajisjet e kantinës.
“Avantazhet e bashkëpunimit janë kryerja e shërbimeve të përbashkëta mes fermerëve, aksesi në organizata dhe aplikimi për subvencione, mundësi për konsulencë e trajnime”, thotë Jurgeni. Avantazhi i qëndrueshëm ka qenë ulja e kostove dhe dalja në treg me një markë të njohur për prodhimin e verës “Kallmet”, që është autoktone në zonën e Zadrimës dhe në Shkodër.
“Rajoni i Fushës së Zadrimës është i njohur historikisht për prodhimin e rrushit dhe përpunimit të verës. Mbreti i zonës sonë është kultivari ‘Kallmet’, i njohur që në lashtësi me romakët e lashtë që më pas e kultivuan dhe në Hungari, Serbi dhe Bullgari dhe që njihet me emrin ‘Kadarka’, ‘Skadarka’ (prej nga vjen nga emri i qytetit Shkodër).
Po ashtu, në Mesjetë dhe në periudhën e pushtimit osman, ky rajon kur ishte jo nën sundimin e plotë osman ka pasur zhvillim të madh në prodhimin e verës cilësore ‘Kallmet’, ku Frang Bardhi e përmend në relacionet e tij që ‘të dhjetat’ që i dërgoheshin Vatikanit, i dërgohej me verë ‘Kallmet’, dhe me krenari, prodhuesit e Zadrimës thonë që vera ‘Kallmet’ është pirë dhe pëlqehej dhe nga vetë Papa.
Rajoni kodrinor i Zadrimës është nga rajonet më të përshtatshme për prodhimin e rrushit dhe ‘Kallmeti’ bëhet vetëm tek ne.
Në vitet e komunizmit, ky kultivar (Kallmeti) ishte i vetmi i certifikuar në Francë dhe vazhdon të ngelet kultivari i vetëm i certifikuar në Shqipëri”, thotë Jurgen Pashuku.
Shpirti në një shishe verë
Të prodhosh verë nuk është njësoj si bësh një pallat. Është një përgjegjësi shumë e madhe. Thuhet se që të dalë vera e mirë duhet të jesh një njeri i mirë. Duhet të futet shpirti brenda shishes së verës.
Pasioni duhet të jetë pjesa që të bën të mos lodhesh asnjëherë, të bën të papërtuar. Një pallat e bën dhe pas një viti e shet. Ndërsa vera është ndryshe. Kur prodhon verën, në mendje ke qëllimin për të cilën po e bën, nëse është për konsum të menjëhershëm, nëse është për rezervë apo do të vjetrohet në qilar. “Faba” ka disa shishe që nuk i prodhon gjithmonë, por kur vjen viti i mbarë.
Kantina “Faba” është një kantinë familjare, e cila ndodhet në qytetin e Fierit. Altini jeton prej 24 vjetësh në Itali nga ku marrë idenë, por edhe përvojën për të ngritur kantinën. Jeta e tij, në 13 vitet e fundit, ka qenë e ndarë midis Shqipërisë dhe Italisë. Në fillim, ai thotë se punonte në Itali dhe jetonte në Shqipëri, ndërsa sot puna e tij (kantina) është në Shqipëri, ndërsa jeton në Itali. Përpos kantinës, Altin Driza, importon dhe verë nga Italia për në Shqipëri.
Vreshta Kokomani
Një ‘Toskanë’ e vogël në Shesh
Zona ku është ndërtuar sot kantina “Kokomani” është e njohur që nga periudha romake për kultivimin e vreshtarisë, por edhe të ullinjve. Ka të dhëna historike deri nga mesjeta për varietetet e kultivuara në atë zonë.
Aty ku sot ndodhet kantina, dikur ka qenë një kishë, famullitarët e së cilës kultivonin vreshta dhe bënin verë. Edhe sot disa prej toponimeve katolike kanë mbetur në atë vend, megjithëse popullsia është konvertuar 100 për qind në besimin mysliman.
Blerim dhe Alban Kokomani janë dy vëllezër që punuan për shumë kohë në vreshtat dhe kantinat italiane. Dhjetë vite më parë, ndërsa mbillnin vreshtat në Toskana të Italisë, filluan të mendojnë për tokën e tyre në Eminas të Vogël, një vatër e shquar për vreshtarinë, midis Durrësit e Tiranës. Shtysë për ta u bë enologu italian, z. Andrea Franchetti, në vreshtat e kantinës së të cilit djemtë punonin.
