Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Thursday, 10 February 2022

DY PERSONAZHE TË HARRUAR, QË I BININ KRYQ E TËRTHOR MYZEQESË…

nga: Jozef RADI

Ankona , ITALI 


Jozef RADI

Nga fundi i viteve ‘50 e deri në vitet ’70, kush ka jetuar ne qytetin e Lushnjes, po edhe në zonat bujqësore të Myzeqesë, e ka pasur thuajse të pamundur të mos i kenë rëne në sy, dy personazhe energjikë e të veçante të këtij qyteti, dhe gjëja më karakteristike dhe e përbashkët e këtyre dy personazheve ishte se të dy kishin motorra të fuqishëm të asaj kohe, në mos gaboj JAWA, që e rrihnin kryq e tërthor Myzeqenë, përdornin një dialekt paksa të panatyrshëm për zonën e Lushnjes, dhe kishin një qëndrim krenar dhe determinues për detyrën që kryenin. 
Të dy këta personazhe, të cilët unë kam pasur fatin t’i njoh edhe nga afër, si rezultat i njohjeve të hershme e mardhënieve miqësore që kishin me tim atë, e që njihesh me ta që nga koha e Gjimnazit të Shkodrës… 

Dy personazhet në fjalë quheshin Ali Ypi dhe Zyber Juka. Të dy shërbenin si kryeagronomë të ndërmarrjes bujqësore më të mëdhe që kishte Shqipëria e asaj kohe po edhe e të gjitha kohrave, Ndërmarrja Bujqësore “29 Nëntori” e cila fillonte nga Ura e Shumbinit dhe mbaronte te Brigjet e Semanit. Të dy këta burra seriozë e të përkushtuar vinin nga familje të njohura dhe dhe me emër si Familja Juka edhe Familja Ypi, kishin kryer të dy shkollimet jashtë shtetit, dhe jetonin të dy në qytetin e Lushnjës së bashku me familjet e tyre, bile jetonin në të njëjtin pallat te trekatëshi mbas urës së qytetit. 


Agronom Ali Ypi

Dy personazhet në fjalë Zyberi dhe Aliu ishin kryeagronomët e ndërmarrjes, mbasi çdo sektor kishte agronomët e vet, sepse ishte fjala për Fushën e Myzeqese, ku kryesisht ishin ato sipërfaqe të pafundme të përfituara nga tharja e Kënetës së Tërbufit, e ku ishin themeluar edhe 12 sektorët e kësaj ndërmarrje, ngritur kryesisht mbi shtresat dhe familjet e interrnuara nga e gjithë shqipëria, po edhe familje që kishin zbritur me vullnetin e tyre e që gëzonin njëfarë privilegji nga zonat malore të Skraparit, Përmetit, Tepelenës, Labërisë a ndonjë zone tjetër kryesisht nga Jugu. Në një farë mënyrë edhe dy kryeagronomët e Ndërmarrjes, nisur thjesht nga mbiemrat e tyre, i përkisnin disi kategorisë së të ndëshkuarve nga regjimi, por që në kushtet e një populli që po bëhej gjithnjë e më fshatar, ishte mëse i nevojshëm kontributi i tyre e sidomos në lëmin e bujqësisë, ku ata ishin profesionistë të pashoqë… 


