nga: Kristo KAURI
Sarandë
Në rrugëtimin e jetës, janë disa tregues të pagabueshëm që përcaktojnë karakterin, edukaten, kulturen e një njeriu. Siç thoshte i madhi Mark Avrilio : “ Çdo njeri ka vlerë aq sa kanë vlerë gjërat me të cilat ai merret në jetë”.
Në shoqërinë dhe miqësinë time reale dhe virtuale, njoh shumë njërëz pasionant të natyrës.
Jam i privilegjuar që njoha njerëz të tillë të veçantë, plot pasion dhe përkushtim ndaj natyrës dhe mjedisit. Ata janë të profesioneve të ndryshme, pylltarë, artistë, poetë, studjues, inxhinier, mësues…..,por i bashkon një emërrues i përbashkët, dashuria dhe respekti ndaj natyrës.……
Me çfarë merresh, ku investon kohën, energjinë, ku investon shpirtin, çfarë lexon, çfarë përgjegjësie ke ndaj familjes, kombit, si sillesh me njerëzit, me natyrën, me mjedisin, janë këto që pasqyrojnë dhe jo fjalet, se çfarë njerëzish jemi.
Këta njerëz të veçantë, kanë ndjesi, mirësi, fisnikëri , tërhiqen nga bukuritë e natyrës, nga vlerat e saj, nga bukuritë e jetës dhe shkojnë t’i shijojnë. Shkojnë në natyrë, se duan të ikin nga zhurma e qytetit, nga kaosi urban, nga pluhurat, nga vapa, vrapojnë dhe ikin larg kafeneve, larg çimentos dhe hekurit, stresit, thashethemeve, halleve, mediokrëve, me një synim të vetëm, të eksplorojnë botën magjike të natyrës, të mos humbasin kurrë komunikimin me të.
Organizojnë në natyrë ekspedita, ekskursione, shëtitje, vëzhgojnë, reagojnë dhe perceptojnë saktë dhe drejt, vlerat, forcën dhe energjinë e saj.
Shetitjet, ekspeditat, vëzhgimi i tyre nuk është i njëllojtë me të tjerët. Eshtë një vëzhgim profesional, pasionant, i thellë, që vlerëson me kujdes çdo gjë, çdo zhurmë, çdo cicërimë, klithmë, çdo habitat. Një vëzhgim që di të vlerësojë çdo dru, çdo shkurre, përrua, përroskë çdo fije bari, çdo hapësirë, por qe di të lexojë dhe çmoj ekuilibrat dhe problematikat e ekosistemit, apo habitatit që shtrihet para tij.
Për këta njerëz pasionant, të veçantë, natyra përfaqëson më së miri simbolin e jetës. Atje ruhen ekuilibrat midis jetes dhe vdekjes, ekuilibrat midis organizmave, qënieve, drurëve, shkurreve, luleve, kafshëve.. Atje ne mësojmë të vlerësojmë dhe çmojmë jetën, rregullin, bashkësinë, harmoninë. Këtu ne prezantohemi me ritmin dhe enërgjinë e natyrës, me vitalitetin e saj.
Në këtë mbretëri, njeriu komunikon jo vetëm me natyrën, me mjedisin, me vetën, por dhe me vetë Zotin.
Këta janë njerëz të veçantë që mbrojnë natyrën, që i përulën asaj me respekt, që me aparatin fotografik përjetësojnë bukuritë dhe madhështinë e saj dhe me shumë bujari na i përcjellin dhe neve këto emocione.
Jo vetëm për pasionin ndaj natyrës, por edhe në komunitet, midis nesh, ata veçojnë nga të tjerët, janë njerëz të mirë, të çiltër, zemërgjerë, plot mirësi dhe fisnikëri, plot humor, gjallëri, mençuri dhe të gatshëm të bëjnë çdo sakrificë, që natyra të jetojë e qetë.
Admirim dhe respekt për këta njerëz të veçantë!
No comments:
Post a Comment