Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Saturday, 17 August 2024

STËRRALLI I GOLËMIT

-  Ta duam vendlindjen tonë siç e do Diftir Hysi -

 

nga:  Avdulla KËNAÇI
Toronto, Kanada


Diftir HYSI
Kam një jetë të tërë që shkruaj gazetari e letërsi, përmbi gjysmë shekulli dora ime fluturon përmbi letër të bardhë e tastjerë kompjuteri, por këtë radhë e kam shumë vështirë të portretizoj një mik, një shok, një vëlla, një bashkëfshatarin tim të cilin e duan edhe gurët e Golëmit, vendlindjes sonë të përbashkët. Më ngjan se pikërisht ata gurë do të ngrihen e shkulen nga vendi e do të më thonë: “Nuk i ke thënë të tëra për Diftirin, për kur i ruan fjalët e mira, ato që zgjedh si bleta lulet, ato që rrjedhin si ujët e kulluar të Kalbaqit që zbret nga kullotat e malit të Leskës?!”. Dhe mua fjala më ngec në fut dhe dora ime ngrin mbi tastjerën e kompjuterit kur mendoj se gjatë këtyre viteve është rrokullisur Guri i Stamos, është tharë Pënja në Kalbaq, janë shkulur mollët në Rrëzë Serës dhe është zbrazur nga njerëzit gjithë ai fshat i bukur në gji të maleve të Kurveleshit. (Dikur, në rininë time, kam botuar një reportazh të gjatë me titullin “Ballkoni i Labërisë”).

 

Diftiri është më i madh se unë në moshë, por unë e kam njohur kur ai shquhej përmbi gjithë bashkëmoshatarët e tij për sjelljen e ëmbël, zgjuarsinë dhe dashurinë pa kushte për gjithë Golëmin. Dikur ne e kemi pasur shtëpinë përmbi Lekërbosh, dy hapa larg me Hysajt dhe siç më kanë thënë të parët tanë, me këtë fis shkonim si vëllezër, nuk kishim asgjë të ndarë me ta, portat dhe dyert e shtëpive i linim hapur dhe çelësat e sënduqeve tek njëri-tjetri.

 

Sot duket sikur Golëmi është zgjuar nga gjumi shumëvjeçar dhe bujtina e doktor Gjergj Bizhgës, i pari agroturizëm në Kurvelesh, gjëmon nga këngët, vallet dhe që atje tej të mbyt era e mishit të pjekur në hell, përzier me erën e trëndelinës. Gjergji e ka promovuar me kurajo të madhe këtë resort të përsosur, para dy muajsh. Po unë e Diftiri, për arsye të ndryshme, mungojmë, jemi aty vetëm me mendje dhe zemër. Nuk mundëm këtë radhë, unë për arësye të largësisë, siç dihet jam në anën tjetër të Polit të Veriut dhe Diftiri për shkaqe shëndetësore.

 

Kanë ardhur emigrantët në Golëm nga ana e anës. Gëzojnë e festojnë. Me mendje e zemër jemi aty edhe unë e Diftir Hysaj. Këtë datë, të dielën e tretë të muajit gusht e caktoi pikërisht Diftiri, themeluesi i shoqatës “Bilal Golëmi” më 28 janar 2001, së bashku me mua dhe doktor Selam Shkurtin në Tiranë. Takimin e parë me gjithë bashkëfshatarët e organizuam gjashtë muaj më vonë, më 21 korrik 2001. Kishin ardhur më shumë se njëmijë vetë. Një entusiazëm i paparë. As e kishim ëndërruar një pjesmarrje të tillë. Nderimi i parë u takonte varrezave ku preheshin të parët e fshatit. Kishte nisur një kohë tjetër, tjetër portokoll u ndoq. Festimi u bë i lirë, vëllazëror, pa asnjë dallim politik, gjinor e farefisnor. Shumica propozoi që herën tjetër festa të bëhej çdo vit në të dielën e tretë të muajit gusht, për arsye të punëve dhe se gushti ishte pushim për të gjithë. Kryesia e Shoqatës, me në krye Diftirin e aprovo njëzëri. Aty vura re nga afër aftësitë organizative të Diftirit, kujdesin deri në detaje, shpërndarjen e detyrave, aktivizimin e njerëzve të duhur dhe programimin e çdo aktiviteti. Dinte të lexonte mëndjen e secilit, por edhe aftësitë, humorin dhe djallëzitë të cilat i shuante me një sjellje e lehtësi të jashtëzakonshme. Ai dëshëronte të nderohej e të respektohej secili jo duke u nisur nga pozitat partiake, por në raportet me njeri-tjetrin dhe si mund t’i bëhej mw mirë fshatit.

