nga Ing. Haki Kola
Tiranë
Zhveshja e Shqipërisë tonë vazhdon me ritme të shpejta e
të pabesueshme. Duket se ata që kanë qeverisur kombin shqiptar në mijëvjecarin
e fundit, ja kanë dalë të mos vihen në tehun e kritikave për këtë krim që ka
filluar herët dhe po vazhdon pa pushuar të na shëmtojë peisazhet, djegë e
masakrojë drurët e bimët dhe të humbasë pa pushim tokën. Ish presidenti
amerikan Rusvelt pati lënë një amanet që mund të përmblidhet: “Çdo gjeneratë e
ka për detyre që ti lerë asaj në vijim tokën në një gjendje më të mirë se sa e
kanë gjetur”. Evropa e dendur dhe e zhvilluar duket që pas një vuajtje të gjatë
disa shekullore, e gjeti zgjidhjen rreth dy shekuj më parë. Neve e humbën atë
shans, dhe historinë nuk mund ta gjykojmë.
Sa herë trajtohet kjo temë, pyetja e parë që të shkon në
mëndje, është nëse ata që marrin vendime dhe na drejtojnë, kanë informacion,
apo e njohin zgjidhjen, që e shpëtoi pyllin e tokën europiane nga prerja apo
gërryerjet. E di se në kurrikulën e Fakultetit të Pyjeve, kjo deri vonë nuk
është trajtuar. Një shkencëtar nga Akademia e Shkencave Suedeze, që ishte
pjesëmarrës në konferencën shkencore për të sotmen e të ardhmen e pylltarisë
Shqiptare të 1-2 Nëntorit 2011, organizuar nga Akademia e Shkencave Bujqësore
te Suedisë, në bashkëpunim me Akademinë Shqiptare të Shkencave, rekomandoi me
këmbëngulje që çështja e pronësisë dhe të drejtës së përdorimit të tokës pyjore
të përfshihet në kurrikulën e fakultetit të pyjeve.
Koha do të tregoje nëse zëri i tij ka arritur ndonjë vesh
që dëgjon. Kujtoj që ka më se 15 vjet që debatojmë me kolegë që për shembull
edhe problematika e pyjeve komunale të fillonte të trajtohej nga Fakulteti, por
në fakt këto 15 vite nuk kanë mjaftuar për të bindur vendimmarrësit. Ndoshta
është tepër teknike dhe për publikun bëhesh i bezdisshëm kur përsërit shpesh të
njëjtën gjë, por me qenë se flitet për tokën, ujin e ajrin, më mirë të mërziten
e ti rregullojnë se sa të lihen të qetë e ti shkatërrojnë.
Tokat pa një kujdestar mund të përfundojnë në këtë gjëndje......... |
Le të shërbejë kjo si një leje që t’ua kujtojmë këtë
mekanizëm, që Shqiptarët e patën të parët në kanunin e tyre, ashtu
instiktivisht, e sado që zakonisht duam ta përcjellim fajin në histori, psh tek
turqit, këto të fundit jo vetëm nuk jua rrëzuan këtë të drejtë kanunore, por në
hapësirat e Kosovës jua legalizuan fillimisht fshatrave e më pas secilit sipas
familjeve, tokën me pyllin e tij, ndërsa në malësitë ku nuk kishin pushtet të
plotë, pothuaj se nuk arritën as të fillonin që ta legalizonin të drejtën që e
kishin ndarë banorët me njëri tjetrin për çdo pëllëmbë të tokës me anë të kanunit.
Edhe në pjesën fushore të vendit, dëgjon me dhjetëra raste
që banorët përmendin për dokumente Osmane kur kërkojnë ndonjë të drejtë
pronësie apo përdorimi për prona pyjore në pjesën lehtësisht të aksesueshme të
vendit. Periudhën pas luftës së dytë botërore kemi të lehtë ta justifikojmë,
pasi ja faturojmë komunizmit. Ajo që nuk kuptoj është se përse edhe 20 vjet pas
rrëzimit të komunizmit, kjo mbetet një tabu e çuditshme shpesh me zarar qoftë
edhe për t’u përmendur. Diku të vete mëndja tek ashpërsia me të cilin u luftua
kanuni nga komunizmi, ashpërsi që gjenerata jonë e jetoi në shumë detaje
emocionalisht.
