Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Tuesday, 2 September 2025

HIJET E ZEZA TE KOMBIT SHQIPTAR SHFAQEN EDHE SOT

                      Vëllezrit rilindas martirë Pandeli & Koço SOTIRI

Porta e Lartë e Perandorise Osmane, në shekullin e 19-të, në asnjë mënyrë nuk lejonte të hapeshin shkolla shqip. Të drejtën e kishin vetëm dy  persona që kishin marrë leje special private (ferman) nga Sulltani. Për gjuhën shqip ishin vetëm Pandeli Sotiri dhe vellai i tij, Koço Sotiri. Trillime të tjera që shpërndahen andej këndej si fakte historike, janë gënjeshtra me bisht, themi ne nga anët tona. 

 

Çfare llogjike e taktikë përdori Pandeli Sotiri  që mundi t'ia shkeputë Sulltanit dy lejet për hapjen e shkollave shqip? Ai ishte një intelektual i shquar i perandorisë Osmane, fisnik me rrënjë të thella. Dihet, ai dhe vëllai i tij, Kotua ishtin shkolluar mirë në Evropë dhe pikërisht n”r Vienë të Austrisë. 

 

Ndërsa librat shqip me që i ndalonte Perandoria turke, sidomos turqit e rinj me ne krye Toptanasit, bënë çmos t'i pengonin. Ata i bënin arrestimet madje dhe vrasjet tinëzisht të shqiptarëve. Fillimisht librat shqip u shtypën fshehurazi në Stamboll , pastaj  më vonë, per t'ju  shmangur xhonturqëve u shtypën në Bukuresht ose Kostancë. Pandeli Sotiri pas vitit 1887, kur guvernatori osman i Korçës e zboi me kercenime deri me ekzekutim fizik, ai vazhdoi puneën fshehtas në Stamboll derisa u zbulua nga xhonturqit. Toptanasit si Pandeli Sotirin si Ismail Qemalin i shpallën armiq dhe u perpoqën t'i arrestonin e asgjësonin. Pendeliu u mundua t'u ikte fshehurazi xhandarëve që e ndiqnin. Ne nje rast, kur pa se ishte i rrethuar nga të gjitha anët, duke vrapuar u rrëzua nga kati i tretë dhe gjeti vdekjen tragjike në kalldrëm. Thuhet se: Sulltani ishte i nteresuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar në trevat jugore, por kurrësesi nuk e lejoi në trevat veriore” Genjeshtër me bisht te madh.  Kush ia solli vdekjen Pandeli Sotirit, po Koto Sotirit e Koto Hoxhit e shume te tjereve qe kane vuajtur te zijtë e ullirit në burgjet famekeqe osmane? Kush i vrau, persekutoi e u shkaktoi njëmijëe një të zeza këtyre patriotëve që merreshin me shkollat,  librat e shkrimet shqip? Armiqtë e Kombit shqiptar. Shumë e më shumë u persekutuan në Jug të Shqiperisë se sa në Veri.  Duhet  lexuar edhe keto: Në vitin 2016, David Hosaflook ka shkruar në  studimin e tij “Roli i lëvizjes protestante në Rilindjen Kombëtare”, kështu: “Librat shqip pëngoheshin me çdo mënyrë të shpërndaheshin, bllokoheshin nëpër dogana, mbylleshin botimet, burgoseshin bashkë me shitësit. Librashitësit u janë nënshtruar përndjekjeve nga më të pabesueshmet. Këtë fat pësoi edhe Koto Sotiri”, Pandeli Sotiri e shumë e shumë të tjerë


Ne Jug ka qenë më e eger përndjekja. Denoheshin e vriteshin njerzit pse u gjendej e fshehur një kartolinë me shkronje shqip etj, etj. Dëshmon një nga  fisi i Vlorajve.

Këtë terr e çanë  me trimëri, dituri e patriotizem Pandeli, Koço  Sotiri e shumë patriot të tjerë shqiptarë,deri sa dhe flijuan jetën e tyre. Ata sfiduan me burrëri dredhitë dhe intrigat greke, egërsinë e persekucjonet e shtetit Osman. Ndryshe shqiptaret do flisnim osmanisht edhe sot. Ata luftuan deri te pika e fundit e gjakut per iluminizmin e shqiptareve. Këta patriotë atdhetarë u luftuan egersisht  si nga renegatët  grekë ashtu edhe muslimanët fanatikë. Ishin kohë shumë të vështira, po peë habi, hijet e zeza dhe armiqtë e Kombit  shqiptar fatkeqesisht shfaqen edhe sot….

