Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Friday, 28 December 2018

PYLLTARIA NE KTHINAT E ERRETA TE POLITKES SHQIPTARE

nga: dr. Selman MËZIU

Firence, Itali 



Selman MËZIU
Pasuria pyjore, si pjesë përbërse e zhvillimit ekonomik, turistik, qëndrueshmërisë së shpërndarjes hapsinore të popullsise në fusha, kodrina e male etj., ka pësuar një goditje shkatrrimtare në të gjithë gjymtyrët e saja. Ende vazhdon të trajtohet me kokëfortësi, me paditurinë, me paragjykime nënvleftësuese, me lakminë shtazarake për të përfituar sa më shumë prej kësaj pasurie dhurat e natyrës, e cila fatkeqësisht gjëndet në agoni e paralizë të plotë. Pas gjashtë vjet të të majtës socialiste(të ashtuquajtur), e cila me politkën e saj i ka masakruar burimet natyrore në fushën e pyjeve i ka diskreminuar deri në palcë specialistët e pyjeve, duke kryer shkretimin e qindramijëra hektar pyje, dikur madhështia dhe mrekullira peisazhistike e vlerash ekonomike dhe degraduar moralisht e psikologjikisht ato. 

Ndikimet negative të kësaj masakre politike, ekologjike, institucionale të pylltarisë do të ndikojn negativisht mbi ekonominë kombëtare të së sotmes e të së ardhmes. Por, me sa duket gjumi letargjik, heshtja e qëllimshme e parlamentarëve socialist ka pësuar një plasaritje duke nxjerr që andej vegime dritë hijet e një materiali: ‘’Mbi Politikat e sektorit të pyjeve në Shqipëri, prezantuar në Tiranë me 8.12.2018. Menduam t’a analizojm këtë projekt politkash mbi pylltarinë i cili për nga forma të jep përshtypjen për një konceptim bashkëkohor, ndërsa për nga përmbajtja e qëllimi i hartimit të tijë, ka nevojë për rimbushje apo heqje që do t’a bënin atë të kuptueshëm e të zbatueshëm, po qe se deputetët e Partise socialiste dhe të opozitës do të kenë vullnetin e mirë që pas kësaj odiseje ndëshkimesh, dhunimesh, përçmimesh të pasurisë drunore e të gjelbërtës pyjore e kullosore dhe specialistëve të pyjeve, shkollave të tyre t’iu kthejn fytyrën t’i shohin ne sy e të ndërhyne seriozisht për marrjen në dore te situatës, e cila iu ka rrëshqitur plotësisht në gërminën e coptimit e të zhdukjes së saj, bashkë me tokën që nga bregdeti Adriatik e Jon e deri në shpatet e majëmalet e Jerzecë, Tomorrit, Korabit, Dejës, Gramozit, Gjalicës, Munellës, Moravës, Dhëmbel Nermeçkës, Kaptinës së Martaneshit etj. 

Duke lexuar me kujdes pjesën e pare të matreialit: Historiku i pyjeve, grupi i punës është përpjekur që të hedh pakëz dritë për periudhat përkatëse 1912 – 1944, 1944- 1992 ( që duhet të ishte 1945 -1991) 1992- 2017. Por që fatkeqësisht nuk janë kujtuar për sejcilën periudhë: mbi numurin e inxhinierëve e teknikeve të pyjeve, kadastrën pyjore, sasia e sipërfaqeve e mbarështruara, sipërfaqet që pyllëzoheshin, përmirësimet pyjore (ricungime, prerje kulturore, ripërtritjes natyrore me farë), sistemimeve malore (në metro kub), skemat organizative të piramidës së organizimit, mbrojtjen, shtimin e pyjeve dhe shfrytëzimin e tyre, si dhe duke iu lëshuar vend edhe kullotave natyrore për sejcilën nga periudhat e mësipërme. Kjo për arsye sepse njohja që në historik e këtyre zërave do të krijoj një fushë të gjërë njohje dhe burim modelesh për politikat e ardhshme. 

Në pjesën e dytë Statusi i pyjeve, që nga emërtimi nuk përputhet me terminologjinë e shkencave pyjore. Ndërsa në nëndarjen Mosha dhe kategoria jo vetëm që është gabuar në rradhitje (duhesh të ishte e kundërta) por edhe termi Kategori të zëvendësohet me Mënyra e qeverisjes. E njëjta paqartësi tek Ndarja e sipërfaqes ku jepen ndarje gjeografike të Shqipërisë të pa konkretizuar me kufinj ose me një hart pyjore të shqipërisë me një ndarje të tillë. 

Vrejtje po thelbësore qëndron se nuk ka kuptim dhe as nuk është burim gjykimi për politikat pyjore të japësh volume drunore të shteteve ballkanike e të mos japësh volumet e pyjeve të shqipërisë edhe sipas sipërfaqes si në nëndarjen e dytë. Për çdo pylltar, qoftë teknik apo inxhinier pyjesh kur lexon pjesën e dytë, Rëndësia e pyjeve, menjëhere i vjen të qesh e të qajë me lot, sepse kuptohet pa vështirësi nga ato se këtu nuk kemi aspak mendime të specialisteve të pyjeve, pjesë të shkencave të pylltarise si Silvikultura, Mbarështrimi, Pyllëzimet etj. apo ajo literaturë e gjërë e shkruar në afërsisht shtatëdhjet vjet nga Prof. Llazar Treska, Doc. Ilia Nako, Dr. Ilia Mitrushi, Prof. Vezir Muharremi, Dr. Fadil Llubani, Dr, Parim Çarçani, Dr. Genc Kaçorri. Prof. Anesti Postoli, Inxh. Ahmet Mehmeti. Inxh. Gjon Fierza, inxh Haki Zoto, Inxh, Mehmet Meta, inxh. Daut Kroi, inxh. Irfan Meko, e qindra të tjerë. Edhe ato fraza të shkurtëra, disa janë pa kuptim, dhe me fjalë të huazuara jo shqipe, duke e çuar këtë pjesë të pavlefshme e për t’u rikonceptuar e gjitha. 

Po ndalemi tek nëndarja: Vizioni, ku që nga emërtimi tingllon një filozofi anakronike e pakuptimt me përmbajtjen e mëposhtme: Synimet që duam të realizojm, por meqënse kanë shkruar mbi Shfrytëzim i qëndrueshem, kanë ‘’harruar,, apo ‘’nuk e kanë ditur,, se para saj duhesh të shkruanin: Mbtrojtja e pyjeve, Pyllëzime, Përmirësime, Sistemime malore. Nëndarja e fundit Vlerat ku mbështetemi, për specialistët e pyjeve është e gjitha një hardallosje, ku kulmi i saj arrihet te shprehja: Vlerat kapitale të tokës e cila nuk ka kurrfarë kuptimi në terminologjine pyjore dhe aspak në atë ekonomike. 

Lexojm me kujdes Administrimi i sektorit, nuk kuptohet përse nuk shkruhet: Administrimi i pyjeve, me tej në nëndarjen e parë: Synimet, shkruhet: Kthimi i tendrit pozitiv në pyje, një tjetër formulim fraze krejtësisht i gabuar, i pakuptimt, në thelb jashtë llogjikës profesionale e shkencave të shumta mbi pyjet, dhe kjo për arsye se formuluesit e tyre mund të kenë qenë ekonomist, veteriner, biolog, agronom etj. por kurrën e kurrës inxhiniera apo teknik pyjesh. Të njëjtat vlerësime shprehim për një frazë tjetër Mbulim me planifikim dhe regjistrim i siperfaqes pyjore, veç kësaj, këtu shtrohet një pyetje: Të planifikosh e të regjistrosh sipërfaqet pyjore do të thote qe të kesh të qarta kufinjt kadastral apo dokumentat e saj mbi pronësitë? Kjo mjerisht nuk egziston, nuk është kryer reforma e pronësisë, si rrjedhoje pyjet vërdallisen nga prone shtetërore në pronë private apo çudia e socialistëve prona e bashkisë edhe këto të pa kadastruara, të parregjistruara asgjëkundi, pa ndarje topografike, skicime pronësie etj. etj. 

Në trajtimin e çështjes së: Organizimit funksional, kanjë shtrim të drejt edhe pse i vështirë për tu kuptuar dhe ja po rrokim për shqyrtim dy momente: Së pari: Dhënia rol e ‘’fshatit,, në qeverisjen e pyjeve. Nuk kuptohet kjo si pronë private, apo ndoshta në drejtimin teknik të tyre. Një shprehje xhevahir: …ripozicionimi i inxhinierit pyjor, së pari është shpreje e gabuar, së dyti nuk kuptohet. Përse vallë nuk shprehen qartë e thjesht: Vetem inxhinieret e teknikët e pyjeve do te drejtojn qeverisjen e pyjeve. 

Duke filluar së lexuari nëndarjen e rradhës: Shfrytëzimi i qëndrueshëm jo vetëm specialistin e pyjeve, por, edhe një ekonomist i mirëfillt do t’i fillonte menjëherë dhimbja e kokës. Dhe a e dini përse ? Lexojm. Pozicionimi i pyllit: Si vlerë e paketës turistike, si futja e industrisë për përpunimin e prodhimeve të dyta, si burim punësimi dhe garantimin e ciklit ekonomik të vendit. Pra kemi varrosjen e qëllimit kryesor të pyllit si prodhues i landës drunore për mobilje, ndertime, djegje etj. Për rrjedhoi, në vend që të kapemi pas qëllimit kryesor, pra kollonës së problemit, jemi kapur për qëllimet anësore të dyta e të treta. 

Edhe tek politikat, kemi një katrahu të vërtet, Ku politika duhet të synoi së pari sipas një plani afat gjatë në gazifikimin e qyeteve fshatrave për ngrohje e gatim, e më pas të vazhdojm me me masat e tjera për ë shpëtuar pyjet e mbetura nga kasaphanja e prodhimit të druve të zjarrit (të paktën 2 milion metro kub në vit). Nuk po zgjatemi, sepse edhe kjo nëndarje kërkon një ‘’qilizëm të thellë,, por jo nga grupe pune të zgjedhur sipas interesave të oligarkëve qeveritar e parlamentar, por, nga pylltar, pra specialistet më të mirë e me përvojë të kësaj fushe. 

