Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Friday, 23 October 2020

NË KOPSHTIN E SHTËPISË SË BARDHË


nga Fiqri SHAHINLLARI

Gazetar & Shkrimtar

Washington DC  

(Miku im gramshiot Vait Ceci pasi u njoh me një foton time me djalin tim në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë më kërkon të dijë diçka  më shumë për Kopshtin në fjalë. Po ja plotësoj dëshirën.)

Fiqri SHAHINLLARI
Mё nё fund, u futёm brenda Kopshtit tё Shtёpisё sё Bardhё. Tё duket e çuditёshme, se si vetёm pas disa hapave, ti kalon nga monotonia, “rrёmuja e rrёmeti naimjan” i jetёs dhe punёs sё qytetit dhe hyn nё njё mjedis tjetёr rural, impresionues, çlodhёs e relaksues. Ke lёnё pas ushёtimёn karakteristike tё vargut tё makinave, nёpёr bulevardet e shumta tё Washington DC-se dhe ja, veten e gjen nё njё mjedis tjetёr. Kёtu syri kёnaqet me bardhёsinё e Shtёpisё sё Bardhё e me gjelbёrimin vjeshtor tё Kopshtit tё famshёm tё kёsaj Shtёpie tё famёshme. Veshёt kapin cicёrimёn e zogjëve, zukatjen e bletёve, fёshfёrimёn e gjetheve, gurgullimin e ujit tё shatёrvanit. Hunda ndjen aromёn e luleve dhe trupi flladin e Kopshtit.

Kёtё ndjesi e kanё tё gjithё vizitorёt. Fundjava në kryeqytetin amerikan, Washington DC, është e “ngarkuar” me turistë të shumtë nga Amerika, po edhe  vënde të tjerë të mbarë botës. Monumenti i Xhorxh Washingtonit dhe ata të Presidentëve të tjerë, muzetë e shumtë, që nga ai i Aeronautikës, Arteve, Holokaustit e të tjerë, deri te memorialet, lulishtet, kopshtet (botanik e zoologjik), statujat, përmendoret, Capitol Hill-i, ministritё, lumi Potomak, qershitë e dhuruara nga japonezet etj., janë fokusi i vëmëndjes dhe syrit të turistëve. Kryeqyteti amerikan është qytet modern. Ai nuk ka gradaciela si në New York, Çikago ose gjetkë nё qendёr tё qyteteve. Thuhet se me ligj nuk lejohen ndёrtesa të larta, që dalin mbi lartësinë e Capitol Hillit, ndërtesёs sё Kongresit. Turistin e tërheqin objektet, që sapo përmendëm dhe vende e obekte të tjerë. Por, mbi të gjitha, vizitori i Washington DC-së nuk mund te largohet pa parë Shtëpinë e Bardhë dhe Kopshtin e saj.

Nga e djathta: Fiqiriu, djali Andi e Nadina Shahinllari

 

E  kam parë disa herë, nga jashtё, këtë ndërtesë, ku jeton e punon Presidenti Amerikan. E kisha parë edhe nga dritaret e  kateve 12-të e 13-të, të zyrave të një kompanie ligjore, ku punon djali im. Këtë  radhë, nga sipër, por nga brënda jo e jo, as në kopshtin e saj nuk kisha hyrë ndonjëherë. Djali im dhe bashkëshortja e tij amerikane i kanë vizituar mjediset e brendëshme të kësaj Shtëpie të famëshme. Atje kanë takuar edhe Presidentin Barak Obama, në një pritje organizuar nga Shtëpia e Bardhë. Nё pamundёsi pёr t’u futur brenda Shtёpise, kisha dëshirë, tё paktёn, të vizitoja Kopshtin e saj. Dëshira, në një farë mënyre, është lutje, e cila dëshirё-lutje u shndërrua në fat, qё më çoi edhe mua të vizitoja një të dielë Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.


Nusja e djalit kishte siguruar katër bileta (Ticket honored) për orën 11:00 a.m. Biletat kishin në kopertinë skicën e gjetheve të lisit a të panjës, simbolin e gjetheve, që bien në vjeshë. Skicimin e gjetheve e vëren edhe nëpër rrugët e qytetit, afër supermarketeve e kudo gjetkë nëpër pllakate. E përmënda orën, sepse vizitorët ishin aq të shumtë sa ishte e pamundur te dyndeshin të gjithë, në të njëjtën orë. Vargu i turistëve të orës 11-të ishte aq i madh, sa të kujtonte vargun pambarim të ushtarëve në marshimet e gjata stërvitore. Një varg tjetër, po kaq i gjatë, ishte i orës 10:30 a.m., një tjetër i orës 11:30 a.m e, më tej se, me siguri, do të vinin vizitorë të tjerë mё vonë. Punonjësit(et) e shërbimit dhe policët ishin të shqetësuar për të mbajtur rregullin. Tabelat, qё ata mbanin në dorё, tregonin se ku duhej të kalonin vizitorët e orëve përkatëse. Unë, me bashkëshorten dhe djali, me nusen e vet u orientuam nga tabelat  e orës 11-të.


