Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Friday, 6 March 2020

BEFASIA NË KANALIN E KORINTIT

Foto J. Foster
 nga: Resmi OSMANI
Agronom, Shkrimtar & Publicist
TIRANË 

Prof. dr. Resmi OSMANI
Shtysën për të shkruar këtë tregim e mora nga takimi me mikun tim Sokolin, që edhe ai si unë, ka vite që lundron në dete dhe oqeane. Të ulur në kafe, u çmallëm dhe i dham sho-shoqit të rejat e fundit. Midis të tjerash, Sokli më njoftoi për ikjen nga jeta të një të njohuri të përbashkët. Më erdhi vërtet keq dhe mu kujtua ai rast, që shumë vite më parë u njoha me ‘të.
* * *
Pasi morëm ngarkesën në Gjenovë, nisëm lundrimin drejt jugut, dolëm në detin Jon dhe hymn ë ujërat greke. Mbrritja ishte porti i Izmirit. Mëngjesi na gjeti në gjirin e Patras. Bashkë me disa nga detarët e ekuipazhit, isha ulur në tryezën e kuvertës dhe po pinim kafen e mëngjesit shoqëruar me biskota. Lundrimi shkonte mirë. Deti ishte i qetë. Dielli hodhi dritën mbi ujërat e kaltra që u përflakën dhe u përskuqën, teksa deti me valët stolisur me arin e dritës dukej sikur frymëmerrte me gjokisin e tij vigan. Sido që ne jemi mësuar ti shohim dhe shijojmë shpesh pamje të tilla, nuk mund të them se s’më japin kënaqësi me bukurinë e tyre. Kur kaluam ngushticën e Patras, nën urën që lidh dy brigjet, i dhashë timonierit kordinatat e lundrimit dhe e porosita që të mbante distancë të baraslarguar nga të dy brigjet deri sa të arrinim në kanalin e istmit të Korintit. Në mesditë u duk bregu dhe bankina e portit të kanalit. U lidha me kapitenerinë e kanalit.Mënjoftuan se hyrja ishte e lire, te afroheshim dhe se do të na jepnin nje pilot për lundrimin në kanal.

Ishte hera e parë për mua, që e kaloja me anijen që drejtoja këtë kanal, i cili lidh detin Jon me detin Egje. Pas manovrës së kujdesëshme u afruam në hyrje të kanalit. Në radhë, në të dy anët, nuk kishte anije të tjera. U paraqita në kapitenerinë e portit, pasi i përshëndeta, u thashë se do të kaloja kanalin për të vijuar lundrimin për në portin e Izmirit. Pasi bëm formalitetet, dhe paguam taksën e kalimit, më dhanë një fletpalosje që kishte të dhënat për kanalin dhe më thanë se lundrimin do ta drejtonte një pilot grek. Në pritje të ardhjes së pilotit, i hodha një sy fletpalosjes për të marrë ca dije për kanalin. Në të thuhej se kanali, i gjatë 6.3 km. kishte gjerësi pak më shumë se 25m. thellësia 8m, lartësia e ledheve anësorë arrinte deri 90 m. Ishte përuruar në 25 korrik të vitit 1893 dhe shkurton udhën e lundrimit rreth Peleponezit me 700 km.
Piloti më përshëndeti me një anglishte me theks grek, më tha se quhej Kosta Moraiti dhe se lundrimin në kanl do ta bënim së bashku. Për nga mosha mu duk se ishte afro të gjashtëdhjetave. Shtat mesatar por muskuloz, hundë krrut, mustaqe të plota, krejt i thinjur por me fytyrë të freskët e pamje gazmore, të buzëqeshur. Dukej që ishte ujk i vjetër deti. Më hodhi një vështrim zhbirus nga koka në këmbë dhe mbase u duk i pakënaqur me moshën time fare të re dhe pamjen prej çunaku.

