Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Tuesday, 27 September 2016

LEGJENDAT E MËDHA TË BUTRINTIT, QYTETI ANTIK, NJË EMËR BOTËROR I ARKEOLOGJISË

                                                                              nga Moikom Zeqo
Moikom Zeqo
1. Legjenda e parë, Butrinti, Troja e dytë e Eneut Qyteti antik i Butrintit është një emër botëror i arkeologjisë. Më ka rënë rasti të shoh disa qytete arkeologjike të famshme si p.sh. Trojën, Mikenën, etj., emra këto, që lidhen thelbësisht me kulturën e hershme të njerëzimit. Mund të them me plot gojën se si qytet arkeologjik Butrinti është më i bukur, më i çuditshëm, më i pasur, më ekzotik, ndonëse ende jo shumë i njohur. Kam rilexuar këto ditë librin integrues të arkeologut italian Luigji Ugolini “Butrinti, miti i Eneut”, ku në mënyrë poetike shprehet admirimi i thugët dhe i pamasë i Ugolinit për librin “Eneida” të Virgjilit. Ugolini me bindje gati providenciale thotë se ashtu si Shlimani që duke lexuar “Iliadën” e Homerit arriti të zbulojë Trojën edhe vetë ai, Ugolini, duke u bazuar te “Eneida” e Virgjilit zbuloi Butrintin. Metafora e paralelizmit është tepër e rrallë dhe e qartë, por edhe krejt e politizuar. Në të vërtetë Ugolini nuk pati të njëjtin fat të madh si Shlimani, që vërtetë e zbuloi Trojën. Qe një kryevepër letrare ajo e Homerit, që zbuloi enigmën e historisë.
Nga ana tjetër Troja e Homerit dhe Butrinti i Virgjilit lidhen me njëra-tjetrën kaq ngushtë dhe në mënyrë dioskure, sipas një mistifikimi dhe një rikrijimi të një miti të ri se gjoja, mbas rënies së Trojës, princi trojan Eneu, shtegtoi dhe erdhi në Butrint ku pa se si kishin ardhur aty më parë disa trojanë të tjerë dhe kishin rindërtuar sipas shëmbëlltyrës së Trojës vetë qytetin e Butrintit si një Trojë e dytë. Është e pabesueshme, por me sa duket kjo legjendë-aspak e vërtetë nga pikëpamja historike e mirëfilltë pa asnjë mbështetje të vërtetë arkeologjike, në kohën e Virgjilit ka qenë tepër familjare, politikisht dhe në kuptimin pragmatist e besueshme. Virgjili beson tek një Trojë e dytë dhe sipas kësaj logjike në vijimësi Eneu rindërtoi në Romë Trojën e tretë. Libri i Ugolinit është kryesisht një libër arkeologjik, por njëkohësisht dhe një manual i hulumtimeve në histori dhe të kulturës së kujtesës që lidhet me Butrintin. Pa dashur të hyj në hollësira të karakterit shkencor, dua të bëj të njohur për lexuesin e gjerë disa legjenda madhështore të Butrintit, të cilat i ka mbledhur dhe sistemuar Ugolini.
2. Legjenda e dytë, Vdekja e Hyut Pan
Vdekja e Panit dhe britma e nimfave të liqenit. Plutarku ruan në librat e tij një legjendë për një ngjarje që ka ndodhur në zonën e Butrintit. Ai thotë se Epitersi, babai i oratorit Emiliani, tregonte si njëherë, duke lundruar në drejtim të Italisë, ishte në një anije plot me njerëz dhe të ngarkuar plot me mallra. Gjatë udhëtimit në një mbrëmje pushoi era dhe kështu anija që kishte arritur pranë ekinadeve, filloi të lëvizte sipas rrymës së ujit në det, duke u afruar te një nga ishujt e Paksosit, që gjenden në jug të Korfuzit. Udhëtarët në anije ishin akoma zgjuar disa po pinin verë. Papritur u dëgjua një zë këlthitës, që