 

Koço Mosko

Boston, Ma - SHBA

 


Sunday, 31 August 2025

A MUND TA PRODHOJË SHQIPËRIA GJITHË USHQIMIN QË I DUHET


nga Fatos FICO

Londër

Sondazhi i Gallup i ndërtuar mbi pyetjen “Nëse do të kishte një luftë ku përfshihet vendi juaj, a do të luftonit për vendin tuaj?” tregon se 60% e shqiptarëve i përgjigjen Po dhe 28% Jo. Në vendet europiane, ku një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë emigruar, përgjigjja është më pak entuziaste. Në Itali vetëm 14% tregojnë vullnet për pjesëmarrje në luftë, në Gjermani 23%, në UK 33%. Në BE mesatarja pro pjesëmarrjes është 32%, në gjithë Europën 47%, në vendet europiane jo anëtare të BE-së ajo arrin në 61%. Në vendet e rajonit, Serbia përgjigjet vetëm 32% pro, Maqedonia e Veriut 34%, e Kosova 79% pro. Patriotizmi mbetet një vlerë e lartë e shqiptarëve, por pyetja nuk specifikon nëse do të merrni armët për të mbrojtur vendin tuaj kur sulmohet, apo do të jeni pjesë e një koalicioni vendesh të përfshira në luftë, e lufta zhvillohet në vende të treta. Ekspertët dhe politikanët mund ta interpretojnë nëse “psika” që vepron është e trashëguar e bazohet mbi sloganet “mbrojtja e atdheut detyrë mbi detyrat”, “i gjithë populli ushtar”, apo nëse italianët, gjermanët, i shikojnë luftërat të ndodhin vetëm jashtë vendit të tyre. Por, ndërsa në luftë mund të shkosh dhe me duar në xhepa, a mund të shkosh me barkun bosh?

Thjeshtëzimi

Një karakteristikë e ish-regjimit socialist në Shqipëri është thjeshtëzimi në përgjithësi dhe ai i luftës në veçanti, si sloganet “nëse nuk keni armë, gjeni”, “i gjithë populli ushtar”, dhe lufta me mjete rrethanore. Paralelisht me këtë marshonte domosdoshmërisht edhe thjeshtëzimi i çdo gjëje tjetër – ekonomisë, politikës, ushqimit. Prodhojmë çdo gjë (asgjë) vetëm me forcat tona, fronti popullor demokraci vërtetë, si dhe ushqimi po rrethanor me tufëza e areza, i përkthyer në triska, tallona, e rradha. Lufta me mjete rrethanore ndoshta mund të bëhet nëse do të rrëzosh gurë nga mali, ndërsa ushqimi me mjete rrethanore duket i pamundur. Një gjahtar-mbledhës i kohëve parahistorike mund të siguronte ushqim të mjaftueshëm në një territor nga 26 km² deri në 250 km². Në territorin e Shqipërisë, me ushqim vetëm nga natyra – ku njerëzit gjuajnë kafshë të egra e mbledhin fruta e barishte – mund të mbijetojnë nga 110 deri në 1100 njerëz.

Bujqësia e sotme, nuk ia del të sigurojë gjithë ushqimin në vend. Këtë e tregon jo vetëm importi i ushqimeve në rritje nga viti në vit – në vitin e fundit mbi 1.5 miliardë euro – por edhe historikisht vendi nuk ka arritur të prodhojë ushqime të mjaftueshme. Një vit dikur, si në përralla, u tha se u sigurua buka në vend, ndoshta kjo e llogaritur si sasi e përgjithshme prodhimi drithërash e raportuar pjesëtuar me sasinë e nevojshme ditore si kalori apo gram për frymë, por jo sasi reale konsumi. Dyqanet e bukës në qytete ishin po aq bosh sa ato të mishit, qumështit e perimeve. Në familje hahej në rastin më të mirë me kursim gjithmonë, e në fshat buka ishte vetëm e misrit. I vetmi sukses, si atëherë dhe tani, mbeten shifrat, ku çdo gjë është në rritje – prodhimi, rendimentet, eksportet, konsumi. Ndërsa në sistemin e kaluar kjo ishte e kuptueshme, madje arma kryesore e propagandës që mbushte mendjet me lugë të zbrazur, mbetet e pakuptueshme pse edhe sot vazhdohet me shifra të pasakta, të paqarta, por që gjithmonë tregojnë rritje kudo.

Statistika ndër vite

Statistikat e vitit të largët 1927 të përgatitura nga z. Teki Selenica janë një bazë e mirë për të pasur një tablo më të qartë të shifrave të pandikuara nga politika, edhe pse një pjesë e mirë e botimit statistikor të tij merret me historinë duke filluar nga pellazgët, me arritjet e qeverisë, etj.. Sidoqoftë, të dhënat bujqësore për kohën duken të jenë të mira. Selenica, një nëpunës i rrallë ne keto troje thotë se sipërfaqja totale e llogaritur sipas llojit të tokave del më pak sesa sipërfaqja fizike prej 28 mijë km², por kjo vjen sepse nuk mund të matej e gjithë sipërfaqja e maleve dhe pyjeve, ndërsa të dhënat për tokën bujqësore duken të besueshme.

Sipas të dhënave të Prefekturave të asaj kohe llogariten 241 mijë ha tokë e punueshme, 91 mijë ha tokë e papunuar, 214 mijë ha tokë kullotë e livadhe, si dhe 76 mijë ha tokë, kënete e moçale. Malet dhe pyjet llogariten në 509 mijë ha – e pranuar, jo e saktë. Pavarësisht zhvillimit ekonomik të Shqipërisë në atë kohë, duke konsideruar se bujqit duhet të prodhojnë për treg e vetëkonsum, të pambështetur me ndihma e subvencione, por në konkurrencë te hapur brenda vendit si dhe me prodhimet e importit, kjo sasi toke e punueshme që shfrytëzohet është toka më e mirë për prodhim, si pjellori dhe vendndodhje. Shqipëria në atë vit numëron 833 mijë banorë.

