Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Saturday, 6 August 2022

NË MULLI

Kako Dhoqina na rrëfen


 nga: Koço MOSKO
Boston, MA- SHBA


U ngrita që menatë, pa feksur akoma. Duhej të ormisesha për në mulli. Ai, si në ato jetë, gërhiste apo nuk gërhiste. U afrova tek muslluku dhe hodha dy grushta me ujë në surrat, të më hapeshin sytë. Rrëmbeva mushkën nga katoi, e nxora në hajat. Hoqa kataranë dhe e hapa derën e hajatit damballa. Lopa, bishtkora, kishte dalë nga vendi i saj. Mirë që s’ma çpoi me bri mushkën, Gjosën. Kozaren, nuk e kisha grazhduar.  I vura kapistrën dhe samarin, shtërngova fort palldëmin të mos më vaisej barra andej këndej udhës dhe ngarkova bereqetin. Në anë të mëngjër, kallamboqin dhe nga ana tjatër, grurin. 

 

           Kisha bërë qollopitë të grinjë, mbusha dy pagure me dhallë, dhe fllackën me ujë në thollo, buz të ftohtë. Kisha zier dhe dy kokove. “Është një ditë e tërë e do jetë xhuxhulla sot, do piqet buka në diell”, thashë me mënde.  Trastën e vura në kaptellin e parmë të samarit e i shkova tërkuzën rreth. Fllackën e vara te kaptelli i pasmë. Mora edhe sakavicën, çallën e kalistirin se më duheshin për në arë.

 

           U më raftë pika pisusin e kafesë e kisha lënë tek pezuli i portës, moj korbë! I dhashë nja di lugë kafe dje ndaj darke zonjës së Priftaj se i qe sosur mavrisë. E shpura lart, e vura, në sergjenin e magjirjosë. Ngrihesh Ai e nuk e gjënte në vënd e marrosej, më marroste dhe mua, do më hiqte tepelekun e kokës.  Nuk u bë i gjallë akoma. Kishte rënë si i dambllosur për gjumë. Ishte bërë dunup nga rakia që kish pirë dje në qindi me atë turitharin e Kodashae. Kush ia pa hairin rakisë?... Eh, sa vëra ka muri aq halle ka burri! 

 

Kur dola tek porta e madhe, moj motër, një qen andej, u pre, u pre, gam e gam. Kushedi çfarë xudhira bëhen natën. Këto punët e natës, si historitë e plakës! Janë dy monoqitarë që i vijnë vërdallë një beronje atje, ama drënjë është. Ai mustaqemiu, syunjuri i Lekae dhe një shebek i Gjinae që e merr era kur ecën udhës. Kështu duket si një gjuturum, sa e heq udha, por i ka të thella, moj korbë. Thëngjill i mbuluar. Pale, ka dhe dorë thonë. Se ka çpuar dot akoma ajo cullupjetra kaktharë e mustaqemiut se e bën mos ta lajë as lumë, as përrua. Ështe një uthullirë ajo që mos i mbiftë në derë as hasmit. Po dhe ajo, si buçe e Pilos kur ka trivazin. Eh, ç’të thotë i ziu njeri. Keq me burrë e keq pa burrë, keq pa martuar kurrë. 

 

           Papo, s’na linte rehat dhe Zebi jonë, na shurdhoi duke gamalitur majë ovorojeve, i hodhi bazamakët e ovoroit në shesh. Kalonte në udhë maçe e Linae, një maçe zabërhane, motake që gjezdis tërë fshatin, derë më derë. Nuk duhej të mbodhisesha akoma. Duhej të veja edhe nga ara për të qastruar ujin, të bëja nonjë punë dhe të mblidhja zarzavatet; lovidhet, domatet, manxanet, bamjet dhe piperkat. Kishim mbjellë një spore. 
Rrëmbeva një fortotirë nga stiva e druve, nuk i dihej natës.
Të vjetri thoshnin: “Borxhi me të dhënë dhe udha me të ecur”

