nga: Kiço MUÇI
Mësus në Pension
Gjirokastër
Kiço MUÇi |
Është i njohur një krijim, i cili tregon më së miri veçoritë dalluese për çdo fshat në Zagori. Ky krijim është nga Lushi Nakaj, i cili ishte nga Lliari, e që problemet dhe mendimet e tij, i shprehte shpesh në formë vargjesh, si në rastin që po përmendim më poshtë sa për të kujtuar një nga të shumtat bejte të autorit.
Sheperiotët ca të parë
Nivanjotët ca tuxharë
Topova arrë e lajthi
Vithuqi pesë shtëpi
Lliariotët stërrallxhinj…
Cili është kuptimi i fjalës“stërrallxhinj”?
Stërralli është një lloj guri i fortë që nga fërkimi i tij me vetë atë, ose me një çelik, lëshon xixa; ndez dhe eshkën, pra, ndizet zjarri me anë të tij.
Gjatë shekullit XVIII-XIX, lliariotët kanë përpunuar stërrallin për pushkë, të cilin e tregtonin në Greqinë veriore. Kjo, dëshmohet dhe me ekzistencën e një punishteje stërralli në Shkëmbin e Reçit dhe në Gjiklekë, Osmanaj, Shën Koll e në Shën Kozma, ku edhe sot janë togje e mademe stërralli. Ato i bënin në formë drejtkëndëshi si një fletë, me përmasat e një kutie shkrepseje. Madje, thuhet se Kiço Ristani, gjyshi i Arben Ristanit dhe Koço Muçi në vitin 1900-1910 përgatitën dhe armë zjarri me stërrall.
Banorët e Lliarit kanë filluar emigrimin në vitet e para të shekullit XIX, ku përmendet Thoma Koçi, Koto e Vasil Shabani, që punuan në oborrin e Sulltanit (Stamboll) dhe Rako Prifti, bizesmen, që kontribuoi dhe për fshatin. Thoma Koçi me vëllezërit e tij ishin kasapë në oborrin e sulltanëve të Stambollit. Njëri nga lliariotët, që shërbente në oborrin e sulltanit, ishte dhe mjek /pathua, me ilaçe popullore. Bëri bamirësi dhe shëroi një nga vajzat e sëmura të oborrit ku shërbente. Nga kjo mirësi, i pasuri i Stambollit nuk dinte si t’ia shpërblente lliariotit.
- “Thuaj ç’pasuri do”- I tha pronari.
- “Unë nuk dua pasuri, por nder e krenari” - ia ktheu lliarioti…
I kërkoi oborrtarit të pasur të Sulltanit, që ta sillnin në Lliar me “suvari” të shoqëruar me kavalier. Gjithashtu i ndërtoi një shtëpi shumë model për atë kohë, me porta me qemere e me mermere, të bëra dhe të qëndisura me figura si “Asllanë”, që do të thotë luanë etj, të cilat janë edhe sot, si objekte me vlera.
Karakteristikë e veçantë në Lliar, është Rripa e Çames.
Magjia e rrëzimit të gurëve.
Në pjesën veriore të Lliarit ndodhet Rripa gjigante e Çames, poshtë Kastelanit dhe në kufi me fshatin Zhej. Nga Rripa e Çames shpesh rrokullisen gurë. Duket sikur në trupin e saj janë vendosur ngjarjet që ndodhin. Kur rrokullisen gurë, do të ndodhë një ngjarje famëkeqe…Po të binin nga ana e Lliarit, fatkeqësia do të ndodhte në Lliar. Po të binin gurë nga ana e Zhejit, fatkeqësia do të ndodhte në Zhej.
Dërrmazi.
Disa të dhëna për Dërrmazin.
Dërrmazi shtrihet në mes të fshatrave Topovë e Lliar, vend i përthyer me kodra e përrenj, ku mbizotëron lisi, shkoza, dëllënja etj. Dërrmazi ka qenë një nga vendet e banuara në Zagori, qysh në fillimet e mijëvjeçarit të dytë të erës sonë. Banorët e Dërrmazit, në atë kohë merreshin me blegtori e me pak bujqësi. Enët dhe orenditë i kishin prej druri dhe i punonin vetë me merak.
