Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Sunday, 26 June 2022

RIKTHIM TEK TRADITA - NJË PIKNIK NË “DARDHËN E DYTË” NË USTER

“Qiellin por jo shpirtin, ndryshon ai që shkon përtej detit”- Horaci

Nga takimi i dardharëve në Uster, MA-SHBA , në vitin 2019 (foto F. Memelli)


nga:  Fuat MEMELLI

Boston, SHBA

 

Ka vite që në këtë stinë, dardharët që jetojnë në qytetin e Usterit, i cili ndodhet rreth një orë larg Bostonit, organizojnë piknik në natyrë. Piknikë janë organizuar në Dardhën e tyre të bukur dhe tradita vazhdoi këtu në Amerikë nga dardharët e parë si dhe ata që erdhën pas viteve ’90. 

 

Qyteti i Usterit ka qënë dhe është qendra kryesore e dardharëve në Amerikë. Sipas Sotir Panit, i cili ka ardhur nga Bostoni me dy djemtë e tij, Vaskën e Andrean si dhe dy nipërit, thotë se janë rreth 50 familje dardhare që jetojnë në Uster. Vaskë Bruko, një nga drejtuesit e Shoqatës Dardhare “Bleta”, shpjegon se janë më shumë se 50. 
- Tani do bëjmë regjistrimin e gjithë familjeve dardhare që jetojnë në Uster dhe do kemi një informacion më të plotë, shpjegon ai. 

Vendi i zgjedhur për organizimin e piknikut, ishte një pyll i bukur dhe ngjitur me të një lëndinë plot gjelbërim.

- E zgjodhëm këtë vend pasi na ngjet me vendet ku organizoheshin piknikët në Dardhë si në Propas, Popoven, te koria e Shën Pjetrit, etj ku kishte hije dhe ujë, thotë Klodi Melka, një nga veprimtarët e kësaj shoqate. 

Mbi 50 dardharë e miq të tyre kanë zënë vend në ”sofrën “ e gjelbër të pyllit. Kanë marë me vete ushqime të gatuara në shtëpi, por njëkohësisht edhe një zgarë ku piqen bërxolla, qofte, etj, për t’i shijuar të ngrohta. Krahas pijeve të tjera, nuk mungon rakia e kumbullës e zierë dy herë, që është rakia e vendlindjes së tyre. 


Takohen e çmallen me njëri-tjetrin. Bisedojnë për Dardhën e tyre dhe dardharët e shpërndarë në Shqipëri e nëpër botë. Këto takime mbajnë ndezur zjarrin e dashurisë për vendlindjen. 

Ndër pjesëmarrësit më bën përshtypje një grua e moshuar që ri në karocë. Quhet Valentina Buci. Është pa qef dhe nuk qëndron dot më këmbë.
- Megjithëse nuk jam mirë, s’mund të rija pa ardhur në këtë piknik të bukur, thotë ajo. 
Mes dardharëve ka ardhur edhe vlonjatja, Etel Haxhiaj. Ajo ka vënë kandidaturën për këshillin bashkiak të qytetit në zgjedhjet e këtij viti dhe ka filluar takimet, jo vetëm me shqiptarët por edhe të komuniteteve të tjera. Për pak minuta, një “mbledhje “ e shkurtër aty në natyrë. 

Vaskë Bruko si dhe veprimtarë të tjerë të shoqatës, theksojnë se në korrik do të organizojnë një takim të zgjeruar ku do të bëhet edhe riorganizimi i shoqatës dhe drejtuesit e saj do zgjidhen çdo vit. Andrea Pani ka sjellë me vete një fidan kumbulle që e ka mbjellë nga fara e kumbullës që e ka marë nga Dardha para 12 vjetësh, e cila jep prodhim. Hidhet një llotari dhe fidani i bie Kristina Gjerezit. Në Amerikë do shtohet kështu edhe një kumbull tjetër e ardhur nga Dardha.

 

Një nga momentet më të bukura të piknikut, ishte kur filloi kënga e shoqëruar me kitarë. Dardhari Dhimitër Çika, me profesion piktor, ishte i pari që çeli këngën. Ai ka mbaruar Institutin e Arteve për mbrojtjen e monumenteve të kulturës. Ka bërë shumë punime sidomos në kishat orthodokse. Një nga ato është edhe kisha shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë “ në Uster, ku ka bërë gjithë punimet murale, që nga kubea e deri te muret anësore. Dhe artisti e ka në shpirt këngën. Këndon bukur dhe i bie kitarës. Janë dy kitara këtu por ka katër kitaristë si Jani Kotnani, Ligor Konda, Arben Skënde e Dhimitër Çika. Janë këngë serenatash ato që këndohen më tepër, ashtu siç janë kënduar në fshatin e tyre.
 


Një foto e përbashkët, ishte epilogu i këtij pikniku të bukur. “Atdheun e doni më shumë, po të doni njëri-tjetrin” ka thënë Nënë Tereza. Dhe dardharët e duan njëri- tjetrin e atdheun e tyre, pa dyshim.


Gazeta "Dielli"25 qershor 2019. 



 

3 comments:

  1. Faleminderit për informacionin.Artikull nostalgjik.Mbeçit gjithmonë bashkë.enver isufi

    ReplyDelete
  2. Faleminderit Kosta qe krahas shkrimeve e fotove nga Selcka jote, nuk te shpetojne pa publikuar edhe shkrimet e miqve te tu, nje nga te cilet jam unë.

    ReplyDelete