Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Sunday, 26 April 2020

Labova e Kryqit, ja çfarë diamantesh ofron Shqipëria

REPORTAZH
nga: Engjëll SERJANI 
për newsbomb.al

Vështirë në mund të gjesh në Shqipëri një vend tjetër ku vizitori mund mund të lumturohet me trashëgiminë kulturore dhe historike, më mirë se në fshatin e lashtë të Labovës së Kryqit në Gjirokastër.
Një parajsë e vogël rrëzë malit të Buretos, qëndron hijshëm aty si një verandë gjigande përballë me fushën e Drinos dhe qytetit të Gjirokastrës. Një truall me shumë histori, mite dhe legjenda. Legjenda më e hershme, thotë vendasit, është ajo që këtu u fsheh dikur apostull Pali. Legjenda tjetër, lidhet më kështjellën antike sipër Labovës. Por historian ë kufi me legjendën është ajo e Krishës dhe Kryqit të Labovës/. Vend me histori mistike, dhe me emër të pazakontë, Labova e Kryqit.
Emri i saj lidhet me praninë e Kishë Bizantine dhe prezencën në këtë kishë të një Kryqi mitik, që prej 30 vjetësh është zhdukur pa nam e nishan. Prej disa vjetësh Labova e Kryqit është transformuar në një vend tepër të preferuar për turistët ndërkombëtar, kryesisjt adhurues të këtij vendi të shënjtëruar.

Si të shkosh në Labovë të Kryqit?
Për të shkuar në Labovë të Kryqit duke u nisur nga Gjirokastra, vizitorit i duhet të udhëtojë nëpërmjet superstradës Gjirokastër - Kakavije - Sarandë. Në Sofratikë të Dropullit, duhet të marrësh majtas rrugës për Libohovë. Duhet pak kujdes tek kthesa në Libohovë. Për të mos u ngatërruar dhe për të hyrë në qytetin e Libohovës. Jo, timoni drejtohet në të majtë. Vazhdon drejt në rrugën e pa shtruar deri tek Ura e Suhës. Pak para urës, është rruga në të djathë ajo që të çon drejt e në Labovë të Kryqit. Prej këtu, rruga në vazhdim  është e shtruar më asfalt.
Udhëtimi drejt një fshati nga më interesantët në Shqipëri është një kënaqësi e veçantë, pasi panorama në të dy anët e rrugës, është një kombinim i jashtëzakonshëm i një bimësie të shumëllojshme, aty këtu pemë të larta, shkurre të shkurtëra, bar, lule, vreshta e drurë frutorë.

Burimet e jetës labovite.
Burimet e jetës labovite, brez pas brezi, kanë qënë dhe janë vreshtaria, bagëtia dhe emigracion. Tani së fundi, ka lindur ndër banorët dëshira për turizëm kulturor dhe rural. Vizitorët që vinë këtu, fillimisht qëndrojmë ulur tek Kroi i Vasilit në qendër të fshatit. Shijojnë diellin e ngrohtë, nën zhurmën dhe freskinë e ujit të kroit, ngjyrave të stinës dhe zërave të saj. Tek kroi, tërheq vëmëndjen një mbishkrim, Është një falenderim i vendasve për bashkëfshatarin e tyre Vasil Katin që e ndërtoi këtë krua.
Nuk është e nevojshme të pyesësh labovitët, se cilat janë burimet e të ardhurave për të siguruaa jetesën. Të mjafton, prezenca e kopeve me bagëti në kullotat e pasura, në të dy anët e rrugës së saposhtruar nga Ura e Zonjës deri në fshat. Edhe pamja e vreshtave të rrushit të sistemuara dhe krasitura më së miri që rrethojnë fshatin nga të gjitha anët që ofrojnë një bukuri të pakrahasuar. Por, ndërkaq. edhe mungesa e rinisë dhe fëmijëve në rrugët e fshatit është prezente. Ajo flet dhe të lë të kuptosh se pak banorë kanë mbetur në fshat.
“Teorikisht” thuhet se ka të regjistruar rreth 300 banorë që arrijnë të mbijetojnë falë vreshtave, bagëtive dhe emigracionit. Pak vite më parë ishte utopi të mendoje që këtu mund bësh të ardhura nga kombinimi i turizmit kulturor, mjedisor dhe rural. Përmirësimi i infrastrukturës dhe prezenca e disa monumenteve të historisë dhe kulturës së lashtë, Kisha e Shën Mërisë, kalaja ilire e Labovës, kishat dhe manastiret e saj, kanë ngjallur shpresa të mëdha për mundësitë të reja të zhvillimit të zonës.