  Siç shkrova në fillim tё kёtyre rrjeshtave, ne jemi tashmё nё brendёsi tё Kopshtit. Hedh syte në vijë të drejtë: zbardhë Shtëpia e Bardhë. Hedh sytё për rreth e poshtё. Jeshilon gjelbёrimi dhe, aty kёtu ndonjё gjethe e porsarёnё, ka ngjyrё tё qelibartё. Historitё e Shtёpisё sё Bardhё dhe kёtij Kopshti tё blertё mpleksen, si gёrshetё e thurur bukur, qё flet shumё. Ajo tregon se “rrugёt” e Shtёpise Presidenciale dhe tё Kopshtit janё tё lidhura me Presidentёt amerikanё dhe me Zonjat e para tё tyre,  por edhe me popullin amerikan.


Po sjell disa fakte.  Këtë vend, ku është kjo Shtëpi, e ka caktuar Presidenti i parë i Amerikës, Xhorxh Washingtoni, në vitin 1791. Ajo filloi tё ndёrtohet nё vitin 1792, por Washingtoni nuk e gёzoi dot, pasi ndёrtimi i saj pёrfundoi më 1800, në muajin nëntor. Rezidenti i parё i kёsaj Shtёpie, ende tё pamobiluar, ishte Presidenti  dytё i Amerikёs, John Adams, me gjith familjen e tij. Ai dëshironte të kishte një Kopesht rreth Shtepisë, por nuk e realizoi deshiren, pasi aty qendroi vetem kater muaj, sepse u mund nga Presidenti Tomas Xheferson, në zgjedhjet elektorale. Pra, dёshira e Adamsit u trupёzua nga Presidenti Tomas Xheferson, i cili mbolli pemё dhe krijoi rrugё midis shkurreve. Po Shtёpia, çfarё “rrugё” bёnte, ndёrkohё? Ushtarët anglezë i vunë flakën asaj. mё 1812! Muret e saj u shkrumbuan dhe u nxinё nga tymi. Por, më tej, u rindёrtua. U ruajt arkitektura. Muret u ngjyen me bojё tё bardhё. Dhe ja, ku kemi pagёzimin e shtёpisё sё Presidentit Amrikan, me emrin “Shtёpia e Bardhё”, qё u ligjësua zyrtarisht nga Kongresi Amerikan, mё 1902.

Kujtim i paharruar, para Shtëpisë së Bardhë (në mes, nusja e Andit)

 

Pёrmёndёm mё sipёr se Shtёpia dhe Kopshti kanё tё gёrshetuar historinё, ku edhe populli ka pjesёn e vet. Kolegja ime, Albana Lifschin, nё librin e saj "Udhёtim nё Historinё Amerikane” pёrmend diku se, pasi kishin kaluar 100 vjet nga ndërtimi, Shtëpia e Bardhё ishte vjetёruar. Ç’duhej bërë? Kjo pyetje filloi tё qarkullojë, në vitin 1948. Të riparohej Shtëpia apo të shëmbej e, në vend te saj, të ndërtohej një rezidencë e re? Filluan letrat nga populli amerikan. Emëruesi i përbashkët ishte: ”Shtëpia e Bardhë” ishte Shtëpia e Bardhë dhe kështu duhej të mbetej. Vullneti i popullit fitoi. Shtëpia u përforcua, por ajo mbeti ashtu siç kishte porositur  Xhorxh Washingtoni: “Një vend me simptomat e pallatit, konfortin e një shtëpie dhe simbol i harmonisë së vendit”.


Por, le të kthehemi atje, ku e lamë. Në vitin 1825, John Quincy Adams krijoi kopshtin e parë te luleve, në Juglindje të Shtëpisë Presidenciale. Me 1827, ai shkruante: "Kemi mbjellë, të paktën, njëmijë pemë, shkurre, perime, bimë medicinale e lule shtepiake...". Më 1835, Andrew Jackson mbolli qitro, trëndafila e sidomos magniolan, që u quajt:"Magnolia Xhekson". Kopshti i Agrumeve u prish më 1857, sepse në atë vend u ndërtua Departamenti i Thesarit. Midis viteve 1878 dhe 1880 u mbollën mjaft pemë, nga Rutherford B. Hayes, i cili filloi mbjelljen e pemëve përkujtimore, nga ku nisi tradita, që vazhdon edhe sot.