Statistikat për vitin 1990 tregojnë se që nga viti 1946, 52 mijë ha tokë e re janë përfituar nga bonifikimet dhe 200 mijë ha janë përmirësuar si cilësi toke po nga bonifikimet. Sipërfaqe e punueshme deklarohen 574 mijë ha. Në vitin 2023, statistikat japin 678 mijë ha tokë bujqësore, 366 mijë ha kullota dhe livadhe, 969 mijë ha pyje, 860 mijë ha të tjera. Nga e gjithë toka bujqësore vetëm 415 mijë ha janë të mbjella.

Një fakt interesant është mekanizimi duke filluar nga ai “natyral”. Numri i Qeve (kafshëve që punojnë tokën), 100 vjet më parë ishte 127 mijë. Numri duket i mjaftueshëm që të punojnë shumicen e tokës arë të mbjellë në atë kohë.

Në vitin 1990 nuk ka të dhëna për numrin e traktorëve, por llogariten si total në 1.3 milion kuaj/fuqi, ose merret si bazë një traktor njësi 15 kuaj fuqi. Vendi ka një traktor i tillë për 32 ha tokë të punueshme, shifer mjaft e ulet, e përkthyer në 22 mijë traktorë 15 kuaj fuqi për gjithë vendin.

Sot nuk ka të dhëna të sakta sa traktorë ka, por deklarohen rreth 2 mijë traktorë të regjistruar me targa, dhe rreth 10 mijë në total, nga të cilët 6 mijë mini traktorë. Një fermë me sipërfaqe rreth 1.2 ha – sa mesatarja në Shqipëri – kërkon mesatarisht një traktor me 20 kuaj fuqi motorike. Nëse janë 680 mijë ha tokë bujqësore, atëherë nevojiten 34 mijë traktorë, për 574 mijë ha të punuara sipas statistikave duhen përdorur teorikisht 28 mijë traktorë me 20 kuaj fuqi. Diferenca me 18 mijë traktorë në total – të vegjël a të mëdhenj – është e madhe.

A duhet çdo fermë të ketë traktorin e saj apo mekanika duhet ofruar si shërbim – ky është diskutim tjetër, por llogaritë flasin vetë. Nëse dikur qetë ushqeheshin me bar e kashtë dhe ka histori ku bujqit të cilët nuk i kishin parë ndonjëherë, u dhanë kashtë traktorëve të parë në Shqipëri, kostot e blerjes së traktorit, naftës, vajrave, mjeteve të tjera si pronë individuale për çdo fermë, të shkarkuara në çmimin e domateve, patateve apo tërfilit, janë llogari që bëhen lehtë.

Ku ushqehemi?

Duke konsideruar të dhënat e statistikave shqiptare të socializmit dhe atyre të pas socializmit lidhur me ushqimin dhe bujqësinë, Shqipëria vërtet e meriton atë çmimin për ushqimin që ka marrë dikur dhe një çmim edhe më të madh sot. I vetmi problem është se këtë çmim e paguajnë vetë shqiptarët. Një familje shqiptare paguan rreth 50% të të ardhurave për ushqimin, e pensionistët e familjet e varfra edhe më shumë. TVSH-ja finale prej 20%, në ndryshim nga vendet e BE-së që nuk paguajnë TVSH për ushqimet, ose një TVSH të reduktuar, e në total paguajnë shumë më pak nga të ardhurat e tyre, është një faktor me shumë peshë. Raporte te ndryshme, perfshire ato te BE-se nxjerrin si problem keq ushqimin sidomos tek grate ne moshe riprodhuese, grate shtatezana e femijet. 

Para 100 vitesh kemi 241 mijë ha tokë të punueshme, 91 mijë ha tokë të papunuar, dhe 214 mijë ha tokë kullotë e livadhe, si dhe 76 mijë ha tokë kënetë e moçale. Në periudhen 1946 -1990, 68 mijë ha janë kthyer në tokë të re e fituar si pasojë e bonifikimeve, që vërteton shifrën e 76 mijë ha të vitit 1927. Por, nga dolën 704 mijë ha tokë bujqësore? Logjikisht, 214 mijë ha kullota e livadhe janë kthyer në tokë bujqësore. Po 180 mijë ha të tjera? Rritja e popullsisë, sidomos në kushtet e Shqipërisë socialiste që bazohej në forcat e veta, do të thotë që tokat margjinale u futen gjithmonë e më shumë në përdorim.

Nëse në vitin 1927, 830 mijë banorë ushqeheshin me 240 mijë ha, ose një ha tokë siguronte ushqim për 3.5 banorë, në vitin 1990 ishin 3.3 milionë banorë dhe 704 mijë ha, ose një ha siguronte ushqim për 4.68 banorë. Sot kemi 678 mijë ha për 2.8 milionë banorë, ose një ha siguron ushqim për 4.1 banorë.

