Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Saturday, 10 June 2023

PEISAZHET E BRAKTISURA TE KOHES SE JENIÇERËVE

                                                                          Meditim

nga Dr. Selman MËZIU

Firence, Itali

Dielli silllte pranë nesh një ngrohtësi të bezdisshme. Pas atij rrebeshi e furtune që sapo kaloi këtu në Toskanë e Firence. Ndërsa po  shikoja disa   fotografi, papritmas me vijnë  të tilla nga peisazhet shkelqim bukurish të vendit ku u rrita e mora mësimet e para. Vështroja gjithëçka me mallëngjim miklues. Dhuratë befasuese e shpërthim emocionesh nga Lulëzim Ismail Hoxha.  Arkitekturë peisazhesh që fillojn atje ku prekin qiellin e zbresin ambëlsisht mbi kaltërsinë joshëse të shtratit të lumit Murra.

      Fjollat e reve cekin paksa majën trung koni të malit të Runjës.  Ato duken të kapardisura, të çardallosura në hapsirën blu të qiellit.  Duken si të zemruara. Por unë nuk jam poshtë tyre. Ndërsa ngrihet shpatull gjërë ciklopi  mali i Shmrajs (Emërtim marrë nga  kisha e Shejtores Mari sot gërmadha) e cila  ‘’pritet,, tërthorazi nga dy udhë, e Pellës dhe e Deve.  Dhe një tjetër për së gjati në ngjitje, nga livadhet e Veshe, Kodra e Kualve, shpella e Shejtores Mari dhe përfundon te kisha me të njëjtin emër. Gjelbërim i thellë dushkajash me njëtrajtshmëri  të përsosur  ku duken paksa shenja udhësh. Nga një gungë e këtij shpati, kodra e Kualve, zbres në kullën pothuajse shekullore të Ramadan Lekës. Ngritur hijerandë mbi shkamin buzë brigjeve të një përroi të thelle, emërtimi i të cilet është fshati Shqath, tanima i pa banor. Aty mungon vrulli rinor, shtatet e njoma, energjitë e reja. Koha e jeniçerëve i ka dëbuar nga trojet shumë shekullore. Fatkeqësisht kudo vajtojn shtëpi e troje në këto anë. Këndej diçka po shuhet si flaka e qiriut, qetësisht, sigurisht me shumë dhimbje.

    Flutroi i pezmatuar mbi pamjen e peisazhit të sapo fotografuar  duke u ndaluar te Kodra e Krashe. Plepi i butë, qënia e gjallë, përmendore piramidale që shpon qiellin.         Përqark e poshtë tij pemët e harlisura keqas, që përpiqen të mbulojn gërmadhat trishtuese të shtëpive te djemëve, nipava, mbesave të Adem Krashit. Përqark kanë mbetur vetëm toponimet e arave, livadheve, poreneve, me mbiemrin e tyre. Dëshmi e banorëve të dikurshëm, ndësa sot lotuese, tronditëse shpirtërore, brengosëse. Sigurisht kujtimet e fëminisë më verdallisen me dallgëzime tajfunesh, ato më lodhin e torturojn. Sigurisht i pafuqishëm t’i ndaloi.

      E sakaq ndalem te një plep i tharë i cili më gërvisht egërsueshëm kujtesën. I mbjellur nga i ndjeri babai im Tahiri, këtu e më shumë se gjysëm shekulli. Plepi truplart, ngjyrë dheu, degë e trup të mekura e shpurpurisura nga vdekja, për arsye moshe apo sëmundje. Nuk e di. I vdekur në kam thërret njeriun. Por korr vetëm heshtje. Pranë tij natyra ka mbjellur një lis që edhe po e rrit plotë shëndet. Kurora e tij bukuri rrallë, sikur i jep jetë peisazhit të mejes (ledhit) mbi vijën e ujit të lagjes Hoxhe. Natyra nuk e braktis jetën, ajo është vetë rregulluese, bujare e mjeshtre ndërtuese e arkitekturave të gjelbërta. E zhytur pothuajse në gjelbërim, çatia muret, dritaret të çngyrosura nga mëllefi i jeniçerëve politik. Heshtje. Mplakje nga trishtimi, braktisja, syrgjinosja. Heshtjen e thyejn vetëm cicërimat e zogjëve të shumtë. Dallëndyshet krahë lehta fluturojn përqark shtëpisë. Ato kërkojn  vend për të ndërtuar folenë e tyre, diku nën çati e muret e shtëpisë braktisur nga njeriu. Ndoshta ato ndjen aromën e tyre. Por edhe mund të mendojn kthimin e banorëve ndonje ditë, muaj apo stinë siç bëjnë ato vetë.   Prandaj ato të gëzuara e me plotë cicërima melodioze, fillojn të ndërtojn folenë me pështymën e tyre duke lagur baltën, barin copëra krandesh etj. Unë veç ndjej drithërima në trup e shpirti më helmohet. Edhe pse  jetojm në ditët e fundit te qërshorit, por…   

     Vështroi i përmallueshëm fotografinë e shtëpisë tonë lulet e kujtimeve hapin petlat e tyre si ato të mëngjezit nga rrezet e diellit.

