Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Tuesday, 29 January 2019

D U D I A

- Mbresa fëmijërie- 

Tregim
nga: Avdulla KËNAÇI
gazetar dhe shkrimtar
Toronto, Kanada


Avdulla KËNAÇI
Vu, vu, vuuuuu… ulërinte era në Golëm. Frynte e ç’frynte nga të katër grykat që rrethonin shtëpitë e atij fshati të lashtë i cili nuk mbahet mend se kur është ngulur aty. Shtëpia nën Gurin e Stamos ishte jona, ajo që ishte më afër se të gjitha me Vreshtat. Në të vërtetë vreshta nuk kishte fare, por ashtu i thoshin pllajës që puthej e para nga rrezet e diellit që nxirrte synë nga Maja e Mollës. 

Unë e gjitoni im, Mete Isufi, zotëronim shumë “sekrete” nga të Vreshtës; për shembull dinim se ku rriteshin manaferrat e zeza, kokërrmëdha, ku i ngrinin foletë gushëkuqët, ku kishte bar gjuhëzogu, apo si fshiheshin lepujt e egër e ku flinin gargujt. Dhe një ditë tetori, kur akoma nuk kishin filluar të binin gjethet e pemëve, në ca ferra e barëra të kërleshura, gjetëm dy kopanë me rrush të bardhë. Ishin ca veshulë të mëdhenj, qelibar, me kokrra të tejdukshme si sumbulla jeleku, të ëmbla mjaltë. Ua treguam prindërve dhe ata na thanë se tërë pllaja mbi fshat, para vitit 1914 ka qenë e mbjellë me vreshtë. Secila shtëpi kishte nga një dynym me hardhi, razaki dhe debin te bardhë e debin të zi. Ushtria greke, gjakatare dhe e pamëshirshme, gjatë dimrit me borë dogji jo vetëm shtëpitë e theri bagëtinë, por preu pemët e hardhite, i përdori për zjarr dhe u vuri flakën.
- Po me vreshtën ç’inat patën?
- E shkretuan që ne të mos ktheheshim kurrë më këtu, në këtë vatan.
- Ku shkuan njerëzit?
- Në ullishtat e Vlorës.
Të nesërmen, bëja si bëja dhe kapërceja gardhin e gjendesha përsëri tek shoku im, Metja. Shkoja nga koshtrat e Sabos nga që kisha frikë xha Halilin, një burrë i shkurtër, nurzi. Ndërmend e krahasoja me grekun sepse ai nuk ia kursente shkopinjtë gomarit. Një ditë, e rrahu aq shumë, sa ajo kafshëz e gjorë nuk kishte nga ia mbante më dhe i shpërtheu bajgat si batare afër turirit të tij. Me Meten, herë-herë shkonim nga shtëpia e Qazos, rrethuar me ledhe guri të shtrembër. Sipër ishte një gështenjë e madhe, krahëgjerë. Trungun e saj nuk e pushtonin dot as dy burra. Nuk dihet si e qysh, por ajo i kishte shpëtuar sëpatës së grekut. Afër gështenjës duhet të kishte qenë një krua. E kuptuam këtë kur pak më lart gjetëm qyngje balte të coptuara. Gërmonim për të gjetur të tjera copa dhe na u mbush mendja se do ndeshnim edhe burimin e ujit. Do të shpëtonim tërë fshatin nga etja. Do mbeteshim me nam të mirë. 

Gërryenim me çfarë të mundnim gjersa një zë i hollë e i ëmbël na shponte veshët: “Mete, o Metee, po ç’u bëtë, moreee shejtanë?”. Ishte zëri i Bedrisë, nënës së Ismet Isufit. Pastaj na merrte në “dorëzim” teto Alidia, na lante duart dhe kujdesej që të shkundeshim nga barërat e baltrat që na ishin ngjitur pas trupit. Nuk mbaj mend kurrë të na ketë qortuar ajo plakë aq e dhimbsur dhe e mirë. Teto Alidia, mua, nuk më bënte asnjë dallim nga nipi i saj, Metja. Ishim gjakësi sepse ajo dhe gjyshi im ishin nga Dajkajt, një fis që ishte shuar nga që nuk kishte pasur djem. Teto Alidia, edhe pse plakë, kishte një trup të drejtë dhe lëkurë të hollë, të bardhë. Furkën me drugën e leshit bus të bardhë nuk e hiqte nga mesi asnjë ditë. Mbante dy shami të zeza në kokë, të lidhura kryq, njëra shtrënguar pas ballit. Burri i kishte vdekur në rini të saj dhe ajo kishte mbetur e ve, por nuk u martua kurrë. Jetën e lidhi pas të birit të vetëm, Selimit, i cili me këdo mund të grindej, por përpara teto Alidisë rrinte plot respekt e nderim si një nxënës kokëulur.

Pas drekës, prap nuk na rrihej, do dilnim në Lekërbosh, një bregore në mes të fshatit, tek Lëma e madhe. Ouu sa bukur, prej andej kundronim gjithë shtëpitë në luginë. Kureshtja jonë shkonte më shumë tek lagja e Fusharakëve. Kush ishin ata? Po Kaparjeli, ku binte? Pastaj ktheheshim me fytyrë nga shtëpitë tona, u dallonim fare qartë pllakat e shtruara në oborr dhe rrasat mbi çati. Poshtë shtëpisë së Metes ishte një haur i vogël, përpara kishte një avlli, i madh sa një çarçaf, me lesën gjysëm të hapur. Aty nuk kisha parë njeri të hynte apo të dilte.
- Mete, kush jeton aty, në atë haur?
- Jetojnë Velikajt, Xhafua me Hamzanë….
Mbrëmjeve, përpara se të më zinte gjumi, mendja përsëri më shkonte tek Velikajt; pyesja gjyshen e cila nuk përtonte kurrë të përgjigjej:
- Pse nuk kam parë asnjë nga njerëzit e Velikajve?
- Se ngrihen herët në saba, punojnë, vijnë në akshëm, kur erret…
- Nuk kanë ndonjë plakë në atë haurin?
- Ka qënë Dudia, mëma e tyre, nga Kaparjeli, motra e Hajro Bizhgës. E shkreta Dudi, humbi të ritë e saj për një bidon vajguri.
- Vajguri?
- E zuri suferina e borës Buzë Dedes. Po kthehej nga Progonati ku kishte shkuar për të blerë një bidon vajguri.

