Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Friday, 13 February 2015

Shqiptarët dhe pemët

"Kushdo që gëzon, mendon se gjëja më e rëndësishme tek pema është fruti, por në të vërtetë gjëja më e rëndësishme për ‘të, është fara. Këtu qëndron dallimi në mes të atyre që krijojnë dhe atyre që gëzojnë"
- Friedrich Nitzsche
            Pemët, kafshët dhe bimët e tjera të domestikuara në Lindjen e Afërme u përhapën me shpejtësi në siujdhesën fqinje të Ballkanit, sepse gjetën kushte më të mira klimterriko-tokësore për kultivimin dhe mbarështrimin e tyre. Duke siguruar një ushqim më të mirë për shkak të zhvillimit të bujqësisë, shoqëria njerëzore në këtë rajon mori një zhvillim të pa parë. U krijuan Perandori me një ushtri të fuqishme si dhe u zhvillua shkrimi dhe shpikjet me metale të cilat kësaj popullate i krijuan një supermaci në rajon. Në këto zhvillime u përfshinë dhe para-ardhësit e shqiptarëve. Një nga degët e bujqësisë që u zhvillua në atë periudhë ka qenë dhe kultivimi i pemëve.
            Për vet rëndësinë e veçantë jetike që kishin pemët në jetën e përditëshme për banorët e lashtë në Siujdhesën e Ballkanit, ato u bënë subjekt i legjendave, miteve, folklorit, fesë ose simbole të urtësisë, drejtësisë, prosperitetit, paqes, besës dhe besueshmërisë, trimërisë, etj. Le të sjellim një shembull nga lashtësia e largët deri në ditët tona.
            Lisi, ose dushku siç quhet në disa treva shqiptare, ka qenë një pemë shumë e përhapur që formonte formacione të mëdhej pyjorë, ashtu si dhe sot. Për banorët Prehistorikë kjo pemë në jetën e përditëshme të tyre përbënte gjithçka, ishte vetë jeta e tyre. 
            Sipas J. Diamond(2002)[2] lëndet e lisit në Prehistori kanë qenë një nga ushqimet më të lashta bimore e të rëndësishme për njerëzit në shumë pjesë të Euro-Azisë dhe Amerikën e Veriut. Ndërsa Virgjili ka shkruar se Iliro-Epiriotët kishin domestikuar dhe e kultivonin lisin, kishin veçuar një lloj, lëndet e të cilit përmbanin më pak taninë dhe i bluanin për t’a përzier me drithin. Një lloj lisi të tillë e kam hasur në rrethin e Gjirokastrës për të cilin mendoj se paraqet  interes edhe sot për mbareshtrimin e blektorisë.
            Sipas Strabonit me lisin njerëzit e lashtë bënin zjarrin që ishte shumë i rëndëshim për ta, ishte ushqimi i tyre dhe i bagëtive që mbarështronin si dhe ushqimi i kafshëve të egëra që gjuanin. Zgavrat e lisave të mëdhej përbënin shpesh dhe banesat e tyre. Me drurin e lisit ata ndërtonin banesat, bënin vegla e punës dhe mjetet e tjera të jetesës e deri tek arkivoli[3]. Për njerëzit e asaj periudhe lisi ishte bërë një pemë e jetesës së tyre, prandaj u bë simbol i Dodonës Pellasge në kulturën botërore të lashtësisë.

