Skicë Letrare e ripunuar
nga: Koço MOSKO
Boston, MA - SHBA
U ngrita menatë, pa feksur. Duhej të ormisesha e të vejë në mulli. Kisha gjithato punë për të bërë. Pleqtë e parë thoshin: “Kë zë dielli pa larë, nuk i venë punët mbarë”. Babai im i ndjerë na thoshte gjithënjë: “I fituar në këtë dynja ështe ai që ngrihet herët në saba e martohet shpejt.” Mua të vogël më martuan, kur isha 17 vjeçe shkela protoparë2 pragun e derës të Papalondëve. Ç’isha unë atëhere, një çupërlinë3 çamarroke, por gjeta njerëz të mirë këtej. Ç’tju them moj motrani, njerëz puntorëë, në bina. Në 18 vjeçe linda të madhin, Miston. Lypset punë për fëmijët, duan të hanë majën e gjërit. Miçël4 e Sulltanaj thoshte: “Që kur polla mu tha zorra.”
Nuk më hapeshin sytë. Isha e mamure5, sa u bëra çoj6. U qasa tek muslluku në nerohit7 dhe hodha dy grushta ujë në surrat, më qe bërë si shkarpë. Piva dhe një komb ujë nga mastrapai.8 Ai, si në ato jetë biro, gërhiste apo nuk gërhiste, për shtatë palë qejfe. . Me vjas9 xërmova shkallët e rrëmbeva mushkën nga katoi dhe e kreva në hajat. Hoqa kataranë10 dhe e hapa derën e hajatit damballa11. Lopa, bishkora12, kishte dalë nga kotaria13 e saj. Mirë që si futi ndonjë bri mushkës, Gjosës. Ishte lopë kozare14, nuk i kisha hedhur gjëagjë në grazhd dhe kish hapur derën e kotares me majën e bririt, të llafuriste15 nga grazhdi i mushkës. Shquajta se qepengjinë16 e katoit e kishim lënur hapur që në darkë. E mbylla dhe u ktheva në hajat të ormisja mushkën. Proto17 i vuvosa18 zilen me një çole19, i vura kapistrën dhe samarin, shtrëngova fort palldëmin të mos më vaisej barra andej këndej dhe ngarkova bereqetin. Në anë të mëngjër, kallamboqin dhe nga ana tjatër grurin. Një barrë orta20 për hajvanët e ngarkesës.
****
Për të ngrënë kisha bërë qollopitë të grinjë21. Mbusha paguren me dhallë dhe fllackën22 me ujë brisk të ftohtë në thollo23. Nga buti i djathit mora një copë. Kisha zier dhe dy kokove. I mbështolla në dy bokshej24 e i futa në heibe25 dhe e hodha te kaptelli i parmë i samarit
- “Është një ditë e tërë e do të bëjë xhuxhulla, do piqet buka në diell”, - thashë me mënde. Veglat për në arë si: sakavicën, çallën26 e kalistirin,27 çallakopin28, drapërin i vendosa në kaptellin e pasmë të samarit e i shkova tërkuzën rreth. Aty vara dhe fllackën e ujit, të mbushur vicka29 deri në grykë. Morra dhe një biçak të haja ndonjë kolindër30 nga kokuarët, se kishin zënë mirë.
U, më raftë pika, më raftë! Pisusin31 e kafesë e kisha harruar te pezuli i portës, moj korbë! I dhashë njadi lugë kafe dje ndaj të ngrysur zonjës së Zafiraj se i qe sosur mavrickores. E shpura lart dhe e vura në vend, në sergjenin e magjirjosë32. Ngrihesh Ai e nuk e gjente te vëndi e marrosej, më marroste dhe mua. Do më hiqte tepelekun e kokës.
- “Gjërin vure në vendin e tij, ta gjësh prapë me mënde, jo me sy,” më qortonte gjithmonë kur nuk i gjente gjërat në vendin e tyre
Kishim pisus të mirë nga Stambolli, më një anë hidhej kafeja, në anën tjatër zari33, vendi lugës në mes. Nga farashi në magjirjo morra një prokë34 e thikën, dhe bafonen35 nga rafti enëve. Do të bëja sallatë me domate për drekë.