Unë e dija ku ishte Buza e Dedes se atë rrugë bënim me Ligën kur shkonim në Progonat. Liga, xhaxhesha e babit tim, pa bina, ishte nga fisi i Gugajve dhe ajo çdo muaj do të bënte vizita në derë babe, në gjininë e vet. Buza e Dedes ishte përmbi fshat, nga ana e veriut. Prej andej, gjatë dimrit, vinin me furi erëra të ftohta që të thanin gjakun. Mirëpo aty ku bashkoheshin dy kodërza, kundruall fshatit, kur vinte i nxehti i madh i gushtit, nga të çarat e petaraqeve, radhoj guri, për çudi, kullonte zift. Ca thoshnin që ishin lotët e Dudisë e cila ishte mbytur në borë duke mbajtur njerën dorë jashtë, në drejtim të fshatit, andej nga ishte rruga drejt Kaparjelit.

Vu, vu, vuuuuu…. frynte era në hartallet e shtëpisë dhe mua më ngjante se dikush kërkonte ndihmë: “Vuuuu, jam Dudiiia, dilni, o fshat e më shpëtoni, më ka zënë tartakuti, dilni se kam dy djem në shtëpi të vetëm, pa vajguri, dilni moreeeee…”. Dhe fshati për çudi atë mbrëmje ishte shurdhuar. Ca thoshnin se ishte budallallepsur. E kush, pra, ai fshat që shkonte një orë larg, gjer në Lera për të shpëtuar njerëzit e ngecur në borë e jo më aty afër, Buzë Dedes, dy hapa larg nga shtëpitë e fundit të Rrake.

Këndonte në dasma e zijafete këngë të bukura Shahe Taka, zëbilbili nga fshati ynë:
 “Nëno ç‘ma bëre Dilinë,
 Që ma trete si qirinë…” 
dhe mua më ngjante se nga Kaparjeli vinte kapedani Hajro Bizhga, me mustaqe të gjata e mauzer në sup, vinte me tërsëllimë për t’u kërkuar hesap golëmasve: 
“ Golëm ku e kam Dudinë?
 Pse ma lat’ në rrokullimë?
Në kallkan, në suferinë….”

Vu, vu, vuuuuu, ulërinte era nën pullaz të shtëpisë sonë…Dhe mua më arratisej gjumi nga sytë. Pastaj nuk merrja vesh, isha zgjuar apo në ëndërr: Dudia me çitjane të bardha i vinte rrotull haurit, bëhej e hollë si një fugë leshi në furkën e teto Alidisë, zgjonte Meten dhe e pyeste për dy djemtë e saj. Metia ia tregonte duke ngritur dorën lart. Pastaj ajo hynte brenda haurit. I gjente djemtë zbuluar. Ngrinte çkorsën e leshtë lart, i mbulonte të dy mirë e mirë, pastaj u këndonte: vu, vuuu, zemra ime, jam këtuuuuuu….

Fund,
Toronto, 28 janar 2018


Shpjegime:
Gjuhëzogu – një lloj bari me fletë në formën e gjuhës së zogjve, i ngrënshëm
Qyngje – tuba balte
Kopanë – bistakë rrushi
Koshtrat – kopshtiet
Tartakuti – drithmat, sëmundje me ethe të mëdha
Kallkan – akull
Hartalle – nën çatia
Tërsëllimë – zhurmë
Hesap – llogari
Mauzer – pushkë austriake
Gargull - zog pendëgjelbër, afërsisht sa mëllenja
Zijafet – gosti Çkorsë – lloj velënce prej shajaku
Petaraq - radhoj guri petë-petë
Haur - ahur, pjesë përdhese e shtepisë, kasolle