Hym në bord. I urova mirseardhjen. Kosta zuri vend pranë timonierit, për të nisur manovrën e hyrjes në kanal, por timonieri ynë Gjok Përkeqi, nuk e lëshoi vendin nga timoni, këtë s’ja lejonte askujt. Me shpejtësi të ngadalësuar hym në kanal. Anija jonë ishte e gjerë 19m. Nga të dy krahët hapësira e lirë që e ndante nga ledhet e kanalit ishte 3 m. Ç’do gabim sado i vogël mund të ishte me pasoja dhe rrezik përplasjeje. Bënim përpara me ngadalë. Ndërkohë që bënim përpara pata kohë të sodisja kanalin. Ledhet shkëmbore të prera thikë përbëheshin nga shkëmbenj masivë, në plasat rriteshin bimësi shkurrore, fjerishte dhe kacavjerrëse, kurse sipër, aty-këtu shiheshin drurë të lartë lisa dhe pisha.Mbi kanal , ishin urat që lidhnin të dy brigjet, mbi to kalonin pa rreshtur makinat. Sipër, në lartësi, një rrip qiell pa re, i kaltër, i përndritur sa të merrte sytë. Sido që pamja ishte e veçantë dhe e bukur, pata ndjesinë se isha i ngallmuar me anijen time në një kallëp të gurtë që më shtrëngonte në të dy anët si morsë dhe s’më shqitej ndjenja e rrezikut. Shihja që Gjoka i përqëndruar dhe paksa nervoz, punonte në timon duke zbatuar urdhërat e pilotit Kosta që s’rreshtnin tërë kohën: kujdes shpejtësinë, drejtimin në qëndër, shmangu majtas, më pak e më ngadal përpara, jo ashtu, ki mëndjen për ato që të them… e kështu pa pushim. Zëri kumbues e i fortë i komandave të tij, jehonte në hapësirën e ngushtë.

Gjoka, mirditor inatçi, që e dinte mirë punën e tij, dhe që s’duronte ta trajtonin si fillestar e të paditur, si të mos i mjaftonte përqëndrimi dhe tensioni u nervozua nga ndërhyrjet dhe udhëzimet pafund dhe dikur, ja plasi me një të sharë shqip:
- Mjaft, mor grek budall, për cilë më di ti, se më pordhe kokën! Nuk mjafton ky dreq kanal si bira e gjilpërës, por më duheshe edhe ti që ma plase shpirtin, he t’bafsha nan e motër dhe robt e shpis kudo ku t’i kesh!
E shara u kap nga altoparlanti dhe u dëgjua në gjithë kuvertën. U turra për te kabina e timonierit për të parë se çfar po ndodhte dhe i bërtita Gjokës: -Mbylle more gojën! E kupton se ç’je duke thënë? Ç’të duket vetja. S’ta ka kush për borxh, le që ai nga mosha është sa prindi yt!
Gjoka turfulloi si dem i azdisur, por nuk bzajti. Pashë që piloti Kosta Moraiti u prish në fytyrë, vrejta një përzjerje inati zemërimi dhe mërzie. Doli nga kabina dhe mu drejtua mua, në anglisht:
- Kapiten, motra dhe nëna ime nuk meritojnë të shahen, vetëm se ti i ke hajvan marinarët! Unë heq dorë nga pilotimi. Kur s’doni të më dëgjoni. E tillë gjë s’më ka ndodhur me askënd. Kokën thyefshi – tha dhe shkoi e u ul në karrige te tryeza në mes të kuvertës dhe nisi të mbushte llullën me duhan.
Për mua ishte befasi. Jo se ai hoqi dorë nga pilotimi, por si dreqin e mori vesh të sharën? Atë sharje, nuk do t’a kasha kuptuar as unë po të mos e dija dialektin e veriut. U ula kundruall tij, i kërkova falje, jo një herë por disa herë përsa ndodhi. I thashë të mos ia vinte re , se ishte i ri dhe nervoz nga ngushtica e kanalit dhe e pyeta si e kish kuptuar sharjen.
-Jam arvanitas, flas keq shqip, po kuptoj mirë. Në të dy anët e kanalit gjysma e fshatrave dhe qytezave janë arvanite. Jemi të qëmoçëm në këtë vend,po rrënjët tona janë në shqipëri.
-Dhe flisni shqip?
-Nanëzonja dhe Tatëmadhi, flisnin vetëm arvanitika, nuk dinin greqisht. Edhe mëma ime dhe tata, flisnin për bukuri, po tani, ca shkolla, ca papaj në klishë, ca televizori, brezi i ri e ka bjerrur, nuk e flet, po për të kuptuar kupton. Moreja, që tani i thonë Peloponez, ka patur shumë arvanitë. Shumë syresh, kur na zaptoi turku, u hodhën në Itali. E ke dëgjuar atë këngën “Moj e bukura more”, ata ikën këndej për sebep të turkut, po ndryshe nga ne ata i thonë vetes arbëreshë. Është e njëjta gjë Arbëresh, Arvanit, Shqipëtarë. Jemi një gjak me ata e me ju. E gjaku ujë nuk bëhet!
Piloti Kosta Moraiti, tha këto pastaj heshti dhe nisi të thithte me ashk llullën.
- E di pse mu rënd shumë ajo e shara e atij hajvanit,marinarit tënd? Ngaqë më shau një i gjakut tim. Do të drejtën, mezi e mbajta veten që të mos ia bëja surratin përshesh, se grushtin e kam të rëndë.E po thashë, i ri dhe ca më shumë, s’dua ti hap nam të keq kapitenerisë ku kam një jetë që shërbej.
Porosita të na sillnin një shishe raki dhe të sajonin ndonjë meze të çastit. Nuk vonuan të na i sillnin. Mbusha gotat.
- Gëzuar barba Kosta. Gotat tringëllinë.
- Gëzuar kapiten, u shkoftë mbarë dhe gëzofshi të ritë tuaj!
Ngjëroj njera pas tjetrës dy gllënjka. E pashë që i shijoi.
- Të pëlqen?
- Më pëlqen thua? Është nga dheu i Shqipërisë. Na këtu pimë uzo. Edhe turqit, po uzo që e hollojnë me ujë e i thonë raki. Ku rakia juaj e ku e tyrja, as vihet në hesap.
Dhashë porosi që një shishe rakie t’ia jepnim dhuratë kur të ndaheshim. Kisha një shishe “Perla” nga kantina e Durrësit, që e ruaja për ndonjë rast të veçantë.
Lundrimi në kanal po i afrohej fundit.