Të dy vinin nga qyteti i Shkodrës, Aliu ishte me origjinë nga Kolonja po në shkodër kishte kryer jo vetëm shkollimin po edhe ishte martuar në atë qytet. Në Lushnjë ata kontribuonin në përtëritjen ekonomike të fushës së Myzeqesë, e cila si të thuash ishte edhe hambari i Shqipërisë, e që e bënte punën e tyre mjaft delikate. 
Ajo çka dua të theksoj është se të dy këta agronomë qenë njerëz të palodhur e të paepur, profesionistë të pashoq, bile mendoj se edhe biografia e tyre me hije, i ka mbajtur gjithnjë të kërcënuar. Falë këtyre të dyve po edhe personazheve të tjerë që drejtonin atë ndërmarrje të madhe si Myfit Bega nga Tirana, Mërkur Omari e Hysen Sinoimeri nga Gjirokastar, Niko Xhufka nga Elbasani, Agim Basha nga Lushnja edhe ndonjë tjetri të cilët kishin mjaft respekt për Lazër Radin, ai mundi të punonte në punë nga më të ndryshmet brenda kësaj ndërmarrjeje si mekanik, dizenjator, si marangoz dhe xhamaxhi te serat, si specialist eksporti, e kur u nevojitesh edhe si përkthyes i teksteve teknologjike që u vinin nga Italia a Franca gjithnji për bujqësinë… Derisa ishin ata, ai nuk u cënua nga të qënit usta me Kategori të Shtatë… por mbas ikjes së tyre, nga fillimi i Viteve ’70, ate e detyruan për gati katër vite të punonte në punët më të rënda të bujqësisë, derisa doli në pension. 

Agronom Zuber Juka
Desha të theksoj edhe një fakt tjetër, se përveç qytetit të Shkodrës, Agronomisë, Motorrave dhe Pallatit që kishin të përbashkët në qytetin e Lushnjës si për simetri të dy kishin nga një vajzë e një djalë thuajse të një moshe, e që në vitet e gjimnazit mjaft prej nesh kemi pasë miqësi me Abdonin e Aliut apo Gencin e Zyberit, apo ca vite më pas edhe vajzat e tyre Helga e Aliut dhe e bija e Zyberit (emri i së cilës nuk më kujtohet) binin në sy për sjelljen dhe hijeshin e tyre…! 


Nga mesi i viteve ’70, atmosfera në qytetin e Lushnjes, si duket u bë mjaft e rëndë edhe për ta. Të dyja familjet Ypi dhe Juka u larguan nga Lushnja dhe Zyberi u vendos në Durrës, në mos gaboj si agronom në Sukth, k u para daljes në pension e demaskuan dhe për pak e futën në burg, kurse Aliu u vendos në Tiranë në mos gaboj në Drejtorinë e Farërave derisa doli në pension! 


Nuk do ta harroj kurrë një rast kur isha sëbashku me tim atë me biçikletë dhe takuam Ali Ypin ashtu të shogët, të zeshkët nga dielli, solid, me mustaqet e thinjura dhe buzqeshjen e një njeriu të fortë. Ai po rrëfete tim eti për një eksperiencë që kishte bërë kohët e fundit në Itali për çeshtjen e serave… Si sot e kujtoj fjalinë e tij epike me të cilën e mbylli bisedën, ndërsa i merrej pak edhe goja… “Eeera l’uultimo regalo priima di morire!” (Ishte dhurata e fundit para se me vdekë) Aliu vdiq herët diku nga fundi i viteve ’80!


Gjeta rast t’i kujtoj e të gërmoj për ndonjë shkrim në kujtim të këtyre njerëzve qe kontribuan për atë vend me energjitë dhe kulturën e tyre…
shtator 2021-shkurt 2022


http://www.radiandradi.com/dy-personazhe-te-harruar-qe-i-binin-kryq-e-terthor-myzeqese-nga-jozef-radi/?fbclid=IwAR3Ycz-zIITITLye_F_sQ8W_Oqu3TztryYVTlZ3W_LeEmZthDeBJ81xI4Qg


Ali Ypi, agronomi i agronomëve


Lushnja në vitet 1954-1964 ishte një qytet i vogël, me karakteristika të veçanta në vendosje, planimetri e arkitekturë ndërtimore që flisnin për të shkuarën dhe e gatshme për t’u rritur e ecur drejt përparimit dhe traditës. Edhe tek njerëzit në përgjithësi ndjehej dhe shihej dëshira për të lëvizur dhe bërë më të mirën për përmirësimin e jetës. Kjo vihej re në çdo fushë. Në përpjekjet që bëheshin në atë kohë, spikasin njerëz të veçantë që çuditërisht, pa urdhër dhe pa vendime, shoqëria i nxjerr në krye dhe i ndjek pas deri në adhurim, ashtu siç kanë bërë edhe me personazhin për të cilin do të flasim në këtë shkrim.