Pirrua i Epirit
Në kasketën e Tij janë
gdhëndur gjethe lisi.
            Historiani Prof. Kristo Frashëri duke ju referuar historianit të njohur grek Straboni kumton:
            “Në fillim, kur faltorja e Dodonës, kryente vetëm funksionin e orakullit[4], selia e saj ishte shumë e thjeshtë, pa konstruksion monumental. Faltorja ndodhej në trungun e një lisi të shenjtë………….Kjo praktikë eshtë përdorur gjat shekujve të VI-II para Erës së Re”.[5]
            Më pas Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Mbreti Gent dhe Skënderbeu e kanë përdorur gjethen apo lënden e lisit si element në emblemat ose veshjen e tyre. Në kasketën mbrojtese të Pirros së Epirit dhe Mbretit Gent ishin gdhëndur gjethe lisi, Skënderbeu kopsat e jalekut te tij i kishte në formën e një lënde të lisit. Ndërsa poeti  i madh i Rilindjes Naim Frashëri, i drejtohet tokës mëmë me vargjet: O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë,… etj,.. Askush nuk i prekte lisat e mbjellë, kjo traditë ka ardhur deri në ditët tona, ata shërbenin si  hije çlodhëse, pemë zbukurimi, kuvende burrash apo ushqim ose vatha e mërzime për bagëtinë, etj. 
Një lis qindra vjeçar pranë Kishës së Shën Thanasit në fshatin Erind, Gjirokastër.
Për banorët e të dy besimeve fetare edhe sot ky lis është i shenjtë. 
            Gjethia e lisit është përdorur si simbolikë edhe në heraldikat e princërve të arbërve dhe shqiptarëve. Publicisti dhe studjuesi Ndue Dedaj kumton se flamuri i familjes “Qafa” në Mirditë me fushën e bardhë kishte si simbolikë një degë lisi. Gjithashtu ai thotë se një degë lisi është përdorur kudo në zonën e Kanunit nga shtegëtarët si shenjë mbrojtje nga ndonjë sulm i mundshëm. Një degë lisi rreth qafës të udhëtarit do të thoshte se “jam në besën tënde”[1]. Çdo pemë në etnokulturën, historinë, traditat, zakonet, fenë, artin e shqiptareve zen një vend të veçantë.
             Siujdhesa e Ballkanit qëndron si një urë lidhese midis Azisë dhe Evropës. Në këtë hapësirë gjeografike në lashtësi dhe gjat Antikitetit kanë kaluar pothuajse të gjitha bimët e domestikuara në Lindjen e Afërme. Kjo siujdhesë u bë një stacjon përshtatje e përmirësimi për mbarështrimin e tyre në Evropë. Para-ardhësit e shqiptarëve si banorë të hershëm që nga Prehistoria, të shpërndarë në Ballkan në një hapsirë të gjërë bujqësore e gjeografike, nuk mundet që ta mohojë askush se kanë qenë faktor i rëndësishëm në përhapjen, evolimin dhe përmirësimin e bimëve bujqësore të domestikuara.
            Zbulimet më të fundit arkeologjike në fshatin Vashtëmi të Korçës tregojnë se aty  ka qenë një nga fshatrat pionierë prehistorikë(6500 vjet para e.r.) për Kontinentin Evropian me bimë dhe kafshë të domestikuara të ardhura nga Lindja e Afërme[6]. Njëkohësisht shumë specie të bimëve të egra që gjenden sot në Trojet Shqiptare, sipas studimeve, kanë afërsi gjenetike me disa bimë të kultivuara.
             Zbulimet arkeologjike në Butrint, Durrës, Lin të Pogradecit, Amantia, Antigone, Apolloni, etj.  tregojnë se në këto treva, duke filluar që nga shekulli IV para e.r, kultivoheshin lloje të zgjedhura rrushi, fiku, shege, ullinjësh, etj. Sipas arkeologut Neritan Ceka, Gërmimet në katedralen e Bylisit, në bazilikën e Tiranës dhe në një vilë të shek.III-IV në afërsi të Buthrotum kanë zbuluar instalime të mirëfillta për një prodhim të konsiderueshëm vere”[7]. Llojet e amforave të gjetura nga zbulimet nënujore tregojnë se nga brigjet e Ilirisë gjat shekujve të I-II, eksportohej me shumicë vaj, verë dhe mjaltë.
Mozaiku Elbasanit i takon shekullit të V Paleokristiane.
Dallohet një hardhi e mbjellë dhe anash e zbukuruar me gjethe lisi.
          Tokat e Ilirisë janë përshkruar nga historianët, kronikanët, udhëtarët dhe natyralistat e lashtë si toka të begata dhe Ilirët si kultivues të mirë të llojeve me vlera të veçanta të pemëve frutore, vreshtave e bimët e tjera bujqësore.  Shkrimi më i vjetër për bujqësinë në Iliri vjen nga Homeri. Ai flet për pjellorinë e tokës së Paionisë e Thesprotëve. Filozofë dhe historjanë të shquar të Greqisë së Lashtë si Hesiodi, Heredoti, Aristoteli, Straboni e shumë të tjerë kanë përshkruar tokat e begata dhe pemët e verërat me vlera të veçanta të fiseve Ilire. Për vlerat e bujqesisë Ilire kanë folur dhe romakët, si Virgjili, Plini e shumë studjues ose udhëtarë të huaj.