thirri nga njëri prej ishujve Paksos: “Thamos, Thamos!” Zëri ishte kaq i fortë sa që të gjithë u çuditën. Në të vërtetë në anije ishte një djalë i quajtur Thamos, që qe egjiptian dhe qe piloti, ose më saktë timonieri i anijes. Thamosi u përgjigj. Atëherë zëri misterioz tha në horizont: “Kur të arrish pranë liqenit Palode (qyteti i sotëm i Butrintit) lajmëro se Pani i Madh ka vdekur”. Epitersi shton se të gjithë ata që e dëgjuan këtë zë u tmerruan. Shumica e udhëtarëve u frikësua dhe nuk donte që anija të afrohej në liqenin Palode. Thamosi vendosi ta drejtonte anijen aty. Kur anija arriti në liqenin Palode, era dhe deti u qetësuan. Thamosi u drejtua nga toka e Butrintit dhe thirri duke lajmëruar me zë të lartë: “Dëgjoni, Pani i Madh ka vdekur!” Sapo mbaroi fjalën u dëgjua një vajtim i tokës dhe i ujërave, një vajtim kozmik, jo një vajtim i një njeriu, por i shumë qenieve njerëzore dhe hyjnore që ulërinin së bashku dhe sidomos zëri i nimfave të liqenit. Ky lajm i tmerrshëm arriti në Romë. Perandori romak Tiberi u shqetësua, e thirri vetë Thamosin, i bëri përshtypje tregimi i tij dhe çoi njerëz që të interesoheshin në zonën e Butrintit pse dhe si vdiq Pani i Madh. Kjo legjendë e jashtëzakonshme, për të cilën unë kam shkruar disa herë, tregon fundin e paganizmit politeist dhe fillimin e triumfit të krishterimit. E meriton Pani i Madh t’i ngrihet një përmendore buzë liqenit të Butrintit.
3. Legjenda e tretë, Varri i Medeas
Magjistarja e famshme nga Kolkida, Medea, që u dashurua me Jasonin dhe e ndihmoi atë të rrëmbente lëkurën e dashit të artë, duke u kthyer së bashku kaluan një aventurë të çuditshme. Jasoni e tradhtoi Medenë dhe dashurinë e saj, atëherë Medea vrau Kreuzën gruan e re të Jasonit, por bëri më të tmerrshmen gjë, që mund të mendohet: për të torturuar pafundësisht Jasonin ajo i vrau dhe dy fëmijët, që kishin së bashku. Sipas legjendës së Butrintit, Medea, mbas këtij krimi të përbindshëm dhe hakmarrje të skajshme prej gruaje erdhi në Korint dhe pastaj u vendos në Butrint ku përfundoi ditët e saj të fundit dhe u varros këtu. Edhe kjo legjendë është e çuditshme dhe tepër tronditëse. Dihet që Europidi ka bërë një kryevepër të paharruar për Medean. Po pse pikërisht në Butrint u varros Medea, kur mitologjia greke nuk e thotë këtë gjë? Me sa duket kjo është një gojëdhënë lokale tepër e rëndësishme e Butrintit, një dimension që pasuron mitologjinë botërore.
4. Legjenda e katërt, Butrinti ku lindi Juda
Butrinti, Atdheu i Judës, Iskariotit, që tradhtoi Krishtin. Të gjithë ungjijtë pa përjashtim thonë qartë se Juda i quajtur Iskarioti, dishepulli dhe tradhtar i Krishtit ka qenë hebre në Palestinë. Dihet që mbas tradhtisë ai vari veten. Historia e Judës është, gjithashtu, tronditëse dhe sidomos kur ai bëri të famshmen puthje të tij në fytyrën e Krishtit për t’i treguar kështu ushtarëve romakë se pikërisht ky ishte njeriu që do të arrestohej. Në kundërshtim me tregimet ungjillore, ekziston dhe varianti në Butrint i Legjendës se gjoja Juda ka lindur në Akropolin e Butrintit. Ugolini është çuditur nga kjo gjë dhe shkruan se “Kjo gojëdhënë shumë e pabesueshme, ndoshta e ka zanafillën te një marrëveshje me karakter toponomastik. Në ishullin e Korfuzit është një fshat që quhet Skaria, (emri homerik i Korfuzit) dhe banorët quhen skariotë. Prej Skariot në Iskariot kalohet lehtë, por mbasi banorët e Korfuzit nuk kanë pasur qejf të kenë një “privilegj” të tillë, thonë se Juda ka lindur jo në Korfuz, por në Butrint. Nga ana tjetër shqiptarët mesjetarë ja kthejnë mbrapsht akuzën dhe thonë që Juda ka lindur në Korfuz.
