Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Thursday, 20 August 2015

Poezi nga Pirro Loli

Pirro LOLI

Lindi më 10 shtator 1945 Konckë, ZagoriGjirokastër. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, atë tetëvjeçaren në Sheper dhe në Durrës. Në vitet 1960-64 kreu shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, dega gjuhë letërsi shqipe (1964-68) dhe më 1977, studimet pasuniversitare për filozofi. Gjate karrierës profesionale, ka punuar kryesisht në arsim, drejtor shkollash 8-vjeçare, pedagog në shkollën pedagogjike të Gjirokastrës dhe në universitetin “E. Çabej” Gjirokastër. Në vitet 1975-77 u zgjodh i pari i rinisë për rrethin e Gjirokastrës dhe më 1978, u emëruan punonjës shkencor në Institutin e Studimeve. Ka filluar të shkruaje e të botoje që në vitet '70 në shtypin letrar të kohës poezi e tregime.



Libra të botuara

Poezi

Drita e vetëtimës
Dhimbja e Urrës
Dritaret e Shiut
Vdekja e trëndafilave
Ordhri i lotit 
Metodë për leximin e hirit
Poema: Epiri pasthirmë e jugut

Romane

Lotët e diellit
Intervidtë me një gur
Qeni plastik
Piramida prej Mjalti
Dashnoria misterjoze
Qyteti me dy kate
Rrokje në kryq
Tubeti kuq

Ka botuar dhe disa ESE


VENDLINDJA

Rrathë të vjetër trungjesh koncentrikë
As tërmete, as murtaja s’ka rënë
Vetëm kronika buke
Dhe ikje të mëdha.
Kam pesëdhjetë vjet larguar
E Brirët e fildishta të ëndrrave
Si dre ngatërruar i kam nëpër ato rrathë.
Plagë aventurash kam në trup
Hero bëhesha
Kur vidhja një xhep me qershi
Sorkadhe e egër vendlindja
Dhe kur e puthja në buzë
Më qëllonte me bri.
Pesëdhjetë vjet me dhimbje koke
Aspirinë e bardhë nën gjuhë

PSE I KAM SYTË TË BLERTË

I kam njohur pemët që në djep
Nëna më merrte me vete në ara
Dhe djepin tim e linte në ledh.
Rrija tërë ditën në hije, kurorë e gjelbët
Mbi djep si stoli. Pemët ulnin degët mbi mua
Me gjethet e tyre më bënin stoli.
...
O mik i vogël , më thanë gjethet
Jemi miqësuar me ty.
Merre të blertën e gjethes
Përgjithmonë mbaje në gji.

HËNA E OBORRIT TIM

Kur na vinin miq për darkë
Ne, fëmijët
hanim thërrimet që mbeteshin në sofër.
por, kishim një hënë të madhe në oborr
varur në degët e manit.
Dhe luanim me fluturat e hënës.
Derisa nëna
ta nxirrte bukën nga furra na zinte gjumi.
Faqe më faqe me hënën rreth sofrës.
Nëna, me kujdes
Që të mos na zgjonte
E priste hënën copa – copa
Dhe të gjashtëve
Na jepte nga një racion buke
të ngrohtë…

MANI I ZI

Kam një man të zi në mes të oborrit
Që moshën e fsheh
Nëpër emra baballarësh të lashtë.
Më ka mbirë në shpirt
Me rrënjë e me degë
Hija e tij.
Mani im me pika gjaku i rrit frutat
dhe i fsheh nëpër fletë
të ëmbla, të ëmbla
mbi pllakat e bardha të oborrit
i hedh si bllaca gjaku në korrik
...
Një kokërr kur vija në gojë
Më gjakoste buzë e gishtërinj.
I plagosur isha Sikur
lufta kalonte në oborrin tim
Çdo korrik
Babai i rraskapitur gjer në muzg
Bereqetin e vitit e maste me raki
Mbushte filxhanin e madh e më thosh:
Ky man na mban gjallë
Ti pse nuk pi?!

RRËFIM PËRPARA ARRËS SË SHTËPISË

Kur isha i vogël inicialet e emrit tim (PL)
Me brisk
I gdhenda në trungun e arrës
Thjesht për kujtim.
Nuk e dija që kisha gdhendur një plagë
Por, arra si nëna
heshti e ndër vite dhimbjen e mori në trup.
- Ti, moj arrë e dashur pse më ke harruar?
Pse më paske fshirë? Unë mbi ty lashë emrin
Fëmijërinë?!
- Koha hodhi breshër - foli arra -
Hodhi dëborë e shi.
Që të të ruaja të paprekur
Të mora në zemër, në gji...
Dhe zogjtë dhe rrënjët dhe degët
Më folën në emër.

GORRICA

Mars më mars i tregoja sharrën
I flisja për një dardhë të ëmbël për Dy bisqe
të rinj e të butë
Dhe një shami për t’ia lidhur plagën.
Por
Nuk hante gozhdë gorrica
Gjeth më gjeth kreshpërohej
Me inatin e gjëmbit të egër
Drizash e korbash e gjinkallash
Që grisnin fytyrën. Pragu i dimrit
kishte gjuhë tjetër. I ftohtë tehu i sopatës.
Priste. Gojëhapur oxhaku në vatër
Dhe ulërima e ujkut pas derës.