Një skulpturë e zbuluar në Durrës.
I takon Periudhës Antike
             Llojet e pemëve dhe rrushit që janë kultivuar në trojet ilirike janë unike për nga vlerat ushqimore, mjekësore e të shijëshme. Lloje e varjetete të  përmirësuara nga breza shqiptarësh janë shpërndarë që në lashtësi në brigjet e Mesdheut dhe në Evropë. Disa prej tyre kanë zenë vend “nderi”, madje dhe në botë. Sipas të dhënave të fundit, analizat gjenetike hedhin dritë e dyshohet se varjetete rrushi që kultivohen sot në botë e kane origjinën shqiptare, si lloi “Kabërne” , “Merlot” e të tjerë. Shkencëtarë shqiptarë dhe të huaj po punojnë për t’a vërtetuar. Enologu francez Gavraniç(1995)[1] kumton se vend origjina e fiqëve, ullinjëve, dardhëve, mollëve, etj. që kultivohen sot në Evropë e kanë origjinën e tyre Ilire. Ka studime që tregojne se romakët para 2000 vjetëve i shpunë hardhitë e ilirëve në Bordo të Francës, sot e shquar për prodhimin cilësor të verërave në botë. Sipas specialistit të mirënjohur prof. P. Sotiri, kolonizatorët grekë dhe pushtuesit romakë gjetën në Iliri vreshtarinë dhe artin e bërjes së verës në një shkallë që prej saj kishin se çfar të mësonin. Në atë kohë u themeluan qytetet skela si Apolonia, Lissus, Dirrakiu nga të cila eksportoheshin sasira te konsiderueshme vere, vaji, arra, mjaltë, etj. dhe, në veçanti vreshtaria në Iliri rjedhimisht mori një hov të madh.[2]
            Bashkëjetesa paqësore ose simbjoza në shekuj e shqiptarëve me bimët janë në raporte të tilla që nuk besoj se hasen në popujt e tjerë. Toponimet patronimet dhe antroponimet e shumta që vijnë nga lashtësia e deri në ditët e sotme, tregojnë se sa imtime kanë qenë këto lidhje. Mbiemra familjesh që përfaqësojnë bimë ose rrjedhin prej tyre janë të shumta e pothuajse përfshijnë të gjitha bimët drunore si: Mani, Fiku, Thana, Thano, Thanasi, Thanati, Gorica, Dardha, Molla, Kumbulla, Shkoza, Frashëri, Dushku, Trandafili, Rrapi, Shtogu, etj., të cilat gjenden jo vetëm në trevat shqiptare por, dhe në arbereshet e Italise e arvanitasit e Greqisë. Po kështu dhe emëra njerëzish si: Shega, Mimoza, Thanas, Tana, Ana, Tano, Tanush, Thino, Vjollca, Dafina, Trendelina, Çerçem, Lisimak, Lis, Lisandër, Manushaqe, Bajame, Selvi, etj.
            Toponimet me emëra bimësh në Shqipëri janë gjithashtu të shumta, bimët më të përhapura në Trojet Shqiptare janë të pasqyrura në emëra vendesh si dhe ato të fshatrave dhe qyteteve të vendit tone si: Fier, Fierzë, Lissus, Fushë Arrëz, Pishkash, Koman, etj. Emra bimësh kanë marrë teritore te gjëra shqiptare si Dardania(nga dardha), Toskëria( ka studime ku thuhet se rrjedh nga fjala dushk), Komuna Frashër, Çajup, Qaf Thanë, etj. Sipas Prof. L. Xhuvelit nga 3000 fshatra qe ka Shqiperia 247 fshatra e kanë marrë emrin nga bimët, ose 8,5% e tyre, nga të cilat 171 fshatra mbajnë emërat  e bimëve drunore të kultivuar ose pyjorë.(3) Bimët që pasqyrohen me tepër në toponimet janë ato drufrutore si: arra, dardha, mani, thana, molla, hardhia, gështenja, shega, ulliri, vidhi, dushku, etj.
            Etimologjia e emrave të disa pemëve frutore dëshmon se kanë një prejardhje shumë të herët, sipas Prof. Eqerem Çabeit ato shkojnë deri në periudhën e Egjyptit të Lashtë dhe nuk njgjasojnë me emrat që kanë në vendet e Lindjes apo në Perëndim. Të tilla janë: fiku, ulliri, ftoi, shega, rrushi, dardha, arra, etj. Në disa rraste emërat shqip të tyre i kanë marrë edhe gjuhët e tjera.
                   Ne gjuhën shqip nuk kemi shumë shkrime për bujqësinë ashtu si dhe për aktivitetet e tjera të Iliro-Shqiptareve, pasi Trojet Shqiptare u shkrumbuan nga pushtuesit sllavë e romakë dhe për një periudhë shumë të gjatë, 500 vjet, ishin të okupuara nga turqit të cilët e kishin të ndaluar të shkruhesh shqip. Arkivat Osmane në Stamboll japin disa të dhëna të pjesëshme për prodhimet bujqësore shqiptare nëpërmjet taksave që kishin vendosur. Një udhëtar turk, Evlia Çelebi, në vitet 1660 i ka përshkuar tokat shqiptarëve si vend i gjelbëruar me pemë, ullishta e vreshta nga më të mirat. Pjetër Budi gjithashtu në vitin 1621 i ka përshkruar tokat e begata të shqiptarëve “Parajsë tokësore”. Frang Bardhi(1606-1643)  në një fjalor të tij ka përfshirë dhe disa fjalë bujqësore. Ndre Mjeda, në vitin 1903 hartoi një fjalor për bimët ku disa emëra të tyre i përktheu në latinisht, greqisht dhe italisht. Gjithashtu Mjeda u mor me kultivimin e pemëve, luleve e bimë të tjera bujqësore.  Në krijimet e letrarëve e dijetarëve të Rilindjes Kombëtare një vend të veçantë zenë dhe ato me subjekt nga bujqësia mbi të cilët shquhet poeti i madh Naim Frashëri. 
            Në literaturën botërore bujqësore shqiptarët nuk përmënden për meritën që kanë në punët me bimët por, në artin, folklorin, dogmat fetare, zakonet, ritet e mitet, vihet në dukje se sa e ngushtë dhe paqësore ka qenë simbioza e shqiptarëve me bimët në lashtësi. Ato u bënë simbole të udhëheqësve shpirtërorë. Aleksandri Madh betohej për pemët. Skenderbeu e ktheu në traditë mbjelljen e dy rrënjëve ulli nga çiftet e rinj që lidhnin jetën bashkë. Tek novela e shkrimtarit Ismail Kadare, “Emblema e Dikurshme” nga një personazh thuhet: "se drurët fiksojnë ngjarje, ndodhi e mbajnë mend më mirë se njerëzit". Drurët rrojnë gjat dhe mbartin një pjesë të historisë, historitë që ato mbartin pasqyrohen qartazi në etnokulturën e popujve.  
            Ashtu si në gjithë popujt e tjerë, që nga lashtësite e deri në kohën tonë, letrarët e artistët shqiptarë si, shkrimtarë, poetë si dhe ata të arteve pamore: piktorë, skulptorë, artpunuesit e mozaikëve, të gdhendjeve në dru, në metale, të endjeve të pëlhurave e  të qendisjes së kostumeve popullore, etj.,  motivet me bimë zenë nje vend kryesor në aktivitetin e tyre dhe përbëjnë një tregues më se bindës për lidhjet e ngushta të shqiptarëve me bimët e në veçanti pemët.
Xhubleta, veshje popullore tradicjonale në Shqipërinë e veriut. 
Sipas etnologut Jaho Brahaj kjo veshje si dhe ornamentet dhe simbolikat e saj 
datojnë që 4 mijë vjet më parë. Aty duken qartë të 
qendisura pemë, lule dhe bimë te tjera.       
Një tavan i punuar me dru ku janë gdhëndur lule dhe gjethe pemësh, Përmet
Pikturë- Kol Idromeno(1860-1939) - "Oborri Shkodran" 