Ndërsa dy treguesit e parë janë jo vetëm një pjesëtim i thjeshtë, por tregojnë edhe mundësitë prodhuese të ekonomisë bujqësore në vitin 1927 dhe në vitin 1990, sepse të dy tregojnë maksimumin e prodhimit që mund të merret nga e gjithë toka e punueshme. Në vitin 1927, potenciali prodhues për ha/banor është i ulët jo vetëm për shkak të prapambetjes, por edhe sepse një pjesë e ushqimit shkon për blegtorinë dhe kafshët e punës. Sistemi socialist, duke ditur që blegtoria dhe prodhimet e saj – qumështi e mishi – kërkojnë më shumë ushqim nga toka për të ushqyer lopët p.sh., sesa nëse ai do të ishte direkt për popullsinë, i dha rëndësi drithërave dhe perimeve për të siguruar bukën në vend.

Mungesa e mishit dhe bulmetrave tregon se nuk kishte bazë ushqimore të mjaftueshme për blegtorinë, megjithëse mbillej dhe një sasi soje, dhe se sistemi e sakrifikoi një pjesë të madhe të ushqimit me proteina shtazore për popullsinë, për të prodhuar kalori, karbohidrate dhe yndyra bimore.

Në rast se prodhimi do të ishte i balancuar – blegtori dhe bujqësi – vendi do të duhej të hapej për të siguruar nga jashtë teknologji, mekanizim, ushqime blegtorie ose drithëra. Plehrat kimike përdoreshin në ato vite me shumicë – rreth 130 kg lëndë aktive për ha – janë sasi në limitet e sipërme edhe sot për vende të zhvilluara. Efektiviteti i përdorimit të tyre duket i dyshimtë. Po aq problematike është ujitja: vetëm 60% e tokës ose 420 mijë ha ujiten nga 700 mijë.

Tokat margjinale, të krijuara kryesisht nga shpyllezimet dhe mungesa e ujitjes, e bëjnë problematike rritjen e prodhimit dhe më lehtë të kuptueshme varfërinë ekstreme të shumë kooperativave malore e kodrinore. Një fakt interesant është se edhe sasia e reshjeve ka ardhur duke u ulur në mënyrë pothuajse konstante nga viti 1950 deri në vitin 1990, nga 20% deri në 30% në zona të ndryshme të vendit. Temperatura mesatare, po nga 1950 deri në 1990, është rritur përgjithësisht 0.2 deri në 1 gradë Celsius.

Sot deklarohet se ujiten 300 mijë ha tokë, nga 415 mijë ha të mbjella, e nga 678 mijë ha në total tokë bujqësore. Nëse rikujtojmë shifrat e vitit 1927, jemi pothuajse në të njëjtat shifra të tokës së punueshme – 270 mijë ha. Nuk e dimë nëse atëherë kishte ujitje moderne, por sidoqoftë, përderisa tokat ishin prodhimtare, potencialisht kanë pasur ujë dhe mundësi ujitjeje, dhe sidoqoftë janë 100 mijë ha më pak nën ujë se në vitin 1990.

Teknologjitë moderne, më shumë njohuri te fermerët, por edhe lidhja me tregun, mundësojnë sot të merren rendimente shumë më të larta se më parë në drithëra, perime, fruta, blegtori dhe sidomos në prodhimin e serrave. Kjo mundëson që, edhe pse sipërfaqja e tokës arë të jetë më e vogël se sa ajo e viteve më parë, prodhimi të rritet.

Pjesa më e madhe e fermerëve janë të specializuar dhe kanë një prodhim kryesor për të dalë në treg. Vështirë të gjenden fermerë sot që mbjellin tokën nëse nuk kanë ujitje, qoftë edhe për vetë konsum. Specializimi i fermerëve ka rritur prodhimin, por ka rritur dhe importet. Nëpër fshatra, tregtarët ambulantë shesin prodhime ushqimore vendi, por edhe shumë importi. Fermerët e vegjël duhet të blejnë “te makina” e tregtarëve të vegjël që shkojnë kudo ku ka grupime shtëpish. Duhet të blejnë çdo gjë që vite më parë e prodhonin vetë ose e shkëmbenin, si perime e fruta – sidomos ato jashtë sezonit. Në baxhot ose dyqanet e zonës, me çmime tregu si në qytet, duhet të blejnë qumësht, djathë, mish vendi dhe importi. Edhe pse mund të prodhojnë sasi perimesh ose frutash mbi vetëkonsumin, kjo nuk garanton shitje, sepse ata pranë tyre janë si ata, dhe ndërmjetësit kërkojnë sasi më të mëdha prodhimi për blerës të tjerë më larg. Në mungesë të tregut, prodhimi i fermës shkon për shpendë nëse i mbajnë, ose prishet në fushë.

Një ha për shumë njerëz


Duhet të futet koncepti i fermerit aktiv dhe i tokave të papunuara për të ditur gjendjen reale. Por, mbi të gjitha, duhet planifikimi dhe të dimë ku jemi e ku kërkojmë të shkojmë. Një ha tokë, në kushtet aktuale të Shqipërisë, mund të prodhojë ushqim për 8–10 njerëz. Nëse janë 300 mijë ha nën ujë, ky numër shkon nga 2.4 në 3 milionë – popullsia është 2.8 milionë banorë.