 

****

Tani nuk pipëtinte gjë, vetëm kënga e cinxurve të natës mbytur aty-këtu.  Kishte mbaruar ajo zamallai e qenëve.   Filluan të këndojnë kokoshët. Mavrickori ynë këndonte sikur e kishin zënë në grykë, si i shapllamosur. Kur të kërejë zogjtë klloçka do mbaj një tjetër. Tek Ara e Gjonate rruga mirrte tatëpjetën. Dita po qasej, nisi të zbardhëllojë Nemërçka. Sa kaluam Shkallëzën, rruga vinte shul. Gjosës ju shpleksën këmbët.  Shquajta zebin nëpër cfaka, vraponte nën rrugë e mbi rrugë, ngrinte këmbën e prapme e përmirte çullukanët që kishte ngritur bekshiu i fshatit. Na kish ndjekur nga pas. Tani po gëzonte, fluturonte nxiraku që do ta mirrja me vete. Filloi të më tiliksesh nëpër këmbët e mia e të Gjosës e të hidhej përpjetë nga gëzimi.  Ikë mor ditprerë, ik mor ditëçkurtër, s’të morra gjë a gjë për të ngrënë, ç’do çemerosësh sot?  Mos i këpuste ndonje vickë të mirë Gjosa e ta linte në vënd fare, Perëndia na ruajtë! 

 

          Dukej një mjegull e hollë në Vathëz, atje sipër në mal. Nga qindia do të kemi shi. Nuk kisha marrë asgjë me vete. Po të më zinte shiu udhës do më bënte si pulë e lagur, berbecul.  Shiu i beharit si vrapi gomarit, thuhet. Në behar shiu bie tropar-troparë e limere-limere, me hatëre. Tani dëgjohej vetëm shushurima e ëmbël e lumit poshtë nga Vreshtat e Virozitë. Sa kalova Dhoqimet e po qasesha tek Shpella e Nuses. Thuhet se nga kjo shpellë është hedhur në hon një nuse. Pse vallë e bëri këtë gjëmë leshprera, mavrickore, pse e bëri këtë kuture!? Thuhet se i prenë rrugën turqit. Asnjeri nuk di ta çkoqiti sakllam si ka ndodhur kjo xudhi.  Përpara kisha Gurin e Kordhës. Një kurbetlli e fshehu kordhën në këtë gur të madh dhe e gjeti pas ca vjetësh kur u kthye nga kurbeti. Historira na të vëndit tonë këto…

 

           Dielli kishte xërmuar në Lugje, për një darkike pllakoste edhe në fshat.  Ai duhet të jetë bërë çoj tani. Do mirrte mjaltë nga griburet, bletët me kasona primitive. Do t’u hiqte mbolazmat e të vinte të tjera, të shtrydhte dhe pitet. E kishte zakon që të bënte qull me mjaltë me të larat e enëve, e u jipte gjithë mëhallës. Sa të zihej në punë, pastaj punonte gjithë ditën si Ruhua. Do ta ndihmonte Zoti i Priftaj, (kunati, burri i motrës).

 

Çap këtu e çap atje, arrita më në fund te konizma afër mullirit. Kisha marrë një qiri në xhep të futës për ta ndezur, për  gjithe të dashurit e zemrës time që nuk janë në këtë jetë.  Lashë dhe ca të holla te kamaria. Fillova të falem siç falej mëma ime para konizmës në shtëpi kur do binte në gjumë, duke bërë kryqin e duke mërmëritur nëpër dhëmbë:

O ju të vdekur, dhe ju o të gjallë,

Mëndjen në kokë, sytë në ballë! 

E thashë tre here dhe vazhdova rrugën. Ai atje lart, i shikon e i dëgjon të tëra. 