Thursday, 24 January 2019

NËPËR SHTIGJET E JETËS TË PYLLTARËVE


nga dr.  Selman MËZIU
Firence, Itali



Selman MËZIU
        Autori i librit ‘’Mirënjohje për pylltarët,, na e zbulon qëllimin, përse e ndërmerr këtë ‘’aventur,, për të zbuluar gjurmët  në shtigjet e jetës dhe asaj të gjelbërt, duke u shprehur kështu: ‘’…për të shkruar sadopak për ato që jetën e tyre e kaluan midis pyjeve, u rropatën, sakrifikuan për të hedhur themelet e shkencës së pylltarisë shqiptare, për të mbrojtur, trajtuar e shfrytëzuar shkencërisht pyjet, për të shtuar fondin pyjor me pyllëzime të reja…..që të sigurohet gjenerata e re si trashgimi për brezat e ardhshëm.,,( D. Kroi ‘’Mir. për pyll.,, f.14 Tiranë 2015)
  Kur ka konceptuar veprën e tij inxhinier Daut  Kroi ka patur parasysh disa kritere të vendosura në themel të ngritjes se ‘’piramidave,, të portreteve të pylltarëve: përshkrimi me vërtetësi të karakterit të tyre, të dhëna të shkurtëra mbi familjet origjinën, shkollimin, punësimin, veprimtarinë studimore, shkencore, botuese,  marrdhëniet ndër kolegë, prirjet dhe dhuntitë personale etj. 
  E gjithe kjo lëndë është mbledhur me kujdes, durim, vullnet, këmbëngulje e ndërgjegje nga familiarët, kolegët e punës apo të univesitetit,  dokumentave të ndryshme, bibliografive e organeve të shtypit të kohës etj.
  Dhe ja mesa kujdes, realisht, me nuanca poetike dhe çiltërsisht i përshkruan ai takimet me vajzat e Dr. Ilia Mitrushit, Lilianën dhe Anjesen ku ai shprehet se’’i kishin grumbulluar e ruajtur me aq kujdes e dashuri dorëshkrimet dhe veprat e të atit.,,(Po aty f. 25). Për të shkruar për Doc. Ilia Nakon inxh. Daut Kroi shkruan: ‘’Kisha katër vjet që kërkoja e më së fundi e gjeta numurin e telefonit të vajzës së tij, Nikoletës që banonte në Trieste të italisë….,, (Po aty f. 73).  Autori shfrytëzon çdo mundësi për zbulime të reja, dhe ja se si shkruan: ‘’….dorëshkrimet e tij (Irfan Çelës S.M.) origjinale, regjistrat  me emrat dhe notat e kursantëve (Shkurt 1937 Hotel ‘’Kontinental,,  Tiranë S.M.),  nipi i tij, me emrin e Irfanit që i kishte ruajtur e mi vuri në dispozicion.,, (Po aty f. 156) 
 Dhe ja shembulli i fundit: ‘’Shpirti i tij (Inxh. Pëllumb Tirana) zbriti dhe më pëshpëriti në vesh, këmbëngul mos u tërhiq se do të më gjesh, se unë kam lënë mbrapa emrin e mirë, bashkëshorten fëmijët e plotë nipër e mbesa.,, ( po aty f. 272)
     Etja për kulturë, për dituri ishte një nga prirjet e zakonshme të I. Çelës, dhe ja si shkruan autori: ‘’….kur po kthehesha në shtëpi bleva ‘’Lahutën e Malsisë,,. Si e lexova atë disa herë, takova Fishtën (Ishte viti 1937 S.M) në rrugë dhe i putha dorën, më  pas ai më erdhi në shtëpi.,,(Nga dorshkrimi i kujtimeve  të I. Ç., Po aty f. 165)
      Sa i pameshirshëm ishte realiteti politik shqiptar kur i vendos përball një  moment historik për një shkencëtar shqiptar, në fushën e pylltarisë,  dhe ja, po shkëpusim këtë copëz: ‘’ Qeveria Kineze dhe personalisht kryeministri i asaj periudhe Çu En Lai e vlerësuan dhe e falenderuan, për vendosjen e bazave shkencore të përhapjes dhe rritjes së ullirit….(në Kine, paraqitet edhe një fotografi me Kryeminstrin kinez. S.M) Po aty f. 79 - 80)  Dhe ja fatkeqësia e këtij shkencëtari e librashkruesi mbi pylltarinë: ‘’Në momentin kur Ilia Nako ishte në kulmin e arritjeve të tijë në jetë…..kur priste edhe titullin ‘’Profesor,, ai mbylli sytë papritur…..,, ( Po aty f. 83)
 Dhe ja koha e pamëshirshme godet moralisht e shpirtërisht një shkencëtar tjetër me kontribute ajzbergiane në lamin e pylltarisë e më gjërë dhe ja si shprehet autori i librit:‘’E ç’duhet të bëjë më shumë për shkencën, për vendin e vet një intelektual, një qytetar i ndershëm për t’u quajtur ‘’Profesor,, ose ‘’Akademik,,?! ( Për Dr. Ilia Mitrushin S.M.) ( Po aty f. 46) 
    Ndërsa për veprimtarin e shquar si specialist, si organizator si prodhimtar me botime artikujsh e librash të Inxh. Pëllumb Tiranës në pylltari, autori i librit ‘’Mirënjohje për pylltarët,, shkruan:  ‘’Një muaj para se të mbyllte sytë, shkroi një manual pyjor e firmosi dhe ja dha Ibrahim Kubatit…,, (Po aty f. 277)  Patriotizmi, dashuria e zjarrtë për profesionin janë pasqyruar besnikërisht për Inxh Pëllumbin. Në ditë e fundit të jetës nga spitali ai i shkruan Enver Hoxhës që ta ndihmojë të mjekohej jashtë shtetit: ‘’ Mbi të gjitha nuk dua të vdes kaq i ri. Nuk më vjen keq për jetën time, por, për aftësitë e mia që kam në kulmin e moshës, për të kontribuar për popullin tim se i jam debitor…..që me mbajti për dhjetë vjet më bursë shteti.,, ( Po aty f. 280). Por vdekja e rrëmbeu shpejt e papritur më 18 tetor 1975.
  Një dramë e dhimbshme, prekëse, emocionuese e mpleksur me një luftë të egër psikologjike, morale, klasore, shkruhet në librin në fjalë për shkencëtarin e madh shqiptar me banim në Moskë Selman Lamebroshaj dhe ja çfarë i thotë zëvendës ministri Iliaz Reka inxhinierit : ‘’Që të shpëtosh nga burgu, do të transferohesh në drejtorinë e Elbasani, inxhinier për kullotat, për dy orë të bëhesh gati të ikësh. Spiuni kish raportuar në organet e sigurimit. E tmerrshme, goditja më e fortë se largimi i gruas (Vitet 1960,  Suzana e shoqja, me kombësi ruse, S.M.) me djalin.,, (Po aty f.236)   Dhe më tej autori shkruan: ‘’….unë ( Selman. L) u hodha më një nxitim të paparë në drejtim të piramidës kufitare……Megjithatë, një plumb mi dogji flokët e kokës, për disa milimetra më poshtë, plumbi do më kish marrë jetën.,, (Po aty f. 238).  Vullneti i tijë (i arratisuri S.L. në Bashkimin Sovjetik)  i hekurt,  zgjuarsia u ngjizën në punën  e tij plotë pasion e këmbëngulje, veprimtari të gjallë e të gjërë shkencore në institucionet shkencore të Bashkimir Sovjetik e shtyjnë natyrshëm, të bindshëm e të vendosur,  Inxh. Kroin që të shprehet: ‘’Për pylltarinë shqiptare, shkencëtari i përmasave botërore (S. Lameborshaj) duhet që ne dhe brezat e ardhshëm…..t’i jemi mirënjohës se ai është pjesë e pandarë e plejadës të pylltarisë shqiptare.,,(Po aty f. 245)
  Bibliografi Inxh. Daut Kroi i përshkruan pylltaret me çiltërsi, me besnikëri pa anashkalime apo ‘’harresa,, ai thekson zjarrin e luftës së klasave që tulatëte, ndrythte, friksonte përkohesisht shkencëtarët e pylltarët shqiptar, që nga Treska, Nakon, Mitrushin, Çelën, Hoxhën, Dinen, Taçin, Maçollin etj. por ato gjetën rrugët mënyrat e ju vunë punës me këmbëngulje pasion vullnet në sherbim të pylltarisë shqiptare me njohuritë tekniko shkencore, me kulturën e tyre të gjërë, me vullnet e këmbëngulje duke dhanun kontribute të shquara me projekte, ide, artikuj, libra, organizim udhëzime në të gjithe veprimtarin shumë planëshe të pylltarisë shqipëtare.
  Autori ka shkruar një libër për të gjithë, që ta lexojn me ëndje, dëshirë e kureshtje kulturimi e edukimi, poetët, shkrimtarët, inxhinierët e pyjeve, bujqërit, historianët, politikanët, studiues të shoqëris, të organizimit e politikave në pylltari si bashkëjetesë e domozdoshme e njeriut dhe si prodhuese e të mirave materiale.
    Vepra është strukturuar e konceptuar si një bllok i tërë informacioni, profesioni, biografie, gjenologjie, por edhe me një lirizëm vargjesh, strofa poezish të cilat gurgullojn, natyrshëm, me ndjeshmëri poeti, nga thellësite e shpirtit ku ai nuk shpreh vetëm dëshira, me hiperbola, krahasime, por, rrezaton  romantizëm, dashuri të ëmbël, të çiltër njerëzore duke  skalitur mjeshtërisht, karaktere, figura. Përshkruan bukuri magjepse brenda botës mrekulluese të pyllit e në shpirtërat e personazheve të tijë pylltar, që ai i ka për zemër, i ka  njohur si student, nga afër nëpërmjet veprimtarisë  si pylltar, drejtor, inxhinier, projektues, realizues i margaritarëve të gjelbërta kudo në shqipëri.  Dhe ja një shembull që i gurgullon nga thellësitë e shpirtit të tij mbushur me poezi: ‘’Por, trëndafili i bukur e me aromë i pylltarisë shqiptare dhe letërsisë shqiptare (Shkruhet për Inxh. Vito Koçin  S.M.) vetëm petalet lëshoi duke i shpërndare anekënd në ahishte e pishnaja dhe në lidhjen e shkrimtarëve.,, (Po aty f. 262) Dhe një tjetër ujëvar poetike: ‘’ I kënaqur qofsh (Shkruhet për Inxh. P. Xhometiku) derisa sytë e tua të shkëlqejnë derisa gjethet të fëshfërijnë o lisi shekullor i pylltarisë shqiptare! (Po aty f. 201)
   Shkruesi i ketij volumi i ndjek syreshët e tijë në çdo hap të jetës, ai iu kap detaje  të holla, prirjet për poezi, dëshirat për arkitektur, për tu marrun me sport, ëndrrat për letërsi, prirjet e dëshira për të përkthyer libra, për të pikturuar etj. etj. duke e bërë librin, mjaft tërheqës e njohës karakteresh të vyrtytshëm e shumëplanëshe.
  Duke ndjekur gjithe kalvarin njëzetë e tetë vjeçar të pylltarisë shqiptare, shkatërrimin në mas, me dallgë barbare të pasurisë së gjelbërt pyjore e natyrore, si dhe mosmirënjohja, deri në varrosjen e pylltarëve e pylltarisë shqiptare në të gjitha qelizat, autori i librit shkruan një mesazh kuptimplotë dhe me vërtetësi diellsore kur shkruan: ‘‘Pylltarët duhen çmuar si njerëz të palodhur si heronj të heshtur, që kanë punuar në emër të së ardhmes, në emër të brezave që do të vijnë pas nesh.,, ( po aty f.17)
  Inxhinieri Daut Kroi në librin e tij prej 500 faqesh 67 fotografish, dhjetra faqesh te fotokopjuara e dokumente ka zbuluar një botë të tërë pylltarësh shkencëtar, organizator e projektues gjelbërimesh të shpateve të kodrinave, vargmalesh e malesh, brezash bregdetar e eksperimentues llojesh pyjore, ndërtimesh veprash arti kundër grryerjeve etj. e megjithatë ai mbetet modest, dhe ja si shkruan: ‘’Nuk kam ndër mend, që të marr rolin e historianit, por duke portretizuar këto figura, brezi i ri do te kuptojë, sadopak, në ç’kushte studiuan, punuan, sakrifikuan, për hir të dashurisë për profesionin bënë çdo gjë, pa përfituar asgjë, përveç ajrit të pastër, frymëzimit dhe emrit e veprave që lanë pas.,, ( Po aty f. 15)  Por duhet të nëvizojm shembullin e tij të vyrtytshëm që i falet punës plotë djersë të tijë, pasionit si pylltar e si  dashurues i letrave e familjes së tij plotë kulture e atdhedashuri.
Firence 20.10. 2018 
Dr. Selman Meziu