Në BE, një ha tokë mund të ushqejë – me strukturën aktuale të prodhimit për 11–13 njerëz. 157 milionë ha të BE-së prodhojnë potencialisht ushqim për mbi 1.5 miliardë njerëz, ndërsa BE ka më pak se 500 milionë banorë. Sa njerëz mund të ushqehen nga një ha në një vend ka kufij shumë të gjerë, në varësi të llojit të tokës, teknologjisë, humbjeve, sistemit të tregtimit, por edhe në varësi të strukturës së prodhimit – sa drithëra, perime, fruta, mish, qumësht e bimë industriale.

Nga ana tjetër, kjo të mundëson të planifikosh dhe investosh për prodhimin që kërkon, e jo vetëm sasinë, por standardet, cilësinë, përpunimin, tregtimin. Shqipëria, së pari, duhet të ruajë me forcë tokën e paktë prodhuese të ushqimit që ka, sepse po konkurohet nga ekonomia tjetër si turizmi, ndërtimet, por edhe ndotja e degradimi.

Sistemet ujitëse dhe kulluese, teknologjia dhe mekanizimi janë baza për prodhim të lartë dhe të qëndrueshëm. Incentivimi i bashkëpunimit është i domosdoshëm për kosto më të ulëta, standarde e sasi. Më shumë njohuri për fermerët, por edhe pak fat që politika e shoqëria të kuptojë se duhen ca pak njerëz si zoti Selenica, që 100 vjet më parë ndërtonte statistikat – duke i përdorur ato dhe njohuritë e tyre për më shumë prodhim e mirëqenie.

Duhet të ndërtojmë strategji e plane investimesh që të shkojmë drejt rritjes së prodhimit dhe sovranitetit ushqimor, pa e mbështetur këtë me kosto që i paguajnë fermerët, konsumatorët apo e gjithë shoqëria – si emigrimi, sëmundjet dhe apatia.

Duhet ditur se do të duhet shumë më tepër prodhim ushqimesh se sa marrim sot, për të pasur një zhvillim të gjithë ekonomisë dhe shërbimeve, të cilat do të marrin para “që kursehen” nga ushqimi. Sovranitet ushqimor – jo në atë kuptim që të prodhojmë çdo gjë me forcat tona – nuk duhet të humbasim mundësitë që ofron tregu në botë për importe të lira dhe me standarde, por të ruajmë potencialet prodhuese të tokës dhe fermave, dhe të tregtojmë sa më shumë – së pari në tregun vendas, e pastaj për eksport.

 * Botoi Gazeta Monitor

Botohet me lejen e autorit

 


Monday, 4 August 2025

RILINDASI KOSTANDIN(KOTO) SOTIRI

- Njerifisnik, atdhetar i flaktë dhe mësues i shquar - 


 përgatititi: Koço MOSKO 
Boston, MA-SHBA

Rilindasi martir Kostandin (Koto) Sotiri, lindi në vitin 1840 në fshatin Selckë të krahinës së Lunxherisë, ish Vilajeti i Janinës. 

Kotua ishte vëllai i madh i një rilindasi tjetër martir, Pandeli Sotirit, “Mësues i Popullit”. Dy vëllezër, dy rilindas martirë të shquar, që gjithë jetën e tyre ja kushtuan shkronjave dhe shkollave shqipe. Kur ishin fëmijë, u vranë babain.  Sipas të dhënave, të dy vëllezrit duhet të kenë mbaruar shkollën plotore në vendlindje. Pastaj i mori për t’u kujdesur, xhaxhai, Thimjo Sotir ii cili banonte në Stamboll. Ai ishte njeri patriot dhe me ndjenja të theksuara humane.

 

Vëllezrit Sotiri nuk dolën në Stamboll rastësisht në krye të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e cila shpërtheu gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ata u rritën të brumosur me ndjenja të pastra atdhetare, me përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të bashkëfshatarëve të tyre për të mësuar në shkollë edhe gjuhën shqipe, sepse shkollat në atë kohë për ortodoksët shqiptare mbahej në gjuhën greke.

 

Përpjekje bëheshin edhe për të meshuar shqip në kisha. Për këtë, fshehurazi krahas mësimit të gjuhës shqipe, në shkolla mësohej pëmendësh në shqip edhe pjesë nga Ungjilli, libra të cilat ishin shkruar shqip me shkronja greqisht. Një libër të tillë e kam parë edhe unë në Kishën e Shën Kollit.  Flitet, ose ka të dhëna për një Siko Dhimadhi dhe për Hoxhë Myftar Kallaratin, që sillnin libra shqip fshehurazi nga Stambolli. Hoxha, gjatë rrugës, u sëmur dhe e varrosën me nderime në Selckë. Shkolla e fshatit kishte një bibliotekë, por një zjarr i papritur që ra rreth viteve 1880, e dogji. Fshatarët mërgimtarë të shoqatës “Përparimi” në Stamboll, e rindërtuan shumë shpejt përsëri. 