Lexues nuk duhet të habiteni me budallalekun e rradhës: ‘’Shërbime cilësore,, nuk mund t’a hamendësoi askush e mbi të gjitha shërbetorët e shkolluar të pyjeve se si ia kanë gjetur vendin kësak shprehje në trajtesën e politikave mbi pylltarinë. Dhe në përmbajtje shquajm: Forcim masash parandaluese me sistem vrojtim sinjalizimi, mbrojtje nga zjarret, ndër çështjet e para të trajtuara. Rrjedhojë e mos njohjes së problemeve të thella në pylltarinë shqiptare, plagët vdekjeprurëse të mbulesës më madhështore të gjelbërt. Hartuesit e materialit nuk kanë arritur të venë përparësi, mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme, guroret zgavëruese të sipërfaqeve pyjore natyrale e artificiale, rrugët e reja me skrapata gjigande etj. etj. Zgjodhëm edhe gafën e fundit: Angazhimi i profesionistëve nga MTM (Ministria e Turizmit dhe Mjedisit S.M.) e AKP (Axhensia Kombëtare e Pyjeve, S.M.). 

Hartuesit e këtij dokumenti, dhe Ministri Blendi Klosi që e trumbetoi, ende nuk e dine se me djersen e gjithë popullit me taksat e marre nga ato sot kemi në shqipëri ‘’2000 inxhiniera pyjesh dhe 5300 teknik të ulet e të mesëm,, (I. Meko, G. Kacorri, ‘’Pyjet në rrjedhjen e një shekulli,, f. 242, Tiranë 2018). Ajo mund të shkruhej: Emërimi i inxhinierëve apo teknikëve të pyjeve nga MTM… Nuk po vazhdoi më tej me gabimet trashanike të rradhës në këtë pjes. 

Me të njëjtin kostum është veshur edhe pjesa e fundit: Zbatimi i masave, me nëndarjet e treguesit fantastik, të mbushur me terma të huazuara e jo të pylltarisë. Nga analiza e materialit të mësipërm nxjerrim këto përfundime:

1-  Pa pjesmarrjen e inxhinierëve e teknikëve të pyjeve nuk mund të hartohen as politikat mbi pylltarinë shqiptare as strategjitë mbi ato, as ligjet serioze, të zbatueshme, të qarta, as të zbatohen reformat në pronësi, as struktura organizative e qeverisjes se pasurise pyjore dhe kullosore. 
2-   Nuk mund të hartohen materialet e mësipërme pa shfrytëzuar ligjin e parë të periudhës së pluralizmit politik ku në Nenin 4, në pikat a, b dhe c, shkruhet për pronësine shtetërore, komunale e private, të gjitha materialet e tjera të shkruara përgjatë njëzetë e tetë vjetëve, dhe literaturës në fushën e pylltarisë. 
3-  Materiali i mësipërm i analizuar, pa pretenduar se i kam cekur të gjitha, tregon qartë se politikanët e sotëm e kanë futur në një skutë të errët pasurine pyjore dhe specialistët e saj, duke korrur veç dështime, katastrofa mjedisore e njerëzore dhe me pasoja të pandalshme shkatrrimtare në të ardhmen për banorët e maleve e kodrinave, për tokën, brigjet e lumenjëve, liqenet e hidrocentraleve e natyror, klimën e mirëqenjen e gjithë popullit.

Grupi parlamentar që do të shqyrtoi këtë projekt model të politikave mbi pylltarinë, duhet ta analizoi thellë e të kuptojn se që në titull është formuluar gabim, ai duhesh shkruar: Mbi politikat e pylltarisë shqiptare, gjë e cila tregon se është formuluar me prirje nënvleftësimi e meskiniteti, nga grup pune jo i fushës së pylltarisë. Rekomandojm që për ta riformuluar materialin në analizë, të krijohet një grup pune prej Profesorash, Doktorash e inxhiniera pyjesh. Përndryshe kështu siç është, ai do të mbetet si demagogjia e rradhës, turpi në vazhdim i cili do të bjerë mbi juve, ndërkohë do të humbni një shans për të vlerësuar pasurinë pyjore si jetike për popullin shqiptar dhe zhvillimin ekonomik te vendit.

Dr. Selman Meziu
Firence 23.12. 2018


Saturday, 22 December 2018

Xha Muçua dhe të shkolluarit

nga Zija BASHA
Historian dhe Publicist
Çikago, SHBA


Zija BASHA
Në fillim të viteve 60-të në kooperativen e Lazaratit ndodhi një fenomen i pa parë deri atëhere. Në farishten e duhanit filizat rriteshin shpejtë dhe të bardha, pa klorofilë. Xha Muço Boci qe teknik i farishteve e frika e sabotimit e trembi shumë. Fshatarët para ngritjes së kooperatives mbillnin në farishte të vogla, por këto qenë të gjata 30 ose 40 metra. Plasmas nuk kishte dhe i mbulonin me lesa shelgu që i gjenin në brigjet e lumit Drino. Xha Muçua i shqetësuar lajmëroi bujqit me pervojë si Idriz Gerveshin, Saliko Pollin, Maksut Kazmën, Abaz Rabin, etj. Kryesia e kooperatives lajmëroi Komitetin Ekzekutiv. Erdhen urgjentisht agronomët e rinj Thoma Spiri e Spiro Gushi. Ata kuptuan që mungesa e klorofilës ishte, por nuk dhanë zgjidhjen praktike të problemit, e u larguan për të njoftuar Ministrinë e Bujqësisë.

Të nesërmen, pasi erdha nga shkolla pedagogjike ku vazhdoja mësimet, pashë në farishte shumë burra. Shtëpinë e kisha afër dhe shkova atje. Xha Muçua qe i zverdhur dhe i friksuar, por mu drejtua mua sikur edhe nga unë kërkonte shpetim.
-Mor djalë si i bëhet kësaj pune se ju mësuesit i dini të gjitha!?! e më shikoi në dritë të syrit. Mu dhims xha Muçua e i thashë përnjëherë
-Kjo është mungesa e klorofilës e agronomët do ta zgjidhin pa merak. Ata i dinë mirë këto punë.
-Erdhën ata e kështu çoç thanë po ikën të shqetësuar. -Tha xha Muçua. 

Xha Muçua, që kishte veshur me rrobat e gruas së tij Bule Naipin për ta nxjerrë nga qyteti kur e ndiqnin spiunët, që kishte qenë i burgosur nga Zogu për levizjen e Et'hem Totos, që e kishte nxjerë nga burgu vet Shefqet Peçi se nuk donte të pinte dollinë e Shefqetit në një dasmë e pashë të trembur. Operativi sigurimit, një djalë i ri me një çantë meshini që ndrinte nga dielli mbasdites sillej vërdallë si qifti për ndonjë zog. Askush nuk fliste. Qetësinë e prishi një xhip i zi sovjetik që erdhi aty. Nga makina zbritën dy agronomët e rinj që i njihja si dhe profesori ynë i teorisë bujqësore në pedagogjike, Sevo Dudi nga Dhoksati Lunxherisë. Ishte edhe një burrë i bëshëm me trup mesatar,     me xhup meshini të zi e me borselinë të zezë.Të tre agronomët këtë burrë e vunë në krye dhe e respektonin shumë, kur panë fenomenin e u tërhoqën për konsultë. Ai fliste me ngadalë e ata e miratonin. Ai theu heshjen e tha duke qeshur:
-Mos u dëshpëroni se problemin do ta zgjidhim se prandaj kemi bërë një barë shkollë de! Duam një sopatkë të vogël.Unë shkova shpejt në shtëpi e mora sopatkën. Rruges mendova se qe korçar se fliste si ca djem e vajza nga Kolonja që kishim në pedagogjike. Kur u shpura sopatën pyeta profesor Sevon se nga ishte ky agronom. Ai më tha se është vëllai Tefta Tashkos.
-Ka qenë ministër bujqësie.Tani është kryeagronom në Ministrinë e Bujqesisë.
-Gaqo Tashkua?! Kam lexuar nëpér gazetat artikujt e tij për bujqësinë - thashe.
-Ai i tëri. Ka mbaruar në Francë e është ajka e agronomëve shqiptarë. Erdhi sot urgjent nga Ministria.

Agronom Gaqua preu një shkop shelgu nga stiva dhe ja bëri majën si sopatë. Preu në mes me sopatë farishten dhe futi katër gishtrinjtë e dorës vertikalisht.
-Këtu është shumë nxehtë. -tha. Ju kini shtruar pak kashtë, kini hedhur shumë pleh pule, kini hedhur pleh deleje mbollët farën, e ujitët, e mbuluat me lese. Këtë kini bërrë ju. Bëtë vetëm gabim që i hodhët në fund shumë plehe pule. Po kjo regullohet me këtë shkopin e vogël dhe filloi ta shponte farishten në shumë vende. -Per çudi farishtja që ishte bërë si bukë e mbrujtur u ul.

Xha Muçua dhe bujqit u gëzuan dhe Profesor Gaqua u nda me ata duke marë gjithë falenderimet e tyre. Ata i përcollën me dashuri e respekt agronomët deri tek makina. Shumë u gezuan, por xha Muçua i lumturur tha
-Ah, more vellezër që nuk më dha zoti fëmijë se do të kisha shitur shtëpi e katandi e do t’i shkolloja ku të qe më mirë se dijetarët janë si shënjtorët që e kthejnë lumin lartë. Dituria është perëndia që futet tek njerëzit,  e tha vargjet e popullit:
Ato mende nga të erdhë?
Nga qielli e poshtë u derdhë.