Ali Ypi, një burrë i gjatë dhe me mustaqe që e tregonin edhe më të pjekur, kishte lindur në Durrës më 1918-n dhe banonte në Tiranë, ku mori mësimet e para dhe të mesme, ndërsa studimet e larta i kishte kryer në Itali në Fakultetin e Agronomisë të Peruxhias. Që të flasësh për Ali Ypin, për mua nuk është nevoja të përmendesh shifra e rezultate si ato aq e kaq hektarë apo kuintal prodhim gruri, misri, perimesh, rrushi etj., sepse ai matej me ekonomitë më të mëdha të vendit. Le t’i materializojmë ato. Fillesa e parë e punës ishte kryeagronom i ndërmarrjes bujqësore Kamzë-Tiranë. Kjo ekonomi me volum të madh prodhimi për rrethin kishte dhe detyra specifike dhe me vlera për furnizimin e kryeqytetit me prodhime të freskëta si perime, fruta, mish e qumësht, detyra këto sa të domosdoshme, delikate, aq dhe me përgjegjësi. Për t’u realizuar kërkonin njohje të thella organizative, teknike dhe kujdesin e përditshëm të përballimit me konsumatorin.


Menjëherë demonstroi se çfarë kishte mësuar e dinte, filloi t’i konkretizonte dijet. Teknologjitë e kultivimit duheshin përmirësuar. E kush mund ta bënte më mirë se ai qe ishte formuar në një vend ku perimet vlerësoheshin dhe kishin një nivel arritje nga më të mirat në Europë? Së pari, me përpjekjet e tij të jashtëzakonshme futi mekanizimin në shërbimin e perimeve, uli kostot e prodhimeve, përmirësoi financat. Me gjithë përpjekjet, njohuritë e tij nuk mund të shpaloseshin plotësisht, pasi nuk e linte origjina klasore. Ai shihej vëngër nga komunistët për shkak të së kaluarës. Sidoqoftë, për çudinë e të gjithëve, tek ky person me një formim të lartë dhe me një edukate e kulturë të admirueshme, ai diti ta udhëhiqte veten në situatat e vështira, duke njohur mirë procesin e ambientimit e të përshtatjes për të mos ngelur në labirintet që mund të ngriheshin në atë shoqëri të kontrolluar në çdo hap. 


Me që ndërmarrja bujqësore “Ylli i Kuq” Kamzë u mendua se mori formën dhe rrugën e duhur që mund të ecte dhe me një specialist tjetër, atëherë kontributi i tij me vlera do të ishte që të punonte në një tjetër ndërmarrje edhe më të madhe, si ajo e Sukthit në Durrës. Sa u mendua, u veprua. Kjo ndërmarrje me mundësi të mëdha prodhimi me një specialist si Ali Ypi, për një periudhë relativisht të shkurtër arriti të prodhojë dhe të furnizojë me perime, fruta, mish dhe qumësht jo vetëm Durrësin, por u bë një furnitore me rëndësi dhe për kryeqytetin, krahas drithërave të bukës. Edhe në Sukth për realizimin e detyrave në kohë dhe me kosto sa më të ulët ai aktivizoi gjithë mekanizmat bujqësore të lëna si mbas dore. Për të shfrytëzuar klimën e favorshme bregdetare mendoi që me investime të vogla, siç ishte përgatitja e fidanëve, më parë në kubikë, arriti të përshpejtojë hershmërinë e prodhimit të disa perimeve kryesore. Deviza e Aliut ishte: mendoje mirë, pa bëje. Kjo devizë ishte në të njëjtën kohë dhe një mbrojtje nga të papriturat që në çdo kohë priteshin. Cilësitë e vlerat profesionale të Aliut duhej të shfrytëzoheshin, mundësisht në të gjitha ndërmarrjet e tjera të vendit. E çfarë motivi tjetër do të justifikonte punën e tij për tre vjet në institucionin më të lartë të bujqësisë, siç ishte vetë Ministria e Bujqësisë? Pra mendimet e propozimet e Aliut qenë një kontribut jo i vogël për zhvillimin e ndërmarrjeve bujqësore në shkallë vendi. Përvoja e punës në dy ndërmarrjet kryesore, si dhe puna në ministri, la shenjën e tij të një agronomi me personalitet dhe njohës të mirë të ligjeve të tokës, bimës dhe zbatimin e tyre me shumë sukses.