 

Vëllezrit Soriri, të brumosur me atdhetarizëm, u shpërngulën në Stamboll, tek xhaxhai  i tyre, së bashku me nënën e tyre, (e cila në disa shkrime del se ishte me origjinë dardane, nga Prizreni). Xhaxhai, Thimjoja, të dy vëllezrit i regjistroi në kolegjin francez të Gallatës.  Më pas i dërgoi për studime në Universitetin e Vienës, Austri. Kotua studjoi për jurist ndërsa Pandeliu për mjekësi. 

Pandeliu, pas përfundimit te studimeve u rreshtua në ushtrinë Austro-Hungareze me gradën “Major” për rreth 10 vjet. Nuk kemi të dhëna të plota për Koton se ku shkoi pas mbarimit të studimeve në Vienë.  Duhet të jetë kthyer në Stamboll dhe të dy vëllezërit u bashkuan në vitet 1870, ku u përfshinë pa rezerva në lëvizjet e mëdha patriotike të inicuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ata ishin anëtarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ishin ndër të parët që nënshkruan platformën e “Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare i cili u themelua më 12 tetor 1879. Ky Komitet synonte që shqiptarët të fitonin autonominë brenda Perandorisë Osmane. Më mbrapa ky Komitet mori emërtimin “Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”

 Kotua në krah te vëllait u përfshi në lëvizjet kulturore e patriotike të atyre viteve në Stamboll. Hapën gazetë shqip me gërma greqisht si “Prometeu” dhe “Drita-Dituria” me gërma shqip, e cila u bë themelusja e mediave shqiptare, sipas historianit Robert Elsie. Në vitin 1885, ata arritën të marrin nga Sulltan Abdul Hamid II dy lejë (fermane) për hapjen e shkollave shqipe. 

 Në “Kronikën Gjirokastrite” thuhet se ata u munduan që shkollat shqipe t’i hapin në qytetin e Gjirokastrës, por nuk morën dot lejë nga autoritetet vendase, kështu ata gjetën mbështetjen e patriotëve e atdhetarëve korçarë.

 

 Kotua së bashku me Pandelinë, në fund të vitit 1885 udhëtuan nga Stambolli për në Korçë me 150 libra për shkollën shqipe si abetare, shkronjëtore dhe numëratorë. Nëpër dogana i kalonin fshehurazi, sepse në Portën e Lartë kishte faktorë të tjerë politikë që mundoheshin t’i ndalonin shkollat shqipe. Shkollën e hapën në mars të vitit 1886. Në ato vite Ismail Kadareja citon historianin  fracez Serge Metais: “Tabloja e shkollimit është e pabesueshme. Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla, prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin.”

Kotua vitin e parë shërbeu si mësues, por dhe si bodigard së bashku me Risto Vodicën për t’i krijuar siguri vëllait të vet. Klerikët fetarë ishin betuar që mos të lejonin hapjen e mësonjtores. Ditën e parë të shkollës, mësuesit dhe prindërit që shoqëronin nxënësit, ishin të armatosur. Fatmirësisht nuk ndodhi asgjë.  Sa e vështirë ishte në atë periudhë  të ulej në një bangë një i krishter dhe një musliman, një i varfër e një i pasur, një vajzë dhe një djalë. Pothuajse ishte e pamundur!

 

Për vëllezërit Sotiri, Faik Konica në gazetën ‘Albania”, vitin 1897, nr. 8 suplimenti në fërngjisht shkruante: “Megjithatë, dy burra guximtarë e të devotshëm, dy shqiptarë të vërtetë, atdhetarë zemërzjarr, dymbëdhjetë vjet më parë, tentuan të çajnë këtë acar e akull dhe ia dolën deri në një farë pike.  Kur dy vëllezër, Pandeli dhe Koço Sotiri, vendas nga Gjinokastra, hapën shkollën e parë shqipe në Korçë, midis paraardhësve ortodoksë u bë një shtangim i indinjuar: Shqipja, ajo gjuhë e ulët dhe sakrilegjike, guxoi të mësohej! Dhe menjëherë filluan intrigat. Patriarkana lëvizi me shpejtësi, bëri hapa urgjent që të urdhërohej mbyllja e shkollës shqipe menjëherë; por Madhëria e Tij, Sulltani, u përgjigj se kleri grek nuk kishte punë të ndërhynte në një çështje që nuk ishte as fetare e as antifetare por kishte të bënte vetëm me Ministrinë dhe Udhëzimet Publike.”

 

 Kështu, viti i parë i shkollës kaloi mirë. Për vitin e dytë 1887, u regjistruan 200 nxënës. Kotua, mbasi u sigurua se shkolla në Korçë po shkonte mbarë, i hodhi sytë nga Pogradeci. Kotua, një njeri fisnik e shpirtmadh, babaxhan, kishte disa emra. Emri pagëzimit ishte Kostandin, por fshati e “ripagëzoi” Koto, që kur ishte fëmijë, sepse ky emër ishte në modë për ata që kishin emrin Kostandin. Shpesh thirrej edhe Koço. Në Pogradec e “pagëzuan” me emrin “Koço Shqiptari” për dashurinë e përkushtimin e tij ndaj gjuhës shqipe. Patriotët e tij lunxhiotë, gjirokastritët e përmetarë e thërrisnin edhe “Koço Selcka”. Ndërsa armiqtë e shqipes, renegatët e thërisnin “Koço Masoni”, sepse mendonin se kishte braktisur fenë ortodokse, me që Kotua shpërndante Ugjillin e Kristofiridhit në gjuhën shqipe, po kjo nuk është e vërtetë. 