Të tillë ishin ata burra të ndritur që kishin mbaruar në shkollat e konsoliduara evropiane në universitete me histori qindra vjeçare. Megjithëse të paktë në numur, por populli ynë i varfër i kishte përgatitur shkencëtarët e vet, xhevaire. Shumë edhe u vranë në luftë apo u vranë e u ménjanuan pas lufte, por ata djem te virtytshëm të popullit që mbijetuan vazhduan kontributin në zhvillimin e arsimit e shkencës shqiptare në agronomi, mjeksi, mikrobiologji, matematikë, kimi, gjuhësi, biologji, gjeologji, etj.

Profesori ynë Sevua qe shumë i reptë me ne pedagogjikasit, por e respektonim se ishte dietar e i përkushtuar, mjeshtër i profesionit të tij, ku qe diplomuar shkelqyer në Itali e specializuar për farnat.
-Duhet ta mësoni agronominë, jo vetëm në librat e çdo viti, por edhe literaturë plotësuese. Do të thoni që s'dalim agronomë. Po delni mësues e mësuesi duhet të mesojë ç'do gjë se është i rrethuar gjithmonë nga lulet. Mos u çuditni de! Lulet janë edhe nxënësit që mësoni, edhe lulet e shtëpisë e shkollës, edhe lulet e livadheve kur delni me nxënësit, edhe lulet e drufrutorëve, të malit e të pyjeve dhe té arave. A nuk qe Petro Nini mësues, nxenes i Koto Hoxhit që la Amerikén e erdhi për të ngritur shkollat shqip. Pa rogë ishte dhe punonte në arë e në lemë si fshatarët.

Një ditë na foli për kulturën e ullirit dhe rëndësinë qe ka krasitja e tij.
-Një agronom nga Himara vuri jetën në rrezik për krasitjen e ullirit në 1947-tën. Ishte shoku im i fakultetit që u specializua për ullirin. Pas lufte e caktuan agronom të ullishtave të Vlorës e Kaninës. Mijra rënjë ullinj ishin të paprera që nga lufta. Qené harlisur, por kokra s'kishin. Mblodhi punëtorë dhe i krasiti. E denuan me pushkatim. I kërkuan fjalën e fundit. Ai u tha: -Pse më pushkatoni,varmëni, po me një kusht, pas 6 muajve. Gjat verës ullinjtë u zhvilluan shumë mirë. Me hekura në duar e shpinin të mësonte punetorët si t’i harrnin. Në shtator e liruan nga burgu e sot është drejtor. Fajin e kishte Koçi Xoxe.

Kuptohej se ky qe spjegim i kohës, por sidoqoftë këta agronomë do té béheshin shtylla mbrojtése e botës bimore të vendit e baza e pëgatitjes së kuadrove të reja në vend, krahas me ata që u shkolluan ne vendet e Evropës Lindore. Agronomi i parë i shkolluar në Universitetin e Lionit në Francë prej Gjirokastre është Petro Laboviti, vëllai Vasil Labovitit. Ishte agronom e specializuar edhe për bletët. Në Gjirokastër i thoshin me respekt Doktori i tokës e i bletëve. Sevo Dudi qe i përgjithshëm dhe i farërave. 

Pastaj ne vitet 50 dolën agronomet e shquar Nuri Kokalari, Ali Sino, Genci Kutra,Thoma Spiri, Spiro Gushi, Ziver Selimi. Në vitet 60 e 70 dolën specjalista të pergatitur që me mbeshtetjen e agronomëve më të vjetër do të jepnin rezultate të larta në mbrojtjen e bimeve, bimët e areve, drufrutorëve, perimeve për rritjen e rendimenteve në të gjitha llojet e bimëve si: Thanas Xhumba, Koço Moskua, Resul Erindi, Mihal Leka, Besnik Ismailati, Thanas Hanxhara, Memo Xhaferi e shumë të tjerë që jepnin mësim edhe në 9 Shkollat e agronomisë së mesme të Rrethit Gjirokastër. 

Respekte per agronomët e Gjirokastrës që janë dijetarë e kanë bërë shkencë dhe me të drejtë janë kurorë dafine për rrethin tonë. U preht në paqe Xha Muço Boci që i donte e respektonte të shkolluarit e vërtetë në shkolla e univeritete!

_____________________________________________________________

Një foto e rallë: Gaqo Tashko me emrat e mëdhenj të botës së artit dhe të letrave shqipe në vitin 1938, dalë para  Kafes së Madhe në Shkodër. (burimi nga VOAL) b.b
Nga e majta: Gaqo Tashko, Lola Gjoka, Ernest Koliqi, Dom Nikoll Koliqi, Tefta Tashko, Asdreni, Lasgushi (Poradeci), Gjergji Canco, Koço Tashko
Nje grup agronomesh dhe punonjes bujqesie te Rrethit Gjirokastrës ne vitet 1970

Tuesday, 18 December 2018

Haki Kola: T’i themi ndal budallallëkut tonë në trajtimin dhe menaxhimin e pyjeve

Intervistoi: Bashkim Koçi



Prof. Haki Kola ka lindur më 12 Tetor 1953, në Dibër.Shkollën 8-vjeçare dhe gjimnazin i kreu në qytetin e Peshkopisë. Është diplomuar në Fakultetin e Pyjeve në vitin 1977. Ka punuar në Stacionin Buqësor të Peshkopisë, ku kryesisht kontributi në studimet për sistemimin e  tokave të pjerrta të zëna me pemë frutore. 