Ishte viti 1954, kur Aliut iu kërkua nga udhëheqja e Ministrisë dhe iu komunikua transferimi në ndërmarrjen më të madhe në Shqipëri. Pra, në Lushnje e priste ndërmarrja “perandori” me shtrirje që nga ura e Rrogozhinës në veri e deri në kufi me rrethin e Fierit në jug. Në këtë shtrirje përfshihen sipërfaqe të tëra toka fushore torfike të përfituara nga bonifikimi i kënetës së Tërbufit, toka të zeza, të bardha-lymore, si dhe qindra mijëra hektarë toka kodrinore të thyera e vende-vende pa vënë dorë njeriu, me fillim në Rrogozhinë e mbarim në qytetin e Lushnjës. Edhe sot kur futesh në imagjinatë, është e zorshme të orientohesh nga ta zësh e ta fillosh. Në këto kushte kërkohej strategji, projekte afatshkurtra si fillim e të mesme deri në zbatim. Tërbufi, oaz i pa shfrytëzuar dhe me mundësi e rezerva të mëdha për prodhime të bollshme, por përvoja për këto lloje tokash ishe e panjohur. Teknologji tjetër kërkohej të zbatohej në tokat e zeza. Jo e njëjtë ishte edhe për kushtet e tokave të bardhë-lymore. Mijëra hektarë të pa shfrytëzuara kodrinore kërkonin studim të plotë, mendonte Aliu. Këto domosdoshmërisht kërkonin tarracimin dhe kanale e vija antierozive. Në “qëndisjen” e kodrave me vreshta e ullinj, një punë e madhe deri në sakrifica u krye nga punonjësit e kësaj ndërmarrje të ardhur e të punësuar nga dhjetëra fshatra për rreth dhe pjesërisht edhe nga qyteti i Lushnjës. Në atë punë të palodhur çdo njeri nga ata kishte pjesën e tij që si dhe vetë Aliu meritojnë aq shumë në kontributet që kanë dhënë edhe kompetentët e të mirënjohurit Petrit Kosova dhe Hektor Bregasi, Murat Bani, specialistët Zyber Juka, Petraq Sotiri, Javer Halili, Sokrat Mëhilli dhe pasardhësi vizionar Dhimitër Papa etj.. Cezarit t’i japim atë që i takon. “Kryeplaku” i stafit të specialistëve ishte i mençuri dhe i urti Zyber Juka. Masivi i kodrave me pamjen e një pikture gjigante kishte punën e të talentuarit siç e vlerësonte në ato fillime i madhi Abedin Çiçi për agronom Petraq Sotiri.