Ai nuk u bë i gjallë akoma. Kishte rënë përmbys si i dambllosur. Ishte bërë dunup36 nga rakia që kish pirë dje në qindi37 me atë barkderrin e Kodashae. Gjëne çka, nuk bërbëlis nga goja kur pi, se “Çka barku, i nxjerr bardhaku” thonë. Po ky toni jo, jo. Kush ia pa hairin rakisë?... Eh, moj motër, sa vëra38 ka muri, aq halle ka burri!
****
Kur dola tek porta e madhe, një qen andej matanë, u pre, u pre, gam e gam. Kushedi çfarë xudhira39 bëhen natën. Këto punët e natës, si historitë e plakës! Janë dy monoqitarë40 që i vinë vërdallë një beronje drënjë41, asaj të Spanojëve, dumkë është e uruara; ai mustaqemiu, syunjuri i Lekae dhe një shebek i Gjinae, që e merr era kur ecën udhës. Kështu duket si një gjytyrum, sa e heq udha, por i ka të thella, moj korbë. Thëngjill i mbuluar, thuaj. Pale, ka dhe dorë thonë, që mos harriftë. Se ka shpuar dot akoma ajo cullupjetra42 kaktharë43 e mustaqemiut se e bën mos ta lajë as lumë, as përrua. Është një uthullirë ajo që mos i mbiftë në derë as hasmit. Po dhe ajo dumbaqidha e Spanojëve, si buçe e stanit të Pilos kur ka trivazin44. Eh, ç’të thotë i ziu njeri. Keq me burrë, e keq pa burrë, keq dhe pa martuar kurrë.....
****
Papo, s’na linte rehat dhe Zebi jonë, na shurdhoi duke gamalitur majë ovorojeve45, i rovolisi46 bazamakët,47 i hodhi në shesh. Kalonte në udhë maçe e Linae, një maçe zabërhane, motake që gjezdis tërë fshatin, derë më derë. Nuk duhej të sorollatesha e të mbodhisesha akoma. Duhej të veja edhe nga bostani, kishim radhën e ujit e duhej qastruar,48 si dhe të bëja ndonjë punë. Të mblidhja zarzavatet; lovidhet, domatet, manxanet49, bamjet dhe piperkat. Kishim mbjellë goxha, një spore50. Rrëmbeva një fortotirë51 nga stava e druve se nuk i dihej natës. U nisa. Të vjetrit thoshin: “Borxhi me të dhënë dhe udha me të ecur”.
** * *
Tani nuk pipëtinte gjë, vetëm kënga e cinxurve52 të natës mbytur aty- këtu dhe ndonjë kacamanë53 e vetmuar që vij rrotull si e trullosur. Kishte papsur ajo zallamahi54 e qenëve. Filluan të këndojnë kokoshët. Mavrickori55 ynë këndonte sikur e kishin zënë në grykë, si i shapllamosur56. Kur të kërrejë zogjtë klloçka, do mbaj një tjetër, që të më kendoje si peik57. Tek Gjonatja58 rruga mirrte tatëpjetën. Dita po qasej, nisi të zbardhëllojë Nemërçka. Sa kaluam Shkallëzën59, rruga vinte shul. Gjosës ju shpleksën këmbët. Shquajta Zebin nëpër cfaka, vraponte nën rrugë e mbi rrugë ditpreri, ngrinte këmbën e pasme e përmirrte çullukanët60 që kishte ngritur bekshiu i fshatit. Na kishte marrë pas. Tani po gëzonte, fluturonte nxiraku me bojë, që do ta mirrja me vete. Filloi të më tiliksesh61 nëpër këmbët e mia e të Gjosës. Papo hidhej përdridhej nga gëzimi.
- Ikë mor ditëprerë, ik mor ditëshkurtër62, s’të mora gjë për të ngrënë, ç’do çemerosësh63 sot?! Mos i këpuste dhe ndonjë vickë të mirë Gjosa e ta linte top në vend. Pale po të më spodhiste64 dhe Gjosën. Perëndia na ruajtë!
