Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Friday, 20 July 2018

LËMIJTË

            Në fshat, një nga veprimtaritë më të rëndësishme të vitit, deri në mesin e shekullit të 20-të, ishte  shirja e grurit, ose “lëminjtë”.  Anipse  ishte një punë shumë e mundimëshme, nën rrezet përvëluese të diellit të korrikut, që digjnin “si një saç mbi kokë”, fshatarët e prisnin me një ngazëllim të fshehur. Fytyrat e tyre shprehnin atë kënaqësi, siguri, prokupim e krenari të ligjëshme, që çfaq çdo njeri, në përfudimin me sukses të  një pune teje të rëndësishme e të vështirë. Më së fundi, djersa dhe mundi gjithëvjetor, kurorëzohej e shpërblehej tek madhësia e pirgut, ose “sorroit”,  të grurit në lëmë, për të mbushur hambarët, të pastruar, të larë dhe të dezinfektuar me ujë të përvëluar. 

            Sigurimi bukës ishte mirqënie, mbijetesë, në të kundërt do të duhej “të  mirrënin rrugët”  për t’a gjetur. Kjo, do të ishte një punë edhe më e mundimëshme, rraskapitëse e cfilitëse. Jo pa çfaqur shenja zilie, apo xhelozi  thuhej: “I mbushi hambarët plot”, për ata që kishin siguruar “të korra të mbara”. Këtyre llomotitjeve të dembelosura nuk u “vinte veshin” njeri, madje, atyre as që duhej t’i pyesje ”sa morrën”, ata thellë në ndërgjegjen e tyre bënin llogaritë, se sa muaj kishin të siguruar bukën, (zakonisht për 7-8 muaj)  dhe për muajt e tjerë, duhej të mendonin se si do ta zgjidhnin: me misër, apo duhej blerë diku gjetkë.

            Ndërsa tipat llafazanë, dembelë, pa indentitet, që siç i ka perifrazuar populli, “aq sa paça qejf për arë, le të kisha qe e farë”, nuk kishin as lëmë, as “bagëti e katandi”, dhe arat “i kishin lënë batall”, pa punuar, ose : “ i kishin bërë tamam, korrë e shirë tok në lëmë”.  Kur mbaronin punët e në fshat behej dhe “bilançi”, për këta persona thuhej me qesëndi: “Lesh në lëmë”, do të thoshte se në lëmë nuk shiu grurin por asgjë, ose ndëri leshin për t’u tharë pas larjes. Në periudhën e diktaturës, nga xhelozia, cmira e urrejtja që kishin për njeriun e punës, këta punëtorë kokëulur, i etiketuan borgjezë, kulakë, çfrytëzues, etj. dhe si lanë të ngrenin kokën për më shumë se 50 vjet, të inspiruar e mbështetur nga qendrat antishqiptare dhe utpistave lindorë.


Në të vërtetë ky organizim familjar i punëve në bujqësi, ishte i trashëguar e pasuruar brez pas brezi tek shqptarët, për të përballuar periudhat e vështira të sundimeve dhe luftrat barbare që bëheshin në truallin e arbërve. Ky organizim bujqesor në fakt, ishte  një punë e një mini ferme që u kishte bërë ballë kohërave teje të vështira, dhe me siguri në kohë do të prefeksionohej, e mekanizohej ashtu si në të gjitha vendet e tjera të Evropës.

Kjo traditë organizimi në bujqësinë shqiptare duhej të qe bazale dhe udhërëfyes, por diktatura e shkatëroi, së pari duke denigruar, persekutuar dhe burgosur ajkën e këtyre fermerëve dhe më pas duke ngritur kooperativat me 4-8 lek për ditë pune. Kjo, qe me pasoja të rënda për ekonominë shqiptare, pasoja që i vuajmë dhe sot, dhe do ti vuajmë gjatë, për shkak të braktisjes masive të fshatit. Eshte tej e vështirë për të rifilluar nga e para sot në zonat rurale tashmë të boshatisura nga lënia pas dore e qeverive që e kane qeverisur këtë vend.

Punët fillojnë ndaj të gdhirë…..


            Puna në lëmë niste herët, me “ Yllin e Mëngjezit”, që ndriçonte si një llambushkë në qiellin pus të errët. Lëmtarët rreshqisnin pa zhurmë nëpër rrugët e fshatit të përgjumur por, jo pa u diktuar nga qentë vigjilentë që ndiqnin çdo lëvizjet jo të zkonëshme në rrugët e fshatit, dhe me ham-hamet e tyre nga gardhet e shtëpive, sikur të thoshin: mos u afro tek territori që unë mbroj. Ndonjeri edhe më trim u dilte para e u zinte rrugën por lëmtarët ishin të përgatitur. Mbanin një hu në dorë dhe qentë “trima” me ta parë zmbrapseshin duke u hakërruar, të ndjekur nga korri ham- hameve të qenëve të tjerë në mbështetje të shokut të tyre.