Sunday, 20 January 2019

HISTORIA E PYLLTARISE SHQIPTARE NE PENAT E DY INXHINIERËVE

nga dr. Selman  MËZIU
Firence, Itali


Selmam MËZIU
Në ngjitjen në shkallët e drujta të shekujve pylltaria shqiptare së fundi ka gjetur dy historianët e vërtet të dalur nga gjiri i profesionit të pylltarit. Këto jane Inxhinieri i pyjeve Irfan Meko me detyra të ndryshme në pylltarinë shqiptare dhe në industrinë e drurit, dhe tjetri Dr. Genc Kacori edhe ky i të njëjtit profesion, me detyra të ndryshme e autor i shumë librave në lamin e pylltarise. Pylltarët shqiptar kanë patur dëshirën dhe vullnetin të shkruajn në degët e shkencave të ndryshme të pylltarisë, duke hedhur dritë mbi probleme të shumta të pylltarisë shqiptare dhe duke shprehur përvojen e tyre shumë vjeçare në fusha të caktuara. Por duhet të shquajm me kujdes se pas viteve ’90 e deri në daljen në dritë të punimit historik: ‘’Pyjet në rrjedhjen e një shekulli.,, kemi një vërshim në botimin e librave të karaktereve të ndryshme në lamin e pylltarisë. Tregues i pjekuris intelektuale, kulturale dhe profesionale të pylltarëve shqiptar. 