E groposi në mënyrë të pabesueshme. Për shumicën e
njerëzve lufta kundër kanunit është konceptuar lidhur me pjesë të tij të
lidhura me hakmarrjen apo dallimet e padrejta gjinore. Vetë luftuesit e kanunit
diku e përmendin se kanuni ishte i dëmshëm pasi mbështeste pronën private. Pak
kush është thelluar të shohë se cilën pronë private, mbronte kanuni, por nese
thellohemi ne jetesen e malesoreve shqiptare ne mesjete, mund të supozohet
se përgjithësisht kanuni ishte krijuar për të vendosur rregullat e përdorimit
per pyjet e kullotat. Qeveria e Fan
Nolit e programoi në kuadrin e reformës së tokës parimin që populli të merrte
në pronësi për të siguruar nevojat për material drusor apo kullosor, çka fort
rrallë përmendet, nga studiues të së drejtës. Për malësorët kanuni ishte veç të
tjerash edhe një kadastër e gjalle që me gurë të vendosur ndante e përkufizonte
të drejtën e çdo familje për territorin
ku jetonte. Njerëzit urbanë këtë ose nuk duan ose e kanë të vështirë ta
kuptojnë. Bazuar në kanun e gjithë toka e Shqipërisë ishte e ndarë si për malet,
baraqet, fshatrat e fiset deri ne nivel familje. Kushdo që është kurioz, i
mjafton një vizitë neë kullotat e bjeshkëve të tropojës, të cilat sot e kësaj
dite janë të ndarë për çdo pëllëmbë tokë familjeve, ndarje që ka mbijetuar që
nga koha e kanunit.
Kjo ka ardhur deri në ditët tona. Në një studim që u
realizua ne Komunën Blerim të Pukës, në vitin 2003, u konstatua se nga banorët
ishin ruajtur e pranoheshin kufinjtë që ndanin pyjet e pishës. Kur studimi u
prezantua, asnjë familje nuk kishte ankese, per cfare I njihej si prone e
familjes. Politika e vazhdueshme e sofistikuar e mosnjohjes se kesaj tradite te
vyer si dhe e këtij rregullimi
shekullor, të kthyer në sistem në Kohën e diktaturës në emër të luftës kundër
kanunit, ka mohuar një pjesë të gjatë të historisë së marredhënieve me natyrën,
dhe u ka shkaktuar një humbje të
pallogaritshme shqiptarëve, shkatërrime, degradim që në ditët tona po shtohet
në mënyrë eksponecniale duke përfshirë, pyje, shtretër lumenjsh, kullota e çdo
pëllëmbë të tokës pa zot në Shqipëri.
Alpet e Evropës janë aktualisht të begata për nga mbulesa
pyjore. Komunitetet e alpeve evropiane ne vitin 1848 u morën vesh me everite
apo mbretin e tyre dhe e ndanë tokën e
alpeve midis tyre, qe te mbronin me këtë akt pyllin, kullotën dhe token që i
rrit këto të dyja dhe ushqen rruzullin me ujë. Sot ata dëshmojnë se arritën
rezultate fantastike, ruajtën dhe shtuan pyllin dhe kullotën, ruajtën e
pasuruan token e ujin. Ata e shmangën tragjedinë e të përbashkëtës që po ndodh
në pyjet e kullotat shqiptare.
Këtë e arritën (i)duke ndjekur parimet vendosjes se kufijve të
qartë; (ii) rregullat të drejtat e detyrimet reciproke shtet – komunitet të
përputhen me kushtet dhe nevojat lokale; (iii) individët që janë pjesë e këtyre
marrëveshjeve kanë të drejtë të marrin pjesë për t’i rishikuar,(iv)autoritetet
shtetërore ta respektojnë te drejtën e komuniteteve ne vendosjen e këtyre
rregullave, dhe (v) një sistem për vete monitorim te sjelljes se anëtareve
ngrihet e funksionon; ka një sistem te pranuar sanksionesh për shkelësit dhe
anëtaret e komunitetit kanë mundësinë e arritjes se mekanizmave me kosto te
ulet për te zgjidhur konfliktet.
