Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Wednesday, 28 February 2024

KUJTIME NGA JETA NE SHKOLLËN E KAVAJËS.

nga: Prof. dr.  Llukan TASE

Tiranë



        Kanë rrjedhur afro 60 vjet nga koha kur bashkëjetova me miqtë e mij të shumtë, që kishin ardhur ato vite në TEKNIKUMIN BUJQËSOR TË GOLEMIT NË KAVAJË. Ishin kryesisht djem dhe pak vajza , që e kishin vënë jetën e tyre në sherbim të bujqesisë. Ndoshta në atë kohë të adoleshences së tyre kishin si qëllim vetëm të arsimoheshin, sepse i përkisnin në shumicë familjeve fshatare.

 

        Ishin fëmijë të mrekullushëm, me shpirt e ëndërra të bukura për jetën dhe me dëshirë për të përfituar sa më shumë nga mësimi, në atë shkollë që e kishte zanafillën e vet shumë vite më parë e ndërtuar nga amerikani -Erichson., për teknikë bujqësije. Teknikumi i Golemit ishte edhe vazhdimësi e shkollës bujqësore të Kamzës ( ose siç e quanin ate kohë " shkolla e Dakës"). Kjo për faktin se pjesa më e madhe e pedagogëve bashkë me personelin erdhën nga Kamza Të tillë ishin :Morcka, Berberi, Prizreni, Kosturi etj. që ishin arsimuar në universitetet e Evropës perëndimore ,e po kështu erdhën edhe të tjerë si Hydi, Babani, Jorgo etj. që ishin mësues dhe edukatorë të mrekullushëm, e që të gjithë së bashku formonin nje trupë mësimore dinjitoze. Ndërsa pedagogët e lëndëve të tjera jo bujqësore , të arsimit të përgjithshëm vinin nga seksioni i arsimit në Durrës : V. Tati, F.Tartari, Ormanidhi etj.

 

Shkolla e Golemit ishte modeli më i mirë që kishin projektuar amerikanët, sipas përvojës së mësimdhënies së tyre. Në shkollë mësohej dhe bëhej jetë konvikti. Shkolla kishte sallat e blegtorisë, pemët dhe vreshtin, tokat që shtriheshin deri te livadhet e Qerretit, Shkolla kishte pularinë., makineritë bujqësore dhe ofiçinën si dhe kinemanë e madhe, ku nxenësit argëtoheshin e zhvillonin aktivitetet e tyre kulturore. Gjysmën e pjesës tjetër të jetës pas mësimit nxënësit e kalonin me cikël të përbashkët - Shkollë dhe konvikt e mbasdite studim me orar.  

 


Konvikti kishte menxën, lavanderinë, berberin rrobaqepësen, këpuctarin dhe magazinën e ushqimeve. Ndertesa e konviktit, me menxën e nevojshme në katin e poshtëm, që aqë shumë pëlqehej nga fëmijët e asaj moshe, ishte ndertuar në kohën e Amerikanit. Gjëndej në fundin e një kodrine., paksa mbi vreshtin, që shtrihej deri tek vija hekurudhore, ngjitur me rrugën nacionale. Një nga veçoritë e kësaj shkolle ishte pozicioni i gjetur, pranë plazhit të Golemit, e kordinuar kjo me klimën e detit dhe kodrinën, ku ndodheshin ndërtesat e konviktit dhe të shkollës. 

Organizimi i shkollës dhe i fermës së vogël - (E.D.E. ose ekonomise didaktike mësimore) ishte modeli i parë që ishte ndertuar prej shumë kohësh më parë në GOLEM e që ruhej edhe në kohën tonë., pa u tjetërsuar. 

 

Për organizimin e jetës në TEKNIKUMIN E GOLEMIT, bashkë me Drejtorin e TEKNIKUMIT punonin dhe tre Zv/Drejtore- përkatësisht një për shkollën, një për konviktin dhe i treti për Fermën. Nxënësit e TEKNIKUMIT TË GOLEMIT patën rastin të mësonin profesionin e agronomit të mesëm në katër vitet e studimit. Ata studjuan lëndët bujqësore e blegtorale në bazë të programit të Ministrisë së Arsimit. Nxënësit punuan ne stalla (me grupe) , si dhe në të gjitha proceset për mbarështimin e blegtorisë, punuan në bujqësi e mekanike ( në fund të studimeve u jepej e drejta e traktoristit dhe proceseve të tjera që lidheshin me profesionin e ardhshëm)

 

Atë shkollë bujqësore e mbaruan qindra e nuk e teproj po të them- mijra nxenës ( guxoj të përmend ketu edhe një fakt të rastit-agronomi më i vjetër i bujqësisë shqiptare që vdiq sivjet në moshën 103 vjeçare - Tahir Radovicka,ka mbaruar të njëjtën shkollë bashkë më shumë specialistë të kohës) . Veçoria e praktikes bujqësore zhvillohej nga pedagogu dhe mjeshtrit e prodhimit.