****
Dukej një mjegull e hollë mbi Vathëz65, atje sipër në mal. Nga qindia66 do të kemi shi. Isha jelekçe67, nuk kisha marrë asgjë me vete. Po të më zinte shiu udhës do më bënte si pulë e lagur. “Shiu i beharit si vrapi gomarit”, thuhet. Në behar shiu bie tropar-troparë68 e limere-limere, me hatëre.. Tani dëgjohej vetëm murmurima e ëmbël e lumit poshtë nga Vreshtast69 e Virozitë70.
Sa kalova Dhoqimet. Vallaha këtu thonë se është varrosur një nuse me këtë emër, Dhoqinë, ajo qoftë ,. Aty është dhe një shpellë e madhe që quhet “Shpella e Nuses”. Nga maja e kësaj shpelle thonë se është vërvitur në hon një nuse. Pse vallë e bëri këtë gjëmë leshprera? Pse e bëri këtë kuture71 mavrickorja!? Thuhet se i prenë rrugën turqit. Këtu vëndit i thonë dhe “Varri i Nuses”. Mos e kanë varrosur këtu? Mos e kishte dhe emërin Dhoqinë leshprera!? Asnjeri s’di t’i shkoqiti këto xudhi72 në fshat. Edhe Babua73 i Sinanate që vjati 110 buksh, nuk mbante mend gjë. Rojnë shumë ata si fis. Edhe Dadia e kaloi qindëlën. Përpara kisha Gurin e Kordhës. Thonë se një kurbetlli e fshehu kordhën në këtë gur të madh dhe e gjeti pas ca vjetësh kur u erdhi nga kurbeti. Histori të vëndit këto, molloira nga të plakës...
****
Dielli kishte xërmuar në Lugje74 dhe Vigla75, për një darkike76 pllakoste edhe në fshat. Ai duhet të jetë bërë çoj tani. Sot do mirrte mjaltë nga bletët me gribure77. Do t’u hiqte mbolazmat78 e të vinte të tjera. Duhesh të shtrydhte dhe pitet. E kishte bërë si tabiat që të bënte qull me mjaltë, me të larat e enëve. U jepte gjithë mëhallës, e kam ovarda79 për ashtu, s'ka një të dytë ne fshat. E kishte vështirë sa të zihej në punë, pastaj punonte gjithë ditën, pa e ngritur kokën, si Ruhua, si bujku i Haskos. Do shkonte ta ndihmonte edhe kunati, Zoti i Zafiraj.
Çap këtu e çap atje, u sosa te konizma afër mullirit. Sot është ditë e mirë, e krëmte. Kisha marrë një qiri në xhep të futës për ta ndezur, për gjithë të dashurit e zemrës time që tani hanë baltë. Lashë dhe ca të holla te kamarja. Fillova të falem siç falej mëma ime para konizmës në shtëpi, kur do binte për gjumë, duke bërë kryqin e duke mërmëritur nëpër dhëmbë:
O ju të vdekur, dhe ju o të gjallë,
Mëndjen në kokë, sytë në ballë!
E thashë këtë tri herë dhe vazhdova rrugën. Ai, atje lart, i shikon e i dëgjon të tëra, motro.
Udha tani morri tatëpjetë. U rukullisa80 me gjithë mushkë e u sosëm te pragu i derës së mullirit. Millonai, një curcul81 i gjatë, doli te dera. Dukej që qe larë se i vetëtinte faqja. Ama rrobat i kishte bitum82miell, sa të bëje një pepek83. Flokët i kishte të lagura e të krehura, sikur ia kish lëpirë lopa.
- E moj Kiçël84 e Papalondae erdhe, - si u gdhive.
- Mirë, faleminderit! Zotrote85?
- Shyqyr! Si është Kiçua?
- Mirë, mirë e kam. Kam prurë ca grurë, po do ma bluash ëndë86, dua të bëj një dhiplë87 të mirë e një katma88 për sebep.
- Ç’ka bërë vaki moj Kiçël!?
- Jemi shtuar me djem, se ke marre vesh.? Gjikajt..!
- Mos e kij merak, gëzime të kemi. Sa të rrojmë këto të gëzojmë.