Në vitin 1994 është angazhuar për një projekt pilot për pyjet komunale nga ish- Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve dhe Kullotave, i cili më vonë u pranua si  komponent i projektit  Shqiptar të Pyjeve të financuar nga Banka Botërore. duke ushtruar detyren e Drejtorit të Njësisë së menaxhimit të projektit  Shqiptar të Pyjeve. Në periudhën 1998-2004, Prof. Haki Kola ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Njësisë së menaxhimit të projektit  Shqiptar të Pyjeve, projekt i cili në vitin 2005 fitoi Medaljen e Artë, për rezultate të larta në angazhimin e komuniteteve në menaxhimin e pyjeve afër qendrave të banuara. 
Në vitin 2006 është angazhuar për 6 muaj si këshilltar në zbatim të një projekti pyjesh të BE në Kosovë. Në periudhën 2009 -2012 ka punuar si udhëheqës i ekipit zbatues të projektit të SNV për Menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve private dhe atyre të decentralizuar në Kosovë. Nga viti 2012 ka ushtruar detyrën e drejtorit të CNVP Kosovë. Nga viti 2017 e në vazhdim është anëtar i stafit të CNVP Shqipëri me qendër në Tiranë ku punon si këshilltar për agropylltarinë dhe pyjet komunale. Ai ka drejtuar Federatën Kombëtare të pyjeve e Kullotave komunale të Shqipërisë  në periudhën 2006-2009. Prof. Haki Kola ka disa botime në revista shkencore ndërkombëtare. Ka organizuar një simpozium të IUFRO në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë studiues nga Europa Lindore, Azia e Japonia. Që nga viti 2017 e në vazhdim është anëtar i Bordit për  projektet e vogla për lehtësimet globale mjedisore  (GEF Albania). Ing. Haki Kola  mban titullin Profesor në fushën e shkecave pyjore.
Inxhinier! Si është sipas jush gjendja, mund të jepni një informacion të shkurtër  rreth situatës që përjetojnë pyjet në vendin tonë?
– Sot kemi një situatë që nuk duam as ta besojmë dhe as ta pranojmë. Por nuk duhet të ishim befasuar. Pylli është pasuri e ripërtëritëshme. Por kjo nuk do të thotë se është një depo natyrale  e pafundme. Jetojmë një situatë që shteti ynë e ka ligjëruar “vdekjen” e aktiviteteve tregtare në pyje, çka nënkupton se vetë pylli që ne vazhdojmë të kemi në mendje, e ka humbur funksionin prodhues. Midis imagjinatës tonë se si e kemi natyrën,  pyllin dhe realitetit, ekziston një hendek i madh. Kush ka sy e veshë, kush gjykon për mjedisin ku lind e jeton, lëviz e sheh nëpër Shqipërinë tonë të vogël, apo thjeshtë informohet sadopak nga media, e ka bindjen që mbulesa e gjelbër e tokës tonë është dobësuar e pakësuar së tepërmi qoftë nga prerja apo zjarret e deri tek kullotja, gërmimet e gërryerjet.
-Situata, sipas jush, është e rëndë? 
– Sigurisht. Një shoqëri normale duhet të reagonte me urgjencë. Qeverisjes duhej t’i kujtohej se pakësimi i bimësisë në male e kodra, është rrezik për tokën tonë, djepin që na ka lindur e na siguron jetesën. Nëse i bëhet krahasim gjendjes dhe ecurise së mbulesës pyjore, nuk është e vështirë të konkludohet që në 20 vitet e fundit, shkatërrimet kanë qenë më të mëdha se sa për disa shekuj, që kur disponohen materiale e dëshmi  të shkruara e trashëguara. Realiteti është i  hidhur po të mendosh që shoqëria jonë pretendon se është në progres e aq me tepër po realizon kritere për t’u bërë e pranueshme nga bashkësia Europiane. Praktikisht duket sikur nuk dimë të shohim, mendojmë e tregojmë. Të trishton paaftësia jonë për të reaguar, kur është cënuar djepi i jetës dhe e ardhmja e saj, në një atdhe me male pa bimë, e dalëngadalë pa tokë. Jetojmë një kohë që e ka sfiduar tokën, duke e rrezikuar deri në ekstrem zhdukjen pa rikthim të saj në shumë pjesë të vendit, për shkak të budallallëkut tonë, si dhe mungesën e përgjegjësisë personale të çdo individi të shoqërisë  karshi jetës për të sotmen e të nesërmen e shqiptarëve. Nëse shkatërrimi i pyjeve e bimësisë së maleve do të vinte për faktorë që janë jashtë kontrollit tonë, së paku secili nga ne do të ishte  i qetë në ndërgjegjen e tij. Por është fakt se  shkatërrimi vjen vetëm nga veprimi i gabuar e i verbër i pjesës sunduese  dhe  nga mosveprimi i pjeses së sunduar të shoqërisë tonë. E ky realitet monstruoz  e vendos gjeneratën e inteligjencës aktuale të vendit tonë në një situatë të vështirë morale. Kur fermerët europianë i mundën mbretëritë e i detyruan që pjesën e pyllit dhe kullotës, për të plotësuar nevojat e tyre, ta merrnin në pronësi, Alpet Europiane ishin pothuaj të zhveshura nga drurët. Shqiptarët ishin nën okupimin otoman dhe nuk arritën të bënin të njëtën gjë.
– Konkretisht, ç’dëshiron të thuash?
-Ajo që të befason është mos interesimi për të ndërtuar marrëdhënie legale me shtetin qe e formuam para më shumë se 100 vitesh. Sipas meje mbetet një enigmë, një nga çudirat shqiptare, që çka e kishin bërë të pushtuar, duke e fiksuar në kanun e duke i vënë kufinj guri të përjetshëm, nuk arritën t’ja prezantonin shtetit të tyre e ta bindin që këto kufinj që vinin nga thellësia e shekujve, duheshin legalizuar. U mbetet studjuesve të historisë që t’i japin përgjigje kësaj sjelljeje  enigmatike, jo vetëm nga ana e Qeverive të pas epokës socialiste, por edhe e komuniteteve, sidomos e atyre malore.
Katastrofa ekologjike është ulur këmbëkryq në malet e kodrat tone. Çfarë ka ndodhur, nuk mund të zhbëhet. Kapërcimet që bëhen shpesh nga ata që shoqëria jonë i paguan për ta parandaluar këtë gjëndje, shpejt do i përgjigjeshin arsyetimit tim: nuk kemi të dhëna të mjaftueshme e duhet bërë vlerësim. Në fakt tani secili duhet të bindë vehten se është koha për veprim. Unë jam shumë i bindur në vetvete, që i vetmi resurs kritik që i duhet popullit është ai vetë. Tek vetvetja e secilit, nëse e organizojmë mendimin tonë, nëse marrim një vendim për të gjetur në mënyrë urgjente zgjidhjen  si komb. Dijet i kemi të mjaftueshme për ta gjetur atë. Dhe për më tepër, nëse shpëtojmë tokën tonë nga kjo katastrofe ekologjike, i  kemi shërbyer mbijetesës sonë e gjeneratave  që na vijnë pas.
Mendoni se shteti, qeveritë që e kanë drejtuar këtë vend kanë kapitulluar në menaxhimin e kësaj pasurie të çmuar kombëtare?
-Realiteti që jetojmë është kokëfortë dhe flet, sado të përpiqemi të bëjmë avokatin për shtetin, në të dy sistemet. Megjithatë duhet pranuar një fakt: Asnjëherë shqiptarët nuk e kanë patur me shumicë as tokën bujqësore, as atë pyjore apo kullosore. Historikisht është luftuar për mbijetesë në një hapësirë pabesueshmërisht të ngushtë në male teper të brishta e akoma në formim, në kushtet e një klime mesdhetare shumë në favor të biodiversitetit, por jo shumë në favor të bollëkut, përsa i përket prodhimtarisë.  Pikërisht në situata kritike njerëzit mësojnë, ashtu siç mësuan edhe ne shqiptarët për të përdorur me kursim e rregulla pyllin, kullotën, malin e fushën, duke i kombinuar me njëra-tjetrën e përftuar nga sinergjia që krijon bashkëjetesa e bujqësisë, pyllit e kafshëve shtëpiake. I përvetësuam,  dhe mësimet e rregullat i fiksuan në kanune, ndoshta modele që aktualisht kërkohen nga shumë shkencëtarë e univerisitete. Këto thesare me dije të shkruara,  shoqëria jonë i prodhoi që në lashtësi ( u shkrua në Kanunin e Lekë Dukagjinit), në kohën që u mundësuan që dijet shqiptare të bëhen legale. Shkolla e re moderne shqiptare  duket sikur u ka ndenjur larg dhe ka hezituar t’i pranojë këto dije. Sipas shkencëtarëve të universitetit të Berkeley të Kalifornisë menaxhimi i burimeve natyrore  nuk është një shpikje moderne. Ka departamente të veçanta  që studiojnë e argumentojnë rëndësinë e dijeve nga popullsi vendore që u larguan kur europianët i pushtuan territoret e tyre. Nga kërkimet rezulton se njerëzit vendës kudo në glob, ashtu si edhe malësorët tanë, kanë praktikuar rrënjët e kësaj disipline të aplikuar për mijëvjeçarë. Peizazhet e globit, që shoqëria njërëzore i trashëgon sot, janë  një pasqyrim i proceseve historike, si natyrore ashtu edhe kulturore, mbajnë një gjurmë të pashlyeshme të një morije të teknikave të menaxhimit. Themelet e menaxhimit të bimëve dhe kafshëve të komuniteteve vendore përbëjnë një depo kolektive të njohurive rreth botës natyrore, depo që është e mbushur si një arkivë gjigande gjatë qindra vitesh nëpërmjet përvojës së drejtpërdrejtë dhe kontaktit me mjedisin. Kjo njohuri sot është rënëdakord  të njihet me mrin “njohuri tradicionale ekologjike”.  Gjeneratat që tashmë i quajmë të parët tonë, jo vetëm arritën ti njohin e vlerësojnë, por qenë ndër të paktët në Europë që na i lanë të shkruara.
Nëse ke vullnet, gjithnjë do të kesh një rrugëdalje. A ka vullnet, sipas jush, për të kapërcyer gjendjen e krijuar në çfarosjen e pyjeve?
-Që të jem i sinqertë me juve kjo pyetje më duket e vështirë dhe unë nuk guxoj t’i jap vetes atributin e vënies në peshore të vullnetit. Pylli ynë natyror është deklaruar i përfunduar, i vdekur,  apo në prag të përfundimit të materialit drusor me të cilën deri tani ka frunizuar shoqërinë tonë. Gjeneratës tonë i takoi që të ishte dëshmitare e mbylljes për shoqërinë shqiptare të stadit të shoqërisë grumbulluese.  Pra që të shkosh në pyll dhe të marrësh atë që pylli  ta ka përgatitur e ta jep të gatshme. Ne shkatërruam pyjet dhe është koha të reflektojmë pasi sistemi që po e përcjellim  është i vetmi sistem që natyra e ka pajisur me një veçori, që i mungon si bujqësisë, ashtu edhe të gjithë sistemeve të tjera që kontribuojnë për njerëzimin. Sistemi i pyllit natyror e siguron ushqimin dhe energjinë e tij, brenda përbrenda vetes, duke u mundësuar dhurata të pafundme qënieve të tjera. Të gjitha sistemet e tjera varen nga energji të importuara, të cilat janë të parinovueshme, dhe ndërsa vihen në punë nga njerëzimi  shkaktojnë ndotje të planetit e rrezik për jetën.
Unë jam i sigurtë që situata në të cilën janë aktualisht pyjet, i ka bërë të ndjeshëm jo vetëm banorët e zonave rurale, por çdo njeri që kontakton nga media apo e sheh me sytë e tij situatën. Kjo gërryerje e jetës së maleve, në të gjitha kuptimet, është thirrje e që na vë para dilemës: ta lemë të vazhdojë shkatërrimi, duke u pakësuar hapësirën e jetës gjeneratave të ardhshme, apo të gjithë së bashku t’i kërkojmë e t’i gjejmë shtigjet për të rikthyer jetën në malet tona.
Të kthehemi edhe njëherë në esencën e problemit. Ka një sensibilizim që shprehet me një ligj që ka shpallur moratoriumin për aktivitetet e shfrytezimit të pyllit për qëllime tregtare.  Ka edhe një treg krejt të boshatisur, që për çdo vit duhet të mbushet me rreth dy milionë metër kub dru për ngrohje. Kjo fjali i ngjan një medalje me dy anë: tregtarët janë të ndaluar të marrin material nga pylli, e nga ana tjetër tregu ka një kërkesë të lartë për dru zjarri. Cila mund të jetë zgjidhja? Ka shumë vite që edhe në Shqipëri është prodhuar, nëpërmjet kultivimit, veçanërisht në zonat tona fushore, në formën e brezave mbrojtës si në fushën e Korçë-Devollit  në formën e brezave mbrojtës nga përmbytjet apo edhe në fushat e pjesë perëndimore të Shqipërisë. Janë tetë  lumenj që e përshkojnë dhe shpesh e përmbytin tokën bujqësore, megjithë prodhimet në fushën perëndimore, por edhe në fushat e Korçës e Devollit. Bashkimi Europian ka strategji e objektiva sfiduese për të shtuar prodhimin e biomasës dhe të zëvendësojë naftën e fosilet e tjera ndotëse të mjedisit me biomasë druri i cili, kur është në rritje, e thith të gjith gazin karbonik që çlirohet kur ajo digjet e prodhon energji të quajtur “e rinovueshme”.
-Muaji dhjetor është konsideruar si “muaji i pyjeve”. Kujtohet kush për ta shpallur dhjetorin si periudhë për mbjelljen e fidanëve pyjorë? 
-Këto ditë pritet që qeveria të shpallë zyrtarisht një fushatë të madhe për të mbjellë brenda këtij viti mbi 20 milionë fidanë pyjorë. Është një shifër goxha e mirë,  por e keqja është se deri më tani nuk është prezantuar ndonje plan veprimi. Dhe meqë jemi në kohën e duhur për mbjelljen e fidanëve pyjorë më duhet të tërheq vemëndjen për diçka të rëndësishme. Aktualisht ka shumë eksperienca europiane që kultivohen drurë me rritje të shpejtë siç është plepi apo shelgu. Ata janë me cikle të shkurtëra shfrytëzimi. Pra në një kohë relativisht  të shkurtër japin prodhim të bollshëm të energjisë, duke realizuar edhe mbrotje të brigjeve të lumenjeve nga përmbytjet, pastrimin  e tokave që ndoten nga derdhja e ujrave të zeza në anë të qyteteve të mëdha si Tirana, Fieri etj. Por ka edhe rritje të kërkesave të biznesit, veçanërisht për lëndën e drurit të plepit  për arka amballazhi për prodhimet bujqësore. Pra, sado i gjatë që duket “tuneli”, një shkëndijë në fund të tij ndjehet se mund të jetë shpresëdhënës.  Se sa do jetë inercia e shoqërisë tonë për të kaluar nga stadi i grumbullimit në atë të prodhimit,  do jetë koha ajo që do ta tregojë.
Bota u përket atyre që digjen, jo atyre që ngrohen! Jeni edhe ju në një mendje me këtë sentencë të thënë nga populli lidhur më përpjekjet që bëjnë teknikët dhe inxhinierët e pyjeve për t’i thënë “jo më” degradimit që po u bëhet pyjeve?
-Unë, në fakt, megjithëse jam koshient për atë që ka ndodhur, futem tek optimistët e pakorrigjueshëm, pasi vetë përvoja e jetës më ka dhënë privilegjin të njoh aftësitë e jashtëzakonshme të natyrës. Shqipëria e ka në prag të zhdukjes funksionin prodhues të pyjeve të lartë, që aktualishit zënë gati 1/3 e sipërfaqes së vendit. Por janë prezent në vendin tonë edhe pyjet e ulta dhe shkurret të cilat zënë rreth 2/3 e sipërfaqes pyjore. Por, duke qenë se përbëhen nga drurë e shkurre me dimensione të vogla, ne pylltarëve dhe dashamirësve të pyjeve të lartë (si ato që përshkruan Naim Frashëri) na duken siç i përshkruajnë shpesh kolegët tonë kosovarë si “kallamishte” dhe jo si pyll real, me të cilin jemi mësuar të krenohemi.
Unë mendoj se pikërisht sipërfaqja e mbetur me mbulesë shkurre apo pyll të ulët, është pylli që është përdorur nga të parët tanë që kur ky vend ka filluar të banohet nga qëniet njerëzore. Janë formacione më të pastudjuara e të nëvleftësuara nga shkenca e re pyjore shqiptare, megjithëse mbulojnë kodra, shpate e lugina me potencial ekologjik prodhues më të lartë se sa ne jemi të informuar deri më tani. Meqenëse e nisa me më të voglin vëlla të Rilindasve tanë të mëdhenj, tani mundem besoj të kaloj tek një këshillë që i madhi Sami Frashëri e jep në librin “Shqipëria çka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, botuar ne vitin 1899, kur Shqipëria ishte akoma nën sundimin otoman.“Pas diturisë, këshillon Samiu, kujdes’ e shqipëtarëvet e m’e madhe nevoj’ e tyre do të jetë përpunërat’ të përgjithçime, të cilatë do të sjellinë begati e pasje të madhe në Shqipëri. Udhëtë, udhët’ e hekurta, limanetë, të hapurit’ e lumenjet e kënetave, metaletë, pyjetë etj, janë më të nevojshimet’ e më të vyerat’ e punëravet, që dotë bënjë Shqipëria, me të pasurë duart’ e këmbëtë xgjidhurë”
Dhe më pas kollosi i Rilindjes shqiptare vijon me rekomandime mbi praktikat më të mira për menaxhimin e mbulesës pyjore: “Çdo pyll do të ndahetë me disa ngastra edhe, gjersa të vinjë radha të pritetë ngastr’ e funditë, gastra q’u pre të parenë herë, do të jet’ e arrirur për sërish; e kështu gjithnjë do të pritete lëndë nga pyjet edhe kurrë pyjetë do të mos mbarohenë, po do të përsëriten’ e të jenë kurdo të lulëzuarë.:
Nuk ka nevojë për komente rekomandimi shkencor i dhënë nga shqiptari largpamës e kollos i dijeve, Sami Frashëri.
– Sipas opinionit të njerëzve pyjet kanë pësuar dëmtime ndoshta të pariparueshme. Cili është mendimi juaj si një nga specialistët më me zë në fushën e pylltarisë?
– Unë jam i mendimit, por edhe shpresëplotë, që mund të përmbyset gjendja e krijuar. Shembull, i cili shihet me sy e preket me dorë, është ai i ringritjes së pyjeve në zonën e Dumresë. Nga ç’ishte dhe ku është. Vërtetë është e pabesueshme. Për të treguar këtë realitet është përgatitur edhe një film dokumentar të titullur “Nga shkretëtira në park”, përgatitur nga gazetari i mirënjohur Fuat Memeli. Me pak fjalë rikthimi i pyllit të Dumresë,  e cila të mahnit nëse e krahason me gjendjen ku ishte katandisur  disa vite më parë, është një fakt që të ngjall shpresën për ringjalljen e pyjeve, tashmë të shkatërruara. Ajo që po vijojmë të bëjmë  në Dumre është që, në bashkëpunim me Bashkinë e Belshit e Fakultetin e Shkencave Pyjore, të eksperimentojmë atë që na këshilloi Sami Frashëri 119 vite më parë, që pylli të ndahet në pjesë, dhe kur të kemi prerë pjesën e fundit të jetë rritur dhe të jetë gati për prerje pjesa e parë. Krahas ringjalljes së pyjeve të ulta, që ishte rezultat i financimeve nga donatorët, por edhe i mbështetjes së jashtëzakonshme  të komuniteteve, unë kam besim qe e njëjta gjë është e mundur edhe për formacionet me shkurre, ku me trajtim sistematik e marrëveshje me banorët vendas, prodhimi vjetor brenda një dhjetevjeçari mund të shumëfishohet, duke u dhënë jetë kodrave e sipëfaqeve në zonat e ulta. Dua të them këtu dy fakte që dikujt do t’i duken të pabesueshme: Nga inventari kombëtar i pyjeve, në vitin 2004 volumi drusor i një pylli në një hektar me shkurre, si mesatare ka rezultuar në 0.46 m3/hektar. Ilia Mitrushi në librin “Drurët e shkurret e Shqipërisë” dëshmon se një hektar me shkurre të maresë e ka potencialin të prodhojë deri në 150 metër kub dru për hektar, duke e prerë me metodën e rekomanduar nga Sami Frashëri në çdo 15 vite. Secili mund të llogarisë se sa potencial të papërdorur kemi tek shkurret. Ky është potencial që vendi ynë duhet të fillojë ta shfrytezojë sa më shpejt të jetë e mundur, duke filluar vitet e para në formë eksperimentale, nën përkujdesjen e Fakultetit të Shkencave Pyjore. Kam shume besim që për të filluar këtë projekt do gjejmë përkrahje nga Bashkia Tiranë, e me rezultatet që do të demostrohen do tërhiqet vemendja e të merret përkrahje financiare nga projektet IPARD të BE-së. Kjo mund të kthehet edhe si një shkollë shqiptare  se si transformohen ekosistemet e degraduara në pyje me prodhimtari të lartë në cikle të shkurtera kohore.
-Kam bindjen se ka goxha specialist  apo mbarështues të pyjeve, por duke parë që zërin e tyre nuk e dëgjon kush, ata ndjehen të lodhur, të zhgënjyer për çka kërkojnë. Mendimi juaj?
-Une i besoj idesë që, nëse në shkallë vendi e fillojmë nismën për përmiresimin e shkurreve të degraduara, për të gjithe kolegët, përfshirë edhe studentët e pedagogët,  do të hapet një “autostradë”  me punë e që  do jetë shmë frytëdhënëse për t’i ndryshuar  pamjen vendit,  me ekonomi të mbështetur tek e gjelbra e përjetshme që mund të zëvendësojë naftën e qymyrin e gurit.
– Demokracia nuk vjen vetëm kur voton i lirë. Demokracia e vërtetë vjen kur njerëzit marrin pjesë në menaxhimin e pasurive të tyre të përbashkëta, siç janë pyjet. Mund të sillni argument për këtë çka po them?
-Pyetja që ju keni formuluar koincidon me fjalën që i ndjeri ish ambasadori amerikan Limpreht, i tha në ish komunën e Bubqit një ish- ministri të Bujqësisë. Unë do të shtoja që jo vetëm pyjet, por menaxhimi i të gjitha burimeve natyrore që i ka dhuruar natyra vendit tonë duhet të kenë pjesëmarrjen e komuniteteve, çka u përpoqa të ilstroj me rastin e pyllit të rilindur jo vetem në Dumre, por edhe në Ulëz, Bulqizë, Zerqan, Peshkopi e kudo ku komuniteteve u është deleguar një e drejtë e tillë.
Intervistoi: Bashkim Koçi
botoi gazeta "Dita"