Historia e pylltarisë shqiptare e marrë në shqyrtim që prej një shekulli ka veçantinë e saj sepse është shkruar me një stil të ‘’hekurt,, të kursyer të sakte dhe mbi bazën e dokumenteve, duke përdorur për shpjegim të qartë të kuptueshëm e të bindshëm, tabelat, grafiçet, fotografitë, pervojën praktike të dy autorëve, intervistat private dhe një literatur të bollshme, profesionale, politike, dokumetare. E gjithë kjo landë është më se e qartë që ka kërkuar nga autorët nje vullnet të hekurt, durim, këmbëngulje, e një punë përzgjethëse mjaft të kualifikuar. Prandaj libri i autorëve I. Meko, Dr. G. Kacori është një thesar i pazëvendësueshëm informacioni, një paqyrë njohëse e veprimtarive të pylltarisë shqiptare, një kopsht i pasur përvoje, një mësues i pazëvendësueshëm. 

Do të ndalemi në çështjen më thelbësore e më problematike për kohën që po jetojm në fushën e pylltarise qe është problemi i pronësisë. Në ligjen e pyjeve dhe kullosave, 27.I.1923.artikulli 11 autorët kanë shkëputur këte paragraf ku shkruhet: ‘’ Ligji njihte tre forma pronësie: private (particulier), komune(të bashkive) dhe shtetërore. Sipas mënyrës se zotrërimit, pyjet dhe kullotat private klasifikoheshinnë katër lloje: (1) tokë-prone, (29) vakëfe të vërtet, (3) vakëfe…me qira….,(4) tokë shtetërore…( Pyj.në rrjedh. e një shek. f.12, Tiranë 2018) Për të patur një objektivitet në shperndarjen e kësaj pasurie të patundshme e shumë të nevojshme për jetën e fshatarsisë:…. ligja përcaktonte që për çdo shtëpi të ndaheshin nga 20 dynym të vjetër….( Shënim: Dynymi i vjetër ishte i brabartë me 919 m²) ( Po aty f.13.) Dhe me tej shkruesit e historikut vazhdojn të sqarojn kthjellësisht se si është organizuar ndarja: ‘’Dispozitat e tjera të ligjit( 27.I.1923 S.M )kishin të bënin me ndarjen dhe vendosjen e kufijve e shenjave përkatëse të pyjeve privatë, komunalë dhe shtetërorë,si dhe më mënyrën e ndarjes dhe të përdorimit të pyjeve dhe kullotave komunale ndërmjet familjeve të një fshati apo ndërmjet fshatrave.,,(Po aty f.13) 

Për të krijuar një bindje të plotë e për të qenë të vetëdijshëm se në çfare siperfaqe shtriheshin pyjet në pronësi të ndryshme në vitin 1933, autoret na sqarojn bindshëm: ‘’Pyjet private deklaroheshin se ishin rregjistruar rreth 60 mije ha, ndërsa komunale rreth 4000 ha. Për sa u përkiste pyjeve të institucioneve fetare, kishave, teqeve dhe manastireve, ato akoma nuk ishin regjistruar dhe nuk ishin raportuar të dhëna.,,( Po aty. f.75) Dhe më tej në vazhdimin e përshkrimit të historikut të pyjeve ne lidhje me problemin që po shqyrtojm shkruesit e historikut paraqesin se ‘’Deri në fund të vitit 1944, sipas raportimeve të vitit 1948, fondi pyjor i vendit mbulonte një siperfaqe prej 879,5 mije ha, nga të cilat 800,5 mijë ha pyje shtetërorë, 16 mijë ha pyje komunale dhe 63 mijë ha pyje privatë…,,(Po aty f.83) 

Dhe ja vjen një dite dhe kryhet një revolucion i tille ku merr fund prona private mbi pyjet dhe ja: ‘’Në muajin gusht 1945 miratohet ligji i Reformës agrare, ku krahas tokave bujqësore, sanksionohej edhe shtetëzimi i pyjeve e kullotave private, që u bënë ‘’…pasuri e përbashket e popullit….,, (Po aty f.31) Dhe ja sa ndriçuese jane studimet historike, ku pas plotë gjashtëdhjetë e shtatë vitesh pyjet shqiptare do të ktheheshin me ligj ne tre pronësi: ‘’Ligji i trajtuar në 68 nene (Tetor 1992 S.M) ishte konceptuar për t’iu përgjigjur kushteve të reja dhe merrte në konsiderate format e ndryshme të pronësisë (shtetërore, komunale, private) si dhe sigurmin e balancimit ndërmjet interesave të gjithë shoqërise dhe interesave të sektorit privat.,, (Po aty f.56)

 Por proçesi i privatizimit të pyjeve venë në dukje autorët na paska filluar: Me hyrjen në fuqi të ligjit për sanksionimin pronës private në vitin 1991, filloi kthimi i pyjeve ish pronareve.,, ( Po aty f. 118) Dhe me tej historishkruesit sqarojn me shifra ecurine e privatzimit: ‘’Pyjet private, ë vitin 2016, zinin një sipërfaqe prej 28.780 ha, ose 3% e sipërfaqessë përgjithshme, me nje vëllim prej 3 milion e 294 mije m³ lëndë në këmbë, ose 6% e vëllimit të përgjithshëm.,, ( Po aty f. 123) Por fatkeqësisht, reforma e pronësise mbi pyjet mori një goditje të re, të pakonceptueshme per traditat ne pronësine private mbi pyjet, në kundërshtim me kanunet e Lekë Dukagjinit, Skenderbeut dhe……………. dhe në mungesë të plotë të një analize politiko shoqërore që luan pylli si pronë private në jetesën e fshatarsisë e të malsorëve, edhe në shqipërinë e fundit të shekullit të njëzetë dhe të fillimit të shekullit të njëzetë e njëtë dhe ja si shkruajn autorët e historise një shekullore të pyjeve: ‘’Transferimi i pyjeve në pronësi të bashkive, u finalizua në vitin 2016 pas miratimit të ndryshimeve ne ligjin e pyjeve në maji 2016 dhe vendimin e Qeverisë në muajin qërshor 2016,….,, (Po aty f.119) 