Kjo legjendë kontradiktore njihet që në kohën e Kryqëzatës IV, në vitin 1204. Këtë legjendë e solli dhe e përhapi në Evropë abati i quajtur Benedikti i Pjetër Borough, i cili ka qenë historian dhe poet dhe ka shkruar veprën “Trimëritë”, që i kushtohet mbretit francez Enriku II. Në këtë vepër ky abat riprodhon legjendën se Juda Iskarioti ka lindur në Butrint.
5. Legjenda e pestë, Vrasja e luanit
Ugolini thotë se në pranverën e vitit 1928, kur gërmimet nxorën në dritë portën që quhet sot Porta e Luanit, punëtorët shqiptarë, mbas këtij zbulimi u gëzuan së tepërmi. Kur i pyeta se cila qe arsyeja e këtij gëzimi, shqiptarët, thotë Ugolini, më treguan se ishte arritur të gjendej luani për të cilën fliste një legjendë e tyre e vjetër, kështu që reliefi me luan vërtetonte thëniet, e legjendës. Shqiptarët i treguan Ugolinit, se në kohë të lashta bënte gjëmën dhe kërdinë në fushat e Butrintit një luan shumë i madh. Në atë kohë në Butrint jetonte një popull grash, amazona, që kishin vetëm një gji. Luani vrau shumë amazona. Një amazonë të tillë që u vra nga luani e kish dashuruar një princ i ri dhe trim, i cili i nxitur tashmë nga dhimbja vendosi që ta gjuante dhe ta vriste luanin. Mbas një beteje të fortë midis princit dhe luanit, luani u vra, por dhe princi mbeti i plagosur. Princi do të kthehej në ishullin e Korfuzit. Ai kishte lajmëruar familjen se, nëse do ta vriste luanin do të vendoste një vel të bardhë në anije, nëse luani do të vriste princin, shokët e tij do të vinin një vel të zi në anije. Princi fitoi, por shokët e tij, duke u kthyer, bënë një ngatërresë të gjëmshme, në vend të velit të bardhë ngritën velin e zi. Kështu që familjarët e princit në Korfuz, kujtuan se princi qe vrarë dhe nga dhimbja vranë veten. Kjo legjendë shqiptare, gjithashtu, e çuditshme dhe tronditëse është një tregim që përsërit në mënyrë të ndryshme episodin e Tezeut dhe Minotaurit. Vetëkuptohet që mjedisi është i ndryshëm, nuk kemi të bëjmë me Kretën, por me Butrintin dhe Korfuzin. Gjithsesi, kjo legjendë është shumë e habitshme që ka mbijetuar në mënyrë lokale dhe origjinale te shqiptarët deri në shekullin XX kur Ugolini zbuloi qytetin e Butrintit.
Post scriptum
Këto legjenda të mëdha të treguara prej Ugolinit kanë lindur dhe mbijetuar në truallin e Butrintit të Shqipërisë. Këto legjenda janë pasuri e njerëzimit, duke qenë njëkohësisht pasuri e jashtëzakonshme e truallit shqiptar. Kjo qe arsyeja, që unë po i bëj të njohura për herë të parë publikisht për opinionin shqiptar këto legjenda. Kjo është arsye që unë mendoj që në guidën tërheqëse dhe të pazakontë të qytetit arkeologjik dhe madhështor të Butrintit, këto legjenda janë parafjalë e mrekullueshme dhe kuptimplotë.
"Gazeta Shqiptare" ( 26 Shtator, 2016)