 Nё broshurёn, qё kam nё dorё: “The White House-Fall Garden Tours” lexoj se ka qёnё Zonja e parё, Patricia Nixon ,ajo qё ka hapur pёr herё tё parë turet sezonale tё Kopshtit tё Shtёpisё sё Bardhё. Aty, populli amerikan dhe turistёt e huaj nga mbarё bota, shijojnё bukuritё e kёtij mjedisi. Ka qёnё viti 1972 dhe qё atёhere tradita vazhdon. Kёnaqen sidomos fёmijёt, veçanrisht nё festёn e Pashkёve, kur vijnё me dhjetëra mijra fёmijё, tё cilёt gëzohen duke thyer vezёt e ngjyrosura.


  Dukej se unë kisha"humbur” në mendime. Më solli në realitet zëri i djalit, Andit, i cili më ftoi për të fiksuar një çast në aparatin fotografik. Shkova afër një lëndine të blertë për të pozuar. Mund të kisha devijuar ndonjë gjysëm këmbe nga asfalti i rrugës, gjysma tjetër, nga thembrat e kёpucëve, kishte shkelur në gjelbërim, kur dëgjoj policin: “Kujdes, po shkel gjelbërimin!”. Nuk e di se si e qysh, por në mjedise të tillë kjo pakujdesi, që në Shqipëri të bën të vesh buzën në gaz në shënjë qesëndisjeje, këtu ky gjest të bën të skuqesh. Ëshë mjedisi, që të detyron kulturën qytetare. Është kjo arsyeja që unë, i mësuar të kaloja nëpër rrugët e Tiranës plot me letra e papastertira, pa u qederosur fare, këtu në Uashington, më vret sytë edhe një copë letër, e ndodhur aty nga pakujdesia e ndonjë kalimtari. Dhe unë, nga që pamje të tilla janë shumë të rralla e që bëjnë kontrast me të përgjithëshmen, e marr atë dhe e hedh në koshin më të afërm të plehrave.

Pamje e bukur, në Oborrin e Shtëpisë së Bardhë, që nuk do koment…

 

Duke kaluar ngadalë nëpër Kopësht, të bien nё sy, veç gjelbërimit karakteristik tё barit nё lёndinё, si të fushës së futbollit, edhe pemët zbukuruese, me madhësi të ndryshme, sipas kohës së mbjelljes. Traditёn e punёs nё Kopёsht tё presidentit Xheferson e ndoqi edhe John Quincy Adams, mё 1820. Aingrihej herёt nё mёngjes dhe mbillte bimё. Kёshtu edhe pasardhёsi i tij, Andrew Jackson shtoi nё kopёsht qitrot dhe magniolian,  qё lulёzon çdo qershor. Zonja Obama sot e quan magniolёn “bimё magjike”.


Nё pjesёn veriore tё Kopshtit, Linkolni mbante fjalime. Franklin Ruzvelti e zgjeroi Kopshtin dhe e konfiguroi me synimin pёr tё parё qё andej Monumentin e Washingtonit. Ajzenhaueri ishte i pari president, qё nё vitin 1957 pёrdori helikopterin, nё  lёndinёn e Kopshtit.