Harrova t'u them se është një murdar89 ky, ... i vështron gratë e botës mu në kokërdhokë90 të syrit, pale edhe nga këmbët. Të afrohet mu në frymë, po nuk bën zarare, është dobro.91 Nuk është ogërsuz92 si ca e ca, po i bejendisur93, qejfpaprishur, po edhe punëbitisur. Ama atë ilet e ka që e ka. Është rritur kanakar, por jetim binadali, me halle. Babai e la në djep dhe iku në filifistun94, prapa diellit, në Argjentinë e se mundën95 kurrë shoishoqin. Lekëla96 mavria e rriti me mundime duke e marrë galigaç97 nëpër ara, se skish ku ta linte. Kur ishte i vogël zgorriste98 gjithë dynjanë, vërë e guxhuvërë, nuk linte dy gurrë bashkë. Tani ia ka mbledhur ajo zebulja99 rupi supi. Është bërë manar.
U qas të më ndihmonte të shkarkonim tok mushkën. Kur po shkarkoja grurin, cepi i thesit zuri fustanin, e ngriti lart dhe mu zbuluan çapokët. Moj korbë ai atje sytë, sa një çanak. Pika që s’të bie, more binadalë, te unë gjete të kullosësh sytë?! Nga inati e ngrita fustanin më lart. “Shih me sy e plas me zemër”, thashë me veten time. Atij i ra thesi me kallamboq nga dora. Nuk e kishte për pesë fare. Ngriti thesin dhe u fut në mulli për ta zigjasur. Papo100, mullirin brënda e kishte fshirë e pastruar, e kish bërë digan. Kur po zigjaste e shtronte bishtin e zigjit, fap i futi gjurin e këmbës thesit, për të marrë ndonjë qillo101 grurë. Sa i dinte ajo kokë, moj mavri. Gjithmon këraba tërheq nga vetia.
- Hej, këmba, i thashë. Ai duke qeshur tha,
- Kërkon dhe ajo hisenë e saj.
- Po jo me të dia, dhe dora dhe këmba, mos ma tremeqis102! Unë do ta lë navllon103. Ai e vaiste rëndë dorën në zigjasje. E kuptova që e shkela pak dhe atij s’i erdhi fare mirë, nuk i pëlqeu ky muhabet, por edhe unë e pipa104 Në të ikur me tha:
- Nesër mbrëmane e ke gati, ka radhë. Ka pllakosur i tërë Pogoni se nuk punon mulliri i Skoresë.
- Mirë, vetëm ma bluaj ëndë, - i thashë prapë duke u ikur.
Kur po mirja mushkën më ra çallakopi dhe ma thanatosi105 patunën106 e këmbës, i shituri.. Mezi ecja, ngëc e ngëc.107 Miellin më mirë e marr neser, se sot kisha shumë zarzavate dhe do furosej108 mushka deri në vesh. Na i dilte ndonjë murdallëk109 larg qoftë, si gomarit të Zekae nga gurët e rëndë që i kishin ngarkuar kur bënë kaliven110 e zairesë së bagëtisë.
Këtu del shumë ujë, është mëma e ujit. Kanë bërë edhe dërstilë e mandan111 për të larë dhe ergasur112 rrobat e leshta. Vinë që nga guri me vërë, nega ano anës, edhe nga Permeti, e Leskoviku. Njerëzit që prisnin ishin shpërndarë nëpër hije tajfa-tajfa113. U afrova tek tajfa e fshatit Hllomo. Njëra nuse që po maçalisej114, kur pa që po qasesha më foli:
- Ella, ella dho (Eja, eja këtu).
- Thelis llahanopita - dhe ma vuri në dorë. Shpuzë ishte, dukej si nje çojkë115 .
- Jo, nuk ha këtë raman116, - i thashë. E kish bërë me lakra. Ne i themi laropitë. E mora se kishte sy, por dhe më vinte zor se dukej sikur s’e begenisja, si qibare e buzëlarë. E kishte bërë të ligdhosur. Më kënaqi. “Ligdha ha dhe mandallin e derës”, më thoshte gjithmone cicja117 ime kur nikoqiriste. Joshën dhe Jakën118 e kisha akçesha; i mirrnin në fshat të gatuante për sebepe. Shoqja e kësaj nuses, ngjitur, po bënte një fanellë leshi. Dukej shumë model i bukur. U qasa dhe e pyeta. Mbase dinte pak shqip - Për kë e bën këtë, moj natë, shumë e bukur? - i thashë.
