Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Tuesday, 18 July 2023

MANASTIRI I PROFETIT ILIA STEGOPUL, GJIROKASTËR, VITI 1624

 


nga: Andre LLUKANI 

Tiranë


Manastiri i profetit Ilia është në veri të fshatit Stegopul të Lunxhërisë. Ai ka pamjen e një kalaje. Të ardhurat vjetore të tij kanë qenë 100 lira. Nga ngrehinat e manastirit ka shpëtuar vetëm kisha. Ndërtesat e tjera janë të rrënuara. Kisha i është kushtuar profetit Ilia dhe kremton më 20 korrik. Manastiri është themeluar në shek. VI, me kontributin e J. Nami Dragos nga Saraqinishta. Në manastir hyhej nëpërmjet një porte të madhe. 

 

Kisha përbëhet nga naosi dhe narteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal dhe ka me përmasa 6,60x3,60 metra. Kisha është ndërtuar në vitin 1624 me kontributin e jeromonakëve Makarios dhe Joakim. Kjo vërtetohet nga një mbishkrim mbi portën e narteksit të kishës: 

 

+ Ούτος ό θείος καί πάνσεπτος ναός ύπάρχει τού άγίου ένδόξου προφήτου Ηλίου τού Θεσβίτου / άνηγέρθη κ(αί) οίκοδωμίθ(η) έκ βάθρων δια σήνδρομής κόπου τε κ(αί) έξόδου έν ίέρομονάχοις Μακαρίου / καί Ιωακείμ + Α Χ Κ Δ + (=1624) ετος μετά δέ είς τό Α Χ Ο Β (=1672) έτος εύτρεπίστη κ(αί) έκαλ(λ)ωπίστη ύπέρ τού τημηώτάτου / αρχωντος κύρ Γκούμα καί ό π(ατ)ήρ αύτου Κυργιάκη κ(αί) ή σημβήα αύτού αρχώντος δια ψυχηκην αύτού σωτυρί(αν) / κ(αί) ήγουμενεύων τού όσιωτάτου (Γρηγορίου ίερομονάχου Αρχιερατεύωντος) τού πανιερωτάτου Μητροπολίτου / κυρίου κύρι Καλλιννίκου τού πρ(ώην Ιωαννί(ν)ων καί α’υ) / ταδέλφων Διμιτρίου καί Γεωργίου. Εν μηνί Μαίου 14-1671). 

 

“Ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar është i profetit të lavdëruar, shën Ili Thesbiti, ngritur dhe ndërtuar prej themeli me kontributin, përpjekjen dhe shpenzimet e jeromonakëve, Makari dhe Joakimi-1624 viti. Më vonë, në vitin 1672 u stolis dhe u zbukurua nga arkondi i shumënderuar, zoti Guma dha ati i tij, Qiriaku dhe bashkëshortja e arkondit, për shpëtimin e shpirtit të tij dhe në kohën kur ishte igumen i shumënderuari jeromonak Grigori. Në kohën e të shumëhirshmit, ish-mitropolititi të Janinës, zotit Kalinikut dhe të vëllëzërve Dhimitrit dhe Gjergjit. Në muajin maj 14-1671”.


Një mbishkrim tjetër mbi portën e brendshme bën fjalë për pikturimin e kishës prej Kostandin Linotopit dhe nxënësit të tij, Nikollës. Kisha ka përfunduar së pikturuari më 19 qershor të vitit 1653. Mbi portën perëndimore brenda naosit të kishës është shkruar: 

 

+ Ανήστορήθη ο θείως νάως κ(αί) πάνσεπτος τού άγίου ενδωξου προφητου κ(αί) θεοπτου Ηλ’ιου του Θεσβήτου κώπου τε κ(αί) μόχθου κ(αί) σξόδου του ωσιωτάτου / Κύρ Ιώακείμ, κ(αί) ή σήν εμι αδελγοι Δανηήλ, Γρήγορίου, Κάλλιστου, τών / ίερωμοναχ(ων) κ(αί) εσι(ν)δρόμισαν εύγενεστάτ(ο)ι αρχοντες Κυρ Γεώ(ρ)γις τού Μ / άνη, Ιω(άννης) Δράγος έκ χορίο Σαρακήνιστα, κ(αί) ή (ι)στορηση δυα χηρος ε / μου Κωνσταντίνου ηυου Μιχαηλ έκ χόρας Λινοτωπίου κ(αί) μα / θητλης αύτου Νικολαου. Ετελ(ε0ιοθη έν μηνι ιουνίο - ΙΘ - / απο Χ(ριστο)ύ Α Ξ Ν Γ (=1653) – απο Αδαμ Ζ Ρ Ξ Α (1761=1653). 

 

“U pikturua ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i profetit të shenjtë të lavdëruar dhe perëndidashës, Ilia Thesbiti, me përpjekjet, mundimet dhe shpenzimet e të shumënderuarit, zotit Joakim dhe bashkë me mua vëllezërit, jeromonakët Danieli, Grigori, Kalisti. Kontribuan arkondët shumë fisnikë, zoti Gjergji i Nanit, Jan Dragoja nga katundi Saraqinishta dhe u pikturua me dorën time, të Kostandinit, birit të Mihalit nga katundi Linotopi dhe nxënësit të tij, Nikollës. Përfundoi në muajin qershor 19, prej Krishtit 1653, prej Adamit 7161”. 

 


Përmasat e jashtme të kishës janë 12.5x5 metra. Nga ana e jashtme kisha ka një formulim të veçantë arkitektonik. Muret janë të suvatuara nga jashtë. Trajtimi i tyre zbukurimor është realizuar me daljen e apsidave me nike të ngushta dhe të larta, duke krijuar përshtypjen e harkadave të rrafshëta. Mbi niket kalon një shirit i gjerë e i rrafshët, që përmban një mbishkrim me shkronja të mëdha. Gjithë vëllimi i kishës mbyllet me kornizën prej guri nën çati. Naosi i jep kishës formën e kryqit triapsidal. Mbi katër shtyllat e sallës qendrore ngrihet qemeri, mbi të cilin mbështetet tamburi mbi kupolë. Tamburi është i zbukuruar me motive dekorative. Në kishë ka pasur objekte me vlerë, si libra liturgjikë kishtarë, ikona etj. 

 

Disa ikona nga kjo kishë janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë. Në fondet e Muzeut gjenden edhe mjaft ikona të vogla, të cilat kanë qenë në pjesën e sipërme të ikonostasit. Në një mbishkrim që gjendet në Ungjillin e Kishës së profetit Ilia lexojmë: Διονυσίου τού Κατηλιανού. Α φ ν δ (=1554). “I Dhionis Katilianit 1554”. Manastiri i profetit Ilia në Stegopul të Lunxhërisë është shpallur monument kulture në vitin 1963.

 

No comments:

Post a Comment