  Afër trungut të njё druri shikoj një foto tё vendosur në kornizë, për ta mbrojtur nga shiu e bora. Eshtё e presidentit Bush, në çastin e mbjelljes, ku shënohet edhe data e saj. Fotot janë të ndryshme. Në njërën shikon vetëm presidentin, në një tjetër presidentin me gjith Zonjën e parë, diku vetëm zonjën e parë. Duke filluar qё nga viti 1870, shumica e Presidentёve kanё mbjellё pemё pёrkujtimore. Kёto pemё tё llojeve tё ndryshme pёrfaqёsojnё rrjedhёn historike, kohёn e qeverive tё tyre. Kopshtet krijohen, rriten e përshtaten, ashtu si edhe qeveritё, qё Presidentet pёrfaqёsojnё. Them “kopshtet” dhe jo kopshti, sepse gjatё shёtitjes pashё brёnda kopshtit tё madh edhe “Kopshtin e Trёndafilave”, “Kopshtin e Fёmijёve”, “Kopshtin e Guzhinёs”. Secili nga kёta kopshte ka krijuesen e tij, qё ёshtё njё nga Zonjat e Para. Historia e Kopshtit tё Trёndafilave m’u duk interesante. Mё 1857 nё kёtё mjedis u ndёrtua njё serё me xham, ku rriteshin bimё tё ndryshme. Jeta e saj vazhdoi deri në vitin 1902, kur sera u prish, pasi Teodor Rusvelti e ripërtëriu Shtёpinё e Bardhё. E shoqja e tij, Edit Rusvelt mbolli Kopshtin Kolonial. Pas gati dhjetё vjetёve, Zonja e Parё,  Uillson, kopshtin Kolonial e zёvёndёsoi me Kopshtin e Trёndafilave dhe krijoi Kopshtin e Lindjes. Nё vitin 1961, Zonja e Parё Xheki Kenedi e konfiguroi Kopshtin e Trёndafilave tё pёrshtatshëm pёr takimet presidenciale dhe ia kaloi menaxhimin e kopshtit Shёrbimit Kombёtar tё Parqeve. Pasardhёsja e saj, Zonja Bird Xhonson e konfiguroi Kopshtin e Lindjes dhe i vuri emrin e paraardhёses sё saj, “Xheki (Jacqueline) Kenedi”. Por Zonja Xhonson krijoi edhe “Kopshtin e Fёmijёve”, me 1969 dhe Fushёn e Tenisit. Aty pranё ndodhet edhe fusha e basketbollit, ku Presidenti Obama, herё pas here, luan nё kohёn e lirё. Siç treguam mё sipёr, turet e Kopshtit u hapёn nga zonja Nikson, mё 1972. Gjatё presidencёs sё Xherald Fordit u krijuan Pishinat, jashtё Shtёpisё sё Bardhё.


  Ishim duke ecur. Turistët, të përfshirë nga kërshëria, afroheshin në çdo objekt dhe nuk dёgjoje gjë tjetër, veç fjalëve:“Please, one picture!”-Tё lutem ma shkrep pak aparatin fotografik! Turma e larmishme, e ngjeshur e vizitoreve ecte me kujdes për t’u hapur rrugё, sё pari, prindёrve qё kishin ardhur me fëmijët e tyre edhe me karroca fёmijёsh. Ata qёndronin mё gjatë në vendet ku loznin fëmijët dhe nipërit e mbesat e çiftit presidencial. Edhe unё, si gjysh i thekur që jam, qëndrova më gjatë para disa pllakave të mermerta e të shndritëshme, ku ishin fiksuar gjurmët e këmbëve dhe të duarve të fëmijëve ose nipërve të dy prej presidentëve. Nuk më kujtohet për një çast, se cilët ishin ata  dy presidente, që ishin kujdesur të linin në kujtesën e Kopshtit gjurmët e putrave të këmbëve dhe të duarëve, me gjith gishtrinj të fëmijës ose nipit të tyre. M’u duk gjë e mrekullueshme. Nuk e di pse ndjeva një kënaqësi të veçantë, tё cilёn e përcolla me mendimin brënda vetes: "Presidentët, para se të jenë shtetarë të fortë, së pari, janë familjarë të zellshëm e shëmbullorë. Ata e dinë mirë, besoj, se brezi i ri, fëmijët kanë nevojë më shumë për modele sjelljeje, se sa për kritika e fjalë pa fund.


  Sytë e mij ishin të pangopur për të parë çdo gjë, në Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë. Ja tek është pak më tutje  shatërvani, piklat e ujit të të cilit luajnë me rrezet e diellit dhe formojnë ylbere të vegjël, në atë mjedis relaksues e çlodhësh. Sapo lamë “besedkën”, siç do t’i thoshin korçarёt, vëndit me stola të veçantë ku kanë qëndruar Çërçilli, kryeministri i Anglisë, me presidentin Rusvellt. Pranë stolave të mirëmbajtur qëndron fotografia e kohës, si dëshmi e këtij takimi.


Më pas, më tërhoqi vëmëndjen një grumbull i madh kureshtarësh të cilët po shikonin me kërshëri diçka. Disa prindër ngrinin lart fëmijët e tyre, për të parë më qartë. U afruam. U habita me çudinë e kureshtarëve. Ata po u tregonin të vegjëlve të tyre kopshtin me perime, ku rriteshin domate, speca, patlixhane, lakra, patate të ёmbla. Këto ishin prodhime organike, të patrajtuara me plehra kimike e pesticide. Ndodheshim nё Kopshtin e Guzhinёs, i krijuar nga Zonja Michelle Obama, nё mars tё vitit 2009. Fëmijët ishin kureshtarë. Ata shikonin për herë të parë “live”, jo përmes televizionit, domate, speca, kastraveca, patlixhane, ashtu në degë, në fushë. M’u kujtua mbesa ime, Eliza pesëvjeçare, e cila një javë më parë, në Kopshtin Zoologjik gjigand të Uashingtonit, krahas egërsirave, pa edhe  lopë, kuaj, dele e dhi. I shpjegova se në ata gjinj të lopës, dhisë e deles prodhohet qumështi, që ajo e pi çdo mëngjes. U kënaq, kur me një krez krihte dhinë e urtë.


