-Një traditë e vyer, që duhet
t'i rikthehemi-
Në rrethin e Gjirokastrës, kur bisedat midis të moshuarve vërtiten rreth
dardhës, kujtojnë me nostalgji dardhat e famshme të fshatit Suhë, të cilat
mbushnin tregun në periudha të ndryshme të vitit. Këto dardhë kanë tërhequr
vëmendjen time, që kur isha i vogël, pasi për të shkuar në Gjirokastër, rruga
kalonte përmes tyre. I shikoja me kërshërinë e habinë një fëmije, sepse më
dukej sikur ishe në një pyll të pafund dardhash. Nga makinat zgjatnim duart në
se do të ishim me fat të rroknim ndonjë kokër nga dardhët buzë rrugës. Nuk
ishin të kultivuara në blloqe, ngastra të veçanta apo kopshte, por në brinjat
dhe ledhet e arave në gjithë zonën që rrethonte fshatin, që nga lumi e deri në
kufijtë me fshatrat e tjerë. Këto dardha, vinin nga shartimet mbi goricat
spontane që gjëndeshin me shumicë në këtë territor. Llojet e dardhëve ishin të
shumëllojëshme, që nga ato vendase, evropiane e deri tek llojet aziatike. Midis
tyre kishte dardha me trung e kurorë të lartë, që tregonin moshën e madhe të
tyre, ndoshta njëqind vjeçare e më shumë.
Prodhimi i dardhëve vinte i vargëzuar sipas një konvejeri. Me që disa konservoheshin
në kashtë për t’u ngrënë në dimër, bëhej e mundur të kishin një shpërndarje
pothuajse gjatë gjithë stinëve të vitit. Llojet e dardhëve, fshatarët i kishin
emërtuar sipas një emëri që u kishin vendosur vetë, por dhe atë nga kishin
ardhur. Më kujtohen emërat si: "Elbërore" "Dimërore"
"Gomarjare" "Gushtare" "Abate fetel"
"Pagure" "Labovite" “Manxhar Bej”, “Stegopulote”, etj.
Prodhimi që mirrej nga këto dardha, ishte i konsiderueshëm. Kur fshati ishte
kooperatvë më vete dhe nuk ishin vendosur ato planet nga lart, për dardhat
bëhej kujdes sepse vlerësohej si një e ardhur e mirë. Ky fshat furnizonte me
dardha gjithë tregun në Gjirokastër, Libohovë dhe fshatrat e tjerë të këtij
rrethi. Njëkohësisht dardhët e prishura që nuk kishin vlera në treg,
përdoreshin si ushqim për derrat, aktivitet i cili u sillte të ardhura të
konsiderueshme.
Miku im, agronomi hortikulturist, Gori Çaro, i cili ka pasur një karjerë të
gjatë suksesi në kopshtari, kur bisedojmë për dardhat e fshatit të tij, Suhë,
me një pasion të veçantë, më thotë se ato kanë qenë një mrekulli e të parëve
tanë. Duke bërë një llogaritje të thjeshtë, ku nga një rrënjë dardhë mund
të mirrje 10-100 kg. për rrënjë, përllogarit se prodhimi i tyre, pa bërë
asnjë lloj spërkatje ndaj dëmtuesave dhe sëmundjeve, mund të arrinte të paktën disa
dhjetra e dhjetra ton në vit.
Shërbimet që kryeshin ishin kryesisht: shartimet e reja, krasitjet,
pastrimet e ferrave rreth trungut, ndonjë punim si dhe ruajtja e
prodhimit gjatë kohës së vjeljes. Kalemat për shartimet e reja, mirreshin nga
klonet e dardhave më të mira, të cilat u ishin përshtatur kushteve klimaterike
zonale si dhe kushteve të tokës. Kalemat përpunoheshin sipas një teknollogjie
të veçantë. Të gjithë fshatarët burra pa përjashtim, por dhe disa gra ishin në
gjëndje të kryenin shartime apo krasitje cilësore. Atyre njerëzve nuk kishe se
çfarë t'u mësoje por, nga ata duhej të mësoje e të mirrje eksperincë. Zbatonin
me përpikmëri një shkencë të pa mësuar e të shkruar nëpër libra. Kishin
në mendjen e tyre kode të fshehta agroteknike të transmetuara brez pas brezi,
kushedi që kur, të përmiresuara në vazhdimësi, për të krijuar, kultivuar e
përmirësuar klone dardhësh cilëshit të mira e aromatike, të prodhonin çdo vit,
të dajadisnin në kushtet e tokave pa ujë si dhe infeksioneve nga sëmundjet e
dëmtuesit e ndryshëm.