Këta nxënës,pas largimit nga Teknikumi i gjeta përsëri në vitet shtatëdhjetë si studentë dhe djem serioze në bankat e Universitetit, kur punova pedagog në katedren e Hortikultures.- të I.L.B. që u bë Universiteti i mirënjohur, aktualisht-U. SH. B. Tashmë këta adoleshentë ishin rritur dhe përvetësuan veç asaj që mësuan në Teknikumin e Golemit edhe bazat e shkencave bujqësore.. dhe të eksperimentimi sipas modeleve më të përparuara.,që diplomat u njohën edhe në vendet e tjera të Evropës 

 

Mbas mbarimit të studimeve agronomët shqiptarë të këtyre shkollave u bënë promotori i zhvillimit të bujqësisë shqiptare të 40 viteve . Ata përballuan detyra të vështira si specialistë e drejtues të N. B.- ve e Kooperativave bujqësore, shefa bujqësie, deputetë e drejtorë ndërmarjesh

 

MIQTË E MIJ TË TEKNIKUMIT TE KAVAJES DHE GJITHË SPECIALISTË TË BUJQËSISË,që së bashku me Ne , pak më të moshuar se Juve, përbëjmë të njëjtin brez specialistësh, po u ngushëlloj se s'kam të tjera mundësi : Mbas të këqijave që solli në bujqësinë e këtij vendi të bukur "tranzicioni", e që ishte një prapakthehu në këtë sektor jetik të ekonomisë, JAM BESIMPLOTË SE GJËRAT DUHET DHE DO TË NDRYSHOJNË. MOS HARROJMË SE EDHE FËMIJËT TANË E DUAN VENDIN E TYRE ,KU FLITET SHQIP JO MË PAK SE NEVE.

 

JU UROJ TË GJITHËVE VETËM SHËNDET E TË MIRA. JU DUA DHE U RESPEKTOJ DERI NË FRYMËN E FUNDIT O NJERËZ TË MIRË.

 

Prof. Llukan Tase

Tiranë Dhjetor 2023 

 




Tuesday, 13 February 2024

NGA ROMANI “HIJA E MALLKUAR” I SHKRIMTARIT LUNXHIOT THANAS MEDI



        "Lëviza nga vendi një milimetër më shumë dhe e shkela kufirin që më ndante nga grekja, një milimetër e pak. Doja ta pyesja, nëse kishte ngrënë mish thëllëze të pjekur në prush, por ajo fërkoi sytë si t'i vinte gjumë. Atëherë u tërhoqa në kufirin tim dhe e lashë ta shkelja prapë pasi të flinte. Gjithashtu, u kujdesa të mbyllja perdet, që asaj të mos i vriteshin sytë. I mbylla deri në fund, por prapë ngeli një shteg. I ngushtë sa një kurriz peshku dhe i gjatë sa një rrip. Përtej ngushticës, vazhdonte akoma vallja e marrë. Herë vështroja vallen, herë greken dhe, meqë gjumi i vinte rrotull asaj, filloi të më ledhatoj edhe mua. Derisa erdhi një çast kur vallja u zhduk, për t'ia lënë vendin një mjegulle të bardhë. Nëpër mjegull, u shfaq ajo që e prisja më pak, Keti, dashuria ime e parë, e kohës së të mesmes artistike. Pasi u end në mjegull, Keti kërceu nga një si shteg i ngushtë, shkundi supet dhe mu ul mbi gjunjë. U mat të më tregojë sa shumë më donte kur qemë në shkollën artistike, por pastaj ndërroi mendje. 
- Po kapërcen të tridhjetat, - më tha, - dhe s'u poqe! 
- Pse ma thua këtë?! - e pyeta i habitur. 
-  Se të gënjen mendja, kujton se grekes iu dogj barku për ty! 
- Nuk i dihet! 
- Dihet, atë vetëm sa e ka zënë gjumi mbi supin tënd... 