Saturday, 8 December 2018

ORAKULLI

Tregim

nga Avdulla KËNAÇI
Gazetar - Shkrimtar
Toronto, Kanada

Avdulla KËNAÇI
Sa më shumë që paksoheshin e rrokulliseshin të poshtë të ardhurat në kooperativën blegtorale të Gjeshnikoshit, aq më shumë labërit kurveleshas kujtonin fjalët e Lutos të thëna tetëmbëdhjetë vjet më parë:
- Si more i dolli llafi të paudhit, poshtë e më poshtë po shkojmë, nuk na japin as qumësht, as djathë e as lesh, i marrin të gjitha për vete. Nuk velen fëmijët me bukë, hambarët e drithit janë bosh. Jarabi o zot, kush ia pruri në mënde ato fjalë Lutos? Sikundër të kishte qenë një profet. Fukarallëk i madh, as në kohë lufte nuk ka qenë kështu. Po na ndryshon syfeti e zhapa nga të pangrënët.
- Qoftëlargu, kush ia këndoi në rrëzë të veshit ato fjalë? Shihnani nashti, jemi çervenisur keq. Thuaj si të duash, i dolën të gjitha çfarë parashikoi ai në varrimin e merhumit Birbil, foli si një profet.
- Mos e kruaj me Luton, është i biri i Dervish Nebiut ai, evlia, ato që thotë ai, më përpara ia ka kënduar zoti në vesh. Ruaju se po të nëmi, dru në vend, të kurspullosi, kërcu bënesh.
- Pushoni gjuhustra, Lutua, Lutua…, e di vetë Partia ku do të na shpjerë, mendon ajo për popullin. Mos harroni, jemi fanar ndiçues për gjithë botën.
Beseda e kuvëndime të tilla më shumë bëheshin në pushimin e drekës së brigadave të arave apo kur gratë kooperativiste prisnin radhën për të mbushur ujë tek e vetmja çezmë në mes të fshatit e cila në muajin gusht rridhte si një fije leshi e bardhë, e dredhur, e hollë… 

