nga Andre LLUKANI
Tiramë
Kisha e “Shpërfytyrimit të Shpëtimtarit” ose e “Shën Sotirit” është në lagjen “Pazar i Vjetër” të Gjirokastrës. Ajo është ndërtuar në vitin 1784. Kisha është e tipit bazilikë trinefëshe. Ka përmasa të brendshme 15.75x12.10 metra.
Kisha përbëhet nga naosi, altari dhe narteksi. Brendësia e kishës, nëpërmjet dy arkadave dhe dy pilastrave ndahet në tri nefe. Pilastrat katrore janë aty ku ndahet narteksi me naosin.
Narteksi mbulohet me qemerë cilindrikë. Një arkadë e kishës kalon nga muri verior nëpër pilastrat e murit jugor. Kisha ka tri apsida, të cilat janë zbukuruar me nike dhe përfundojnë me korniza guri të vendosura në formë dhëmbësh sharre, të alternuara me radhë të drejta. Apsidat janë me shtatë nike, të mbuluara me harqe gurësh. Çatia e kishës është me rrasa guri. Muratura është me gurë shtresorë me detaje të shumta gurësh të gdhendur.
Mbi një pllakë bronzi të vendosur mbi faqen e murit perëndimor në brendësi të kishës është mbishkrimi: + Ω θεατα, αί δύο έκκλησίαι τού Παντοκρά / τορος κ(αί) τών Ταξιαρχών Θεού εύδοκούν / τος άνηγέρθησαν έκ βάθρων καί μεγα / λοπρεπώς ώς όράς διά κοινών έξόδων / τών Χριστιανών τής πολητείας ταύ / της Αργυποκάστρου, άρχιερατεύοντος / του θεοφιλεστάτου, κ(αί) λογιωτάτου έπισκό / που Κ(υρί)ου Δοσιθέου – έτει σ(ωτη)ρίω Α Ψ Ο ΣΤ / -1776 –έν μηνί ίουνίοω Α. “O vështrues, këto dy kisha, të Pandokratorit dhe e Taksiarkëve u ndërtuan me mirëdashjen e perëndisë që nga themeli dhe në mënyrë madhështore sikurse i shikon, me shpenzimet e përbashkëta të krishterëve të këtij qyteti, Gjirokastër, në kohën e shumë perëndidashësit peshkopit, zotit Dositheut. Viti shpëtimtar-1776, në muajin qershor 1”.
Në narteks hyhet prej portës jugore dhe prej asaj perëndimore. Në gjysmën e lartësisë së narteksit është shtuar një kat i dytë, ku mund të hipësh nëpërmjet një shkalle të jashtme në anën veriore. Kati është shtuar në një kohë më të vonë se ndërtimi i kishës. Naosi është trenefësh dhe mbulohet me qemerë cilindrikë. Ai ndriçohet prej dritareve që janë në anën jugore, ndërsa mjedisi i altarit ndriçohet prej tri dritareve që janë tek apsidat. Altari përbëhet nga bema, protezisi dhe diakonikoni. Bema ka apsidën rrethore, me fronin peshkopal. Protezisi mbulohet me qemer cilindrik. Edhe diakonikoni mbulohet me qemer cilindrik. Ai ka apsidën në anën lindore dhe një nike rrethore. Altari ndahet me anën e një ikonostasi prej druri të gdhendur.
Ikonostasi i kishës është hijerëndë, i zbukuruar me motive të florës dhe të faunës. Në parapet dhe në tambure ruhen piktura, si Ungjillëzimi, Darka e fundit, Kryqëzimi etj.
Në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë ruhet pjesa kulmore e ikonostasit. Në ikonostasin e kishës mbi tri ikonat e mëdha Krishtit, Shën Mëria dhe Kryeengjëjvet është mbishkrimi: Χείρ Ιω(άννου) Αθανασίου Καπεσοβήτου. “Dora e Jan Athanas Kapesovitit”. Aktualisht ikonat e kishës gjenden në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë.
Mbi ikonën e Shën Gjergjit të Janinës është shkruar: Διά χηρός Ματθαίου Δ. έκ Σαμαρίνης 1864 μαρτίου. “Me dorën e Mattheut Dh. nga Samarina 1864, mars 12”. Në fondet e Muzeut Historik Kombëtar gjendet edhe një ikonë, e cila në krye ka Krishtin Pandokrator dhe poshtë nën tri nike, emrat që meshtari duhet të kujtonte gjatë celebrimit të liturgjisë hyjnore. Ikona të tilla vendosen zakonisht pranë blatës së hyjëshme.
Kisha e Shën Sotirit është në lagjen “Pazar i Vjetër” të Gjirokastrës në vitin 1963 është shpallur monument kulture. Si pasojë e braktisjes së plotë, kisha pati pësuar dëmtime serioze. Prandaj gjatë viteve 1993-1995 ajo është rikonstruktuar. Punimet u përqendruan në konsolidimin e konstruksionit dhe rehabilitimin e brendshëm të kishës. U rindërtu gjithashtu kambaneria e kishës.
No comments:
Post a Comment