- Ja to andra, – më tha.
- Pika, ku e njoh unë Andrenë që më thua, moj mavrickore!
- Ojhi Andrea, Ja to burri, - më tha përsëri duke vënë buzën në gaz. E kuptoi leshprera ... Unë jam damblla fare, nuk di asnjë fjalë greqisht. Papo, ishte e pastër kërcë, si koliste qimja. U ula pranë saj.
- Ine fanella? - më tha.
- Oh, dua dhe unë një fanellë për djalin t’i mbledhë krahët për dimër, - mërmërita si me veten time.
- Thelis na to mathis?
- Po, dua ta mësoj, doemos, - iu përgjigja. Nxori një citë nga trasta dhe filloj të hidhte thiletë.
- Prota na valloma ena. (Të parën e vëmë një)
- Tora tha vallome dhio. “Tani të vëmë dy”, përsërita unë duke mos i shqitur sytë, për të bindur veten time që e kisha kuptuar.
- Tora tha vallome pende (Tani të vëmë pesë)
- Pale tha vallome tria (Prapë do vëmë tre”, e vazhdoi sa e mbushi citën me thile.
- Si ta mbaj mend, korba unë, nuk kam një kartëshore119 apo një kartë t’i shkruaj këto që më mëson kjo, hola me vete.
- Na, parto, parto... më tha duke më dhënë citën me thile sikur e kuptoi se ç’mejtoja unë, leshprera.
- Efharisto, - i thashë dhe ngalasëm120 shoshoqen.
Vjasesha121, u mbodhisa shumë për në arë. Dielli kishte vatur dy hosten, për një çikë fillonte xhuxhulla. Duhej të çalltisja. 122
****
Në Kruapeço123 kishin mbledhur grate e vajzat e fshatrave, u bënin zbor ushtarak atyre harcave. Çjanë këto çudira që kanë çpikur tani? Ishte Vasua i Kurtiqe me Tanën e Lenae. I kishin vënë në rresht gratë e vajzat e botës dhe u bërtisinin me të madhe:
- Barkas.... me zvarritja...në shenjë... zjarr..
Dolla në krye të tyre, vura duart ne mes dhe vështroja.
- Ç’kemi Kakodhoqinë, bluajte?- u hodh e tha Vasua nga fshati ynë.
- Mirë more, po ju çbëni këtu, këtyre harcave?
- Përgatitemi, të mbrojmë Atdheun nga armiqtë.
- Pika më raftë mua, ju do t’a mbroni Atdheun me këto çupëlina! Ukorba unë! Si su vjen turp more, turp të kini që qiliseni 124 tërë ditën e perëndisë me gratë e vajzat e botës dhe me ato me bark në buzë, pale.
- Pika që su bie, dëgjove? Dëgjova thuaj! Po ka mbetur Atdheu ta mbroni ju me këto vajzurina na morri lumi të tërëve, dhe u nisa ....
U mejtova pak. Korba, mos më bëjnë kulake e u bëjnë ndonjë gjë fëmijeve. O Perëndi!... bëra kryqin! U bëra pishman e u ktheva përsëri dhe u thashë më fort akoma të dëgjonin të gjithë:
- Atdheun e mbron ai trim i trimave atje në Tiranë, me shokët e tij, pa po të jetë për ju ... gorica pikla125 nga të shullërit!! Dhe u nisa për në arë....
****
Arën e kishim ngjitur me Dedaj. Jemi gjiri, ishim bërë edhe sëmbër. Tokat i punonim bashkë, Lariku126 jonë dhe Koqini127 i ture, bënin një pendë qe orta. Nuk pashë njeri nga Dedajt sot në arë, xhanxhi njeri. Domatet, lovidhet, piperkat e bamjet ishin furosur, të mbushje kasonat.128 Në krye te arës u duk roja i ujit si një xhebrail129. Ishte një popoc130 që s’ta mbushte syrin, nga të Zekae. Një çapaçul, si kokosh nerohiti, por një skuth i keq, duhet të kishe mëndjen e të ruheshe nga ai. Mëma e tij Spirëla131, një shollokume132 ishte, shap e shap nëpër fshat.Edhe babane një shapendol133 e kishte. Vjet ishte çoban i bravareve të fshatit milte dhitë e botës Prapashtegut134 e mbushte paguret me qumësht e i shpinte në shtëpi, prandaj e lypsën.