 

           Udha tani ishte tatëpjetë. U rukullisa me gjithë mushkë e u sosëm te pragu i  derës së mullirit. Millonai një curcul i gjatë doli tek dera. Dukesh që qe larë se i vetëtinte faqia. Ama rrobat i kishte bitum miell, sa të bëje një pepek, millona.  Flokët i kishte të lagura e të sapokrehura, sikur ja kish lëpirë lopa. 

-         E moj Kiçël e Papalondae erdhe, si u gdhive.

-         Mirë faleminderit. Zotrote?

-        Shyqir. Si është Kiçua.? 

-        Mirë, mirë e kam. Kam prurë ca grurë, po do ma bluash ëndë, dua të bëj dy dhipla të mira e një katma për sebepe.  U shtuan Kanavajt dhe me djem, palee. 

-        Mos e kij merak, gëzime të kemi. 

Thonë se është një murdar ky… i vështron gratë e botës mu në kakërdhokë të syrit, edhe nga këmbët pale, po nuk bën zarare. Nuk është ogërsuz si ca e ca, po i bejendisur, qejfpaprishur po edhe punëbitisur.  Ama atë ilet e ka që e ka.

 

           U qas të më ndihmonte të shkarkonim mushkën. Kur po shkarkoja grurin, cepi thesit zuri fustanin, e ngriti lart dhe mu zbuluan çapokët. Ai, atje sytë, moj korbë, çanak. Pika që s’të bie, more binadalë, te unë do kullosesh  sytë?! Nga inati e ngrita më lart. “Shih me sy e plas me zemër”, thashë me veten time.   Atij i ra thesi me kallamboq nga dora. Nuk e kishte për pesë fare.  Ngriti thesin dhe u fut në mulli për ta zigjasur.  Mullirin brënda e kishte fshirë e pastruar, e kish bërë digan. Kur po zigjaste e shtronte bishtin e zigjit, fap i futi gjurin e këmbës thesit, për të marrë ndonjë qillo grurë. Sa i dinte ajo kokë, moj mavri. 

-         Hej, këmba, i thashë. Ai duke qeshur tha:

-         Do hisenë e saj.

-         Po jo të dyja, dhe dora dhe këmba!  Ai e vaiste pak dorën në zigjasje. 

E kuptova që atij s’i erdhi fare mirë, nuk i pëlqeu ky muhabet, por edhe unë e pipa se i thoshte burrit dhe më mbytëte fare. Në të ikur me tha: 

-         Nesër mbrëmane e ke gati, ka radhë.  Ka pllakosur i tërë Pogoni se nuk punon mulliri i Skoresë 

-         Mirë, vetëm bluaje ëndë, - i thashë duke u larguar. 

Më mirë, se sot kisha shumë zarzavate dhe do furosej mushka deri në vesh. Na i dilte ndonjë murdallëk si gomarit të Zekae nga gurët e rëndë që i kishin ngarkuar. 

 

Njerëzit që prisnin të bluanin ishin shpërndarë nëpër hije tajfa-tajfa. U afrova tek tajfa e fshatit Hllomo. Njera nuse që po mbllaçitej, kur pa që po afrohesha thirri:

            -  Ella, ella dho (Eja, eja këtu).

-  Thelis llahanopita - dhe ma vuri në dorë. Shpuzë ishte. Dukej si një çojkë. 

-   Jo, nuk ha këtë raman, - i thashë. E kish bërë me lakra. Ne i themi laropitë.  E mora se kishte sy, por dhe më vinte zorr se dukej sikur s’e begedisja, si qibare e buzëlarë. E kishte bërë të ligdhosur, më kënaqi. Shoqja e saj ngjitur po bënte një fanellë leshi, dukej shumë model i bukur.  Për këtë u afrova dhe e pyeta. Mbase dinte pak shqip 

-         Për kë e bën këtë, moj natë, shumë e bukur? - i thashë

-         Ja to andra, – më tha.

-         Pika, ku e njoh unë Andrenë që më thua, moj korbë!