Duke lexuar hap pas hapi ligjet dhe satistikat e shpërndarjes së pyjeve në tre lloje pronash e me pas të vetmes pronë shteterore, dhe rikthimi pas dyzete e shtatë vjetesh në tre llojet e tyre, tregojne se baza e prodhimit e punës dhe e mirëqenies së një populli kanë si baze shpërndarjen e drejt të saj, të shoqëruar me format e organizimit të ruajtjes, shtimit e vjelejs së prodhimeve, tregëtimit ose përdorim për konsumim privat. Gjë e cila akoma për njëzetë e tetë vjet demokraci e papjekur, tranzicionale e pafundme, ende nuk është kuptuar, ose shtrembërohet e nuk zbatohet qëllimisht për të shtuar vuajtjet e fshatarsisë, malsorëve, boshatisjen totale të këtyre trevave të banuar prej tyre nëpërmjet emigrimit masiv ose përdorimi i kësaj pasuri si objekt vjedhjesh e korrupsioni. 

Në këtë mënyrë janë trajtuar shkallë - shkallë në kohë e hapsirë problemet e legjislacionit dhe formave të organizimit në pylltarinë shqiptar me një hark kohor prej një shekulli, po kështue edhe fondi pyjor, duke anash kaluar kadastrën pyjore se kur është krijuar dhe si ka funksionuar në piramidat e organizimit të pyjeve në çfarë gjëndje është ajo për dy dhjetëvjeçarët e fundit. Ndërsa jane shtjelluar hapa pas hapi nëpërmjet një dokumentacioni të plotë dhe shifrave punimet e ndryshme në pyje, po aq qartë janë dhënë me një pasqyrym të plotë gjuetia dhe arsimimi i pylltareve shqiptar në këtë shekull.

 Në takimin që bëra në gusht të këtij viti me njërin nga autorët e punimit historik te pylltarise shqiptare, Dr. Genc Kacori i bëra një pyetje: A ua keni dhuruar librin tuaj, krerëve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar? Ai m’u përgjigj: Jo, sepse nuk është e nevojshme, ato siç veprojn me pyjet e pylltaret, as që e lexojn dhe jo ma, të zbatojnë apo të mësojn nga historia e pylltarisë shqiptare. Ndërsa une iu përgjigja aty për aty: Punimi juaj është me të vërtet një mësues, udhërrëfyes, një model veprimi e organizimi i pylltarisë shqiptare, dhe tregon se pylltarët shqiptar punojn, shkruajn, janë të armatosur me kulture profesionale dhe po t’i kishin pyetur politikanët shqiptar, pylltaria nuk do të ishte katandisur në këte gjëndje mjerane. 

Firence 10.10. 2018 
Dr.Selman Meziu

Friday, 11 January 2019

SELGJIKJA, VENDI I ADHURIMIT TË ZOTIT NË MIJRA VJET

nga:  Zija BASHA
Historian dhe Publicist
Çikago, SHBA

Zija BASHA
Selgjikja ndodhet pranë kreut të Grykës Sopotit, në krahun e majtë të rrugës Lazarat-Delvinë. Është një vend ku Zoti adhurohej që në Lashtësinë Pellazgo-Ilire. Emri i saj "Selgjike"dhe emrat e toponimeve rreth saj, kanë rrënjë të përbashkët "sel" dhe "llo", kanë një lidhje kuptimore me njera-tjetrën. Shkrimtari e studiuesi Moikom Zeqo thote: "Gjuha shqipe eshte enciklopedia më e vjetër dhe më e re e popullit tonë, një thelb i pavdekshëm i ekzistencës etnike e progresit të tij në shekuj."

Fjala e sotme "shi", "shiu", pasqyron në mënyrën më perfekte fenomenin që ndodh në natyrë, ku nga kondesimi i avujve uji që përfitohet bie në tokë në formën e pikave duke krijuar një fëshfërimë, e ne themi edhe pa e parë: "Bie shi". Kur shiu bie me furi krijohet një fëshferimë më e fortë, duke rënë mbi bar, dru e gurë themi bie "sel" "Ra sel i madh". Kur shiu bie me orë të tëra themi: "Bie llo-llohë". 
Pra fjalet shi, sel dhe llohë kanë kuptimin e fëshfërimës. 

Shërbestarët fetarë dhe ata që jetonin rreth Tempullit të Dodonës pellazgjike quheshin "Selë" mbasi sipas historianit Herodoti dhe poetëve Antikë, ata parashikonin të ardhmen nga fëshfërimat e fletëve të lisit që i tunde era. Herodoti, lindur në Halikarnas të Azisë vogël më 490 ose 480 Para Krishtit, në librin Historia me 9 vëllime trajton kalimin nga parafytyrimi i përgjithshëm për Perëndinë në institucionin e Tempullit.

