- Pak histori -
nga: Aliki Nasi
Prevezë, GREQI
Një koncept shumë i rëndësishëm dhe i shenjtë në të drejtën zakonore e cila konfirmohet në zbatimin praktik gjatë jetës shoqërore të arvanitasve dhe suliotëve, ishte besa, fjala e nderit, “εν πείση” tek arvanitasit.
Ky term identifikohet me fjalën homerike (πείσα-ης) peisa-is, që do të thotë bindje, lidhje e fjalës, marrëveshje dhe vendosmëri për të zbatuar ato që dakortësoheshin në kuvend. Ishte kënaqësi dhe lehtësim që rrjedh nga besimi. Kjo fjalë është derivate e foljes peithos (aor peisa). Gjendet në përdorim vetëm në dhanore, Ευπείθεια=bindje (en peisee-embese, bes-a).
(Shih Om. Odisea, r y, 23, "...to de mal' en peisi kradii mene tetliiia..." (dhe më në fund zemra u qetësua duke mbetur me durim në gjoks).
Ky term homerik lidhet edhe me fjalën arvanite “be” (be) baras me betim. Gjithashtu lidhet edhe me foljen “besoj” (beson), baras me bind. Beso dhe gjithnjë beso në kuptimin fetar, pasi fjala besë merr edhe këtë kuptim (besimi fetar, feja), si dhe besimi socio-politik, ideologjik, sipas Marko Boçarit.
(Shih edhe përdorimin përkatës të termit në Ministrinë e Arsim - Kulturës së Shqipërisë - Ministria e Arsimit dhe e Besimeve Fetare).
Me këtë fjalë lidhet edhe rrënja indoevropiane 'bheido' dhe fjala latine me të njëjtin kuptim 'fido', ndërsa në gjuhën shqipe është 'be' (betim) si dhe në kuptimin e saj fetar. Besa ishte një nga rregullat më themelore të ligjit moral të shoqërisë arvanite dhe suliote. Respektimi i saj ishte një shembull e model sjellje për të gjithë anëtarët e saj. Ajo lidhej me besueshmërinë, besimin, dinjitetin e burrave, ndershmërinë, krenarinë, respektin për veten dhe të tjerët kryesisht, por nuk përjashtonte pjestaret e saj femra. Kushdo që nuk e respektonte këtë kanun, merrte titullin përçmues “pabesi”, (pa+besë) baras i pabesë, njeri gënjeshtar, i pabesueshëm nga askush). Nëse merrje një cilësim të tillë, ishe i çmburrëruar, askush nuk të besonte më, kështu i dorëzoheshe përbuzjes absolute të anëtarëve të komunitetit.
Arvanitasit dhe Suliotët kur jepnin fjalën e nderit, besën e tyre, me këtë togfjalësh karakteristik “besa ya besë”, nuk e kthenin kurrë mbrapsht premtimin, ose fjalën e dhënë publikisht, sepse siç thoshin gjyshërit tanë, “llafin që dhashë, nuk e marr mbrapa" ( lafin ki' e dats, s’e mar prapa). Fjala e Suliotëve, besa e tyre, ishte e njohur edhe për arvanitasit myslimanë të Çamërisë, për shqiptarët dhe turqit, ndërsa Ali Pasha i besonte fjalës, besës dhe e kishte të shenjtë në praktikë. Premtuesi duhej të bënte të pamundurën për të mbajtur premtimet, për të cilat i besonin ata që e kishin dëgjuar dhe ishin dakord me të.
Ata ishin të bindur për vërtetësinë dhe besueshmërinë e fjalëve të tij. Dhe kjo, jo sepse ai ndiente frikën e ndëshkimit ligjor, pasi mungonin dokumentet dhe nënshkrimet, por për arsye të rregullit të ndërgjegjshëm dhe moral, duke respektuar fjalën e tij dhe rregullat e pashkruara të shoqërisë ku individi bënte pjesë. Të mos mbaje fjalën e dhënë, ishte turpi më i madh, nuk mund të bashkëjetoje më me komunitetin sepse kishe mbi shpinë përbuzjen dhe urrejtjen e tyre.