- Kako Dhoqinë, mirëdita. Ujin vetëm tri orë e keni sot, - më tha.
- Pse e bëtë kështu gurgule këtë punë. Kam edhe kallamboqin, nuk më arrijnë tre orë. Korba do me thahet fare. Brogërima135 janë këto, thahen me hënëz.
- Kështu vendosi fshati. Nis radha e re sot. Duhet ti rish ujit te koka. Jo ta qastrosh e të ikësh.
Më ipi një inat dhe murmurisja me vete: Ik, mor bizdule, ik more bragjo, kur mbeti fshati në dorën tënde, në daç pirdhe, në daç fënde. Pse nuk bëri Spirëla nje kucur, të ngrohesh gjithë dimrin, po beri ty. Një mut të kish bërë që ta hanin pulat.... U bëfsh daulle, u bëfsh ...Korba, mos më dëgjonte e ma priste fare ujin, e kush mirrej me të? Është pak çallëk136 thonë .
****
Kur në fumd të arës mbiu dhe nipi me angjistërin137 e pishqëve në dorë. - Po ti, mor bir, nga mbive këtu!?
- Ishim me shokët nga lumi dhe u ktheva se e dija që sot do vije në arë.
- Do jesh pa ngrënë, korba unë?
- Më ka grirë uria.
- Hajde, jeto138, ulu këtu Kam vezë, qullopitë me dhallë, merr dhe domate, po deshe.
U lëshua si i limaksur139, si mëma e diellit qullopitës e kokovesë.. Kur mbaroi së ngrëni, më tha:
- Të mdihmoj dhe unë. Çfarë të bëj ndonjë punë?
- Jo, jeto ik ti me shokët, po deshe. S’kam ndonjë punë tani. Agjistrin lere se e merr Gjosa.
Rrëmbeva mushkën nga kapistra dhe u nisa për në shtëpi.
- Ja, kjo qe dita ime sot, e gjatë sa një mal. Mbase harrova ndonjë gjë. Mëndja sa një kokërr grurë është, edhe harrojmë tani. Të shohim çfarë na ka gatuar Ai, ditëziu me bletët.
Fund
FJALORTH
[1] Mollois – Rrëfej, tregoj. Greqisht Ομολογώ(Omollogo) origjina greqishte e vjetër. Mollois është formë e veçantë, ndoshta dhe në shqip vjen nga lashtësia, nga i njëjti burim.
[2] Protoparë – Për herë të parë
[3] Çuplinë - vajzë e vogël
[4] Miçël – grua e Miçes
[5] Mamur - i përgjumur që. smë kish dalë gjumi mirë akoma.
[6] U bëra çoj – Në këtë rrast u ngrita nga gjumi.
[7] Nerohit – Një vend në guzhinë ku derdhen ujrat e bardha jashtë.
[8] Mastrapa – enë e posaçme me bakër për të pirë ujë.
[9] Me vjas – me nxitim
[10] Katara – nje dru i gjatë që ja vendosin dyerve kur mbyllen. Eshte element sigurie përforcimi, për dyert që kanë daljen në oborr.
[11] Dámballa – e hapur plotësisht në të dy kanatet
[12] Bishkorë – në këtë rrast me përkedheli shumë e lëvizëshme, e sertë
[13] Kotare – Një vend i rrethuar zakonisht për një kafshë. Zakonisht përdoret për derrat.
[14] Kozare – Një kafshë që zgjedh kullotën më të mirë, përdoret edhe për njerëz.
[15] Llafuris - Ha me tama të madhe
[16] Qepengji- Nje vrime e hapur ne dysheme per te zbritur një kat më poshtë.
[17] Proto – së pari
[18] Vuvosa – i zura zërin, e bëra të mos dëgjohej
[19] Çole – leckë
[20] Orta – normale
[21] Qollopitë të grinjë – Një gatim me miell gruri në saç, me qull me miell gruri.