Ishte historiani i parë i besueshëm e nga mjeshtrit e parë që tregon si mund të shkruhet historia. Ai hulumton, dëgjon, analizon duke çveshur të vërtetën historike nga legjendat, gënjeshtrat e stisura që trubullojnë mendjet njerëzore, pasqyron gjurmët e prekshme që le historia. Në udhetimet e tije në Mesopotami, Egjipt, Greqinë e sotme arriti deri në Dodonën pellazge, siç shprehet vetë. Aty mësoi si u krijua Orakulli i parashikimit të fateve. Në faqen 123 tek vellimi i dytë thotë:
 "Në kohën e lashtë, nga që e di se kam qenë në Dodonë, pellazgët bënin flijime të çdo lloji e i luteshin Perendisë, por pa ndonjë dallim ose titull, se ata atëhere nuk kishin dëgjuar një gjë të tillë. Ata e quanin Perendi ndërsa tek grekët quhet Theo. Me vone i sollën perendite në Pellasgji e i kërkuan Orakullit të Dodonës këshilla. Orakulli i këshilloi të përdornin emrat e perëndive me përjashtim të Dionisit".  Prej pellazgëve më von perënditë kaluan tek grekët. Në deklaratën time kam autoritetin e priftëreshave të Dodonës që me treguan këtë histori: Dy pëllumba të zes u nisën nga Teba e Egjyptit. Njeri fluturoi drejt Libisë e tjetri erdhi në Dodonë. Zogu në Dodonë u ul në një degë lisi e u foli me gjuhën e zogjve, por njerzit nuk e kuptonin. Kur mësoi gjuhën e njerëzve u tha që aty duhej të ndërtohej Tempulli i Zeusit. Ata që e dëgjuan zogun kuptuan që qe një komandë nga qielli dhe e zbatuan. Këtë histori ma treguan priftëreshat dodonase: Promeneia, e vjetra,Timarete, tjetra dhe Nicandra e vogla, por unë mendoj ndryshe. Pëllumbat e zes ishin dy gra zeshkane nga Tempulli Tebës që u shitën si skllave njera në Libi e tjetra në Dodonë. Kjo e Dodonës, kur mësoi gjuhën pellazge u foli në gjuhën e tyre. Këtë ma vërtetuan edhe verifikimet e priftërinjtë të Tebës në Egjipt. Nga modeli i Dodonës pellazge grekët më vonë ndërtuan Orakullin e famshëm të Delfit". 

Edhe pse kanë kaluar mijëra vjet Selgjikja s,ka ndryshuar. Aty adhurohet si përherë Zoti. Selgjikja është një majë mali në formën e një plisi pellazgjik e Ilir. Banorët e trevës së Lazaratit të sotëm, që deri në vitin 1434 kishte 7 fshatra, si dhe banorët e dy krahinave të mëdha pellgu i Drinos e ai i Finiqit, që i lidhte në menyrë jetike Gryka e Sopotit, qysh nga lashtësia, e kanë adhuruar vazhdimisht si Vend i Shënjtëruar i Zotit. Deri para Luftës së II Botërore ky vend vizitohej vazhdimisht nga pelegrinë të dy krahinave e më gjerë. Shkonin aty, ndiznin qiri në vendin e caktuar, uleshin në hijet e pemeve të kurorës së Selgjikes, i luteshin Zotit e profetëve të tij për mbarësi e lumturi dhe iknin me besimin në zemër.

Në faqen veriore të Selgjikes ndodhet një gropëz plot pemë si shkoza, mëlleza, kumbulla mali, muriza, trendafile të egera që harlisen në një tokë argjilore të pasur plot humus. Ka përmasat 50 m. veri-jug e 100 m. lindje-perëndim. Ajo është "dimërkeqe " siç e përshkruan Homeri Dodonën, por s’mendoj se është Dodona.
Emërtimi i saj i lashtë ka qenë “Sele”, vend i selëve të kohës pellazge mbi 3000 vjeçare. Në kurorën pemëve duket se janë ulur ata për të treguar fatet e njerëzve, duke dëgjuar fëshfërimat e fletëve që i tunde era, që në këtë vend nuk pushon kurrë. Po pse sot ky vend i selëve quhet Selgjike!? Gjuhëtari mendjendritur Shaban Demiraj thotë: "Në shqip emri i Shënjtorit Gjon Pagezori na vjen me disa varjante si: Gjon-Gjin-Gjoke-Gjike-Jani. Në greqishte Joani. Në italishte Giovani. Në anglisht John. Me ardhjen e Krishtërimit si fe e re edhe banorët e ketyre trevave e lanë politeizmin e përqafuan rrugën e shenjtë të Jezu Krishtit, por pa mohuar adhurimin për Selgjiken e Shenjtë duke e nderuar më tepër me vendosjen e emrit të martirit Gjon Pagëzorit.

Maja e Selgjikes është edhe vendi i rrufeve, maja e vetëtimave. Gurët aty janë të coptuar e kanë ngjyrë kafe të çelët. Rrufetë aty bien gjat shirave të pranverës e verës, me shumë e për keqberësit thuhet: "E vraftë Selgjikia". Poetët Kombëtarë Naim Frasheri e Andon Zako Çajupi qe i kanë kaluar afër kur shkonin ne skelën e Sarandës nga Gryka e Sopotit thurën vargjet:

“Vetetin mali Sopotit,
Edhe ti Tomor i Zotit....”(Naimi)


“Ujë nga Sopoti,
Na i faltë Zoti....”(Çajupi) 

Në këmbët e Selgjikes ndodhet burimi i Picunarit që pa dalë antibiotikët shëronte plotësisht sëmundjen e tuberkulozit duke pirë ujë e duke ngrënë ushqim cilësor si mish e qumësht. 

Në Selgjike nuk lejohet prerja e drurëve, therrja e bagëtive e kullotja e dhive si dhe e kafshëve të trasha. Çdo papasterti është e palejueshme në krejt teritorin e saj. Në grykën e Sopotit, pranë pyllit të lajthive ndodhet rënoja e kishes së Shën Gjonit. Pranë janë sheshe që quhen arat e Kishës dhe një burim me ujë të ftohtë. Në lindje të Selgjikes ndodhet mërzimi i Madh ose mërzimi i Diellit, aty ndodhet një pemë me trung të trashë e kurorë të rrumbullaktë, flete të verdha e kur lulëzon e rrit frutat nga rrezet e diellit duket si i florinjte. Kjo shkozë e moçme mund te vizitohet duke ulur në hijen e freskët e të dëndur, por nuk lejohet ta presësh, ta mbash pastër dhe të mos lejosh bagëtitë aty. 

Disa metra në lindje ka 7 zambakë shqiptarë shumë të bukur që rriten vetëm në malet e bardha shqiptare e askund në botë. Pranë ndodhet edhe përroi gjithë pemë e bukuri përrallore që quhet Guri i Janit ose Gurjani me kullota të mira për bagëtitë. Mbi të ndodhet një këmbë e bukur mali që quhet edhe nga barinjtë dropullite në gjuhen e tyre Kallapoll. Mbi këto kullota ndodhet Lloizi, një këmbë mali shumë e bukur. Emërtimi i tij i bukur “Lloiz” ka ardhur në gjendjen e sotme nga përdorimi i shpeshtë në mijra vjet, por dallohet qartë -selloi ze e sot e kemi lloiz. 