Cilido mund të thotë se kjo praktikë me dardhat, është shumë e njohur dhe e
zbatuar në çdo cep të trojeve shqiptare e më gjerë. Apsolutisht është e
vërtetë, ndoshta kjo ka qenë mënyra më e përdorur nga shqiptarët dhe të
tjerët në Ballkan, për kultivimin dhe përmirësimin e dardhave dhe disa
drufrutoreve të tjerë në thellësi të shekujve por, fshati Suhë, këtë
traditë e zhvilloi, e pasuroi dhe e pruri deri në mesin e shekullit te kaluar,
në një mënyrë tepër origjinale dhe të leverdisëshme ekonomikisht. Bie fjala,
kjo eksperiencë ishte përhapur dhe në dy fshatrat afër, Labovën e Kryqit dhe
Stegopul por, jo aq e theksuar dhe aq e zhvilluar si në këtë fshat. Kur fshati Selckë,
u bashkua në një kooperativë, për një periudhë të shkurtër kohe, eksperiencën
me dardhat e Suhës, duke e quajtur të leverdisëshme nga praktikimi në vite, e
sollën edhe në këtë fshat. Të gjitha goricat, që ishin me shumicë rreth
fshatit, u shartuan me dardha, disa nga të cilat janë akoma. Rezultatet vitet e
para ndoshta nuk ishin dhe aq inkurajuese, sepse klonet nuk ju përshtatën
kushteve të reja por, me një punë të vazhdueshme përzgjedhëse, padyshim që do
të kishte dhe rezultate më të mira.
Kur mbarova studimet e larta, u emërova agronom për frutikulturën në
kooperativën “Asim Zeneli”, e cila përfshinte dhe fshatin Suhë. Kisha dëshirë
të punoja me këtë kulturë drufrotore, dëshiroja që të zhvillohej e të pasurohej
më tej puna me dardhat, të mësoja nga tradita e lashtë e këtyre njerëzve por,
në ato vite kjo punë pothuajse ishte braktisur, flitej vetëm për drithrat dhe
drufrutorët nuk e kishin vëmendjen e duhur. U kryen hapje të shumë tokave të
reja, sistemime të arave ku u shkulën, u prenë dhe u dëmtuan shumë dardha e
gorica. Prodhimi i tyre tashmë ishte i kufizuar dhe kishte shumë shpërdorime.
Për shartime të reja, as që bëhej fjalë, sepse së pari nuk kishte më gorica
por, dhe nuk kish kush të mirrej me 'to. Ishte koha kur sundonte parrulla “Tu
qepemi kodrave e maleve, t'i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”. Kjo periudhë,
është jetësuar tek romanit “Buka e një stine me borë" të shkrimtarit të
njohur Koço Kosta, i lindur në këtë fshat.
Të përfshirë në fushatën e hapjes së tokave të reja, tentuam të ngremë një
bllok me dardha në afërsi të fshatit, për të krijuar një praktikë të re por, pa
rezultat. Fidanat i kërkuam me nënshartesë goricë por nuk kishte. Nga mungesa,
i mbollëm me nënshartesë ftua, e cila nuk ishte shumë e përshtateshme për
kushtet tokësore. Pas mbjelljes, askush nuk u muarr me këtë bllok dhe iu la
spontanitetit. Përfundimi ishte i njëjtë si i blloqeve të tjera. Kështu u tret
kjo praktikë e mirë e këtyre njerëzve punëtorë në fund të viteve '70-të të
shekullit të kaluar.
Proçesi i shartimit në dialektin lokal, quhet: “mbolas" ose
"mbolasje”. Pema që rrjedh nga ky proçes, quhet
"mbolazmë". Mendoj se fjala “mbolë”, duhet të rjedhë nga shqipja e
vjetër. Nëpërmjet etimologjisë së kësaj fjale, mund të hidhet pak dritë për
historinë e shartimeve në Shqipëri. Tradita e kultivimit të dardhave nëpërmjet
shartimeve, duhet të jetë një praktikë shumë e vjetër në gjithë trojet
shqiptare. Mendoj se është një traditë e trashëguar brez pas brezi dhe
përbën një eksperience të rrallë, unike dhe të vyer në historinë e kultivimit
dhe përmirësimit të pemëve.
