nga: Kastriot MALO
Puglja, ITALI
Kastriot MALO |
Ishte fillim Dhjetori. Kishte më shumë se tre ditë që binte një shi litarë - litarë, i shoqëruar me vetëtima të forta zhurma e të cilave mbetej pas për disa kohë. Lumi kishte ardhë degë më degë, e pa mundur ti afroheshe, jo më ta kaloje. Ai kishte tre netë që nuk flinte nga meraku, ndërsa ëndrrat e shoqëronin një pas një. Vetëm ditën e katërt kur filloi të shtrohej lumi, zbriti me pelerinën në krah dhe ashtu si e priste pa që lumi e kishte vënë përpara mullinë. Për momentin u kthye në shtëpi, gjatë rrugës sillte ndërmend gjithë vite jetese me mullirin të ndërtuar dhjetra vjet më parë nga babai i tij. U ul në qoshe dhe tha: Më dolën ëndërrat!
Gjyshja filloi ta qetësonte duke i sjellë një godë raki, ndërsa shtynte urët e zjarrit të bënin më shumë dritë. Vetëm mbas një jave qindra metra më poshtë u shfaqën dy gurët e rëndë që therrmonin grurin dhe asnjë nishan tjetër. Nuk mund ta harroj kurrë vitin e mallkuar shtatëdhjetë thoshte shpesh gjyshi në biseda. Por nuk ke ç'farë të bësh, thotë një fjalë "Ja dha gurit dhe plasi, ja dha njeriut dhe e mbajti" kështu ngushëllohesh dhe ngushëllonte miqtë shpesh.
Babai i gjyshit ishte njeri i pasur, kaçak, burrë i zgjuar, i rrahur nga llohërat e kohës, me shumë miq në zonën e Zagories. Por miku i tij për kokë ishte Leonidha Kano (Nidhi). Ai trashegonte pasuri nga babai i vet që ishte kurbeçi prej vitesh në Stamboll. Sheshin e mullirit e punonte, duke e mbjellë me perime të stinës, ndërsa e vadiste nga një burim që nuk shteronte as në Gusht. Me pas aty nga viti nëndëqind e nëntëmbëdhjetë i lindi ideja për të ndertuar një mulli aty pranë.
Ustallaret u gjetën nga Korça, ndërsa gurët e mullirit prej një rrembi të veçantë u morën nga Jorgucati. Për disa muaj mulliri filloi punë. Keshtu mbas vdekjes së babait, tregonte gjyshi, më mbeti mua çdo gjë mbi supe, si djalë i vetëm i asaj shtëpie, nuk bëra as ushtri në kohën e Zogut, se ashtu ishte ligji në fuqi.
Brenda kishte ambjent dhe për të fjetur, ata që bluanin gjatë natës, si dhe për të ngrënë bukë në dritën e zjarrit por edhe të disa llambave me fitil. Zakonisht vinin nga e gjithë zona, ishin dhe disa mullinj të tjerë, por çdo gjë varej nga cilësia e bluarjes, si dhe vjedhja që mund të bëhej në zigj. Me kalimin e viteve zanatin ua dha djemve dhe nuseve të tyre, pasi e prisnin dhe punë të tjera të tokës së shumtë që i kishte lënë babai, sidomos Pecofaja që ishte e mbushur me pemë frutore. Aty mësoi gjyshi zanatin e muratorit, dhe të zduktarit. Që të mos mbetesh kurrë pa bukë më thoshte, duhet të kesh të paktën tre zanate. Por mbi të gjitha nuk duhet të kesh dorë, nuk e duhet të genjesh. Aty ku s'ke lënë gjë mos zgjat duart të marrësh. Këto postulate më ndjekin pas deri sot.
No comments:
Post a Comment