Saturday, 10 September 2016

Pietro Porcinai dhe mjedisi gjelbërt

(Vila Mbretërore-Pallati i Brigadave)

nga Gjon FIERZA
Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Tiranë

Pietro Porcinai
(1910-1986)
            Që në vitet e Shkollës Mesme Pyjore, por dhe në Fakultetin e Pyjeve, tek mësonim lëndën e Dendrologjisë (që studion morfologjinë dhe ekologjinë e drurëve dhe shkurreve pyjore), pedagogët na shpjegonin se disa lloje pyjore ekzotike me shumë vlera, në numër të paket, të mbjellë në mesin e viteve ‘30, gjendeshin vetëm në mjedisin e gjelbër te “Pallati i Brigadave”, të sjella nga Italia. Këta drurë ishin: dy lloje sekuo-je, një cedër, bambu, disa shkurre, etj. Gjelbërimi, llojet dhe arkitektura e mjedisit, që qarkon atë që u nis për Vilë Mbretërore, janë unikale, mund të konsiderohet nga realizimet më të mira dhe të pa arritura në vendin tonë. Sot, gjendja lë për të dëshiruar, nga pamundësia e mirëmbajtjes dhe e trajtimit.
            Prej kohësh dëshiroja ta shihja këtë mjedis, pikërisht të shikoja me sytë e mi ata drurë dhe atë mjedis të gjelbër, që e kemi shumë pranë por për fatkeq e njohim shumë pak. Para viteve ’90 jo e jo, por edhe sot është disi e vështirë ta vizitosh ketë mjedis, ndonëse një vit më parë u fol për hapje dhe një projekt restaurimi!? U mundësua që së bashku me kolegun, inxhinier Hajredin Muçën, specialist i parqeve në Bashkinë e Tiranës, ta vizitonim këtë peizazh. Me aparat fotografik në dorë, për më se dy orë e shëtitëm këtë mjedis. Në këto radhë nuk kam qëllim të evidentoj vlerat, pasi ato i kanë thënë shumë emra të njohur të fushave përkatëse. Por, sipas meje, ato nuk mund të quhen të tilla (Vlera), sa nuk vihen në shërbim qytetarëve, studiuesve, turisteve, nxënësve të shkollave, etj. Tek sheh mjedisin e gjeneruar  dhe veprat arkitekturore, që harmonizohen në të, lind pyetja: Kush i ka realizuar ato?
            Shfletova dokumente, shkrime të kohës, dhe arrita t’i jap një përgjigje kësaj pyetjeje: Skulpturat, kryesisht janë vepra të italianit Antonio Maraini dhe skulptorit shqiptar Odise Paskali; ndërsa arkitekti i peizazhit ka qenë Pietro Porcinai. Të dy skulptorët, janë emra të mëdhenj e të njohur të këtij arti në Itali, Shqipëri e më gjerë. Por edhe Pietro Porcinai është një emër mjaft i njohur i fushës s peizazhit, autor në disa projekte të njohura në Evropë po edhe më gjerë. Ai, 30 vite më parë, më 9 qershor 1986, është ndarë nga jeta. Si homazh për këtë personalitet, që dhe në Shqipëri ka lenë një vepër monumentale gjelbërimi, siç është mjedisi i Pallatit të Brigadave, “më detyruan” të përgatis këtë shkrim. Kush është Pietro Por- cinai, çfarë përfaqëson në arkitekturën e peizazhit, kur e realizoi gjelbërimin e Vilës Mbretërore (Pallati i Briga- dave), cilat janë disa nga veprat dhe botimet e tij, etj.?
            I vlerësuar për veprat, studimet dhe botimet në fushën e peizazhit, ai konsiderohet si më i shquari i kësaj fushe në shekullin e kaluar  1900 në Itali, por jo vetëm aty. Në mesin e 1000 projekteve të peizazhit natyralistik (kopshte ku njeriu duket se nuk ka bërë asgjë), të realizuara në vende të ndryshme të botës, veçohen edhe kopshtet e realizuara nga Pietro Porcinai. Këtë cilësi mund ta dallosh lehtë edhe tek ne, në Tiranë. Tek gjen të listuar projektet e mëdha te realizuara nga Porcinai, shohim se i pari listohet në vitin 1935 në Tiranë (Kopshti i Pallatit Mbretëror) dhe ka përfunduar më 1981-1986, me projektin Toscana - Liguria–Umbria (kopshte dhe parqe private).
            Pietro Porcinai u kthye në Institutin e Bujqësisë në Firence, ku vazhdoi studimet deri sa u diplomua në vitin 1935, ndërkohë që punonte dhe në Pistoia. Ne vitin 1941 filloi Institutin e Lartë të Arkitekturës në Firence, por e braktisi në vitin 1945, pa u diplomuar. Ai u ngrit kundër  Institutit, pasi, sipas mendimit të tij, Instituti nuk ishte në gjendje për të kryer rolin social, për të formuar e dhënë njohuritë e të bukurës te studentët; nuk arrinte të edukonte modelin e krijimtarisë, arti kryesor i të cilit është Natyra. Më pas nisi të punonte jashtë Italisë, në Austri, Gjermani, etj., në kopshtet më të rëndësishme të Arkitekturës Evropiane, ku iu krijuan mundësi për t’u përballur me metoda e teknika të reja dhe me disa zgjidhje e koncepte të rëndësishme të peizazhit. Gjatë jetës profesionale ka krijuar shumë organizata për peisazhi dhe lulet  me asistencë teknike mjaft biznese, që janë marrë me lulëtarinë dhe me peizazhin në Itali dhe më gjerë. Janë aktuale dhe duhet pasur parasysh edhe tek ne ato që thoshte Porcinai 30- 40 vite më parë: “Degradimi i peizazhit tonë, transformimi gjithnjë e më shumë në mjedise dhe në zona monotone, të barabartë me njëritjetrin, që kanë humbur  bukurinë natyrore, dikton kri-jimin e hapësirave të mirëprojektuara, që përcjellin emocione, gjë që është re-
zultat jo vetëm i respektit dhe dashurisë për tokën, natyrën e traditat, por edhe sintezën e ideve të ndryshme krijuese dhe disiplinave të tilla, si pikturë, skulpturë, arkitekturë, kopshtari, dizajn, etj.”.
            “Nëse mbretëron vetëm dogma e ekonomisë, pa meditim dhe poezi të kopshtit, natyra do të shkatërrohet nga dora e njeriut. Ky shkatërrim do të mbulojë gjithë natyrën, duke përfshirë edhe vetë njeriun”.(Pietro Porcinai)
             Së bashku me një numër të madh projektesh, Porcinai ka lënë mjaft botime profesionale, disa ese të vlefshme për të kuptuar veprimtarinë në fushën e peizazhit të gjelbër. Shkrimet e tij janë të botuara në shumë revista me emër të kohës. Janë disa libra dhe udhëzues praktik, që edhe sot kanë gjetur përdorim në projektet e parqeve dhe lulishteve.
Gazeta "Kurora e Gjelbër" (Ftot nga Autori)