        Keti iku menjëherë, sa mbaroi fjalën, dhe unë vetëm atëherë u përmenda nga dremitja. Për të parë një pamje tepër befasuese, grekja po flinte vërtetë, me kokën të mbështetur mbi supin tim. Për pak sa s'më pushoi zemra nga gëzimi. Dhe pashë aty dorën e Zotit, megjithëse atë nuk e kisha marrë ndonjëherë seriozisht. Ngriva si mur dhe vështrova rrotull si kusar. Kisha vjedhur plaçkën që u takonte të tjerëve, veç doja t'u thoshja atyre se nuk kisha ndonjë faj për vjedhjen e bërë. Askush s'më qortoi dhe askush s'donte të dinte, se ç'bëja unë me greken e tyre. As ç'bënte grekja e tyre me mua. Madje, as Piloti në fund të autobusit nuk u bë i gjallë. Kishin vdekur të gjithë, vetëm unë jetoja. Dhe, ngaqë jetoja, guxova të ëndërroj, pasi vetëm të gjallët ëndërrojnë. Kisha vite pa ëndërruar kështu dhe, kur kjo të ndodh pas një kohe të gjatë, ëndrrat të zënë, si të jenë verë. Vështrova edhe njëherë rreth e rrotull dhe zgjata dorën, të prek atë që s'më takonte. Mollëzat e gishtërinjve të mi, ndaluan mbi kurrizin e gishtërinjve të saj dhe u ngrohën. Lëkura ime takoi lëkurën e saj, dhe u ngjit. Fryma ime u trazua me frymën e saj, dhe u shkri. Qerpiku im pa qerpikun e saj, dhe u zgjat. Grekja që flinte ishte më e bukur se grekja që s'flinte. Kur flinte, tek ajo vdiste Perëndia. Dhe kur qe zgjuar, Perëndia ngjallej prapë. Tani që ajo flinte, grekja e ishte më pak Perëndi dhe unë më pak plehërishte. Ajo më tepër e imja dhe unë më tepër i saj. Ishte e bukur, si ëndërr, dhe në gjumë dukej sikur mendonte për mua. Duke menduar për mua, më thoshte t'i afrohesha akoma, por unë nuk doja më tepër se kaq. Duke e mbajtur mbi sup, isha i kënaqur që e kisha afër Perëndinë, ndërsa duke e prekur, isha i lumtur që isha bërë me ëndërr. Deri në atë ditë, unë nuk ëndërroja, se ëndrrat më kishin vdekur. Isha një kufomë që bridhte nëpër fshatrat e Greqisë me çantën me shumë rripa në krahë. Tani, jo se kisha fituar ndonjë gjë të madhe, por isha të paktën një kufomë që ëndërron..."


(Nga "Hija e mallkuar ". F. 26-27)




Shkrimtari Thanas MEDI

 

është nga Dhoksati i Gjirokastrës, krahina e Lunxhërisë. Arsimin tetëvjeçar e mori në Dhoksat, të mesmin në gjimnazin "Asim Zeneli", Gjirokastër.
  Diplomohet për gjuhë -letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, 1984-1988.  Punoi në arsim, mësues letërsie në gjimnazin "Koto Hoxhi" Qestorat e pas vitit 1993 emigron në Greqi. Jeton me familjen në Athinë. 

Është marrë që herët me letërsi e gazetari, duke botuar poezi e tregime në organet letrare të kohës.

1.    Romani i parë, "Hija e mallkuar", botime Toena, 2011. Në rumanisht, " Umbra blestemata", nga EIKON, Bukuresht, 2023. 

2.    Romani i dytë, "Fjala e fundit e Sokrat Bubës'', nderuar me Çmimin e Madh Kombëtar për Letërsinë, dhënë nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, si libri më i mirë për vitin 2013. Ky roman është botuar dhe në arumanisht (2018), greqisht (2019), rumanisht (2020), italisht (2023). 

3.     Romani i tretë, "Kohë e djegur", Onufri, 2016.

4.    Romani i katërt, "Valsi i një dasme fantazmë", Onufri, 2019. Botuar në rumanisht dhe frëngjisht me titullin "MARKELA", 2022, 2023.

5.     Romani i pestë, "Çmendina e Athinës", Toena 2023. 

 Krijimtaria e tij është pritur me entuziazëm nga kritika në Shqipëri, Rumani, Greqi etj. Është cilësuar si një zë i veçantë e tepër premtues për letërsinë shqipe


 

Tuesday, 6 February 2024

GJIMNAZISTI GJIROKASTRIT NË UDHËT E PYLLTARIT DHE TË SHKENCËS

     "Mora penën dhe bëra piknik të këndshëm me Profesor Mihallaq Kotron. E ndoqa atë që kur lindi në qytetin e gurt të Gjirokastës më 27 gusht 1943, pastaj kur ndoqi shkollën fillore e shtatëvjeçar te “Koto Hoxhi”, e përsëri në rini në gjimnazin “Asim Zeneli,, si student në fakultetin e Pyjeve (1962-1976). Sa i hodha një fllad bjeshke mali të Gjërë gjatë pyjve magji kureshtëndjellëse te Pukës, sa ceka petalet e luleve të veprimtarisë së tij si pedagog e Profesor në Fakultetin e Pyjve"


Përgatiti: "Doktor Selman MËZIU 
Firence, Itali


        Dy duart me gishtrinjt me kallo lapsi, mbështetur në lëvoren hollë të trungjeve shtatë gjatë të aheve. Vështron përpara mendueshëm në kollonat e shumta, kombinat prodhuese të biomasave biologjike. Duket sikur po i mban ahet të mos kacafyten njëri me tjetrin. Ndërsa mendon për bujarine e tokës dhe klimës që këtu në Qarrisht të Librazhdit kanë krijuar mrekullira peisazhesh.  Pasuri e gjelbërt që të ngazëllon shpirtin të pastron shikimin, zmadhon mushkëritë nga oksigjeni i pastër, të rinon. 