Për neve Ballkanasit perëndimor tingëllon si e pabesueshme kur
mësojmë që shteti menaxhon atë që i tepron banorëve ruralë. Që në vitin 1948,
kur banorët e Austrisë se bashku me shume shtete te tjera të Evropës e fituan
te drejtën qe nga bujkrobër të ktheheshin ne pronare te një sipërfaqe te tokës
te mjaftueshme për te siguruar nevojat e tyre vjetore me lëndë druri, e bazë
ushqimore për blegtorinë. Janë mbi 2000 komunitete pronarë të pyjeve në zonat e
banuara për rreth alpeve, atje ku takohen kufijtë shtetërore të Italisë,
Austrisë e Sllovenisë, te cilët kanë mbi 2000 vjet përvojë administrimi të
përbashkët.
Mohimi i dhunshëm i kanunit të Lekë Dukagjinit, Skënderbeut apo
Idriz Sulit, bëri që guri dhe kufiri i vendosur ne rrjedhën e shekujve, për te
fiksuar te drejtën dhe detyrimet e secilit mbi këto pasuri te përbashkëta, të
mos njihej nga qeverite e pas viteve 1990, duke ju tundur banorëve gjithmonë slloganin
e mungesës se dokumentacionit, duke
krijuar një pasiguri shkatërruese qe i hap rrugën realizimit te tragjedisë së të përbashkëtës, mbi këto
pasuri te çmuara. Kanë kaluar 162 vjet, qëkur lëvizja fshatare në të shumtën e
vendeve të Evropës perëndimore fitoi dhe qeveritë filluan të rregullojnë të
drejtat e fshatarëve mbi tokën pyjore e kullosore. Bujkrobërit fituan lirinë,
bashkë me të drejtën që nevojat për prodhime pyje e kullosore t’i siguronin nga
toka e tyre.
Fermerët e shteti i besuan sistemit të së drejtës, e pranuan
sfidën e vështirë dhe afatgjate të ndërtimit të tij. Shpate të tëra malore të
shfrytëzuara tej mase për nevojat e industrisë minerare e të prera rrah,
filluan të vishen e janë shndërruar aktualisht në ekosisteme mjaft të
stabilizuara, që prodhojnë e shtohen. Ballkanasit e perëndimit ne atë kohë nuk
mundën t’i bashkoheshin kësaj lëvizje. Rënia e murit të Berlinit dhe fillimi i
proceseve demokratike i gjeti zyrtarët të saturuar me mentalitetin komunist
lindor, dhe gjenerata rurale që u ndesh me këtë moment, gati e kishte harruar
që mund ti ri kërkonte këto të drejta të mohuara në shekuj. E mësuar që këto
t’i realizonte ashtu siç kishte bërë historikisht, në rrugë jo ligjore dhe pa
detyrime fiskale, një pjesë e popullsisë sikur edhe i druhej që të organizohej,
duke u mjaftuar me copen e tokes bujqesore, qe akoma nuk e ka legalizuar.
Të fortët që u lidhën me politikën apo që shtuan blegtorinë,
gjithmonë i kanë gjetur format dhe e përdornin ne mënyrë ilegale të këtyre
burimeve duke prerë apo kullotur te drejtën e fshatrave të tërë. Zyrtarët sikur
janë mësuar të mos i pranojnë apo t’i minimizojnë nevojat për produkte drusore
vjetore të popullsisë rurale, aq sa ka vite që konsumi nuk regjistrohet e
monitorohet. Duket sikur realiteti virtual i krijuar në mendjen e tyre është
larg realitetit, dhe u mbetet hatri kur dikush thotë që një familje në Dragash,
Pukë, Kukës, Malishevë, Devoll apo Leskovicë, harxhon gjatë një viti edhe 25
apo 30 m3 dru për ngrohje, apo një dele dhi apo lopë merr për çdo ditë nga
pylli e kullota disa kilogram gjethe e bar.