Sipas të dhënave, vërtetohet se në Dërrmaz çdo vit bëhej një panair, ku vinin tregtarë dhe nga krahina të largëta, si Mallakastër e Tepelenë. Dërrmazi si zonë malore përfshihej nga dimra të fortë e të zgjatur. Për këtë arsye të vështirësisë së jetës, u detyruan të shpërnguleshin në drejtim të jugut, ku gjetën një vend të përshtatshëm. Në Greqi, sot ky vend quhet Dërmadhez, sepse në greqisht nuk shqiptohet Dërrmaz. Në Dërrmaz ka patur shumë kisha e faltore, si Shën Mitra, Shëndëlli, Shën Mëria e “Murtajës”. Këtë emër e ka marrë sepse nuk i njihnin pandemitë në mënyrë shkencore. Për të zbutur sëmundjet i vunë këtë emër që të faleshin e bënin kurbane.
Hija e mallkuar.
Hija e mallkuar, pylli i dendur mbi 2,8 km që shtrihet përmes Qafës së Shën Premtes në perëndim të Përroit të Lugjeve në veri. Thuhet se mori këtë emër gjatë luftës kundër pushtuesve osmanë në vitet njëzet të shekullit XVIII. Këtu ndodhnin vrasje e plaçkitje.
Rrapi i Kroit.
Rrapi shekullor i Lliarit është në këtë fshat në vendin ku është dhe kroi me kube, prandaj nga lliariotët quhet Rrapi i Kroit. Ai është me një kurorë të madhe dhe degët e tij arrijnë një perimetër rreth pesë metra.
Përrenjtë e Lliarit.
Përrenjtë e Lliarit në të majtë të Lumit të Zagorisë janë: Përroi i Madh, Përroi i Vogël, Përroi i Skutaraqit, Përroi i Selës, Përroi i Stefanaj.
Kalimi nëpër këta përrenj, sidomos për t’u lidhur me fshatin Zhej, bëhej me anë të urave të veçanta prej druri. Karakteristike që sheshi i urës bëhej me patiqe druri lisi të çarë më dysh, për fortësi e për të mos shkarë.
Përroi i Skutaraqit është më i rrëmbyeshmi e me prurje më të madhe, pasi ka pjerrësi dhe zbret nga vende të buta të pyllëzuara. Bile, mbahet mend se dhe në stinë të ndryshme, kur binin rrebeshe, prurjet e tij qenë të mëdha dhe është i pakalueshëm, sidomos në dimër. Qe tepër i vështirë për kalimin e banorëve dhe të fëmijëve të fshatrave Hoshtevë e Vithuq, që shkonin në shkollën7-vjeçare në Zhej, derisa u ngrit shkolla 8-vjeçare në Hoshtevë.
Një histori që e tregojnë lliariotët:
Në një dimër, në vitet 1925-1926, prurjet e përroit të Skutaraqit qenë aq të mëdha sa arat në Zaje të ish kryeplakut të atyre viteve, Koço Muçi, u përmbytën duke u rrafshuan tërësisht e u bënë të papunueshme, me përjashtim të një parcele me haur rreth e qark dhe me rrush, të cilën e ktheu në tokë të punueshme me shumë punë… Një grua e moshuar, e ëma e Koço Mihos, i ngriti këtë këngë si hakmarje për Koço Muçin, i cili nuk e përkrahu në gjyq për një zënkë që kishte me Mitro Hilën:
O Koço Muçi more,
Pe përruan, a s’e pe?
Që erdhi me batare?
Të prishi arat “Zaje”
Të keqen, more përrua,
Që më more hakën mua!
“Haka” ishte se Koço Muçi, si kryeplak i fshatit nuk i dha të drejtë plakës për zënkën që kishte, por Mitro Hilës, për prerjen e ujit që vadiste në arat në Rrathë.
Zig-Zag Magazine
VJERSHËROJ PËR TY VENDLINDJE... ( LLIAR )
nga Kiço Muçi
Ç’histori ke, Lliar i dashur?
Dhe të rrallë dhe të pasur...!
Ku vanë burrat e parë?
Një lirë e kishin një fjalë.