    Udhëve si pylltar, si pedagog, si Dekan i Fakultetit të Pyjeve kërkon që në puhizën e flladit të pyllit të zbuloj vetë veten. Dhe jo vetëm. Ashtu i qeshur, kujton kalimin nga Fakulteti i Agronomisë në atë të Pyjeve. Ndoshta madhështia e rrapeve të gjirokastrës i mbolli dashurinë për madhështinë dhe lartësitë e tyre. Kurorat e tyre me degët e shumta mbushur me gjethet pëllambore i jepnin kënaqësi që  fëmijë Mijallaqit, për të parë përmes tyre yjet, hënën e rrezet e diellit mëngjezeve të gjelbërta.

    Fund Marsi e gjeti udhëve inxhinierin e sapo diplomuar

    Pritje që mbartnin ankth. Emërimi i ngjante një tabele shahu. Veçse gurët nuk i luanin studentët e sapo diplomuar. Prandaj atyre u rrihnin zemrat e njoma si atij zogut që dridhet nga të ftohti i acartë i dimrit. Më së fundi i riu nga gjirokastra do të kapërcente kryeqytetin. Shoqëria studentore kaq e ëmbël dhe e dlirtë do të thermohej.  Fatmirësisht jo e gjitha. Do të kishte pranë Pavllo Konomin. Ndërsa në Ndërmarrjen e Pyjeve emërohen bashkë studentët  të tjerë të tij si Muharrem Loka dhe Daniel Sollomoni.

        Valixhia ishte po ajo. E pregatitur me dashuri e dhembshuri nëne me veshëmbathje etj.  Prindërit e përcollën me pikla lotësh faqeve.  Ato i thanë: Udhë të mbar bir, kujdes atyre malve, ato janë shkollë tjetër, por…

        Pasi priti disa orë te parku i makinave. Inxhinieri i ri mori skodën e pare që sillte trupa të sharruar etj. në Shkodër. Ato ktheheshin në mobilje e letër. Skoda u nis me mjaft zhurmë. Peisazhet ju hapën si fletët e librave mësimor të Fakultetit. Kodrat e Rencit të lakuriqësuar i lanë shije jo të mirë inxhinier Kotros.  Zhavorrishtja e bardhë e shtratit të lumit Kirit ju kalonte rrëzë tyre. Pastaj shpatet e gjelbërta të Jubanit me perrenjët i shumtë shtrat gërryrës. Fusha e fshatra të shumta deri atje ku shikimi ju ndal te Kalaja Ilire mbi një kodër pothoajse të xhveshur.

   Befasuese ishte dalja e ujrave të shkumbëzuara të lumit Drini nga një ngushticë shkëmbore. Ai dukej i pa ndalshëm e kryeneç. Kaltërsia e thellë të ngjallte kënaqësi. Ndërsa Drinoja i Gjirokastrës udhëtonte i qetë përbri qytetit të tij të lindjes dhe fushës së Dropullit. Në një kodër shkëmbore gurësh gëlqeror me ca sy të gjelbërt, ngrihesh një kishë me kryqin përball, në kulmin e çatisë. Pastaj fshati i Vaut të Dejës me shtëpia të bardha ‘’mbytur,, në gjelbërim. Ngjitjet me kthesa, ku makina  herë pas here  nxirrte tym nga prapa. Retë, herë pas here mbulonin diellin. Ndonjë pik shiu dukesh ne xhamin e makinës. Ishte 22 Mars 1966.

  Filloi ulja me kthesa gjarpëruse shpateve të Gomsiqes. Natyrë disi e eger, ngjyra kafe dhe e zeze e shkembinjëve, shoqëruar me njolla bushi, dëllinjash dhe shkurresh të tjera ngjyrë gjelbërt.  Sa kaq tabani i një ure, poshtë tij një hark i madh betoni si një ylber. Mbi atë ngrihesh një ‘’pyll,, kollonash mbajtëse vertikale. Duke përshkuar gjatësinë prej 36 metra e gjërsinë tre metra,  po e brente përbrenda kureshtja, të riun gjirokastrit. Në udhëtimin në ngjitje me plotë lakore mendoi: Po unë a do të arrij te bëj projekte të tilla si inxhinier pyjesh? Ndërsa udha hyri në mes pyjesh pishe shtatë larta. Kurorat e tyre hijezonin atë duke krijuar freski kënaqësi ndjellëse. Natyrisht peisazhet në relievet e përthyera e joshën të sapo diplomuarin. Më pas diku në një libër lexoi: Ura u ideue, u projektua e zbatua nga inxhinier, Xhovalin Gjadri (1898-1974). Përurimi i bë me 29 Gusht 1935.

   Atëhere Puka ngjante me një fshat që po rilindte. Dhe sa hap e mbyll sytë përsëri pishnaja. Sa kaq filloi zbritja. Ju shpalosën para syve  disa baraka me pak ndërtesa me mure guri dhe përkundruall tyre, pyje e male peisazh mahnitëse.  Ishte Fushë Arrëzi.  Edhe ai po rilindte me ngadalë. E  veçanta ishte se gumëzhinte si zgjua bletësh.