Ali Ypi ishte agronom i agronomeve! Për çdo gjë në bujqësi në Lushnjë demonstrimet e tij ishin një art më vete. Në to vinin agronomë nga i gjithë vendi. Një nga këto demonstrime qe aksioni që u mor për drenazhimin e Tërbufit me drenazhe 50 cm nën tokë me tuba qeramike me vrima të mbuluar me kashtë për të mos u bllokuar nga dherat, teknologji kjo që e solli nga përvoja e “vjedhur” gjatë një vizite pune në Holandë. Rezultatet nuk vonuan dhe kjo përvojë e tij u zbatua me sukses dhe në shkallë vendi. Metoda e punës së Ali Ypit dhe rezultatet me Kamzën, Sukthin dhe Lushnjën u kthyen në “Mekë”, në vende pelegrinazhi. Në fillimet e mia të punës kur shkoja për kontroll për gjendjen e perimeve në sektorin perimor, prezenca e Aliut më sillte vetëm kënaqësi, sepse kishe çfarë të dëgjoje e të mësoje nga komunikimi i tij me brigadierë e punëtorë që u qeshte fytyra kur përballeshin me kryeagronomin e tyre. Bashkëpunimi im drejtpërsëdrejti me Aliun ka qenë puna që ai bëri me ekipin e specialistëve holandezë që drejtuan ndërtimin e bllokut modern prej 9 ha serra me ngrohje në vitet 1972-1973. Serrat e para në historinë e bujqësisë në Shqipëri me sisteme automatike të ngrohjes, të ujitjes, të ushqimit dhe ajrimit që në vite prunë 167 ha të tjera me ngrohje, 340 ha diellore me xhama dhe rreth 700 ha serra diellore me polietilen. Kam shumë për të thënë për atë! Po nuk është vendi për më shumë. E mbylli karrierën si drejtues i Degës së Farërave – Lushnje. Shkurt: shembull. E veçanta gjatë kësaj periudhe ka qenë se në Lushnjë në pranverën e vitit 1976 në zonën e Tërbufit një dukuri e pa pritur natyrore, breshër i paparë dëmtoi gati totalisht bimën e grurit në fazën e rritjes së kokrrës. Situata shumë e rëndë tërhoqi dhe preokupoi edhe udhëheqjen e lartë që urgjentisht për përballimin e situatës organizuan takim pune me gjithë specialistët më të mirë me në krye Themie Thomain, ministren e sapo ardhur. Kryeministri që drejtonte takimin në çastin e duhur iu drejtua atij që e njihte dhe vlerësonte aftësitë, Aliut: “Cili është mendimi yt për të përmirësuar situatën e rënduar? Në fjalën e tij Aliu theksoi se puna e parë është korrja, grumbullimi i gjithë prodhimit dhe përgatitja si ushqim për blegtorinë. Zinxhir me të në një kohë rekord toka të përgatitet dhe të mbillet me misër. Në konkluzionet e fundit veç rëndësisë “politikhttps://www.radiandradi.com/wp-admin/post-new.php#e”, kryeministri theksoi me forcë ato që tha Aliu.


Në pension. Në Tiranë pranë familjes dhe fëmijëve më në fund. Jo nuk ndahej dot nga puna. Me shumë zell u aktivizua dhe kontribuoi në Stacionin Bujqësor – Tiranë. Duke patur fatin të gëzoja shoqërinë aktive me Aliun në vitet e fundit, mësova se në komunikimin njerëzor si Aliu zor se gjen një të dytë. Çfarë mund të thuash kur mëson se, një nga “shokët” e tij më të pandarë në gjithë jetën e tij të punës që e mbështeti pa asnjë kusht ishte motoçikleta. Besoni se edhe me të, motorin, “fliste”, dhe si një doktor i mirë ia kuptonte dhe ia zgjidhte “hallet” kur dëgjonte ankimin. Ali Ypi për nga thellësia e mendimit, gjerësia e interesimit, përvoja dhe arritjet shkencore, mënyra e zbatimit praktik dhe rezultatet që arriti në tre ndërmarrjet kryesore e më të mëdha të vendit, ishte i pashoq ndër agronomët në Shqipëri.
Marrë nga https://telegraf.al/dritarja-e-intelektualit/ali-ypi-agronomi-i-agronomeve/

Agronomët e Parë Shqiptarë Agronomi Zyber H. Juka

Agr. Zyber Juka ka lindur më 6 Mars 1920 në Shkodër. Arsimin fillor (1927-1932) dhe atë të mesëm (1932-1939) e kreu në vendlindje, kurse studimet e larta (1939-1943) i ndoqi në Firence, të Italisë. Ishte njohës i gjuhës italiane dhe asaj gjermane.
Pas çlirimit të vendit, emërohet fillimisht kryeagronom në Kavajë, dhe mbas 4 muajsh transferohet në Lushnjë si agronom i Reformës Agrare. 