[22] Fllackë – Plloskë
[23] Thollo - Bimsë, nga fjala e thelle
[24] Boksha – Nje robë e bëre apostafat për të mbështjellë ushqime e bukën
[25] Heibe – Një lloj traste me dy anë
[26] Çallë - Nje vegel pak e harkuar për të prerë fera e driza, shkure, dru të holla.
[27] Kalistir – Shatë e vogel, për të prashitur.
[28] Çallakop – Si çalla por me bisht të gjatë druri për të prerë fera.
[29] Vicka – Mbushur majë më majë, dëngëza, plotësisht.
[30] Kolindër – Arra të njoma, porsa të kanë zënë.thelbinjtë.
[31] Pisus – një kuti ku mbahet kafeja dhe sheqeri
[32] Magjirjo – kuzhina ku gatuhet,
[33] Zarë – Sheqer
[34] Prokë - pirun
[35] Bafone- një sahan alumini
[36] Dunup – i trullosur
[37] Qindi – mbasite e vonë
[38] Vërë – vrimë
[39] Xudhi – Punëra jo të mira, bëhen fshehtas
[40] Monoqitarë – që bejnë punëra fshehtas për interest e tyre
[41] Drënjë – me shtat të lidhur e bëshme, e kolme
[42] Cullupjeter – nje bimë qe te djeg gojën kur e ha
[43] Kaktharë – Qe eshte shume e dobet fizikisht.
[44] Trivaz – qe leviz shume, ne kete rast qe kane kohen e fekondimit.
[45] Ovorua – Mur i lartë me gurë rrethues i shtëpive
[46] Rovolis – I tundi nga vendi
[47] Bazamak - Rasë, pllakë, plloçe guri qe shtrohet oborri, hakatet ose u vihen mureve sipër, ose behen edhe breza me ta për të lidhur murin.
[48] Qastroj – Shpërndan ujin në arë per t’u ujitur vetë. Qastër: vendi nga mirret ujë
[49] Manxane - Patërxhane
[50] Spore – Nje pjese e ndare e arës me nje vijë të parmendës
[51] Fortotirë – Një shkop i fortë.
[52] Cinxur – I thonë gjinkallës
[53] Kacamanë – Xixëllonjë
[54] Zamallai – zhurmë e madhe, rëmuje
[55] Mavrickor – Thuhet për njé që vuan nga diçka. Nuk është i zoti vetes.
[56] Shaplama, shapllamosur – hiqet osh, i sëmurë
[57] Peik - I shkathët
[58] Gjonate – Toponim, emër i një are. Ara e Gjonajve.
[59] Shkallëz – Toponim, rruga ka ca si shkallë natyrale
[60] Çullukan – Vendosja e gurëve një mbi një si shenjë ndarëse ose për të treguar një kufi.
[61] Tiliks - Përdredh
[62] Ditshkurtër, ditprerë – Perdorur si me kanaqi, per te ardhur keq Dite shkurtër qe i ka ditet te shkurtëra ose të prera
[63] Çemeros- Ha diçka
[64] Spodhis- Pengon
[65] Vathëz- Toponim, mali duket në formën e nje vathe të bagëtive
[66] Qindi - Mbasdite
[67] Jelekçe – Jo i veshur me triko ose pallto, me jelek
[68] Tropar – Interval të shkurtër.
[69] Vreshtas apo Vreshtaz- Toponim. Vend me vreshta ose kanë qenë dikur
[70] Virozi – Toponim në lumë, vëra të zeza, të thella, nuk u duket fundi
[71] Kuture – Veprim i guximshëm i pa menduar mirë.
[72] Xudhi - Ngjarje jo të mira me guxim të tepruar
[73] Babo – Gjysh., plak i madh me nipër e mbesa.
[74] Lugje – Toponim. Vendi është i lugët.
[75] Vigla- Toponim, kanë formën e një vigu.
[76] Darkike – një çast, interval i shkurtër
[77] Bletët me gribure – Bletet primitive
[78] Mbolazmë = Në këtë rast një shtesë kuti që u vihet bletëve primitive për tu marrë mjaltim
[79] Ovarda- Dorëlëshuar, e kunderta e fjales i kursyer.