 

       Ngrohtësia e kolegëve, tuneli prej bore dhe pylli eksperimental    

    Vështronte kureshtar këto pamje të natyrës dhe papritmas ‘’ iku,, te kalldrëmet e gjirokastrës dhe, shtëpiat me çardak anash rrugicave, poshtë kalasë shqiponjë. Mirëpor këtu kala qenkan malet, mendoi ai me vete duke parë tavanin prej dërrase.  Pyjet gjerdan i gjelbërt, ku ai duhet të miqësohesh e shkëmbente energji. Pamje të tillla inxhinieri, shkarazi i kishte parë në vitin 1962. Sigurisht i kishte bërë materje të kujtesës studentore. Mirëpor tanima, po shikonte njerëz të moshave, shkollimeve e profesioneve te ndryshme që çapaliteshin në udhët e ngushta me baltë të barakopolit.  Njohjet e para i bëri i ndrojtur e qetësisht me shefin e kuadrit, pastaj inxhinierin e stabilimentit Tonin Kraja, inxhinierin që mbulonte teleferikët Llambi Kajana dhe ato në  ndërmarrjen e pyjeve  Çaush Elezin dhe Gegë Sokolin.  Kuptohet me fytyrën njomzake, kokë ulur, i veshur thjesht, takoi Drejtorin e Ndërmarrjes Pali Miska, nën drejtorin Pal Gjoni dhe Kryeinxhinierin e Ndërmarrjes të Sharrave, Milazim Mustafa. Atë ditë  i caktuan barakën ku do të flinte bashkë me inxhinier Muharremin. Të nesërmen i komunikuan detyrën si inxhinier shfrytëzimi në degën teknike. Pastaj i dhanë xhupa dimëror dhe çizme. Malet kishin ende kësulat e bardha të borës.  Hera herës në kujtimet e vegjëlisë i kishte mbetur në mendje edhe bardhësia e borës  të malit të Gjerë e të tjera male qelesh bardhë.

   Inxhinier Kotro shkon i shoqëruar të njihet me sektorin e shfrytëzimit të Krrabës.  Emocionohet nga ahet shtatëlart, degët e të cilëve mbanin peshën e borës. Vërtet dukeshin si pulëbardha. Edhe trupi i tyre, vend vende, mbi të gjitha ku bashkoheshin degët, kishte mjaft borë. Arritën te  vendi që thirresh, Puset e Zeza. Punëtorët sa kishin hapur udhën nga bora, ku djaloshi gjirokastrit u habit, u mahnit, kur hyri si në një tunel, në udhën me lartësi skrapatash edhe dy metra.  Peisazhet bardhësonin nga rrezet e dillit. Bukuria ishte mahnitëse. Ndërsa i ftohti po i ngrinte duart. Bora filloi t’i kërciste nën çizmet. Majat e veshëve i ishin skuqur. Edhe pse i ri e gjaku i vlonte ne deje ai hera herës dridhesh.  Ecte qetësisht pa folur, disi i menduar që i dukesh nga balli.

    Ditët, muajt, vitet rrokulliseshin pa u ndjer. Puna intensive në shfrytëzimin e pyjeve madhështor të pishnajave të zeza në ekonomitë pyjore Tuç dhe Kaçinar dhe atyre të aheve në Krrabe e Kunor Dardhë e gërshëtuar me projektet në zyra, po i sillnin kënaqësi. Mësonte nga auditoret e gjelbërta, te shoferët, punëtorët që, punonin me një mijë sakrefica, me këpuc thesi mbathur e rroba aty këtu edhe të grisura. Gjithmonë gojë ëmbël, me plotë takt e urtësi, ai arriti të miqësohet e të  njihet shumë mirë me ato. Ato i takonte kudo, në hapje udhë makinash në pyje, në transportet me teleferik, me lugje, me kafshë, tërheqje me traktor etj. 

          Ne projektime për hapje fronte punësh të reja ai mendonte pë shkurtimin e kohës të kryerjes për çdo lloje pune, rendimentin në punime të ndryshme. Nuk nguronte, por këmbengulte të mësonte nga motosharristët, trupëzimin në asortimente, trupa sharre, shtylla gjithfarësh, degë voze, dru zjarri, shumëllojshmëri lënde ndërtimi, stivimin e tyre, ngarkimin në makina etj. Kuptohet dhe i kontrollonte për standartet, cilësinë dhe sasinë e punës së kryer.  Edhe prodhimi i qymyrit nga mjeshtrit  korçar me mbeturinat e pyjeve të shfrytëzuara, vendosura në kamina ishte një auditor tjetër të mesuari.  Përvoja që do të shkruheshin në libra nga ai dhe do t’ua mësonte studentëve në të ardhmen. 