              Pemët janë përfshirë gjerësisht në këngët e popullit gjat gjithe kohërave. Shega, bajamia, kumbulla, dardha, lofata zakonisht përmenden si metaforë për të bukurën, për bukurinë femërore. Lisi, thana, rrapi, si metaforë për të fortin, trimin.. Fiku i kudondodhur si dëshmitar në ngjarje e histori. Trandafili i përmendur për hijeshi e fisnikëri, etj. Pemët janë gjithashtu subjekte të shumë përallave, anektodave, fjaleve të urta, proverbave e gjithçka që ka të bëjë me folkun. 
             Në shekullin e kaluar me Shpalljen e Pavarësisë në vitin 1912,  populli shqiptar u përfshi në katër luftra shkatërimtare, dy ballkanike dhe dy botërore, si dhe një periudhë trazicjonit jo të butë në vitet 90-të, këto e rënuan plotëshit ekonominë dhe bujqësinë shqiptare. Gjat periudhës Monarkisë dhe më pas atë të Diktaturës Komuniste, në Shqipëri janë bërë përpjekje për rimëkëmbjen e bujqësisë. Harritjet bujqësore në këtë periudhe janë si rezultat i genit bujqësor të shqiptarëve, puna pasionante e bujqëve dhe specjalistave të shquar si dhe zhvillimet e shkencës e teknologjisë botërore gjat këtij shekulli.
            Në këto dy dhjetëvjeçarë të trazicjonit të vështirë ku të gjitha qeveritë që kanë qeverisur shqiptarët, shumë pak i kanë kushtuar vëmendje bujqësisë, por nga ana tjetër bujqësia ka patur gjithmon rritje dhe ka influencuar dukshëm në stabilitetin ekonomik të Shqipërisë edhe pse gjysma ose dhe më shumë e fshatrave, për një arsye ose tjetër janë braktisur e kanë mbetur vetëm disa pleq. Shtetarët duhet t’i kthejnë sytë nga fshati dhe bujqësia duke u bazuar në traditën, të investojnë për infrastrukturën, mbrojtien e pronës, rend e qetësi,  rrugët, shkollat, ujitjen, programe zhvillimore, etj., sepse Shqiperia nuk mund të bëhet pa një zhvillim e begati në çdo cep të saj.   
            Populli shqiptar ka kaluar perudha të vështira luftrash e pushtimesh të huaja, duke përfshirë dhe diktaturën e egër komuniste, të cilat penguan, tronditën e dëmtuan traditat dhe qytetërimin e lashte të tij. Futja e Shqipërisë në rrugën e një demokracie të vërtetë do të bëjë që geni shqiptar të shpërthejë edhe në drejtim të rritjes së bimëve, si një nga simbiozat më të frytëshme e paqësore në botë të njerëzimit  me natyrën dhe bimët.
Një ulli me moshë mbi 2500 vjeçar në Ulqin.