Piloti, Kosta Moraiti, nxori celularin dhe e uli mbi tryezë. Më pa i buzëqeshur, si të donte të më befasonte, pastaj u bë serioz dhe mori pamje të rëndë. Lëvizi butonat e celularit dhe papritur, i regjistruar në të, buçiti hymni i flamurit. Hymni ynë i bukur, burrëror, që muret e gurta të kanalit jehonën ja përcollën qiellit. U befasova nga kjo e papritur. U ngrita në këmbë. U ngrit dhe Kosta Moraiti, në fytyrë si lëvizte asnjë muskul, ngjante si statujë, si të përcillte me nderim një solemnitet.Kur melodia mbaroi, unë duartrokita dhe e përqafova Kostën fort e fort.Çasti ishte mallëngjyes. Atij ju mbushën sytë me lot dhe më tha:
- E po kapiten, është zëri i të parëve, gjaku nuk bëhet ujë!- Kjo i thoshte të gjitha.
Lundrimi në kanal përfundoi. Në dalje, Gjoka manovroj djathtas dhe e ndali anijen anës bankinës. U ndam me arvanitin Kosta Moraitin. U përqafua me secilin prej nesh, por gjokës i qëndroi ftohtë dhe s’i zgjati dorën. Por Gjoka, e rroku n’grykë, e shtrëngoi fort dhe nuk pushonte së thëni: më fal, të lutem më fal.
Piloti Kosta Moraiti-Arvaniti, zbriti në bankinë dhe na uroj shqip:
- Paçi mbarësi e u kloftë dhromi mbroth!

Ky ishte piloti arvanitas Kosta Moraiti. Që atëhere nuk e pashë më dhe më erdhi vërtet keq dhe më pikëlloi lajmi që më dha Sokoli për ndarjen e tij nga jeta. Njerëz si ai nuk harrohen sado kohë të shkojë.

Tiranë, mars 2020.

No comments:

Post a Comment