 

Në Golëm më vonë u ndërtua lapidari i të persekutuarve, për të cilin u bënë diskutime të forta. Diftiri i vuri gjoksin debatit dhe u hapi rrugë atyre që ishin poshtëruar e goditur për 40 vjet me radhë duke qetësuar njerën palë e duke inkurajuar palën tjetër që të vazhdonin punën. Vetëm ai mund ta bënte një pajtim të tillë. Ka një histori interesante në kohën kur ishte në kulmin e karrierës ushtarake. Kishte ardhur në Golëm tek e e ëma dhe për vizitë tek motër Vovua. Aliko Kërra, gjiton me motrën, Vovon, kishte dalë nga burgu pas 10-15 vjetësh, tregon ai. E ftoi për drekë, fiillimisht hezitoi për shkak të luftës së klasave, pyeti nënë Bajamen. “Po shko, mor djalë, pse e burgosën? Për ca bono lëkurësh. I kemi gjitonë, me ta kemi hequr të mira e të këqia, kemi shkuar si vëllezër, këta golëmas më kanë ndihmuar kur ju ishit të vegjël. Dhe unë shkova. Nuk më gjeti gjë.

 

Dy lapidarët gjenden sot ballë përballë në mes të fshatit, aty tek rrapi. Të mos harrojmë se tek lapidari i Dëshmorëve Diftiri ka emrin e vëllait të vet, Sulo Hysi, dëshmor 15-vjeçar, vrarë në përpërpjekje me fashistët gjermanë në Fterrë. Kujt më shumë se atij i takonte të gjykonte e të fliste?! Dhe ai foli me atë fjalën e ëmbël, argumentuese, vëllazërore e të mençur, duke mbjellë dashuri e respekt për njeri-tjetrin, jo urrejtje e mëri që shkatërron traditat, lidhjet dhe miqësitë shekullore. Prandaj Diftin e duan të majtë e të djathtë.

Kur ulem e pi kafe me Diftirin e pyes për fëmijërinë në Golëm. E di se ka ikur nga fshati që 8 vjeç, me shollë me rrypa. Dhe ai më tregon se kishin mbetur fëmijë jetimë. I ati i tyre, Hysua, vdiq kur ai ishte një vjeç dhe nuk e mban mend, la mbrapa familjen me pesë fëmijë dhe ajo u mbështet nga burri fisnik e zëmërgjerë, Lilo Stroka, burri i hallës së Diftirit, por i tërë fshati e ndihmoi Bajamen, gruan e ve kapedane, 32-vjeçare. Dhe nënë Bajamja ua nguliti në mëndje fëmijëve të saj se të gjithë golëmtë janë të mirë, nuk ka golëm të keq. Ai mban mend se në ditë zie u pritej bishti kafshëve të ngarkesës dhe nëse duhej këngë në një shtëpi, duhet të merrnin lejë tek shtëpia që mbante zi, le të ishte ajo edhe një kilometr larg, në cepin tjetër të fshatit. Gjyqi më i rëndë për një hajdut ishte ta hipnin mbi gomar dhe t’i varnin në qafë gjënë e vjedhur. Atëherë kishte një vëllazëri e dashuri për njëri-tjetrin që nuk e gjeje në asnjë fshat tjetër. “Këto mua më janë ngulitur thellë në mëndje dhe më kanë udhëhequr gjatë gjithë jetës sime. Golëmi më ka ndjekur në jetimoren e Shkodrës e të Tiranës, në shkollat ushatarake dhe kur komandoja mijëra oficerë e ushtarë gjatë karrierës sime”, më thotë ai duke kthyer kokën mënjnë ngase një pikë loti i rrëshket pa dashur nën qepallë. Pastaj unë e kaloj bisedën gjetkë, i kujtoj veprimet dhe sjelljen djallëzore të dikujt. Ai bëhet serioz dhe një hije zëmërimi i zbret nga sytë. Pres që ta anatemojë, por ai hesht dhe unë përsëri e shikoj me ngulm në sy.