      Më shumë kujdes, vëmendje, rrahje mendimesh kishte me silvikultorët e ndërmarrjes se pyjeve, inxhinierat Anesti Postoli, Kastriot Selimi, Nebi Koka, Kristofor Rexho, Myslim Baburi, etj. Inxhinierët projektues e ndjekës të  punimeve, bashkëpunonin ngushtësisht që nga damkimet e deri në dorzimin e ngastrave të shfrytëzuara. Të gjitha me akt marrveshje, kontrolli e dorëzimi.

            Silvikultorët punimet e tyre i kryenin bazuar në planet e mbarështrimit, ndërsa inxhininer Kotro si teknolog me pergjegjësi profesionale, ekonomike dhe projektuese skiconte skemat e mundëshme të rrjetit rrugor. Dhe më tej, ato të linjave të  traseve të teleferikëve, traktorave, lugjeve, skelat e depozitim-ngarkimit, pikave të tranzitimit të materialit drunor etj. Mbi të gjitha  këto inxhinieri hartonte projektin teknologjik të shfrytëzimit ose dokumentit teknik: “Planet tekniko-ekonomik të Shfrytëzimit.,, Këto projekte, me këto të dhëna u zbatuan më vonë në gjithë shqipërinë. Kjo ishte një arritje tekniko shkencore. Ku më pas inxhineri nga Shtatori i vitit 1972, pedagog në Fakultetin e Pyjeve e pergjithësoi në lëndën teknologjisë të shfrytëzimit (shkruar prej tij) që jua shpjegoi studentëve për afro 40 vjetë.

   Ndërsa shoqëria rinohesh, kolegët vinin e shkonin, duke lanun sejcili te inxhinier Mihallaqi  përshtypjet e një shoqërie të sinçertë, burrërore, korrekte. Ndërsa karakteri u kalit, dhe u ushqye profesionalisht me praktikën e universitetit të dytë në ‘’kryeqytetin e pyjeve,, me kolegët Myzafer Mandia; Vito Koçin kryenxhinieri i ndërmarrjes dhe një kohesisht shkrimtar; Fredi Marjanin i cili ecte në përvojën e inxhinierit Ylli Gusho; Fenelon Hoxha e Zef Çunin etj

    Inxhinieri i ri Kotro sëbashku me silvikultorin Gege Sokolin që para viteve 1970 menduan për pyje eksperimentale, faror, monument natyre etj. Duke takuar në Qafë-Bari, Tuç një ngastër me pisha të zeza trup drejta me lartësi edhe 25-30 m. Ato nuk i damkosën, por 2,5 ha e lanë ashtu siç ishte për të vazhduar eksperimentimet në fushën e silvobiologjisë, tipologjisë, botanikës etj.  Mirëpor siç shkruan Prof. Kotro në kujtimet e tija: ‘’…por që, ndërhyrjet e viteve të mëvonshme … e “kafshuan” pak e nga pak, dhe në vitin 1982, …nuk gjetëm asnjë lloj gjurme të kësaj risie eksperimentale…,,    

 

               Nga tajfunet shkatërrimtare, te minat e Miliskaut, në Fakultetin e Pyjeve si pedagog 

   Perofesioni i pylltarit ishte i tillë që natyra edhe e gëzonte me krijesat e saja, por edhe e hidhëronte. Ajo nuk pyet askënd, kur i hypin kapriçot. Vjeshtë e vitit 1969. Një tajfun përbindësh shkuli me gjithe rrënjë mijëra ahe ne pyjet e Krrabit dhe pisha qiri të gjata në ekonominë pyjore Tuçi. Ai shkaktoi një katastrof të vërtet ekologjike në këto pyje. Kundër përgjigjia e inxhinierëve të shfrytëzimit ishte e menjëhershme. Filizëria, këto bebëza bleroshe lindur nën kurorat e këtyre drurëve pyjor, duhesh ruajtur. Tani ato ishin braktisur nga drurët nënë. 

               Silvikultura nuk ishte më mishi e gjaku vetëm i pylltarëve të Ndërmarrjes së Pyjeve.  Jo, kurrë jo, inxhinier Kotro sëbashku me kolegët, ndiçnin çdo veprim:  prerjen e trasportin që, nga mëngjezi e deri kur yjet buisnin në qiellin mbuluar me re ose blu. U përdorën qetë (buajt) për të tërhequr trupa të gjatë edhe katër e pesë metra. Duke zgjedhur me shumë kujdes, përgjegjësi profesionale, udhetimet në vende me sa më pak filizëri.  Kjo menyrë u praktikua në Fushë Zezë e Kaçinar si vende me pjerrësi. Ditët të mbushura me vrulle pune ndërsa natën në zyra deri vonë, në mbledhje dhe duke skicuar variantet e trasportit etj.  Në ngastrat që mbaronte shfrytëzimi hidhesh fara pishe e zeze ku mungonte filizëria, dhe po kështu në ahishte, biles u praktikua edhe mbjellja me fidana.  Inxhinier Kotro nuk ndjente kënaqësi vetëm në prerjen, grumbullimin e transportin e mijëra metro kub landë drunore, por edhe kur  mbillesh fara e fidanat. Ai si projektues e zbatues përfytyronte pyllin e ri, pas 80 e 100 vjetësh si do të ishte. Sepse shpirti e zemra e këtyre pylltarëve kishte mbi të gjitha pasionin si të tillë,  njëkohesisht edhe si projektues të së ardhmes të pasurisë së gjelbërt.