[80] Rrukullis – Një gur kur bie nga mali rrululliset.
[81] Curcul – Nje pjestar i skuadres së Llazarëve që ishte më i gjati.
[82] Bitum – Të mbushura shumë
[83] Pepek – Shapkat me miell misri. Bëhet me kungull ose lakra
[84] Kiçël – Zakonisht në Lunxhëri grave u flasin në emër të burrave të tyre. Grua e Kiços, Kiçël.
[85] Zotrote – Shkurt, Zotëria jote
[86] Ëndë – të bluarit e drithrave shumë hollë, për byrekë e ëmbelsira.
[87] Dhiplë – Lloj ëmbëlsire tradicjonale me petë
[88] Katma - Bakllava
[89] Murdar – Njeri i keq me të fshehta të këqia
[90] Kakërdhokë e syrit – Bebe e syrit
[91] Dobro – i mire e i urte, pa shejtanëzira
[92] Ogursuz – Njeri që sjell ose bën të këqia, si qesh surrati.
[93] Bejendis – të pranon ashtu si je, me te mira e te këqia, pa pretendime.
[94] Filifistun – Shumë larg
[95] Se mundën = këtu ka kuptimin: se pane kurrë njeri tjetrin
[96] Lekla- gruaja e Lekos
[97] Galigaç – Një mënyrë e mbajtjes në kurriz të fëmijëve
[98] Zgoris – i ngacmon te gjitha gjërat
[99] Zebule- e zeshkët
[100] Papo – Ndërsa.
[101] Qillo – Kilogram.
[102] Tremeqis - Shperdoroj
[103] Navllo – Në këtë rast paratë ose mielli që lihet për punën e bëre, bluarjen
[104] E pipa- E mbylla gojën, e kyça fare
[105] Thanatos- Me vrau këmbën shumë, dhëmb. Nuk është greqisht. Kur të vret dikush me një shkop thane, të thanatos këmbën apo dorën
[106] Patunën- Shputën e këmbës. Ndoshta greqisht
[107] Ngëc e ngëc – Çalë çalë
[108] Furosej – do ngakohej shumë, barë e madhe
[109] Murdallëk – Një sëmundje që çfaqet në kafshët e ngarkesës nga ngarkesa shumë të rënda.
[110] Kalive – Kasolle e kashtës, zairesë së bagëtisë për dimerim
[111] Mandan - një vend ku rrjedh uji me force e hidhen shajaku dhe velenxat të lahen
[112] Ergas- rrobat behen më të ngjeshura e te forta
[113] Tajfë, tajfa shumës – Grupe, grupe me përbërje të njëjtë
[114] Maçalis - Përtyp
[115] Çojkë – Çakalloze, e hedhur, e shkathtë
[116] Raman – Këtë çast
[117] Cice – Stergjyshja nga babai. Gruaja e gjyshit.
[118] Jakë – Nëna e joshës
[119] Kartëshore - Fletore
[120] Ngalas - Përqafoj
[121] Vjasesha- Nxitoja
[122] Çalltisja – Te hidhesha e të nxitoja shumë
[123] Kruapeço- Toponim, Kroi i Peços
[124] Qilis – Shtrij në tokë
[125] Gorica pikla- Ketu me kuptimin asgjë
[126] Lariku – Emër kau që është lara lara
[127] Koqin – Emer kau, është i kuq.
[128] Kasonë – Arkë e madhe me dru
[129] Xhebrail – Si nje xhandar që të ruan veprimet që bën.
[130] Popoc – Shkurtabiq.
[131] Spirëla – Gruaja e Spiros
[132] Shollokume – E veshur keq, nuk tregonte kujdes pé veshjen e saj.
[133] Shapendol – Që ecën shap e shup.
[134] Prapashteg – Toponim, prapa një shtegu të malit.
[135] Brogërima – Toka skeletike gëlqerore të varfëra ne humus.
[136]Çallëk – Me të meta mendore
[137] Angjistër - Shkopi ku vendosen grepat e peshkimit.
[138] Jeto – Me kanaqi, Jeta ime
[139] Limaksur- Grykës i madh, i pangopur