Të mësuar që të nderojnë qeverinë apo zyrtarët e lartë, ata
vrapojnë të minimizojnë këta tregues, të shmangin vëzhgimet e matjet, duke
krijuar një klimë në disfavor të qytetarëve politikë bërësve. Ata nuk e besojnë
psh që pylli shqiptar në gjendjen aktuale nuk ka kapacitet të plotësojë nevojat
e zonave rurale për dru zjarri e ndërtim. Kullotat e jugut nuk i plotësojnë
nevojat e blegtorisë për kullotje. Qeveria punon me peshore të prishur, që i
tregon shumë herë më pak peshën e atyre që në fakt i merret pyllit e kullotës.
I gjithë sistemi është i ç’ orientuar, akuzat të ndërsjellta në rritje. Si
rezultat, për të plotësuar këto nevoja të papranuara zyrtarisht pylli pritet
rreth pesë herë më tepër se sa rritet e
vazhdon të degradohet. Kullota mbi shfrytëzohet disa herë mbi kapacitetin e saj
dhe degradimi i tokës, shtimi i erozionit e përmbytjeve janë në progresion.
Në pozicion krejt të kundërt janë banorët e zonave rurale, që e
vlerësojnë realisht atë nevojë, që e
kane trasheguar dhe duan ta zbatojne traditen e ruajtjes se pyllit e kullotes, ata
përpiqen me çcdo mjet ta realizojnë duke shfrytëzuar sa pyllin, apo fundin e
arës, buzën e përroit ku e siguron drurin për ngrohje me minimumin e
transportit. Ky sistem është arritur pas përpjekjeve pothuaj njëqindvjeçare,
dhe bazën e suksesit e ka garantuar nga regjistrat korrekt të tokës te
realizuar që në vitin 1871. Janë përllogaritur nevojat për çdo familje, dhe
sipas traditave e kushteve konkrete, janë vendosur kufijtë midis komuniteteve
apo familjeve, si dhe janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e tyre nëpërmjet
një kuadri ligjor me përvojë mbi 160 vjeçare. Ata janë të brengosur, që
megjithëse të ditur sistemi i tyre menaxhues nuk funksionon. Regjistrimi i
tokës bujqësore ka filluar pas vitit 1992.
Ka rreth 10 vite që flitet për transferim e regjistrim të tokës
pyjore e kullosore. Në fakt procesi nuk ka filluar. Askujt nuk i shkon në
mëndje të bëjë një pyetje fare të thjeshtë, nëse është legalizuar qofte edhe një hektar tokë pyjore apo kullosore në
përdorim të një familje!!! Rezultati u zerua shume thjeshte. Mjaftoi ndërrimi i emrit komune me bashki, dhe drejtuesit e sotem të thonë, ne njohim sitemin e
bashkisë dhe jo atë të komunës. Gurët e vendosur për të njohur të drejta
komuniteteve për 22 vite, u rrëzuan me një rënie të lapsit. Çadra e reformës
territorial e mbuloi këtë mohim të investimeve e përpjekeje 22 vjeçare të
donatorëve, institucioneve vendore e komuniteteve malore
Dihet që rezultati është zero dhe kështu do vazhdojë për shumë
dhjetë vjeçare, derisa të vijë momenti që degradimi i tokës të jetë aq i mah sa
njerëzit të kenë frikë të marrin përgjegjësi për tokë tërësisht të degraduar.
Ne kryengritje duket se është edhe moti, ne dimrat e fundit ku lumenjtë daliun
nga shtreterit e shpat malet, rrëshqasin, e së bashku përmbysin vendbanime rrugë e fusha.
Kokëfortësia e ballkanasve perëndimor, duket se do të ndëshkohet edhe nga
ngjarjet natyrore, nëse nuk do e dëgjojnë ketë logjikë të thjeshte, të
regjistrimit të tokës, vënies së kufijve pas njohjes të së drejtës së vendasve
për të qenë zot të vendit të tyre dhe partner të shtetit të tyre për të
ndërtuar të ardhmen.