   Mirëpor puna e inxhinierit ishte e lidhur me organizimin e zhdërvjellt e produktiv.  Jo vetëm natyra i detyronte inxhinier Kotron e kolegët të bënin sakrefica, të djersiteshin, të zgjoheshin herët, apo të flinin gjumë pas mesnate vonë, por edhe urdherat nga lart. Zaten këto ishin me të egëra, më të frikshme, më me përgjegjësi profesionale, por edhe politike.

    Ishte urdhëri i verës, po të këtij viti pra, 1969. Pjesmarrja urgjente e Ndërmarrjes së Shfrytëzimit të Fushe Arrëzit në zgjerimin e udhës së makinave Qafë-Mali Fierzë.  Inxhinieri i shfrytëzimit  Kotro me 200 punëtor, ndër këto 10 minator nisin shpejt, punën e vrullshme. Në sektorin shkëmbor të Miliskaut filluan hapja e vrimave me tokmak e biramina për të shkatërruar shkëmbin me dinamit.  Ishin punëra me rreziqe, kërkesa e llogarisë duhesh e fortë, kërkohesh një sjellje e kulturshme  me punëtorët. Ndërsa angazhimet për të mbaruar sa më shpejt kërkonin vërtet vëmendje e mbi të gjitha përkushtim dhe energji mendore e fizike. Kjo punë ishte një përvojë  shumë e çmuar në fushën e organizimit e produktivitetit  kulmor në punime.  Vërtet kjo  udhë makinash e zgjeruar, shërbeu për të çuar te diga e hidrocentralit të Fierzës turbinat e tij. Punimet për ndërtimin e të cilit filluan në vitin 1971.

  Ishte gëzim i pa përshkruar, kur një dritë shprese vetëtoi në jetën e inxhnierit gjirokastrit. Tanima letrat, prindërve nuk do t’ua dërgonte me adresëne Fushë Arrëzit, por me atë të Fakultetit të Pyjeve,  Instituti i Lartë  Buqësor Kamëz Tiranë. Një fushë beteje e re për t’u aftësuar në fushën e mësimdhënies, pedagogjisë. Nuk duheshin standartet e asortimenteve që nxirreshin nga shfrytëzimi i arit të gjelberet, jo. Kjo ishte shumë më e vështirë. Pregatitja e inxhiniereve të rinj silvikultor e shfrytëzues të pyjeve, me kapacitet intelektual, profesional e kultural siç i kërkonet koha.

                         Shtigje te reja dijesh dhe shkence

     Inxhinieri i dorzoi xhupin dhe çizmet. Ai la shtëpinë, gjurmët e punës së tij të kualifikuar, përvojën shumë planëshe në shfrytëzimin e pyjeve. Inxhinier Kotro mori me vete bujarinë, mikëpritjen, gjakëftohtësinë, vullnetin e pasionin, këmbënguljen për të kryer punën, durimin e dëshirën për punëra që rrezatojn veç dritë suksesi e ardhmëri të sigurt të pyjeve të reja.

     Gjeti në trupën mësimore të Fakultetit, ish pedagogët e tij. Tanima asistent i njërit prej tyre. Pedagogu Kotro do të ishte pasqyra reflektuese e tyre. Në dëshirën për të studuar e përçuar me art shpjegimi te studentët, disiplina të ndryshme shkencore të Fakultetit të Pyjeve.  Sjelljet e tija, komunikimi, shijet në veshje, deri te gjestet, do të ishin brenda auditorëve. Ato do të shikoheshin e përthitheshin  nga dhjetra e dhjetra inxhinier të ardhshëm. Prandaj çdo fjalë, mendim i shprehur duhesh të përmbante, thelbin e teorive, praktikave dhe projekteve të ardhshme.

              Vitet kalonin, pedagogu Kotro kualifikohesh, mësonte vetë me këmbëngulje, pregatiste leksionet, dhe çdo vit dhjetra studentë diplomoheshin. Ai ndjente thell në shpirt edhe materialisht, frutet e rezultatit të punës së tij si pedagog. Profesor Kotro, dëgjonte përshtypjet e mira nga ato, për veten e tij, si njeri i vyrtytshëm dhe artin e kënaqshem të të shpjeguarit.  Nga pedagog i thjeshte në Shef Katedre i Shfrytëzimit në Fakultetin e Pyjeve (1975-1985).  Referuesi i dhjetra temave shkncore në harkun e viteve. Si Dekan i Fakultetit të Pyjeve prej dhjetë vjetësh, duke e kryer atë me urtesi, maturi, gjykim, organizim, veprimtari shkencore me përfshirjen të studentëve dhe pedagogëve. Sigurisht edhe duke ruajtur shoqërinë e ëmbël me të gjithë. Këmbëngulja në punime të thelluara në shkencën e teknologjisë të shfrytëzimt, të dendësise optimale te rrjetit rrugor në pyjet për shfrytëzim, pedagogu Kotro  mbrojti disertacionin për ‘’Kanidat shkencash,, (1984), më pas i jepet titulli Docent (1986), në vazhdim Doktori i Shkencave( 1994) dhe së fundi Profesor(1995).