 

Poeti Lasgush Poradeci e shpjegon kështu: “Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi”. 

Pothuajse një viti pas hapjes së Mësonjëtores së Korçës, më 14 Mars 1887, Kotua, me mbështetjen e atdhetarëve pogradecarë: Ndini e Sotir Gusho, etj., hapi shkollën shqipe në Pogradec. Koçua, ashtu si vëllai tij Pandeli Sotiri, gjatë misionit të tyre u luftuan egër nga renegatët antishqiptarë, por ata, siç thotë poeti Lazgush Poradeci, e përballuan me burrëri këtë rrethim të zjarrtë.

 

Me largimin e Kotos nga Mësonjëtoria e Korçës, punët filluan të shkonin keq e më keq. Jo vetëm se tani Pandeliut i mungonte Koçua, krahu i djathtë besnik, por situate në Korçë kishte ndryshuar. 

Siç dihet patriarkut grek Fillothea e renegatë të tjerë antishqiptarë, ishin armiq të betuar të Pandeliut dhe shkollës shqipe. Ata që në fillim të hapjes së shkollës e vazhdimisht, kërcënonin, shpifnin me denigrime shkollën dhe Pandeliun. Në vitin e dytë të shkollës, armiqtë u shtuan dhe u bënë të papërballueshëm e shumë të rrezikshëm. 

Mytesarifi, (guvernatori) i Korçës, Mahmud Pashë Elbasani, që shquhej si përkrahës  i çështjes shqiptare, e hoqën dhe në vend të tij emëruan si guvernator të Korçës, Muhamet Ali Pashë Delvinën, i cili ishte armik i betuar i shqiptarëve dhe i gjuhës shqipe. I kishin vënë dhe nofkën “Ujk i shqipes”

Në fillim guvernatori, “ujku i shqiptarëve”, i largoi nxënësit muslimanë nga shkolla. Merret me mend se çfarë presioni të jashtëzakonshëm i është bërë Pandeliut për ta mbyllur shkollën, sulmohej nga të gjitha drejtimet, tani dhe nga shteti.  Në fund të vitit 1887 forcat antishqiptare organizuan edhe zhdukjen fizike të Pandeliut.

 

Në këto kushte shumë të rënduara, Pandeliu u detyrua të largohet fshehurazi nga Korça. Thuhet se ka shkuar në fshatin e tij Selckë. Andej i shoqëruar nga dy djem fshati që i dinin mirë shtigjet, me kuaj që u kishin lidhur patkojte me lecka, për të mos u dëgjuar, udhetuan natën  për në Janinë, dhe që andej drejt e në Stamboll.

 

Lejën e Mësonjëtores ja la Thanas Sinës, njëkohësisht thirri dhe Koton për ta ndihmuar. Kotua në vitin 1888 kthehet përsëri në Korçë. 

 

Vëllezërit Sotiri, të përkrahur e të mbështetur fort nga rilindasit dhe patriotët e zjarrtë korçarë, sfiduan rrethimin e egër antishqiptar të kohës dhe u bënë promotorë, shëmbull për gjithë atdhetarët me idetë, mendimet dhe veprimet e tyre iluministe. Zjarri që ndezën, fara që mbollën në Korçë, Pogradec, për pak kohë përfshiu gjithë trojet shqiptare.

 

Në një letër që i dërgon Jovan Kosturi Visar Dodanit, në Kostancë të Rumanisë, ku shtypeshin librat shqip, në vitin 1888 shkruhet: Shkolla të mirfillta shqip dy janë hapur deri tani, Pogradec dhe Korçë, por me librat që janë dërguar, mësohet shqip në shkollat e fshatrave: Treskë, Polenë, Luaras dhe në të hapur e sipër janë shkollat në Ersekë, Kolonjë, Leskovik dhe Elbasan. Më 23 tetor të vitit 1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave dhe në vitin 1889 u hap shkolla shqipe e Prizrenit me mësues Mati Logoreci, etj. Për shkollat në fshatrat rreth Korçës, Ersekës, Kolonjës, Koto Sotiri dhe miku i tij Petro Nini Luarasi,kishin përveshur mëngët. Ata ishin gjithmonë në krye të kësaj nisme.

Që nga viti 1886 e deri në vitin 1896, Koço Sotiri qëndroi pranë Mësonjëtores së Korçës. Në vitin 1890 deri në vitin 1892, me Nikollaq Zografin ishin bashkëpuntorë të Petro Nini Luarasit, kur ai drejtonte Mësonjëtoren. Koto Sotiri duhet ta ketë lënë Mësonjëtoren e Korçës në vitin 1896, ishte mësuesi më jetëgjatë në ato vite të zjarrta. Gjatë kësaj kohe, Kotos, me që puna si mësonjës nuk i sillte të ardhura të mjaftueshme, paralelisht ai ushtroi edhe zanatin e rrobaqepsit. 