Pasi analizuan tokën dhe vlerësuan mikroklimën, ai u dha 12 mijë fidanë të llojeve “Cabernet Sauvignon”, “Melot” dhe “Petit Verdeau” për t’i mbjellë, varietet me të cilat sot prodhohet një ndër etiketat e kantinës “Kokomani”, Shën Mhill.
“Ndërkohë që jetoja në emigrim në Itali, në Siena, ku punoja në një kantinë vere, vija herë pas here në Shqipëri, ku bënim dhe analizën e vreshtave të reja dhe studimin e territorit. Pas 3-4 vitesh, filluam dhe prodhimet e para, ku pamë që produkti ishte shumë cilësor. Në vitin 2008 sollëm dhe projektin bashkë me arkitektët italianë për ndërtimin e kantinës në zonën afër kodrave të Sheshit, pikërisht në fshatin Eminas, në Shijak.
Me mbarimin e punimeve, në vitin 2010 morëm licencat dhe nisi puna në Kantinë me tre produkte shumë cilësore, dy autoktonë të zonës Shesh i Bardhë dhe Shesh i Zi dhe një blend me varietete të sjella nga Franca, “Melot”, “Cabernet” dhe “Petit Verdeau” me etiketën Shën Mhill, ku kjo e fundit rezultoi mjaft e suksesshme, duke fituar të gjitha konkurset kombëtare dhe jashtë vendit”, – tha Blerimi.
Muharrem Çobo
Aty ky rrushi i merr erë luleve
“Stërgjyshi im filloi traditën e bërjes së verës në fshatin Mbolan, pranë malit të Shpiragut. Ai ia trashëgoi atë djalit të tij, derisa historia erdhi tek unë dhe vëllai im Petriti. Gjatë sistemit komunist, çdo familje konsumonte verën e prodhuar nga ndërmarrjet shtetërore gjatë festës së Vitit të Ri.
Ky ishte momenti kur në familjen tonë kujtohej vera që prodhohej dikur nga stërgjyshërit tanë. Unë prekesha nga këto histori që babai dhe gjyshi tregonin për ne”, kujton Muharrem Çobo.
Tradita e familjes Çobo zë fill në vitet 1900. Por pas luftës kur komunistët morën pushtetin në vitin 1945, tradita u ndërpre. Sipërmarrjet private nuk u lejuan të zhvillojnë aktivitetin e tyre, ndërsa kantina “Çobo” pushoi se qenë e tillë. Me rrëzimin e sistemit komunist në vitin ‘91, familja Çobo rifilloi prodhimin e verës.
Djali i madh i familjes Çobo, Muharremi, studionte për drejtësi në Itali. Atje, ai u takua me një prodhues vere, që i ngjalli interesin për prodhimin e verës për treg. I ndërgjegjshëm se produkti i verës shpesh është çështje e të eksperimentuarit dhe të mësuarit nga gabimet, Muharremi mbante shënime gjatë procesit dhe përpiqej të mësonte prej mjeshtrit italian. Gjatë stinës së verës në Shqipëri, ai vendosi të vinte në veprim njohuritë e fituara. Vilte rrushin, e fermentonte dhe e ambalazhonte atë në shishe. Rezultatet ishin të suksesshme.
Kantina Çobo
Kjo është zanafilla e rilindjes së kantinës Çobo pas rënies së sistemit komunist. Fillimisht prodhimi ishte modest. U prodhuan 8,000 shishe nga vjelja e parë.
“Mentaliteti shqiptar ka qenë sfida më e madhe, perceptimi i njerëzve për verën si pasojë e ndikimit të periudhës së komunizmit. Të filloje një kantinë pas viteve ‘90, pas 45 vjet komunizëm, ishte shumë e vështirë. Të gjithë mendonim se do të ishte e pamundur të prodhoje një verë të mirë në Shqipëri nga rrushi i vendit. Ne u përpoqëm shumë të bindnim njerëzit se prodhimi i verës ishte një traditë e rëndësishme shqiptare (edhe pse u ndal për 45 vjet), dhe për këtë ndihmoi padyshim edhe teknologjia e re e, mbi të gjitha, pasioni ynë”

No comments:

Post a Comment