E ndërthurur me njohjen e saj brenda tërësisë shoqërore, besa e shoqëronte njeriun që nga momenti i moshës madhore (plus 18 vjec) e deri në vdekjen e tij. Arvanitasi dhe sulioti nuk duket të ishte mëndjemadh, por i respektuar dhe i përulur përpara të tjerëve me qëllim që të gëzonte besimin e kontakteve të tij shoqërore dhe nderin e reputacionin si individ dhe të familjes së tij.
Respekti dhe vlerësimi më i lartë i ndershmërisë së tij ishte shprehja e njohur “e mban fjalën”, “e ka në gjak besën”, “është i besës”, “besali”. Nëse ky virtyt shoqërohej me aftësi drejtuese dhe strategjike, nuk ishin të pakta rastet kur personi zgjidhej dhe vihej në krye, duke gëzuar edhe poste, përveç vlerësimit dhe njohjes së të gjithë anëtarëve si prijësi i farit.
Vendbanimet e fshatrave dhe ushtarakët e tyre zakonisht ishin rreth kështjellave ku përqendroheshin edhe forcat ushtarake. Për shkak se besa ishte fjalë e madhe dhe e bënte këtë vend të veçantë, arvanitët dhe suliotët kujdeseshin që të mos e jepnin pa menduar dhe lehtësisht fjalën, nuk përfshihen këtu gjera të parëndësishme, por çështje të rënda, si luftra, marrëveshje e transaksione mes banorëve të cilat kishin të bënin me të gjitha aspektet e jetës shoqërore, sidomos fatin e bashkësisë. Transaksionet e përditshme, si angazhimi i përgjegjshëm para kontratës, blerja dhe shitja e thjeshtë, por edhe aktivitetet më komplekse, si operacionet ushtarake, armëpushimi i konflikteve të luftës, shitja e arave, madje edhe transferimet e trashëgimisë nga babai te djali, vuloseshin me garancinë unike të fjalës së nderit; besa-besë.
Në shoqëritë arvanite kaq mjaftonte, dokumentet dhe firmat rezultonin të panevojshme, pasi mjaftonte fjala-besa dhe shtrëngimi miqësor i duarve midis palëve. I gjithë procesi ndiqte një ritual, si të thuash ishin dy palët, individë apo grupe të cilët takoheshin në një pikë të dakorduar paraprakisht, si p.sh. qendra e vendbanimt të njerës prej tyre, apo në një hapësirë neutrale me emër e me shenjë të veçantë si lis apo rrap i moçën, majë kodre, burim uji, etj.
Ajo që pasonte ishte diskutimi dhe përpjekja e sinqertë për të bindur njeri-tjetrin dhe më në fund për të arritur marrëveshjen, në një atmosferë me besim reciprok. Përfundimi i sukseshëm ishte lehtësim dhe kënaqësi për të dyja palët. Çdo marrëveshje me bazë unike në besën mes dy palëve lidhej me gjestin e shtrëngimit të duarve – tokës arvanitase dhe puthjes së trefishtë: puthjes së kryqit, ndërsa shumë herë mbyllja e marrëveshjes bëhej me gosti dhe këngë e valle, sidomos kur marrëveshja përfshinte një fejesë, krushqi, apo martesë midis krerëve të familjeve ku caktohej edhe shuma e detyrimit, të drejtës zakonore, prikës, etj.
Me kalimin kohës u dobësua respektimi i parimeve dhe idealeve, ndërsa virtytet i ndeshim rallë, besa e të parëve tanë sapo vete e zhduket, kontratat morale që pashkruam për arvanitasit u zëvendësuan me marrëveshje e kontrata të tjera, avokatë dhe noterë...
Aliki Nasi
Filologe dhe shkrimtare
ALIKI NASSI
Nassi Frederiki-Aliki ka lindur në Kastri të Prefekturës së Prevezës. Ajo është filologe dhe shkrimtare, ish-drejtoreshë e shkollës së mesme Thesprotiko të Bashkisë Ziros. Ka qenë anëtar i Komitetit Shkollor të Komunës, anëtar i Komisionit Arsimor dhe anëtar zëvendësues i PSSHP-së së Prevezës. Etj.
E përktheu " Bota bujqësore"
No comments:
Post a Comment