-         Ojhi Andrea, Ja to burri, - më tha përsëri duke vënë buzën në gaz. E kuptoi leshprera… Unë jam damblla fare, nuk di asnjë fjalë greqisht. Papo, ishte e pastër kërcë, si koliste qimja. U ula pranë saj. 

-   Ine fanella? - më tha.  

      –  Oh, dua dhe unë një fanellë për djalin t’i mbledhi krahët për dimër, - mërmërita si me veten time.  

-   Thelis na to mathis? 

- Po, dua ta mësoj, domosdo, - iu përgjigja. Nxorri një citë nga trasta dhe filloj të hidhte thiletë. 

-         Prota na valloma ena.  (Të parën e vëmë një)

-         Tora tha vallome dhio. “Tani të vëmë dy”, përseritja unë duke mos i shqitur sytë, për të bindur veten time që e kisha kuptuar. 

-         Tora tha vallome pende (Tani të vëmë  pesë)

-         Pale tha vallome tria (Prapë do vëmë tre”, e vazhdoi sa e mbushi citën me thile. 

        -   Si ta mbaj mend, korba unë, nuk kam një kartëshore apo një kartë t’i shkruaj këto që më mëson kjo.

-         Na, parto, parto…  më tha duke më dhënë citën me thile sikur e kuptoi se ç’bluaja unë në kokë.

-         Efharisto, - i thashë dhe ngalasëm shoshoqen. 

Vjasesha, u mbodhisa shumë për në arë. Dielli kishte vajtur dy hosten, për një çikë fillonte xhuxhulla. Duhej të çalltisja. 


******

Arën e kishim ngjitur me të Dedaj. Ishim gjiri, dhe ishim bërë edhe sëmbër. Tokat i punonim bashkë, Lari jonë dhe Kuqua i ture bënin një pëndë qe orta. Nuk pashë njeri nga ata sot në arë, xhanxhi.  Domatet, lovidhet, piperkat e bamjet ishin furosur dhe veseli. Në krye te arës u duk roja i ujit. Ishte një popoc që s’ta mbushte syrin, nga të Marae. Një çapaçul, vjet ishte çoban i bravareve të fshatit. 

-         Kako Dhoqinë, mirdita. Ujin vetëm tri orë e keni, - më tha.

-         Pse e bëtë kështu gurgule këtë punë. Kam edhe kallamboqin, nuk më harrijnë tre orë. 

-         Kështu vendosi fshati. Nis radha e re sot. Duhet ti rish ujit te koka. Jo ta qastrosh e të ikësh. Ik, mor bizdule, kur mbeti fshati në dorën tënde, në daç pirdhe, në daç fënde, thashë me vete. Korba, mos më dëgjonte e ma priste fare ujin, e kush miresh me të?

 

Kur shof nipin me angjistër të peshqeve në dorë.  
      -    Po ti, mor bir, nga mbive!? 

-   Ishim me shokët nga lumi dhe u ktheva se e dija që sot do vije në arë.  

-   Do jesh pa ngrënë, korba unë? 

-   Më ka grirë uria. 

-   Hajde, jeto, ulu këtu.  Kam vezë, qollopitë me dhallë, merr dhe domate, po deshe. Janë të mira. 

Ju lëshua si i limaksur qollopitës e kokovesë. Kushedi sa kishte pa vënë gjë në gojë, prandaj bënte kështu si i babëzitur. Kur mbaroi së ngrëni, më tha:

-         Të mdihmoj dhe unë. Çfarë të bëj ndonjë punë? 

-         Jo, jeto ik me shokët, po deshe. S’kam ndonjë punë tani. Agjistrën lere se e merr Gjosa. 

 

 

-         Ja, kjo qe dita ime sot. Harrova ndonjë gjë, thojmëni? Po mëndja sa një kokërr grurë është, edhe harrojmë. Tani të shohim çfarë na ka gatuar Ai, ditziu me bletët.

 

No comments:

Post a Comment