Ishte krijuar një mekanizmë i tillë sa çdo e ardhur shkonte me këmbët e veta në shtet. Qumështi, sa milej në shtrungë, nisej direkt për në baxho, në ato punishte të vogla që thithnin si lubi prodhimin më të madh apo zërin kryesor të kooperativës blegtorale të Gjeshnikoshit. Asnjë therje e sforcuar apo skartim i gjësë së gjallë nuk bëhej pa firmën e një komisioni prej tre vetësh, njëri prej tyre shumë i besuar i kryesisë së kooperativës. Motua “beso dhe kontrollo” ishte më shumë se kurrë në rend të ditës. Një shkelje rregulli apo abuzim sado i vogël mund të të përcillte pa shumë ceremoni tek “gushkuqi”, kështu i thoshnin policit të plotfuqishëm të krahinës, apo akoma më keq, në bodrumet e Degës së punëve të brendëshme. Ishte koha kur kryetari i këshillit popullor të fshatit duhet të dinte sa krerë pula kishte koteci i çdo familjeje dhe ku kullotnin ato se bënte vaki që pulat lëshoheshin në grurë a misër të ekonomisë së përbashkët dhe i binte që vezët t’i grumbullonte shteti. Sa më tepër shtërngohej rripi, aq më shpesh qarkullonte emri i Lutos dhe ato çfarë kishte thënë ai në varrim të bashkëfshatarit të vet tetëmbëdhjetë vjet më parë. Bilbili ishte një burrë i shkurtër e tullac. Kur gazetat e revistat komuniste botonin fotografinë e Leninit, pa përjashtim, gjithë bashkëfshatarëve u kujtonte xha Bilbilin që e kishin mu aty në mes të fshatit. Ata ngjanin si dy pika ujë. Realisht Bilbili ishte një burrë i urtë e fjalëpaktë, ndërsa udhëheqësi i proletariatit botëror ishte ezber nga goja dhe aspak i urtë. Bilbili i fshatit malor nuk kishte vrarë asnjë mizë, ndërsa Lenini kishte dhënë urdhër për farimin e mijëra e mijërave rusëve të badhë, pa përmendur këtu burgjet dhe internimet. Kurveleshasit as donin t’ia dinin për të gjitha këto. Ata e njihnin Leninin si shpiksin e kooperativave bujqësore, ideatorin e jetës kolektive dhe mohuesin më të madh të pronës private. Këto iu interesonin. Nuk thonë kot “ku dhemb dhëmbi, vete gjuha”. 

Bilbilit iu sos vaji i kandilit dhe pikërisht kur Gjeshnikoshi ishte kolektivizuar e bërë kooperativë, ai vdiq. E kishte nga Perëndia. Nuk priti të korrte të mirat e sistemit të ri socialist sipas direktivave të Leninit. Kur u varros, dikush, sipas zakonit duhet të thoshte diçka, të paktën dy fjalë. Po ndahej përgjithmonë me të afërtit e tij, bashkëfshatarët dhe kooperativën, por katundi malor nuk kishte një hoxhë për varrim. Si mund të përcillej xha Bilbili në atë botë pa thënë dikush një fjalë? Përpara se sa ta mbulonin me dhe, midis percjellësve sundoi një heshtje e thellë. Asgjë nuk pipëtinte. Shpëtimtari i situatës ishte Lutua, një djalë i ri, shpatullgjerë e trupngjeshur, i fuqishëm, guximtar, i sapokthyer nga shërbimi ushtarak në kufi. Ai mori leje të fliste diçka. Shumica e aprovoi nga që ishte i biri i dervish Nebiut, familje fetare, por një pakicë ngriti supet me mosbesim nga që ai ishte shumë i ri në moshë. Sidoqoftë ai foli:
- Të shkoftë shpirti në xhenet, o Birbil Bejo. I shkurtër ti, i shkurtër Lenini, tullac ti, tullac Lenini, ai me kapellë e ti kokëzbathur. Me siguri do ta takosh në narijet (amëshim). Do t’i bësh shumë të fala nga gjithë neve e t’i thuash se Gjeshnikoshi u bë kooperativë. I fundit fare, Reis Goxhia. Ti Birbil ike mbathur e me shollë, po ne në atë botë kemi për të ikur xathur e pa shollë fare. 
 
Pa mbaruar fjalën ushtari i sapolëruar, një zë si kakaritje pulash u dëgjua andej nga fundi i percjellësave, pastaj u pasua nga një tjetër e nga një tjetër. Qeshën më shumë për atë ngjashmërinë me Leninin se sa për parashikimin për të ardhmen. E kush dyshonte në fjalët e Partisë se e ardhmja e ndritur ishte përpara. Të gjithë do të hanin me lugë floriri e jo si në kapitalizëm që proletarët vuanin për bukën e gojës e pronarët bënin qejf. Nuk mjaftoi me kaq. Dikush e bëri problem në organizatën e partisë së fshatit pse Lutua “ky xhorrek” (trupmadh) tallej me udhëheqësin e lavdishëm të proletariatit dhe motamo po e krahasonte me një copë bari si xha Bilbili. Shumica ishte kundër. Padyshim që Lutua bëri një shaka dhe as ka patur ndonjë qëllim të keq për të diskredituar Leninin. Përkundrazi, Partia le ta dinte se Lenini ishte bërë aq popullor në Gjeshnikoshin e largët malor sa kujtohej edhe në një varrim të thjeshtë. Për çudi ajo shprehja “Ti Birbil ike mbathur e me shollë, por ne në atë botë kemi për të ikur xathur e pa shollë fare…”, nuk përmendej. E kush mund të vinte në pikëpyetje të ardhmen e lumtur që kishte projektuar Partia? Kapakun diskutimit ia vuri komunisti më i vjetër, anëtar i ish njësitit gueril të Vlorës:
- Dëgjoni shokë, është shumë pozitive që një bir dervishi tallet me zakonet prapanike e të kënduarit të hoxhës në varrim, është rit fetar, e dyta, Lutua ka qenë ushtar kufiri në Tropojë, kufi me armikun shekullor, serbin, po ta urrente pushtetin popullor do të ishte arratisur njëmijë herë. Ja ku është midis nesh. Ai padyshim është njeriu ynë, njeri i Partisë.

Kjo ngjarje në Degën e punëve të brendëshme të Gjirokastrës u përcoll nga tre burime të ndryshme. Informatorët nuk e njihnin njëri-tjetrin. I pari nuk e kishte përfshirë atë shprehjen: “ai me kapellë e ti kokëzbathur”, ndersa i treti nuk di për çfarë arsye nuk e kishte përmendur shprehjen: “Ti Birbil ike mbathur e me shollë, po ne në atë botë kemi për të ikur xathur e pa shollë fare…”. Me sa duket ka qenë larg burimit të folësit apo njerëzit rrotull tij qeshnin aq shumë sa nuk i kanë dhënë mundësi informatorit ta dëgjojë Luton qartë. Pavarësisht që ushtari i sapolëruar nuk përfshihej në listën e armiqve të Partisë e të Pushtetit, kryetari i Degës dha urdhër që ndaj këtij objekti të hapej dosje. Informatat u regjistruan që të tria, pikë për pikë, ashtu siç ishin raportuar.
- Këtë dosje të gjithë do ta njohim me pseudonimin “Orakulli”, - tha prerë kryetari i Degës së punëve të brendëshme dhe doli me nxitim jashtë zyrës. Dhe që nga ai moment emri i Lutos, gjithnjë do të shkruhej e do të thirrej “Orakulli”.
***  

Lutua banonte dy shtëpi më tej nga e jona. Qysh i vogël unë vija shpesh në oborrin e tyre mbuluar me hije pemësh e aty lozja me lloj-lloj lodrash. Dervish Nebiu më kishte mësuar si t’i dalloja granatat e mbetura nga lufta e dytë botërore. Kurrë të mos i prekja, le më për të tentuar të nxirrja barut prej tyre. Aty fillimisht kam dëgjuar këngët e vjetra himarjote nga gramofoni të cilin e shihja për herë të parë në jetën time. Një gramofon me pllaka të zeza sa një tepsi dhe me vetkurdisje. Babai i Lutos, dervish Nebiu, kishte studjuar në Egjipt dhe librat, në shumicën e tyre ishin të shkruara në gjuhën arabe. Duhet të bëje kujdes e të mos shkaktoje zhurmë sepse ai rrinte me orë të tëra mbi ato libra gjithë arabeska. Nëna e Lutos, teto Sulltana ishte një grua e dashur dhe e dhimbsur. Çdo fëmijë që i shkonte vizitë, me prindër apo pa prindër, ajo ose do t’i nxirrte mjaltë me hoje (rezhda), ose sheqerka me kubikë që ua linte në pëllëmbë të dorës. Kur Lutua, djali i vetëm i tyre shkoi për tre vjet ushtar në kufi, unë isha bërë si i shtëpisë. Isha më i përkëdheluri e më i dashuri ndër moshatarët e mi. Dervish Nebiu më linte ta vëzhgoja kur shkulte një dhëmballë të majisur apo se si kujdesej për kosheret e bletëve, ose se si përgatiste ilaçet popullore nga bimët e egra që mblidhte në male. Mbaj mend si zbulonte një rrënjë të hollë arre dhe pasi e priste me brisk, lëngun e saj e mblidhte në një shishe të vockël. Nuk di se me çfarë bimësh e përziente tjetër, të rrahura në havan, por di se me atë ilaç shëronte buzët e plasaritura e të fryra me plagë që nuk mbylleshin kurrë. Siç mësova më vonë, ishin tumore malinjë apo kancer i buzëve. Ai nuk mirrte shpërblim për punën e bërë. Gëzonte respekt të jashtëzakonshëm jo vetëm në Gjeshnikosh, por në gjithë krahinën. Ishte një shëronjës popullor me emër të madh. Ai nuk besonte në magji apo në të kënduar në gjuhën arabisht. Mjekimi i tij bazohej tek kirurgjia dhe ilaçet të cilat i përgatiste vetë.