    Pjesmarrës në simpoziume ndërkombetare e shkëmbime përvoje pedagogjike dhe përsosje programesh mësimore në shumë univesitete e institute në europën prendimore etj. Pas viteve ’90 profesor Kotro shkruajti disa artikuj në shtypin shqiptar, duke ju tërhequr vëmendjen qeverive të një mbas njëshme, mbi keqpërdorimin, administrimin, qeverisjen e pyjeve si ekosisteme natyrale që kanë ligjet e tyre biologjike etj. Sigurisht ato duhen ndjekur me rigorozitet, edhe nga vetë pylltarët, inxhinierët e pyjeve, të shkolluar nga ai vetë. Po japim   disa prej tyre:

‘’Rreth  memoratoriumt “Mbi shfrytëzimnin e pyjeve …..” (Mendime, thjesht si Pylltar, …, nëse vlejne). Mendime “Mbi dokumentin e politikave, per pyjet ne shqiperi – 2030.,, (Me ndjenje qytetarie dhe profesionalisht modeste). ‘’Për një sektor, i mbetur “jetim”.,, (Në gjurmët e një shkrimi të para shumë viteve). ‘’Disa mendime modeste mbi “projekt-ligjin e pyjeve dhe kullotave.,,

Profesori ynë i nderuar, si shumë të tjerë profesor e inxhiniera të thjeshtë e parashikuan herët, germisjen e pasurisë pyjore njëra nga më të çmueshme kombëtare. Dhe ja si do të më shkruaj me 10 Shkurt 2009: ‘’Me gjendjen që po kalon ky sektor, asgjë s'më tërheq (po lulëzon këndvështrimi politik dhe qëllimi i fitimit maksimal, nëpërmjet dëmtimeve dhe abuzimeve, ndërsa për silvikulturë as që mund të flitet). Tashti po e kuptoj se sa idealist kemi qenë ne dikur.!!!!   Profesori në këto fraza analizon më shumë kujdes e thellësisht shkencore, gjëndjen katastrofike që po pregatitej mbi pyjet, duke shprehur njëkohesisht dëshprimin e tij kulmor. Dhe ja realiteti i statistikor i vitit 2022, Puka si rreth apo Bashki kishte 90 000 hektar pyje, jane prerë dhe  shkrumbëzuar plotësisht 60 000 hektar deri më tani.

*                     *

         *

     Mora penën dhe bëra piknik të këndshëm me Profesor Mihallaq Kotron. E ndoqa atë që kur lindi në qytetin e gurt të Gjirokastës më 27 gusht 1943, pastaj kur ndoqi shkollën fillore e shtatëvjeçar te “Koto Hoxhi”, e përsëri në rini në gjimnazin “Asim Zeneli,, si student në fakultetin e Pyjeve (1962-1976). Sa i hodha një fllad bjeshke mali të Gjërë gjatë pyjve magji kureshtëndjellëse te Pukës, sa ceka petalet e luleve të veprimtarisë së tij si pedagog e Profesor në Fakultetin e Pyjve.  Mendova të hedh paksa pjalm mjalt prodhues pune e veprimtarish në disa fotografi, por jo në Universitetin ‘’Aristoteli,, të Selanikut, por në pyllnajat madhështore, frymëzuese, që të buzëqeshin duke i vështruar nga poshtë në Qarrisht të Librazhdit. Kjo ndodhi në vitin 2005 me inxhinierat Trifon Cfaku, Enver Koçi,  Janaq Malen, doktorin e shkencave Vasillaq Mine e së fundi  me profesor Baldinin nga Univesiteti i Viterbos, Itali.  Dhe një pritje bujare e Silvikultorit Pius nga Univesiteti i Firences, te Fidanishtia e Pjetër Trashës në afësi të qytetit të Lezhës e përsëri në ahishtet madhështore të ekonomisë pyjore Bizë të Martaneshit. Edhe në pension profesori ju buzëqesh jetës plotë vrull,  familjes, shoqërisë, kolegëve.

 

 22.01. 2023                         Ish Studeni i Profesorit S.  Mëziu 

Korçë, 1989 Kotro, Balla, Stefanllari


Me prof.  Piusin........

Qarrishtë me prof. Baldinin, 2005

Shërbimi Pyjor Shqiptar, 2008