Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Sunday, 31 August 2014

Kroi i Madh


Brinjës i ka ngulur fort thundrat,
Sfidë me shekuj të egërsuar nga luftrat,
Kundron mendueshëm truallin Arbëror,
Si Ante i pamposhtur lugun gjallëron.
****
Zemërplasur stambollinjtë e “Përparimit”
Vëllazërisht e muarrën vendimin:
Vendlindjes t’ja ndërtonin të madh kruan
Me duarartët lunxhiotë jetëve shkolluar.
****
Rrënjët e ndërtimtarëve ngjizur në universitete,
Në akademitë ilire dhe të Pirros Mbret,
Ndaj e stolisën bizantë e osmanë,
Mbrothësi selitën Ballkanit anembanë. 
****
Punët filluan dy shekuj më parë,
Në kërthizë të malit, atje nën majë,
Ku tjetër gjë s'gjen, veç aromës së çajit
Dhe borën trazuar me re që pikojnë zallit.
******
Djersën e këtij dheu të ftohtë brisk,
Mjeshtrat mblodhën pikë e nga një pikë,
Mundimshëm me sylinarë evropaianë,
Malit i molën freski, fshatin këndelluan.
*****
Kroi, mortje të mos kish kurrë,
E derdhën fund e krye me llaç e gurë,
Nga tre fytakë bubulloi qelibar,
Lëngu i jetës për gjithë gjënë e gjallë.
 ****
Një aneks mënjanë papo, duhej ngrehur,
Vitat këngëtare të lanin pa u ndruajtur,
Në korritat më poshtë në rresht bagëtia,
Vrapthi njomënin buzët sa binte qindia.
******
Derdhej aq rrëmbyer ujët ditë e natë,
Me një bend të madh e vunë në zap,
Ëmbël të gurgullonte në bahçet përrallore,
Dengëza me lule, pemë e bostanore.
*****
Kroje jetdhënës që buruat dashuri:
Të brishta, të zjarrta por, dhe xhelozi.
Për dashuritë penën shtrydhi Lasgushi,
Në xhelozi gruan e tij, ah,… e therri Minushi!
*****
Zemër e lavosur aty ndrojtjen flakëriti,
Ndaj kënga doli me duf që nga shpirti:
“Do vete të rri në krua të më vijë ajo që dua,
nazemadhe gjer në thua,…”
*****
Ti, buronja jonë gurgullove vetëm mirësitë,
Në qytezën shekuj ngujuar nga gjarpërinjtë![1]
Faqebardhë mbete, si gurrë Dodone,
Sodisje ngazëlluar çfar bëhej asaj ane.
*****
Vashëzat lastonja që rrotullonin synë,
Djemtë levenda që zinin pusinë,
Apo ndonjë nusëroke si lulja në vesë,
Kur loste me trimin tek Vresht’ i Kallogresë.
******
Kroi Rrëzate që shfaqet gjithë nur,
Kroi i Madh do t’i  thuhet emri,
Kur të mos mbetet qoftë dhe asnjë gur.
Dëshmi e gjallë e dhimbjeve të përgjakura
Të fashitura në muzgjet thellë në kohra! 




[1] Fshati para viteve 1400 ka qenë i ndërtuar në një vend me ujë të bollshëm por,  me dydjet Osmane është shpërngulur në rëzë të malit se sipas një legjende gjarpërinjtë hanin fëmijët dhe vajzat.

No comments:

Post a Comment