Friday, 2 September 2016

Mani i fëmijërisë

                               nga Namik Selmani

Na rriti duart e vockëla kur zgjateshim te dega
E kokrrat e verdha i kullufitnim fëmijërisht
E nënat gjer vonë na kërkonin e na kërkonin te dera
E më pëllëmbë na qëllonin butësisht mbi shpinë.
Na u rritën këmbët skeletike te Mani i Mëhallës
Kur iu kacavirrëm trungut si në Everestin me shkrepa
Tek mbushnim duart pas lojës së përbashkët
Për besë, të gjithë u bëmë mbretër dhe mbretëresha
Na rriti Mani, na përkëdheli me blerimin në gushë e faqe
E ne s’ditëm, ah, që t’i jepnim një kurorë të vetme me rreze
Poetë u bëmë, gurgdhendës, mjeshtër të vreshtave në shpate
E lozëm me të ëndërrisht si me një kukull të përjetshme …
Një ditë u plak Mani i Mëhallës nga vitet e nga koha
E druvarët ballëdjersitur mes ofshamës e prenë me sëpata
Në hirin e djegur xixëllinin miliona xixëllonja
Që fëmijërinë tonë e rindiznin si Prometeu te vatra …
U plak dhimbshëm Mani i Mëhallës
E kokrrat… u futën në sinorët e përrrallës ..


Bajamet e Çamërisë
Mund të mos kishte dhe aq shumë rrënjë domate në bahçe.
Mund të mos kishte shumë sheqer, libra dhe shkronja.
Mund të mungonte dhe pak bukë në magje
Mund të mos kishte dhe aq relike të vjetra në oda.
Mund të kishte pak më shumë këngë kurbeti
Mund të kishte pak më shumë saze Çamërie.
Po ëndrra çame buiste dhe bëhej në çast si deti.
Ca eho gjoksi ndiznin dhe gurët nëpër brigje.
Veç kurrë, kurrë, nuk mungonin lulebajamet.
Mes gëzimit të syve e gëzimit të zemrave.
Aty Çamëria gdhendëte kujtesën prushane
Si të ishte amaneti që zgjon fjalët e pathëna të brezave.
Aty pranverën si dashurinë e parë e prisnin
Dikur mbushnin prehërin e gjysheve mes urimit.
Me ca tinguj këngësh, si rruaza pranë gjirit
Me ta prisnin dimrin dhe i hapnin dyert gëzimit.
Kanë mbetur jetime, bajamet, mes mjegullës. 
Lulëzojnë e bëjnë kokrra sërish për duart e vajzave.
Kush, kush, do ia heqë gurët e gjëmbin e ferrës?
Kush, kush, do i shtrojë sërish në tavolinën e dasmave?