            Me të arritur tek lëmi zgjidheshin ligëtirat e shtronin dhematët si dhe mbrehnin qetë. Për të bërë lëmin duhej një pendë qe. Shpesh familjet kishin nga një ka dhe për t’a bërë një pendë duhesh dhe një tjetër, kështu bëheshin “sëmbër” me një familje në fshat, pra i jipnin qetë njeri tjetrit për t’a kryer këtë punë dhe jo vetëm qetë punës por edhe veglet e tjera që mund të duheshin për një lëmë si: lopatat, shoshat, dhromonët, tërkulët, etj., apo dhe paisjet e pendës së qeve si: zgjedhën, plisat, tevliqet, hostenin, pirinë, etj. Shpesh lëminjtë bëheshin dhe me kuaj dhe kjo ishte me produktive. 

            Qetë nisnin me përtim të vinin rreth strumbullarit të lëmit të nxitur nga ai që i ngiste duke u thirrur: Hyjaaa, haaj, ec balash, hoop lari, etj. Dy-tre të tjerë mblidhnin grurin me tërkul nga anët  dhe hidhnin në mes të lëmit. Të lehurat e qenëve tashmë kishin pushuar. Nga lindja aty ku pritej të dilte dielli qielli dukej sikur po mirrte zjarr. Këndezët nga kotecet apo katonjet fillonin këngën e tyre solo, në garë me njeri tjetrin, për të lajmëruar një ditë të re.  Ajëri i freskët shëndetdhënës, të nxirrte nga gjëndja e përgjumur dhe të shtonte energjitë  për punët e ditës. Duke u preokupuar me këto punë dita fillonte të zbardhte pa u kuptuar. Sa dielli kishte puthur majat e maleve në  brinjat e thepisura dhe çerçemet e lartë, rreth e rrotull fshatit, niste  kori  birbilave këngëtarë, i thëllëzave me zë të qëruar, dhe me pas me daljen e diellit ndonjë ,“kuko” dhe turro e vetmuar e mbyllnin këtë koncert.  Kur  “dielli të kish shkuar dy hosten” , e fillonin  të  thumbonin trupin rrezet përvëluese, njerëzit vendosnin kapelet ose mbrojtëset e bardha për t’u mbrojtur nga rrezet  dallëdisëse të diellit.
Lëminjtë bëheshin dhe me kuaj.
            Kori  me zërat e ëmbël të zogjëve,  dalë-ngadalë fillonte të venitesh, për  t’ja lënë vendin korit shurdhues zhurmëmadh të gjinkallave, që me zukatjen e tyre nuk pushonin gjithë ditën, deri në mbrëmje kur çfaqeshin xixëllonjat, sa të çanin timpanin e veshit. Hera - herës në qiell çfaqesh ndonjë çift kaliqyqesh që  bënin xhirot vrojtuese tradicjonale rreth fshatit. Po, kush ua kishte ngenë këtyre krijesave që natyra kish sajdisur, njerëzit ishin të preokupuar fort në punët e lemit. Duhej kryer çdo punë në kohë, sepse “bota vështronin”…  të qesëndisnin, kur lëmi vonohej ose, aq më keq të mbetej për ditën tjetër. Madje, edhe kur punët  nuk vareshin nga të zotët e lëmit, për shkak të ndonjë shiu të pa pritur në pasdite, jo pa qesëndi thuhesh “U mbeti gruri në lëmë”. Shpesh të zotët e lëmit i kthenin sytë nga mali, në qoftë se aty grumbulloheshi re shtëllungore në pasdite do të kishte shi dhe nxitoheshin që punët ti kryenin sa më shpejt. Fshati ditët që familja kishte lëminjtë, nuk duhesh t'i pengonin në punë,” s’na e kanë ngenë” , thuhej. Ndonjë kalimtar bënte urimet e rastit si: “Gëzuar bukën e re”, “Puna e mbarë”, “Me bereqet” , “dhemat e okë”  “Mot më shumë” e të tjera si këto.

            Mbas 3-4 orësh nga mbrehia e pendës së qeve fillonin me anë të tërkulëve të seleksjononin e të hiqnin kashtën nga pjesa e sipërme e dhematëve të shtruar në lëmë. Kashta me ararë ose çarçafë transportohesh ne kasollet e kashtës për t’a ruajtur për dimër si ushqim, zaire për bagëtinë. Zakonisht njerëzit që mirreshin me nxjerrjen e kashtës jashtë lëmit ishin më të specjalizuar për lëminjtë. Më pas qetë i zbrenin të bënin një pushim dhe u hidhnin diçka për të ngrënë në ndonjë hije, për të bërë kthimin e lëmit. Pjesa e poshtëme e duajve të lëmit nxirrej sipër dhe përsëri vazhdonte shirja pér 2-3 orë  të tjera deri në përfundimin e lëmit ku të qe hequr e gjithë kashta.