Sa më shumë që kalonin vitet e unë hidhja shtat, aq më shumë guxoja të largohesha prej shtëpisë sime. Çdo vit e më shumë shtoja perimetrin e hulumtimeve. Përmbi vargun e banesave, karshi diellit, ishin vreshtat. Flitej se dikur, para vitit 1914, çdo familje kishte pasur nga një dynym vresht. Aty gjeje të kërleshura gjithfarë bimësh dhe kafshësh të egra. Lepuri dhe dhelpra banonin në të njëjtin habitat me zogjtë dhe thëllëzat. Lere pastaj kur bilbilat krahëshkruar me ngjyra të bukura vezulluese ndërtonin foletë brenda kurorës së murrizave. Në vjeshtë aty mund të mblidhje kulumbri, thanë, manaferra e pse jo edhe kokrra të kuqe murrizi. Nganjëherë, pa pritur shfaqej ndonjë bistak rrushi, shesh i bardhë apo i zi. Mjafton të hulumtoje e të bëje kujdes nga nepërkat sepse me siguri diçka të dobishme do të gjeje. Një ditë prej ditësh, kur kisha dalë për “gjueti”, pikërisht në tarracën e vreshtit të dervish Nebiut diçka më zuri syri përmes një të çare ledhi. Hoqa një gur, dy dhe në thellësi ishte një depo e vogël armësh. Ishin maliherë të shkurtër grek. Disave u ishte ndryshkur tyta apo kalbur kasa e drurit nga lagështia, por disa të tjerë ishin të mbajtur mirë. Me siguri ndonjëri prej tyre mund të punonte dhe të shkretat dhelpra ç’do hiqnin prej meje. Pa më lënë kohë të fantazoj edhe më, nga Lëmënjësi dëgjoj një zë që përmendi emrin tim. Ishte Lutua. Si më pa nga aq larg? “Prit aty”, më tha. Kisha hyrë pa leje në pronën e tjetrit dhe aq më keq: kisha zbuluar një sekret. Kushedi çfarë druri do të haja nga Lutua, apo nuk i kishte ato pëllëmbë aq të mëdha, apo nuk ishte një nevrik i madh ai. Në shtëpinë e tij askush nuk guxonte t’ia bënte fjalën dysh. E po druri për burra është, mendova dhe duke u dridhur, po prisja që ai të mbrrinte. Vura re me kujdes fytyrën e tij duke u ngjitur lart, ishte e murrëtyer, sytë i lëshonin shkëndija. Mirëpo asgjë nuk ndodhi. Ai më uli përballë. Më pyeti se ç’doja në vreshtin e tij; më kishte dërguar dikush tjetër apo kisha ardhur vetë, me mendjen time.
- Për kokë të babës, nuk më ka dërguar njeri, unë kam kaluar kushedi sa herë aty, për manaferrra.
- Ke kaluar vetëm apo me shokë? - pyeti me zë të ulët - Dhe mos më gënje.
- Vetëm, fare vetëm, për kokë të babës.
- Tani dëgjo këtu, unë nuk të rrah ty se pastaj, po ta marrë veshë Sulltana më rreh mua, mëma ime de, që të do aq shumë, por kërkoj të më japësh fjalën për një gjë: Sa të rrosh, askujt nuk duhet t’i tregosh çfarë pe në ledhin e arave tona. Po tregove, na bëre gjëmën të dyve.
- Kurrë nuk kam për të treguar, sa të rroj, për kokë të babës.
- Nëma dorën këtu si burrë, - më tha dhe përmbi flokët e mi të zez më kaloi pëllëmbën e madhe.

Sa herë e kam kujtuar këtë çast dhe gjithënjë kam thënë se po të më trajtonte keq, ashtu siç bënin shumë burra të tjerë të atij fshati, ngjarjet do të kishin marrë tjetër rrjedhë. Në ato vite, mbajtja e një arme pa leje dënohej deri në pesë vjet burg, po njëzetë armë të fshehura me kujdes? Hyje në të tjera nene. I kishe hapur gropën vetes. Pa dyshim që për organet “kompetente” ishe një armik që po përgatisje rrëzimin e pushtetit popullor me armë. Në hetuesi të nxirrnin qumështin e nënës gjer sa ta pohoje vetë këtë. E habitshme ishte se si Lutua nuk ma zuri më në gojë këtë ngjarje. Ai nuk kishte dyshim se unë mund të kisha treguar. Komunikimet tona ishin njëlloj. Mua ai më kishte quajtur burrë dhe unë si i tillë sillesha. Kështu i vazhduam marrëdhëniet gjer në fund të jetës së tij.
***  

Hajria ishte motra më e vogël e Lutos, ose ndoshta ashtu na dukej ne më të vegjëlve sepse nuk mund të thoshe me saktësi se ishte e martuar apo e pamartuar. Ishte më e bukura në fshat, gojëmbël, me ca tipare të mprehta dhe dy sy gështenjë e të bukur. Zakonisht vishej me rroba të errëta dhe një shami kremi të zezë nuk e hiqet kurrë nga balli. Unë gjithnjë e mbaj mend se si ajo ndihmonte nënën e saj, Sulltanën, në të gjitha punët e shtëpisë, pa kundërshtuar, pa u ankuar asnjëherë. Rrugica për në të vetmen çezmë të fshatit kalonte përbri shtëpisë sonë dhe unë do ta shihja atë gati çdo ditë, edhe kur nuk shkoja vizitë në shtëpinë e tyre. Mbartja e ujit nga çezma ishte detyra e saj. Priste radhën në heshtje. Përgjigjej shkurt kur e pyesnin dhe largohej sa të ishte e mundur më shpejt. Punonte aq nxituar, pa fjalë, pa zhurmë e pa bujë si askush tjetër, si një flutur. Hajria dhe Sulltana ishin dy femra në atë shtëpi të cilat Lutua i respektonte e nderonte më shumë se këdo. Ai zemëroj për hiçgjë, por me ato kurrën e kurrës nuk kishte ndërruar një fjalë, ose të paktën këtë ide kisha krijuar unë. Lutua nuk e nxori motrën asnjë ditë në punë kooperative. Ai i bleu asaj një makinë qepse zvicerane “Singer” dhe ajo vetë me intuitën e saj mësoi si të presë e të qepë rroba leshi dhe kostume grash e burrash. Ajo shtëpi në anë të fshatit kishte shumë hyrje-dalje, madje mysafirët vinin edhe nga fshatra shumë të largët si nga Vunoi në Himarë. Në fillim nuk merrej vesh në se Hajria i kishte ndërprerë lidhjet me burrin e saj të arratisur apo i vazhdonte. Flitej se ajo kishte qenë e martuar dhe burri i saj ishte arratisur në Kanada. Shumë moshatare të saj që kishin pasur të njëjtin fat, ishin martuar me kohë e me vakt, por ndoshta edhe ajo do të martohej, kur t’i dilte fati. Asnjë shkes apo burrë nuk guxonte të afrohej për një propozim sepse Lutua as i priste në fjalë. Nuk merrej vesh, ishte dëshirë e tij që ajo të priste burrin nga Kanadaja apo vetë ajo kishte deklaruar se përveç martesës së parë, nuk pranonte asnjë lidhje tjetër.

Dikush hapi fjalë se Lutua nuk do ta martonte të motrën asgjëkundi sepse kishte marrë sinjale se pushteti komunist do të rrëzohej dhe kunati i tij do të kthehej nga Kanadaja. Kishte njoftime se edhe burri i Hajries nuk ishte martuar në Kanada. Fjalët ranë në vesh “të organeve të dashura të Partisë”. Kryetari i Degës porositi që të evidentohej çdo person jashtë fshatit që hynte e dilte në shtëpinë e “Orakullit”. Ishte ca i vështirë verifikimi, vonohej sepse mysafirët kryesisht nuk ishin nga rrethi i Gjirokastrës, por nga Vlora, Tepelena dhe Saranda. Gjithnjë vinin për një hall, sidomos për punë shëndeti. Nuk rezultonte ndonjëri i lidhur me agjenturat e huaja. Organizata e rinisë në fshat, duke mos ia përmendur emrin Hajries, bëri një mbledhje ku vuri në dukje se ka familje fanatike që nuk duan t’i nxjerrin gratë në punët e kooperativës. Kanë paragjykime dhe veprojnë në kundërshtim me vijën e Partisë. Dalja e grave në punë nuk duhej parë thjesht si interes ekonomik, por si pjesë e emancipimit të femrës. Asnjë krah pune mbi 18 vjeç nuk duhet të qëndronte në shtëpi. Mirëpo Lutua gjeti një rrugëdalje tjetër: çfarë kishte gjëra pëlhure kooperativa për të qepur si thasë apo napa, t’i sillte në shtëpinë e tij dhe qepja të llogaritej me ditë pune. Kështu emri i Hajries u regjistrua në brigadën e arave dhe ajo u quajt e punësuar. Sa u mbyll problemi i daljes së saj në punë, doli një telash tjetër. Lutua paskishte thënë se nuk mbetej gjë tjetër veç të mprehnin gratë në parmendë. Sekretari i organizatës bazë të partisë këmbëngulte se kjo ishte parrullë armiqësore dhe Lutua duhej arrestuar. 