Përgatiti:

K. Mosko




[1] “Les vinsmets et alcohols des pays de la loire”
[2] P. Sotiri - “Vitikultura”, Tiranë 1973
[3] L. Xhuveli – “Bimët dhe Shqiptarët”, Tiranë 2012




[1] F. W. Nitzsche(1844-1900)-Filolog, filozof, kritik, poet dhe kompozitor gjerman.
[2] J. Diamond - “Evolution, consequences and future of plant and animal domestication” Nature /vol 418 /8 august 2002 .
[3] I. Gjoni – “Mardhënie të miteve dhe kulteve të bregdetit të Jonit me areale të tjera mitike” - Tiranë, 2012
[4] Orakull - Vend ose tempull ku në kohën e lashtë priftërinjtë paganë parashikonin të ardhmen ose parathoshin diçka në emër të hyjnive; që besohej se parashikonte të ardhmen ose paralajmëronte diçka
[1] Gazeta “Shqip” - 3 korrik, 2014
[5] K. Frasheri- “Gazeta Shqiptare” 31.1.2012
[6] “Science Daily” 16 .4. 2012 – “One of Earliest Farming Sites in Europe Discovered”
[7] N. Ceka-“Shqiptarët dhe krishtërimi hershëm”,  gazeta “Mapo”, 7, 10, 2013

No comments:

Post a Comment