Pas vitit 1896 Kotua e la Korçën dhe e vazhdoi punën e tij me intesitet të madh në Pogradec e Maqedoni. Ai shperndante libra shkollore, fetare, etj. ndihmonte dhe për shkollat shqip atje ku mundej, por autoritetet turke e kishin të ndaluar rreptesisht shpërndarjen e librave shqip.  Në vitin 2016, David Hosaflook ka shkruar në  studimin e tij  “Roli i lëvizjes protestante në Rilindjen Kombëtare”, kështu: “Librat shqip pengoheshin me çdo mënyrë të shpërndaheshin , mbaheshin nëpër dogana, mbylleshin botimet, burgoseshin bashkë me shitësit. Librashitësit u janë nënshtruar përndjekjeve nga më të pabesueshmet. Këtë fat pësoi edhe Koto Sotiri”.  

 

Autoritete turke, për veprimtari të ndaluar, “përhapje të librave shqip”, rreth viteve 1900, Koto Sotirin e dënuan me “101 vjet” duke e izoluar në burgun e Manastirit. Vuajti pesë vjet dhe u lirua, jo vetëm i plakur, por edhe i varfër.  U shoqërua për në Azil të Pleqëve ku i ngrysi ditët e fundit të jetës së tij. Vdiq në vitin 1909 në spitalin e të varfërve në Manastir të Maqedonisë. Edhe sot e gjithë ditën, atje ndodhet varri i tij. 

Shtypi i Rilindjes “Drita” e Sofies dhe “Drita” e Manastirit, sipas studjuesit Musa Kraja, kanë shkruan shumë për mësuesin dhe atdhetarin Koto Sotiri duke e vënë theksin tek sakrificat dhe vuajtjet e tij. Ata e përshkruajnë si mëmëdhetar, të ndershëm e të palodhur.  Gazeta “Korça” shkruante për sakrificat dhe persekutimet e tij, duke vënë theksin se vëllezërit Sotiri ishin nismëtarë të shkollës shqipe kombëtare, prandaj historia do t’i shkruajë emrat e tyre me shkronja të arta. Kam sjellë këtu një poezi kushtuar Koto Sotirit nga miku i tij, Stefan S. Thodhoraqi, siç kuptohet kur vuante vitet e burgimit në Manastir

“Ndë botë në rrojnë vetëm cmira, vrasjet e presja,

Dhe këmishën e së vërtetës na e ka veshur gënjeshtra,

Mirësia dhe e vërteta të mos duken asgjëkund,

Gjithësinë në e gjykon djalli dhe botën në tunt,

Oh! Këtë miqësinë tënë gjithësia të na e ftonjë,

kurrë nuk do të guxonjë!” ….

Botuar në “Ditëfyesi Kombëtar” Sofie 1900.

  

Bashkia e Korçës, me inisiativën e historianit Niko Kothere, në vitin 2017 e ka shpallur Pandeli Sotirin Qytetar Nderi, ndërsa Koto Sotirin nuk e përmend askush, megjithëse edhe ai sakrifikoi gjithë jetën e tij për shkrimin e shkollat shqipe. Mori dënime të tmerrshme për këto veprimtari, provoi burgjet e persekutimet e pushtuesve osmanë. 

Poeti Lasgush Poradeci për shkollën e parë shqipe të Pogradecit ka shkruar: “E theksoj këtu këtë fakt, me rastin e rrëfimit të istorisë shkollore kombëtare shqiptare, sepse lënia mënj’anë e Shkollës Shqipe të Pogradecit, është një padrejtësi e dhimbëshme që i-u ka qënë bërë Pogradecit dhe pogradecarëve, të cilët gjithmonë, dhe që në fillimin më të parë, kanë mbushur më të plotë detyrën e vet ndaj atdheut.”

Pavarësisht se fjalët tona bien në vesh të shurdhër, askush s’na dëgjon. Me këtë protestë të poetit të madh, bashkohem fuqishëm edhe unë si intelektual dhe bashkëfshatar i vëllezërve Sotiri. Jo vetëm shkolla e Pogradecit është lënë mënjanë, por mënjanë është lënë dhe patrioti e mëmëdhetari i flaktë Rilindas, Koto Sotiri që e sakrifikoi gjithë jetën e tij për kombin, për Shqipërinë. Nuk ka të paktën asnjë foto në muzeume. Nuk ka asnjë bust, që i takon ta ketë në Korçë, Pogradec e Gjirokastër, apo të shpallet qytetar nderi i Pogradecit dhe i Qarkut Gjirokastër, etj. Rilindasi Koto Sotiri, nuk ka një varr me emrin e tij, as në qytetin e Manastirit, aty ku dha shpirt. Lavdi të përjetëshme Rilindasve martirë Pandeli dhe Koto Sotiri! Dy korifej, burim frymëzimi i përhershëm për brezat tanë e ata që vijnë më pas. Lavdi të përjetëshme Rilindasve martirë Pandeli dhe Koto Sotiri. Burim frymëzimi i përhershëm  për brezat.

Fund

Shkolla e pare shqipe ne Pogradec(Pikture nga A. Kostandini)