-       Po lere dreqin, - më thotë me keqardhje, - i mori me vete të gjitha, mos ma bëj zeher kafenë…

 

Nëse do të dish se çfarë karakteri ka një njeri, pyete për gruan dhe fëmijët. Dëgjoje çfarë do të thotë dhe cilat raporte ka me ata. Unë kam një jetë me Diftirin dhe ia njoh të shoqen, kuçiote Luten, ish ndihmës mjeke në spitalin ushatarak dhe dy fëmijët, Tanin dhe Rozën. Atij i shkëlqejnë sytë:

- Tanin e kam këtu, punon në Ambasadën Amerikane, do t’i bëj një telefon, për dy minuta e ke këtu. Nashti nuk i jap më makinës, megjithëse nuk kam lënë lloj motori e makinë pa ngarë, tanke, agregat e deri “Tadano” suedeze që ngrinim qëndrat e zjarrit dikur. E mbollëm Shqipërinë me kupola betoni, kushedi sa pallate falas do kishim ndërtuar me ato hekura e çimento për popullin. Më kujtohet, i kemi bërë një lojë ish Jugosllavisë, nisëm natën për në Kukës gjithë agregatët e kamionët, u ndezën flakë kthesat e Kalimashit. Erdhën axhanset nga Jugosllavia, po bëhet gati për luftë Shqipëria dhe nuk mbarojnë kamionët, gjithë natën ka lëvizje ushtarake në kufi. Ne po ata kamionë i kthenim ditën dhe i nisnim përsëri natën drejt kufirit. Donim t’u jepnim kurajo e t’u ngrinim supet vëllezërve kosovarë

- Të kthehemi tek vajza jote, Roza…

- E di atë këngën “Kush ka vajza, botën ka?” Rozën e kam në Francë, çdo ditë pyet për shëndetin në telefon. Kam qënë edhe unë aty, në Francë për vizitë.

- Të ka pëlqyer?

- Janë shtete që vetëm ndërtojnë, ne ndërtojmë e shkatërrojmë. Nuk qëndrova gjatë, këtu e kam shpirtin dhe këtu dua të prehem, po ti shkruaj, more për Golëmin. Shkruaj, nuk ka si Golëmi ynë! Tani unë nuk di se kush e ka vulën e Shoqatës që ngritëm. Pse nuk bëjnë zgjedhje të reja? Më ftoi në inaugurim e resortit të tij doktor Gjergj Bizhga, ma kishte ënda të shkoja, po nuk më lë rehat ky diabeti… Ja të shohim si do shkojë kjo festa e sotme.

- Dale, sikur nuk më fole për Luten, bashkëshorten.

- Ëmbëlsira lihet për në fund. Pa Luten nuk do isha sot këtu para ty. Kam një të metë, nuk ia them për punët e shtëpisë, por jam me fat me Luten. Ajo më njeh çdo ingranazh e vidë, siç njoh unë motorët dhe agregatët e ushtrisë. Ku ka të dytë si bashkëshortja ime e jetës?! T’i biesh rreth e rreth Shqipërisë si këta turistët e huaj, të dytë si Lute, nuk gjen.

- Po me partitë?

- Partia ime është Golëmi, pse më xungurris kot së koti?! Zëmra ime, shpirti im, është në Droshtë, Korregje, Dukëzi. Vreshta, Hilgjin, Lekërbosh …

Fillon Diftir Hysaj me Golëmin e nuk ka të mbaruar. Ta duam e ta kujtojmë vendlindjen tonë siç e përjeton dhe dashuron Ai. Diftiri është dora vetë një stërrall i rrallë Golëmi.

 

Avdulla Kënaçi

Mississauga, e diel, 18 gusht 2024

 

 


1 comment:

  1. Shume bukur.Zaten mjeshtrat keshtu shkrujane. Ju pershendes Abdulla.Enver Isufi

    ReplyDelete