          Gjat kësaj kohe kishte ardhur dhe dreka e lëmtarët duhet të hanin diçka si dhe për t’u çlodhur pak e për të marrë forca të reja.  Dreka mund të ishte një byrek me qumësht, qollopitë, sallatë me domate, dhallë e ftohtë për t’u freskuar, po dhe gatime të tjera. Si fruta mund të kishte shalqi ose pjepret e parë. Shpesh kjo drekë bëhesh gosti nga të afërmit e familjes lëmtare.

         Pas kësaj riniste puna përsëri, duke mbrehur qetë edhe për pak kohë sa të shiheshin edha ata pak kallëza që kishin mbetur. Në përfundim të kësaj pune zmbreheshin qetë dhe lëshoheshin në kullotë. Gruri me tërkulë, dhriale e lopata druri mblidhesh në një tog rreth strumbullari të lëmit. Pastaj fillonte hedhja në erë për të larguar bykun(glumet). Në se kishte erë kjo punë bëhej më e thjeshtë. “Lëmi do erë “ përsëritej shpesh nga lëmtarët. Me tej sipas një radhe me dhromona, shosha largoheshin dhe farërat e barërave të këqia, balta e mbeturinat e tjera. Kështu kokërat e grurit ishin të pastra dhe transportoheshin për në hambarët, vëndi ku ruhesh gruri. 
Një Lëmë në fshatn Selckë, Gjirokastër.
Dallohet se në afërsi të  lëmenjëve mbilleshin pemë me kurorë të lartë per hije.


Një lëmë në Përmet siç dalloket mirë ëshë ndërtuar në njé bregore ku fryjnë erërat.


Një lëmë në fshatin Priftën, Grudë-Malsi e Madhe në Mal të Zi banuar nga shqiptarët.
Ky lëmë përdorej edhe për të nxjerë ujë. 


Një lëmë antik në ishullin e Kretas, Greqi (Visit West Crete)
Përgatiti

K. Mosko

2 comments:

  1. I dashur Koço, e lexova me shumë vëmëndje, jo vetëm se e ke shkruar ti, miku im dhe shumë bukur gjer në hollësi, por edhe se më fute në nostalgjinë e atyre viteve, kur ne të vegjël, ashtu si prindërit tanë, ditën e lëmit e prisnim me gëzim të madh, si kurorëzim i një pune shumë muajshe. Dita e shirjes në lëmë ishte një ditë, ku me një solidaritet të pashkruar, kthehej në një punë të përbashkët për të gjithë dashamirët e asaj familjeje që shinte. Dikush do të ndihmonte të mblidhte anët e kashtës që shpërndahej anëve të lëmit nga shkelja e kalit (në ndonjë rast edhe dy kuajve bashkë), dikush do binte ujë për atë që drejtonte nga strumbullari dhe për kuajt, dikush do e kthente kashtën vazhdimisht. Pastaj, kur mbaronte shirja, kishte punë dhe për ne fëmijët, që shkoqnim kokrrat e fundit që kishin mbetur në kallinj, ndërsa gratë mbasdite që fillonte era, e hidhnin grurin në erë, për ta pastruar nga byku. Por ne fëmijëte fshatit tonë, në lëmin e Mitrokostaj ku zakonisht bëhej shirja bazë radhe, do luanim deri edhe me dritën e hënës, duke u fshehur në kashtë dhe hedhur në pirgun e madh të saj. Është një nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë sime, kur mblidheshim gjithë shokët e shoqet bashkëmoshatarë dhe luanim deri vonë, ku vetëm prindërit na tërhiqnin nga ajo, ndryshe ne s'i ndaheshim kashtës. Ato ishin lojrat dhe gëzimet e vetme të kohës. Të përshëndes Koço, për këto realitete që përshkruan, mbetur në thellësi të kujtesës sonë!

    ReplyDelete
    Replies
    1. Te falenderoj Spiro. Eshte nje nga punet e rendesishme te fshatit lunxhjot dhe shqiptar ne pergjithesi. Pothuajse çdo shtepi ne Lunxheri kishte lemin e saj, qe per fat te keq jane prishur tani. Duhesh te mbaheshin disa per te treguar historine tone, nuk kemi ardhur nya hici. Kjo este dicka qe e kam nisur por nuk eshte ajo qe do te doja ose sic e kam ne mendje une. Besoj se do ta permiresoj ne te arthmen, edhe me historine, origjinen e tyre dhe vecanerisht ne Lunxheri.

      Delete