Në port’ Kostilaj te vendi,
Ç’u kishte lezet kuvendi...!
Stërrallxhinjtë në Gjinlekë
bënin strall veç për dyfekë.
Për dyfeqe, për lirinë.
Shumë strrall për trimërinë.
Lliariotët kishin brumë
Bashkë me Zhejin – furtunë.
Për ta mbrojtur fort Çajupnë.
Kënga e hershme tregon shumë.:
“U mblodh mexhlizi në Gurrë.
Bënin dava për Çajupnë...
Papa Spirua tha një fjalë
Bashk’ me Kostatandin Stefanë...
Lushi Nakaj poshtë në fshat
Vjershëtor e mëndje artë.
Mitro Vavua lliariot
Nxori gajden qyt – e bot...!
Traditën më lart e nxori
Kiço Llane këngëtori...
Tat- ta-ta e ti-ti-ti
Peço Muçi me bori...
Lajme çoi në çdo shtëpi.
Në çdo fshat në Zagori.
Tushaj e Sevajt në rrugë
Kishin miqësira shumë.
Në Sevaj kush qe i pari?
Qe Mitro Sevo – dhaskali.
Derë e Koçaj – derë e lartë
Në Stamboll me aristokratë.
Thoma Koçi bën histori...
Erdh në Lliar me suvari.
Shtëpitë e Muçaj – kala
Lidhur me Ali Pasha.
Fisi i Dadaj me famë
Si në Lliar e Tiranë.
Në Shabanaj kanë lerë:
Filip, Aleks e të tjerë...
Dhe me diturinë e rrallë
Bënë vend në botën mbarë.
E nga Llanajt Apostoli
Trimëri në Greqi mbolli.
E në Lliar zgjidhej “kombi”
Te prifti baba Konomi.
Fotografët me kulturë
Qenë Ristanajt me vulë.
Mihajt bujarë të rrallë
Siç kanë qenë edhe janë.
Shabanaj, Ponaj në atë breg
Për në Liar janë shteg
Fisi i Taçaj ndënë Rripë
Partizan’ të dy shtëpitë.
Dukaj, priftaj në kurbet
Shtëpitë patën kësmet.
Dielli në mëngjes kur bie
Hilajt, Stefanajt më krye.
Stefanajt shumë krenarë
Se nxorën një deli djalë
Kiço Stefanin me famë.
Dëshmor titullin ka marrë.
Dekaj, Londaj me traditë
Kulturën kanë meritë.
Kiço Londo i miri djalë
Regjisor ësht’ në Tiranë.
Edhe Mërtirajt në fshat
Për Lliarin ishin fat.
Shume kisha Lliari ka
Shenj e Dielë e Shën Kozma,
Shëntriadha te qendra pranë,
Dhe Shënkolli poshtë ne anë.
Shén Mitrat në rrugën shteg
Shën Harallambi në një breg.
Në shesh të bukur Shën Mërtiri,
Në pyll futur Shëndëlliri.
Shën Thanasi në verri
Të gjitha me histori.
Kosëtarët me famë
Nga Zheji e Lliari janë.
Në Çajup shtëpitë me bar
Strehë i kishin për behar.
Për Çajupin janë krenarë
Lliariotë, zhejotë me radhë.
Historinë mos harrojmë
Çdo brez le ta plotësojë...
Nga Kico Muci ( prill 2012)
Foto e vitit 1940. Fshatarë te fshatit Lliar duke korrur barrin në Çajup
Ne vitin 1947: Çajup
KOSTUMI POPULLOR NGA FSHATI LLIAR Foto e vitit 1952: Emigrantë nga fshati Lliar në Kanada (Fotua mban emrin Jani Koço Ristani) |
Kisha e Shën Triadhës fshati Lliar |
Një shtëpi në fshatin Lliar |
Rripa e Çames, Lliar |
Ju falenderoj perzemersisht miku im Koco Mosko ,per postimin e shkrimit tim ne revisten '' Bota bujesore '' marre nga revista ZIK - ZAK, e botuar nga Androkli Nika. Faleminderit edhe per ilustrimin e materialit me mjaft foto te ndryshme nga fshati LLIAR,
ReplyDelete