Nëqoftëse do t'i referohemi historisë botërore të shartimeve, mendohet se
aplikimet e para janë kryer që në Persinë e lashtë por, nuk ka të dhëna që të
na e vërtetojnë. Shumë autorë mendojnë se kjo metodë shumimi dhe e pëmirësimit
të pemëve, ka lindur në Mesdhe. Gjatë periudhës së antikitetit greko-romake, ka
shumë dëshmi e shkrime dhe thuhet se është shumë më e lashtë se kaq. Gjatë
periudhës bizantine e osmane, ka të dhëna se kjo metodë ishte e zhvilluar
nëpër kopshtet e manastireve dhe pashallarëve. Historia vërteton se
kopshtarët më të zotë në atë periudhë, kanë qenë shqiptarët, të cilët sigurisht
duhet ta kishin ushtruar këtë zanat shumë kohë më parë. Kjo na çon në supozimin
se paraardhësit e shqiptarëve, duhet të kenë qenë ndër të parët në Evropë në
këtë drejtim. Mirpo shkrime apo fakte që të na e vërtetojnë, mungojnë. Kjo mund
të përbëjë ndoshta një temë studimi për studjuesit.
Fshati Suhë, Gjirokastër por tani
pa dardhët tradicjonale.
Fshati Suhë është një fshat i lashtë, rrënjët e tij shtrihen deri në kohën Mbretërisë së Pirros. Tradita e kultivimit të dardhave në këtë fshat, edhe pse origjina e zanafilla
e shartimeve është e errët, tregon qartë se kjo metodë ka qenë kryesore për
përmirësimin e drufrutorëve dhe zhvillimin e frutikulturës në trojet shqiptare.
Ato dardha, cilësisht të mira, që prodhonin shumë e për çdo vit, pa patur
probleme serioze nga sëmundjet dhe dëmtuesit, përshtatur mirë në toka të thata,
pa ujë, ishin frut i një pune në breza, për seleksjonimin e vazhdueshëm të
kloneve. Kjo metodë në gjykimin tim, pavarësisht përparimeve të sotme në
shkencë e teknollogji, në shumë fshatra e zona të Shqiperisë, mund të jetë ende
e frytëshme, sepse ka disa përparësi. Goricat( Pyrus communis, var. Pyreaster)
gjënden gati në formacione pyjore por, edhe në s’janë aq dëndur sa na duhen,
mund të mbillen. Kjo praktikë, është kryer vazhdimisht nga shqiptarët.
Rrethimi i vendbanimeve me pyje natyrale
dardhash, sipas traditës së hershme shqiptare, do të sjellë një bukuri të
rrallë e të pa parë për zhvillimin e agro-eko-turizmit. Sigurisht kjo
bukuri e dardhave rreth fshatit të tij të lindjes Frashër, e ka frymëzuar e
nxitur poetin e madh te Rindljes sonë Kombëtare, Naim Frashërin, të krijojë
vargjet: Druri dardhësë me dardhë/ ish si zonjë sisëbardhë... Rreth
fshatrave ndoshta dhe në kurorën e disa qyteteve, pyjet me dardha do të
krijojnë një mjedis tokësor e ajror me parametra më të mira jetësore. Blloqet
me dardha të kultivuara në këte mënyrë, nuk bëhen pengesë për kullotjen e
bagëtive gjatë gjithë vitit. Shrytëzohen mirë terrenet e thyera, të thata e pa
ujë. Fitohen prodhime bio pa shpenzime të mëdha. Drurët e dardhave që rrjedhin
nga shartimet, jetojnë më gjatë dhe periudha e hyrjes në prodhim, është më e
shkurtër. Shtimi klonal bën që të krijohen lehtësisht bimë në përputhje
me kërkesat në ritje të njerëzve dhe në përputhje të plotë me kushtet e
mjedistit të një zone të caktuar , etj. Kjo mënyrë është një sjellje tepër
miqësore e paqësore e njerëzimit me bimët, mjedisin rrethues dhe natyrën
në tërësi, për t'ja dorëzuar të pa prekur e të pa cënuar brezave që do të
vijnë.
Dardha është një kulture drufrutore
tradicionale e shqiptarëve. Ajo është kultivuar e kultivohet në të gjitha
zonat, që nga ajo bregdetare e deri në zonat e thella malore. Nisur nga prania
kudo e dardhës së egër, goricës, e cila është vendase dhe ka një afërsi
gjenetike e morfofologjike me dardhën, shumë studjues kanë arritur në
përfundimin se dardha e ka origjinën nga gorica dhe se kjo kulturë mund të jetë
zbutur e përmirësuar edhe nga paraardhësit e shqiptarëve. Si përfundim mund të
themi se ndërmjet goricës, dardhës dhe shqiptarëve, ka një histori shumë të
lashtë simbioze apo bashkëjetese.. A ja vlen ti rikthehemi kësaj praktike 2000
vjeçare? Unë them se Po!
No comments:
Post a Comment