Në përfundim të Reformës Agrare, atij i anullohet Medalja e Punës, e akorduar si një nga tre grupet që kishin punuar më mirë gjatë kësaj Reforme, për shkak të një shkrimi në gazetën “Bashkimi” sipas së cilit ai ishte i prekur politikisht.

Me mbarimin e Reformës Agrare, emërohet kryeagronom në rrethin e Lushnjës ku punon për rreth 3 vjet. Vlerësimi për punën e tij çoi në transferimin e tij në Tiranë, në Degën e Prodhimit Agrar me detyrën e agronomit të zonës për rrethet Lushnjë, Fier, Berat, Skrapar.


Në vitin 1949, për arsye politike të cilat u mësuan shumë më vonë, Zyber Juka transferohet në N. B. “29 Nëntori” në Lushnjë ku punoi për rreth 23 vjet. Këtu, aktiviteti i tij u përqendrua në tharjen e bonifikimit të Tërbufit dhe të sektorëve të tjerë si edhe sistemimin sipërfaqësor, kanalet kulluese dhe vaditëse, shkripëzimi dhe zbatimi i qarkullimit bujqësor.


Në vitet 1973-1975, e gjejmë në rrethin e Durrësit, ku punon si agronom në Sektorin e Shkripëzimit në N.B. “Sukth”, e ku u mor kryesisht me shkripëzimin e kënetës në Spitallë dhe me bazën shkencore të prodhimit të farës së grurit Super Elitë dhe Elitë në Sektorin Xhafzotaj në N.B. Sukth, aktivitet i cili është vlerësuar nga Instituti i Tokave dhe Instituti Bujqësor i Lushnjës*. 

Për punë të mirë qëndron edhe 2 vjet pas daljes në pension në vitin 1980, për t’u larguar më pas për arsye shëndetësore.
Aktivitetit të Agr. Zyber Juka i shtohen edhe studime mbi prodhimin e farës së jonxhës të botuar në “Bujqësia Socialiste” 1968; studime mbi sektorin e fermës N. B. “29 Nëntori” mbi mundësitë e prodhimit të farës së panxharit të sheqerit në zonën bregdetare brenda vitit, pa bërë trapiantimin e rrënjëve, në bashkëpunim, në Nr.2 të Buletinit të Shkencave Bujqësore të vitit 1971; një studim 4-vjeçar me tematikë nga Instituti Bujqësor për kulturën e pambukut (i pabotuar). Për t’u përmendur është edhe artikulli në “Bujqësia Socialiste” mbi rezultatet e varietetit 108 F të kulturës së pambukut, 1955. Ai është edhe autor i librit “Eksperienca jonë me kultivimin e pambukut” (1964).


Në vitin 1975, Zyber Juka demaskohet në bazë të disa shpifjeve në N.B. “Sukth” duke e shkarkuar nga detyra për të punuar si punëtor i thjeshtë dhe më vonë si brigadier. Pas 5 muajsh rehabilitohet. 


Burimi: Andon Ikonomi, Hysen Çobani e Endrit Kullaj – Agronomët e Parë Shqiptarë.