BRAKTISJE

Këtu pemët kanë ngritur flamujt e erës
Dhe rënkojnë
Nën barqe të lagura resh
Gjaku po u ftohet pak nga pak
Pa një zog
Pa një fole
Hardhitë nderin krahët
Me gishtërinj kockash
Të thata si pleq
Qiparisi i zi
Me trupin prej shiu
Regjistron gurët e varreve
Që nisen për kurbet...

Gjirokastër, 1992.

pirololi1945@hotmail.com


VDEKJA E BABAIT

(CIKËL POETIK)
(Ai i donte shumë pemët dhe barin)

Kur të katër ne djemtë mbërritëm nga kurbeti
Ai qe shtrirë i qetë dëgjonte shiun e butë në kopsht
Dhe mërmërimën e gjetheve jashtë.
Me vetulla të trasha si të miat u fliste të gjithëve
“ky vit do të jetë i begatë”
Një mëllenjë e plagosur qante fshehur në bar
Si motra e vogël nga dhoma tjetër
Hardhia zgjatur në degën e manit 
Kafshonte kërcellin me aj.
Iku pa para 
Pa borxhe
Pa asnjë të fshehtë.
Pemët dhe barin dhe viçin
I donte më tepër se djemtë.
Në krye të pelikrinazhit
Pemët
Krahëvarura u vunë në rresht.
Pas tyre
të trishtuar
Çapiteshim ne, djemtë.

VDEKJA E KAUT

Kau plak nëpër dhera të rëndë
Plorin rakitik tërhiqte nëpër zaje
Mprehur në parmendën e drunjtë
Nëpër brinjë mali e ugare.
Një darkë me yje të ftohtë
Sytë e xhamtë iu rrotulluan me tmerr
Iu këputën gjunjët e hollë
E yjet e largët u drodhën në erë.
I zbardhi sytë e bukur
Dy plisa iu rënduan mbi brirë
Në për nofulla, dy kokrra loti i rrëshqitën 
Dhe ngrinë.
Mos vdis, vëlla i tha babai
Po kau s’fliste dot
Babai rrahu kokën me grushte
E në zokthin e grykës i regëtinë lot.

KËPUCËT E BABAIT

Këpucë bujku
Të gjera si lundër e vjetër
Të shkelura në thembër
Mos më keq.
Nëna matet t’i hedhë po s’i hedh
I ngre në duar
Si plisa të rëndë dheu
E nga sytë e mi i fsheh
Besnikërisht ruajnë
formën e këmbës së trashë
Dhe gishtat me goxhanikë si dega e rrapit
Ah, këto këpucë
Me shuaj të ngrënë
Me baltën e kopshit të tharë!

ËNDËRR

E pashë përsëri sonte babanë
Qëndronte në stolin e tij në kuzhinë
Pëllëmbët prej dheu i rëndonin në gjunjë
Jashtë binte shi me baltë
E xhamet e natës kuqëronin frikshëm.
I kalër ish si bora
Në ballë kish një të çarë rrufeje
Përtypte duhan të grirë
E qante,
Qante nën zë 
Për ca zënka të kota me mëmën time.

DRITA MBI DUARTË E BABAIT

Ngujuar në mermer
Dremit brenda ëndrrës sime babai
I ftohtë
I bardhë
Me flokët anash si të miat
Me sy e buzët prej bryme
Përsipër mbi varrin e rëndë i rritet bari 
Dhe dielli ka ngrirë.
“Çliromë nga ky nder – më tha sonte në gjumë -
Janë shumë të rëndë këta blloqe mermeri
Nuk e dua as emrin, as fotografinë
E mbërthyer në beton.
Nëse nuk mbjell dot një pemë pranë meje
Lermë të më mbulojë bari i gjelbërt
Ta shoh me sy shiun dhe ylberin
Lulja e gjëmbaçit
si drita
Të çeli mbi duart e mia…”.

SIPËR MEJE KA NJË VARR...


Dhëmbeli ngrihej përbindësh mbi shpinën time
por unë e doja si at
që i vogël më kish pranuar nëpër trup
t’i lëvizja lirshëm afër majës pak e nga pak
por nuk e gjeta dot folenë e ujkut dhe shpellat e erës.
Kur u ngjita mbi lulen e çajit kur preka majën e majës
Dhe pashë se si hidhnin valle luleshqerat
përbindëshi im m’u zëmërua...
unë i kërkova të më tregonte ç’kish pas vetes
e ç’ kish përmbi majë.
mali heshti siç heshtin hyjnitë e me gojën e profetit më tha:
pas meje ka male të tjerë, sipër meje
ka një varr...

PLAGOSUR
E GJETA HESHTJEN

U ktheva. Në muzg. Plagosur e gjeta heshtjen
Para pragut të shtëpisë. Dhe nuk di ku jam.
Yjet më luten të m’i lëpijnë plagët
e loti im i nxehtë
në gurin e dhimbjes i kristaltë kërcet.
Nuk ua jap dot zërin të vdekurve
Nuk ia kthej dot gjakun Jezu Krishtit
As kopshteve te thara
shiun e bekuar.
Këto re të terrta në qiell
Të frikshme venë e vinë mbi Torrishtë
Është ndryshkur zembereku i orës. Në oborr
është rritur majë e gjembit tërbuar.
Këtë hon nuk e mbaj dot
Nuk e ngrë dot në duar.



Pirololi1945@hotmail.com

No comments:

Post a Comment