Rreth 200 metra në lindje të Mërzimit të madh ndodhet burimi i Zgurës, që vjen nga fjalët shqipe Zë dhe gurrë, që do të thotë zëri burimit, i gurrës, nga vjen edhe fjala burrë, burron vazhdimsia e fisit. Aty burrimi është në një shpellë të errët që dëgjohet vetëm oshetima e ujit që del nga gurrët.

Një dukuri tjetër interesante në trevën e Lazaratit është ndërtimi i piramidave me gurë të bardhë që të kujtojnë Kullën e Babelit. Quhen qivure e bëhen për kënaqesinë e Zotit, thoshin pleqtë. Janë sot 5 qivuret e Ristës dhe 3 qivuret e Gjoke.  Mendohet se është gjë e mbetur dhe e trasheguar që nga lashtësia.

Mistikët bektashianë gjat 300 vjetetëve të fundit dhe me parë vazhdojnë ta vizitojnë Selgjiken. Ata qëndronin gjat pranverës e verës një muaj ku mereshin me faljet e tyre mistike, inspirime për përmirësimin e përsosjen e shpirtit asketik, agjërim e meditime, lexime të literaturës së tyre duke u frymëzuar për t’i bërë më mirë punët e tyre Hyjnore. Barinjtë e popullata duke i parë thonë: "Erdhën të mirët e maleve", shprehje e moçme për shqiptarët.

Ky shkrim është bërë për kënaqësinë e miqëve që dinin, por donin të dinin më shumë për këtë vend të adhurimi të Zotit në mijra vjet.



Zambaku shqiptar( Lilium albanicum Griseb. (1846)

Wednesday, 2 January 2019

D Ë SH I R Ë !

nga: Ksenofon M DILO

Publicist

Leçe, Itali




           Aty ku mirësia, bujaria, bukuria, madhështia, nderi, atdhedashuria rrjedhin si ujvarat e malit, ku së bashku me të gjëmojnë me jehonë në këngët e vendit, ku njeriu i mirë i ndjen e i reflekton të gjitha këto me ballin lart e me krenari të ligjshme, aty dua të jem!.

           Është dëshira që u lind dhe rritet së bashku me flladin e aromën e lules së malit. Është ajo që u mëkua me qumshtin e gjirit. Ajo që eci monopateve e shtigjeve të ashpra, ajo që njohu dashurinë dhe mirësinë e njerëzve të mëdhenj, atyre që kur uleshin e flisnin i jepnin dritë e kuptim asaj që sot shihet me sy të historisë, nesër me të legjendës…

           Mall për Sheperin e dashur! Mall për këngën që i fliste drejt zemrës pa dredhe dhe e bashkuar me jehonën e malit përballë. Aty njerzit i thonin mirmëngjes agimit të kaltërt ashtu si edhe shoshokut, aty bujaria buronte nga zemra e nuk kishte hipokrizi. Aty njeriu nuk kishte maska por të jepte buzëqeshjen e çiltërt e ndjeje se ishe vëllai i tij. Kur shihje që lulëzonte gjithësia shkriheshe me të e të ngjante sikur të kishte veshur pavdekësia me atë hijeshinë e saj madhore, e nuk do të mund të vdisje kurrë. Të njëjtën gjë ndjeje edhe kur zgjatje dorën e këputje nga dega një mollë, kur pinje ujë nga Llagaturati, kur shihje tej në horizont të lindte dielli e kur shoqëroje me vështrim të mrekulluar perëndimin.

           Aty e kishte zanafillën bota e aty kishte edhe fundin, por çdo gjë kishte dritë qiellore, të gjitha ndrinin e nuk kishe qef të mendoje mbarimin. Aty dua të jem! Kam mall e shumë dëshirë për Atheun tim! Aty dua të jem! Në Sheperin e dashur e të bukur dua të shkoj! Të ulem këmbëkryq e të fotografoj me sytë e shpirtit e të kem në zemër Sheperin të gjithë me shtëpijat, me avllitë, me njerzit që në prag qëndrojnë e të bëjnë dritë të hapin rrugë për në konak të tyre me bujari e çiltërsi, të ftojnë e të duket se je në shtëpinë tënde, e jo në shtëpinë që udha e nxorri përpara në natën e udhëtimit tënd për në zemër të miqësisë. Për aty prej nga nuk mund të shkulesh por me dëshirë do të doje rrënjë të hedhësh në atë tokë, që me dlirësi të tregon kush është e vërteta miqësi. 

           Në Sheper, natyra është bujare, si edhe njerzit! Në Sheper njeriu bëhet trim, si malet! Në Sheper shijon jetën sepse ajo është e mbrujtur me thjeshtësi por me shumë, shumë bukuri. Aty dhe vetëm aty të flet qielli, toka e mali me gjuhën që do ti. Në Sheper kur derdhet kënga labe një gjë vetëm dëshiron:Të bësh edhe ti diçka të bukur për jetën, për Atdheun, për njerzit, të jetë ajo që bën e denjë, të futesh në këngë e ta ndjesh se je edhe ti pjesë e bukurisë së pafund, pjesë e forcës e besimit, pjesë e këtij Trualli të bukur që do të të mbështjellë me këngën dhe melodinë e tij. 

           Asgjë nuk i shpëton Sheperiotit! Ai di të punojë, di të rritë trima e trimëresha, di të luftojë e , kur ulet të pushojë e rijeton ditën në këngë që ndonse e pashkruar, nga goja në gojë me hijeshi do kalojë, do rendë e bukur e e dridhshme kënga labe dhe drejt e në zemër edhe ajo së bashku me të bukurën të madhërishmen, bujaren, trimen mu në thelb të zemrës do të kalojë! Dhe, Po ! Aty dua të jem! Aty dua t'i lutem Zotit me çiltërsinë e shpirtit; O Zot Lermë të rroj! Aty gjer në amëshim, aty deri sa të kem mundësi veten dhe Truallin e dashur ta ndjej e ta dashuroj!

Ksenofon M. DILO