Ishte mëngjez edhe ky i vitit 1968. Ora shënonte 04 e mëngjezit të muajit Korrik. Skoda u shkarkuar me çeremidet e frengut në kodrën e Bushenit. Ardhur udhës malore të makinave nga Burreli në Fushë Muhur duke udhëtuar gjithë natën. Shoferit i ishin skuqur sytë. Megjithatë ai duhesh të kthehesh sa ma shpejt nga kishte ardhur. Ato shkëlqnin, kuqëlonin, të pjekura në furrën e fabrikës së tjegullave në Vorë të Tiranës. Edhe pse po këtu, jo shumë larg në kohë, kishte furrë pjekje tjegullash, por të lugëta. Kishim mjeshtrin Avdi Mëziu, drutë e argjilën. Sot duken vetëm gropat e tjegulla të coptuara, aty këtu. Tani ato kur i shikoi nga fotografia janë të plakura, me myshqe e ndonjë e plasaritun apo e thyer qoshet. Në mëngjez babai  fanell grisur filloi t’i transportonte pranë shtëpisë pa çati, me mushkën tanima heroinë. Ato e mbrojtën familjen tonë nga të ftohti, pikat e shiut, flokët e borës e vapa përvëluese e gushtit. Tani ato mbrojn muret, tavanet me dhomat e suvatuara, mbushur me merimanga e pulla  të kuqe në tavane. Ndërsa minj nuk ka, se nuk ka drithëra në shtëpi, as fruta e perime të thara.  Gjithëçka e shpëfytyruar, mbështjellur me qënje të botës së egër. Fatkeqesisht.

      Muret veshur me llaç gëlqereje ku dallojm kokrizat e ranës marrë në shtratin e Murrës. Me njolla pothuajse të zeza si sy gadi të mbyllura nga lodhja, vuajtjet, koha e pa mëshirshme. Ajo gëlqere u prodhua nga gurët gëlqeror të shtratit të përrroit të Shqathit. Aty u thyen, u ngarkuan në samarin e mushkës paisur me dy dërrasa  lidhur me litar ne dy anët e tij. Me ato u ndërtua furra e gëlqeres. Drutë prodhuar e  marrë nga lisat e vjetër, zemër kalbur në shpatin verior të malit të Shmrajs. Diku posht e sipër udhës së Sekatorit ku shikoheshin sy kaltërta burimet në shkam të gjurrës së Dedë Laçit. Ujin e ftohtë e pinte mushka me endje kurse babai freskonte sytë e lante djesën. Pastaj udhëtonin sëbashku deri në Kodër të Mëzeze.  Tanima gjithë ajo pasuri, ngjizur me mundin, djersën e sakreficat e pa fundme, mban në kam kullën të lidhur gurët me qoshet. Mjerisht pa zëra vogëlushësh e muhabete dhomash pranë zjarrit bubulak. Kuptohet edhe këtu produkt e pasoj i vrerit helmues të kohës së jeniçerëve.  Ato i shtërnguan në fyt lakun e litarit të vuejtjeve e mjerimit. E ato ikën, e ikën diku për t’u shpëtuar këtyre.

    Peisazhit të kullës i dhuron bukuri joshëse, qoshet e shqemat e dyerve e të dritareve. Ato u zbuluan dhe u nxorën diku mbi udhën kambësore Kodra e Krashit - Shqath në Shpatin e Sukës së Leke. Ngjyra pothuajse e kuqe me damaret jeshil e blu  ende ruajn  pamje mrekulluese. U trasportuan në krahë me argjet (Shumë burra vullnetar që e ndihmonin njërin apo tjetrin në punë të vështira S.M). Ato ishin viganë nga trupi, me fuqi divash, me forcë e vullnet të hekurt, bujar e zemër gjan si pasuritë natyrore muhurake. Guri ‘’hante,, daltën kunje dhe të hollë, çekiçin me dhambëza. Përdoresh në ndërtimin e mjaft shpiave muhurake. Mjeshtri gurë skalitës, mixhë  Ganiu ishte mikelamxheloja i këtyre anëve. Ulur në një shtëllung fieri të njomë, punonte  ditë të tana me çekiç e daltat që i tokte (mprefte  vetë) ne farkën e shpikur nga ai. Punonte i përqëndruar e duar artë duke nxjerrun qindra qoshe e shqema dyersh e dritaresh si kallëpe sapuni. Shqiponja, pëllumbi në fluturim, viti 1968 dhe emri i shkrojtur i Ramadan Meziu, babai i tyre  mbështetur në dy degë ulliri, vepër që flet pë kohën e shkuar e të përlot sot.  Edhe pse  në heshtje, janë dëshmitë e kohës dhe e mjeshtrisë së gurë skalitësit. Nën shqemën e derës me themelet e shtëpisë me gjërsi një metër u fut vorba brenda me pasqyrën krahnin dhe kokën e qingjit. Tradite e lashte e muhurakëve. Ato mbajn shumë peshë të dobishme. Edhe pse koha e jeniçerëve i varros e përçmon idiotësisht.

        Banorët që ndërtonin, punonin tokën, prodhonin gjithëçka që u nevoiteshin nu duken. Një ditë apo mëngjez heret u ‘’arratisën,, duke lanun pas gjurmë peisazhesh të pa përsëritshme.  Gjithë çka ka ngrirë. Shkretim nga njeriu ka pushtuar dejet e jetës në fshatra. Ndersa natyra kjo arkitekte peisazhi natyror vazhdon punën e vetë pa u ndaluar. Ndërsa unë me fisin tim me bashkemoshatarët e mijë të fshatit pothuajse nuk jemi. Nuk i japim ngjyra, forma, gjallëri  njerëzore peisazheve. Ndërsa shpata e hidrocentralit Skavica ose Reçi  kërcënon gjithëçka mbi dhe, në këto anë. Janë jeniçerët politik të kohës që duan të varrosin pasuritë tona, trojet tona, djepin e jetës, aty ku u derdh çurg djersa, gjaku e energjia e pa matshme.

 

31.05.2023                                              Muhuraku S. Meziu

 




No comments:

Post a Comment