Çfarë e bën unikale Labovën e Kryqit.
Për shekuj e mote Labova ruante me fanatizëm një relike të shenjtë. Ishte një Kryq, që në fakt i ka dhënë vetë emrin fshatit, Labova e Kryqit. Vendasit besojnë legjendën se brenda atij Kryqi fshihej një fragment i Kryqit të Vërtetë i Krishtit. Fatkeqësisht Kryqi i Labovës, një nga reliket më unikale në rruzull, u zhduk në mënyrën misterioze në vitin 1989-90.
“Bëhet fjalë për një relike të rrallë.  Ne besojmë në Zot e në Krisht, Prandaj e ruajtëm atë diamat për shekuj me radhë. Unë kam arritur periudhën e pushtimit fashist, kur Kryqi ynë fshihej shtëpi më shtëpi, duke i ndërruar vendin natë për natë”, thotë ish-mësuesi i fshatit, 80 vjeçari Stefan Miha. Xha Stefani jeton në shtëpinë më të afërt të fshatit. Kisha e Shën Mërisë, ishte vendi ku për shekuj ruhej si dëshmi e legjendës Kryqi. Vendasit pretendojnë se ishte një dhuratë e Perandorit Justinian për këshilltarin e tij që ishte me orgjinë nga ky fshat. “Grabitësit, një ditë do të pendohen dhe do ta risjellin përsëri Kryqin”, profetizon me keqardhje ngashëruese xha Stefani.
Objekti tjetër unikal është vetë Kisha e Shën Mërisë, kjo relikë e gjallë që u ka rezistuar shekujve. Një arkitekturë byzantine mbresëlënëse. Sipas studiuesve të arkitekturës bizantime, ky objekt daton midis shekujve të 9 dhe të 11-të pas Krishtit. Por, brenda strukturave ndërtimorë të saj, restauratorët gjejnë gjurmë të periudhave më të hershme antike të ripërdorura për ndërtimin e themeleve dhe mureve të kishës.
Vetëm në këto 20-30 vjetët e fundit, ky objekt është vjedhur e grabitur shumë herë. Janë me dhjetra ikonat e grabitura. Por, grabitja dhe zhdukja pa lënë gjurmë e “Kryqit të Vërtetë” të Labovës, konsiderohet si humbja më e rëndë dhe më e pazëvendësueshme.
Kisha vitet e fundit ka patur shumë vizitorë, por ky interes, nuk arrin të transformohet në të ardhura për vendasit. Ndoshta tani pas shtrimit të rrugës, numri do shtohet dhe banorët do të investojnë në biznesin e turizmit për të pritur vizitorët. Bashkëfshatari më i ri, që kthehet herë pas here nga Londra në Labovë të Kryqit, është kineasti Fabian Kati. Një pasardhës i dashuruar marrëzisht pas legjendave dhe historive të këtij vendi. Ai është angazhuar në një film me temë bashkëjetesën fetare. Legjendat, kisha, kryqi, kështjella ilire, njerzit, kopshtet, pemët, krojet, banesat dhe kopetë e bagëtive të labovitëve, të gjitha sëbashku formojnë një destinacion me qasje orgjinale të ofertës historike dhe natyrore, që Fabiani e vlerëson shumë.
Një monument tjetër këtu, është Kalaja e Labovës së Kryqit. Një kështjellë antike e periudhës shek. 3-2 para Krishtit. Sipas arkeologut Vladimir Qirjaqi, që është i vetmi që ka kryer një ekspeditë zyrtare në këtë monument, kështjella është një fortifikim i ndërtuar në periudhën e Piros së Epirit, si një pikë dominuse mbrojtëse për qytetin e Antigonesë. Kështjella me mure të lartë, që edhe sot në disa vend ruajnë lartesinë vertikale 5-6 metra, është e ndërtuar me gurë të përmasave deri në 2x1x0,5 metra. Ajo zotëron me pamje një hapësirë që përfshin krejt luginën e Drinos dhe Grykën e Selckës, dy drejtime prej nga mund të rrezikohen Antigonea.

Diamatet që ende nuk kanë dalë në dritë.
Labova është një zonë e pasur me dëshmi e vlera të historisë dhe kulturës së lashtë. Edhe mitet e legjendat kanë vlerat e tyre. Xha Stefani thotë se Labova e Poshtme, bashkë me Labovën e Sipërme, kanë patur 32 kisha dhe 4 manastrire. Bariu Mantho, një banor i Labovës së Sipërme thotë se, pranë Manastirit të Shën Gjergjit, janë dy varre të hapura. I kanë hapur ata që kërkojnë florin.  Nuk dihet se çfarë mund të kenë gjetur aty, por pamja dhe pasojat janë makabre.
Amerikania Katheen Imholz, një tjetër adhuruese e legjendave të këtij vëndi, është duke grumbulluar të dhëna gjuhësore, historike, e arkeologjike. “Këtu gjen mitet dhe legjendat  të cilat nuk mund të lindin nga asgjëja”, thotë ajo si një studiuese e mirëinformuar dhe kompetente në këto fusha. Aktualisht është nga personat më të interesuar për gjithcka që lidhet me kulturën pellazge dhe sidomos me Tempullin e Dodonës. “Orakulli i Dodonës kishte prestigjin më të madh në botën antike, pasi sipas legjendave ishte ngritur për nder të Zeusit. Në vendin e Dodonës ndodhej një tempull qysh 3000 vjet para Krishtit. Sfida e arkeologëve dhe studiuesve shqiptarë dhe të huaj është të gjejnë rrënojat e tempullit të stërlashte që unë mendoj se ndodhen këtu rrotull.”
Dodona është një nga diamantet e historisë botërore. Ka mjaft hipoteza dhe dyshime të shumta për vendodhjen e vëtertë të këtij tempulli, shpërthen herë pas here me pasionin dhe merakun e saj zonja Katheen Imholz.

Epilog.
Në përfundim edhe të këtij udhëtimi real dhe imagjinar, me histori të gjalla, mite e legjendas në Labovën e Kryqit, epilogu është gjithmon pothuajse i njëjtë. Labova e Kryqit është vendi ku jetojnë diamante e perla të qytetërimit vendas, që në fund të fundit përbëjnë edhe vlera të historisë dhe kulturës botërore.
Këto diamante mund të kthehen në produkte fitimprurse për banorët vendas, vetëm nëpërmjet turizmit. Labova e Kryqit të bind dhe imponon mendimin se madhështia e vlerave historike, shpirtërore e artistike nuk duhet ti lemë të zbehen.
Labovë e Kryqit, prill 2020

No comments:

Post a Comment