Po vinte koha e largimit nga Kopshti. Midis degëve të drurëve dekorativë më tërhoqi vemendjewn nje objekt si kuti e bardhë. Dukej sikur ishte aparat, nga ata që matin agjentët atmosferikë: shpejtësinë e erës, sasinë e shiut, temperaturen. Pyeta djalin, Andin. Mora përgjigje se ajo "kuti” e bardhë ishte zgjua bletësh. U afruam. Gumëzhima karakteristike e bletëve ma vërtetoi sqarimin e djalit. Kërshëria të shtyn për të mësuar më shumë për atë, që ti interesohesh. Mёsova se ai zgjua bletёsh ishte aty pёr dy qёllime:


      -Bletёt ndihmojnё nё polenizimin(fekondimin) e luleve tё bimёve perimore të Kopshtit tё Guzhinёs. Ishte vёnё re se vitin e parё bimёt prodhuan shumё pak. U gjet shkaku. Mungesa e polenizimit. E sollёn zgjoin e bletëve aty pranё. Vitin e dyte prodhimi i perimeve u shtua. U shtua dhe prodhimi i mjaltit, sepse bletёt kishin kullotë mё tё mirё nё lulet e bimёve perimore.


      -Mjaltin e atij zgjoi familja presidenciale e pёrdor pёr tё gostitur miqtё dhe si komponent pёrbёrёs i njё lloj birre, qё prodhohet nё Shtёpinё e Bardhё, tё cilёn Presidenti Obama e pёlqen…


FIQRI SHAHINLLARI

Vashington DC, tetor 2012

 





2 comments:

  1. Vait Ceci
    I nderuar z. Koco Mosko te falnderoj shume qe ke marre parasysh kerkesen time drejtuar shokut tim Fiqiri Shahinllari per te mesuar rreth KOPSHTIT SHTEPISE BARDHE ne AMERIK ne BOTA BUJQESORE qe ju drejtoni. Respekte i nderuar dhe suksese ne punen Tuaj. I NDERUAR DHE I RESPEKTUAR SHOKU IM I RINIS SHKOLLES NESME DHE NE UNIVERSITET FIQIRI SHAHINLLARI. Me plotesove deshiren qe te dija se cfar ishte ky KOPSHTI SHTEPISE BARDHE. U njoha imtesisht me panoramen dhe permbajtjen e ketij termi. Ashtu si e ke zakonin Ti sikur ishje Nxenes e Student e me vone Gazetar e Shkrimtar ke dhene nje spjegim te imt dhe super te imt rreth KOPSHTIT TE SHTEPISE BARDHE, qe duke e lexuar e rilexuar jo vetem une qe e di Stilin tend por edhe kushdo tjeter zere se jemi brenda keti KOPSHTI dhe shikojme ne komplekse brendine dhe permbajtjen e tij. Duke u njohur me gjelberimin e gjithe aneshem vjetor e stinor, ate cicerimin e zogjeve te zakoneshem, barin e gjelber, Perimet e shumellojshme, lulishtet dhe drujet Pyjor e Frutor, kopshtet Botanik e Zoologjik dhe gjithcka qe ka brenda ngelesh krejt i habitur. Nga kjo habitje nuk mund te mos thuajsh ja kjo eshte AMERIKA KJO ESHTE SUPERFUQIJA BOTERORE. Faleminderit shoku im Fiqiri Shahinllari per kete sqarim interesan shume konkret e shume te imt aq sa une e parafytyroj vehten duke vizituar kete mrekulli dhe permbajtje ne KOPSHTIN E SHTEPISE BARDHE NE AMERIK. RESPEKTE.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Koço Mosko
      Ju falenderoj perzemersisht i nderuar Vait. Fiqo ne kete shkrim ka thene shume gjera: Per Washingtonin dhe per Shtepine e Bardhe. Eshte e drejte ajo qe po thoni Ju se nga ky shkrim meson shume nga pena e stevitur e Fiqos. Ju uroj gjithe te mirat e kalofshi nje jave te mbare e te gezuar. Respektet dhe konsideratat e mia me te mira.
      Ne se mundesh hidhe ne blog kete me kopi paste per ta lexuar me shume njerez. Ka nje dritare atje, sigurisht te moderuar. 🥀🥀

      Delete