nga: Andre LLUKANI
Tiranë
Kisha e Shën e Premtes gjendet në anën veriore të Selckës. Ajo ka përmasa 15x8.5 m. Është ndërtuar në vitin 1755. Kjo datë gjendet e gdhendur mbi portën jugore të kishës. Në vendin ku është ndërtuar kisha, më parë ka qenë një konizmë me ikonën e Shën e Premtes, të cilën e kishin sjellë nga manastiri i Pepelit. Në një pllakë guri është gdhendur viti 1759. Kisha është e tipit bazilikë, me hajat në anën jugore. Mbi hyrjen jugore të kishës ngrihet kambaneria. Kisha përbëhet nga tri kube qendrore dhe dy kube të vogla nëpër qoshe. Altari ndahet nga pjesa tjetër e kishës me anën e një ikonostasi prej druri të gdhendur. Mbi të është skalitur një shqiponjë dykrenore dhe më lart, Krishti me lugën e kungimit. Gdhendjet e tjera në ikonostas janë shpendë, dragonj, lule etj.
Ikonostasi i kishës së Shën e Premtes, ka këto përmasa: gjatësinë 600 cm dhe lartësinë 400 cm së bashku me kryqin (kryqi 200 x 140 cm). Ikonostasi është realizuar në dru arre dhe është i praruar dhe polikromuar. Ikonostasi përbëhet nga tre breza. Ai është i praruar jo plotësisht. Mjeshtrat kanë lënë pjesët e poshtme të ikonostasit me ngjyrë arre të errët; duke praruar disa dekoracione, ndërsa në pjesën e sipërme ikonostasi është lyer me ngjyrë gri, duke filluar tek harqet mbi ikonat despotike, por përsëri disa dekoracione kryesore janë praruar ose lyer me ngjyrë vishnje. Ikonostasi përbëhet nga tri dyer: Dera e Bukur në qendër dhe Dera e Veriut në anën veriore dhe Dera e Jugut në anën jugore. Dera e Bukur përbëhet nga tetë skena të piktururara në pjesën e poshtme të saj.
Autori i pikturimit të Derës së Bukur është anonim. Sipër Dera e Bukur ka formë të lehtë konike me gdhendje që paraqesin dekoracione floreale dhe zoomorfe. Sipër ajo ka të gdhendur një shqiponjë. Gjatë gjithë ikonostasit, sipër ikonave despotike; mjeshtrat kanë gdhendur një brez horizontal me trëndafilë të grupuar simetrikisht tre e nga tre dhe të kornizuar me një ndarje vertikale pas çdo grupi prej tre trëndafilash. Sfondi pas tyre është me ngjyrë vishnje, ndërsa dy trëndafilat anash janë me ngjyrë gri. Trëndafili i mesit ka ngjyrë vishnje më të çelur. Po me ngjyrë gri janë edhe ndarëset vertikale të çdo grupi prej tre tëndafilash. Vetëm dekoracioni sipër Derës së Bukur është plotësisht i praruar. Mbi këtë brez horizontal është gdhendur një brez tjetër i barabartë si gjerësi me dekoracione të harlisuara të lyera me ngjyrë gri dhe në disa vende edhe i praruar. Kryqi mbi ikonostas është i zbukuruar me një kornizë të gdhendur. Në kulmet e tij dalin dekoracione floreale me gjethe akanthi.
Mbi mbulesën prej argjendi të ikonës së Shën e Premtes është shkruar: Η παρουσα ηκονα τις αγιας μεγαλομαρτυρος Παρασκεβης απο χωριον Σελτζης ηπαρχια Δρινουπολεος Αργιροκαστρου. Δια σηνδρομής επιτροπος Κηρ Βασιλι Γγηκα 1832, ηουληου 10. "Kjo ikonë e dëshmores së madhen Shën e Premte është e katundit Selckë, eparkia e Drinopojës, Gjirokastër dhe është bërë me kontributin e epitropit, Zotit Vasil Gjika, 1823, korrik 10". Ikona e Shën Kostandinit dhe Elenës daton në vitin 1800, ndërsa mbi ikonën e Burimit Jetëdhënës është mbishkrimi: "Lutje e shërbëtorit të Perëndisë, Vasil Papa Leontiu, 1832". Sipas Dhimitër Bedulit froni episkopal dhe amvoni i kishës janë skalitur më vonë. Kisha e Shën e Premtes është shpallur monument kulture në vitin 1970. Disa ikona nga kjo kishë janë në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë.
No comments:
Post a Comment