Agr. Ali Ypi ka lindur më 27 Maj 1918, në qytetin e Durrësit. Pas përfundimit të arsimit fillor dhe atij të mesëm përfiton një gjysmë bursë studimi për të vazhduar studimet e larta në Peruxhia (Itali), të cilat i përfundoi në vitin 1943. Meqënëse ashtu si dhe 7 kolegë nuk arritën ta mbyllnin plotësisht vitin e fundit dhe të mbronin tezat e diplomimit, e kanë realizuar aktin formal të diplomimit në Fakultetin e Agronomisë të I. L. B. Ai ishte njohës i gjuhëve i disa gjuhëve të huaja si: italisht, gjermanisht, frëngjisht, anglisht dhe turqisht.
Mbas përfundimit të studimeve u kthye në Shqipëri dhe punoi në tokat e gjyshes së tij, në Rinas për të konkretizuar studimet duke krijuar fermën e parë private në Shqipëri.
Në vitin 1948, fillon punë si Agronom në Kamëz, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1949 për t’u transferuar më pas në Sukth.
Në periudhën 1952-1954, i rikthyer në Kamëz, punon si K/Agronom për t’u larguar përsëri, kësaj radhe në fermën më të madhe, atë të N.B. “29 Nëntori”, ku u angazhua në tharjen e kënetës së Tërbufit si dhe me sistemimin e tokave, mbjelljen e tyre dhe ngritjen e sektorëve të rinj. 
Në vitin 1958, kryen një kurs specializimi në Rumani për misrin hibrid nga ku kthehet edhe me përvojën e taracimit të kodrave. Kjo përvojë ishte e vlefshme në periudhën e punës si K/Agronom në Lushnjë duke kontribuar në mbjelljen e kodrave me drufrutorë si ullinj, hardhi, etj. 
Në vitin 1971, shkoi në Hollandë nga ku solli prej andej teknologjinë e serrave me ngrohje të cilat i montoi në fshatin Rreth të Shijakut.
Pas periudhës 1972-1978, punoi si drejtor i farërave në Lushnjë del në pension duke vazhduar të punojë përsëri si specialist në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës pranë Seksionit të Bujqësisë. 
Agr. Ali Ypi ia ka dalë me sukses si K/agronom i ndërmarrjeve shumë të mëdha intensive dhe të ndërlikuara si Kamza, Sukthi dhe Lushnja; kjo e fundit i kapërcente 10.000 Ha. Dy gjëra i jepnin autoritetin Ali Ypit, sjellja fisnike me të gjithë dhe vendim-marrjet në kohë dhe të sakta për problemet e ditës, vitit dhe të perspektivës së zhvillimit të këtyre ndërmarrjeve.
Teza e mbrojtur në I.L.B. ishte e tillë që për nga vëllimi i punës dhe cilësia, i kapërcente edhe kërkesat sasiore dhe cilësore të një dizertacioni për shkallën e parë të kualifikimit. Ajo përfaqëson mirë atë ç’ka ishte Aliu si agronom organizator dhe agroteknik, që njihte shumë mirë detajet e proceseve të prodhimit në bujqësi. Së bashku me kolegun e tij Andon Ikonomi kanë bërë me porosi të qeverisë të ashtuquajturat konto kulturale mesatare kombëtare për të tërë kulturat bujqësore, të cilat patën vlerësim pozitiv dhe të dobishëm në anën operative për kolegët dhe organet qeveritare të planifikimit dhe të kontrollit teknik dhe ekonomik.
Për kontributin e tij, Agr. Ali Ypit i është akorduar Urdhri i Punës i Klasit 2-të, fletë nderi dhe falënderim nga Ministria e Bujqësisë, Kuvendi Popullor si edhe nga drejtoritë e ndërhyrjeve ku ka punuar.

Burimi: Andon Ikonomi, Hysen Çobani e Endrit Kullaj (2002)


***
Piktori Lek Pervizi ka lene kete shenim per Ali Ypin: Luigj Shala, kur isha i internuem në Lushnje, ku ai kishte vajzën, Marien, të martueme me z. Ali Ypi, agronom i fermës ku ne punonim, e mik i vjetër i familjes, si bir i Abdyl Ypit. Luigj Shala kishte qënë profesor i babës para 50 vjet, dhe me tregonte për të se si ishte një ndër studentët më të dalluem. Prandaj njohja me të tilla figura të shqueme të kulturës dhe të patriotizmit qysh në bangot e shkollës, e brumosen atë me ndjenja të një atdhetarizmi të flakët… Lek Pervizi

 

 


No comments:

Post a Comment