- Të mos harrojmë, shokë, - tha ai - se armiku i klasës punon me të gjitha mënyrat të na diskreditojë dhe sabotojë. Dua të lavdëroj me këtë rast mësuesin e gjuhës e të letërsisë që kushëriut të tij të sapodalë nga burgu, i vuri fletë-rrufe në mes të fshatit. Kësaj i them unë ndihmë e jo ato që thotë Lutua. Ky, mësuesi është njeriu ynë i ri, besnik i Partisë, ky meriton të bëhet drejtor shkolle.
- Me siguri do ta bëjnë, - tha Lutua - se këta kështu të duan, t’u lëpish qurrat.

Operativit të zonës iu vu detyrë të verifikonte në çfarë rrethanash e kishte thënë Lutua atë fjalë të helmatisur për gratë, e kishte thënë me qëllim të diskreditonte pushtetin lart apo kryesinë e kooperativës poshtë. Në relacionin e tij operativi i zonës shkroi: “Orakulli, vetë i dytë bujk, me një skuadër grash kooperativiste, u urdhërua nga brigadieri të ngjitej në mal për të mbjellë patate, por në vend të dy pendë qeve, i kishin nisur një pendë e gjysëm, pra, mungonte një ka parmende. I revoltuar, në këto rrethana e ka thënë atë fjalën e hidhur. Madje ka theksuar se këtë do ta ngrinte edhe si problem në kryesi të kooperativës sepse sekretari i partisë shokët e tij i mban aty rrotull zyrave dhe gratë i dërgon në mal, në punët më të rënda. Mendoj se nuk ka pasur qëllim të diskreditojë Partinë dhe Pushtetin popullor”.
Burgosja e Lutos dështoi, pavarësisht nga këmbëngulja e sekretarit të partisë, por emri i tij gjthnjë e më shumë pëshpëritej me simpati në gjithë fshatin. Ai fliste drejt e hapur. Ishte nga bujqit më të dalluar, kurrë nuk i trembej punës. As të dielën nuk pushonte. Nisi një punë që nuk ia kërkoi kërkush. Nga një madem afër çezmës nxori kallëpe gurësh, i skaliti me durim dhe ndërtoi një çezmë të re për fshatin. Ashtu siç kishte bërë edhe dervish Nebiu, i ati i tij. Askush nuk u kujtua për ta shpërblyer, ama në sytë e popullit figura e tij u ngrit lart. Nuk mbeti njeri pa e falënderuar, sidomos gratë që mbartin ujë e u duhej ajo çezmë, me përjashtim të zyrtarëve. Ai ishte bërë halë në sytë e njerëzve të pushtetshëm. Ishte si një zyrë ambulante e ankesave të popullit. Shihnin njerëzit e thjeshtë se si vidheshin kopetë e deleve në mal dhe në vend të ankoheshin tek kryetari i kooperativës, qaheshin tek Lutua. Shihnin si përroi që doli prej shtratit përmbyti stallën e kuajve duke ngordhur e plagosur kafshët e gjora, prap ankesa tek Lutua. Brigadierë të pandërgjegjshëm, ata ishin sabotatorët e jo Lutua. Nuk mbeti grua pa e uruar për punën vullnetare që bëri për çezmën e re duke krijuar aq shumë lehtësi për gratë.

 
Ajo që i ndodhi me një të deleguar të rëndësishëm, të ardhur nga komiteti ekzekutiv i Gjirokastrës, mori dhenë. Kishte hyrë muaji maj, atë vit pranvera erdhi me shira të butë, të herëpashershëm. Gruri ishte harlisur kodër më kodër e tarracë më tarrracë duke u shpalosur tej e tej si një pëlhurë mëndafshi jeshile. Po rritej i mbarë. Lutua i gëzohej diellit të pranverës mbështetur pas një guri dhe tufa e qeve po kulloste në paqe në shullërin sipër arave me grurë. Cfakat kishin çelur lulet e verdha dhe bletët zukatnin sipër tyre duke mbledhur polen e mjaltë për kosheret e tyre. Tek-tuk, brenda parcelave me grurë, si zjarre të vegjël skuqnin lulëkuqet. Lutua vuri re se dikujt i ishte zgjidhur kafsha e dorës, një mushkë qimekuqe e cila sa kishte hyrë në një parcelë me grurë. U ngrit dhe u drejtua për andej. Po matej ta ndiqte nga gruri kafshen pa zot, kur në kthesën që vinte nga Rehova nxori turirin një gaz kinez i murmë. Po vinte një i deleguar nga komiteti ekzekutiv i rrethit. I deleguari i dha urdhër shoferit të ndalej në anë të parcelës me grurë. Doli nga gazi serbes dhe iu drejtua Lutos gjoja i nevrikosur:
- Çfarë ndërgjegje ke, o shoku fshatar, që lejon mushkën të hajë grurin para syve të tu, të dëmtojë pasurinë e përbashkët? - bërtiti ai si në mall të vet. Lutua ndali hapat. E habiti toni i të deleguarit dhe aty për aty iu kthye:
- Shko nxirre ti, shoku qytetar, parcela dhe gruri janë të tuat. Të mijtë janë ata qetë atje lart në shullë.
- Si more shoku kooperativist ta nxjerr une mushkën sikur e kam sjellë nga Gjirokastra, kur u gjenda këtu rastësisht, po ti qënke një sabotator, nuk të dhimbset pasuria e popullit.
- Lere popullin në punë të tij, gruri është yti, shoku nëpunës, ne populli fshatar hamë vetëm bukë misri, e di ti këtë? Ju në qytet hani bukë gruri. Ne ua dërgojmë kokërr më kokërr grurin që prodhojmë këtu, - i tha ai fare shkoqur dhe u kthye mbrapsht.

I deleguari pa rrotull se mos e dëgjoi kush, por asnjeri tjetër nuk dukej në horizont. Bëri ç’bëri e nxori mushkën nga gruri duke e trembur me thirrjet: “Yaa, yaha, të hëngërt bisha…”. Lutua buzëqeshi që e mposhti të deleguarin dhe u kthye i qetë tek tufa e qeve sipër shullërit. I deleguari pyeti në kryesinë e kooperativës kush ishte bariu i tufës së qeve, mos ishte ndonjë i deklasuar që u përgjigj në atë mënyrë, por ata i thanë se ai ka dashur ta ngacmonte sepse realisht ai aty ishte nisur, për ta nxjerrë mushkën nga gruri. Dikush tjetër kishte informuar për ngjarjen në kryesi përpara se sa të mbrrinte i deleguari. Fjalët e Lutos morën dhenë. Shumica e përgëzonin për guximin që kishte pasur për t’ua përplasur në sy të vërtetën qytetarëve. Edhe kjo ngjarje u regjistrua në dosjen “Orakulli”.

Ndihmat kineze po paksoheshin dhe e vetmja rezervë shtetërore ishte oborri personal. Direktiva të reja erdhën nga lart për ta paksuar më tej oborrin kooperativist dhe thuajse asnjë bagëti nuk duhet të mbahej në shtëpi. Nën pretekstin se bagëtitë nuk ishin “higjenike”, duhej të tufëzoheshin. Erdhi një kohë që për çdo familjes edhe buka e misrit ishte e pamjaftueshme, lere më djathi e gjalpi. Tashmë malësorëve, të dëgjuar për mikpritjen e tyre, u vinte zor të hapnin derën e shtëpisë për mikun apo të deleguarin nga qyteti. Kosin në shishe qelqi, e sillnin nga qyteti, kur u jepej rasti. Por edhe atje duhet të zije radhë herët se mbarohej shpejt. Duke vuajtur këtë fukarallëk të madh, kujtdo i vinin ndërmend fjalët e Lutos, profetit të Gjeshnikoshit. Mos vallë kishte ardhur koha për t’u varrosur “pa shollë”?

- Zot i madh, i morëm me të qeshur fjalët e Lutos dhe ja tani nuk na besohet që erdhi dita ta shohim veten në këtë derexhe, paska qenë profeti vetë, - thoshin të dëshpëruar më të moshuarit e fshatit, sidomos ata që kishin qenë në varrimin e Bilbil Bejos dhe i kishin dëgjuar me veshët e tyre ato parashikime profetike, ogurzeza. 
- Kush vallë ia këndoi në vesh Lutos këtë gjëmë që po ndodhte? Ky duhet të jetë fundi? Nuk ka ku shkon më keq, - afërsisht kështu thoshnin të gjithë në Gjeshnikosh.
- Po deri sa Lutua nuk e martoi motrën, diçka tjetër duhet të dijë. Me siguri do të ketë ndonjë përmbysje të komunizmit. Ai diçka tjetër ka në mendje, por nuk ka ardhur koha ta thotë, - ia priste ndonjë nga djemtë më të rinj, optimist për të ardhmen.
- Kujdes, djalë, muret kanë veshë…
***  

Nuk kishte shkuar shumë kohë kur unë isha vendosur me punë në qytet. Ishte mbasdite. Nuk u besoja syve për çfarë vura re përpara Degës së punëve të brendëshme në Gjirokastër. Dega ndodhet në rrugën kryesore që shkon drejt “Sheshit të Çerçizit”. Nga shtëpia ime në qytet unë atë rrugë e bëja në formë shëtitje, me hapa të ngadaltë, thuajse çdo mbasdite. Dhe përfundoja në kafen e hotel Turizmit ku takoja shokët e miqtë. Duke u ngjitur, gati tek këmbët e mia ndaloi gazi i zi i Degës. Ishte i mbuluar nga një tis i bardhë pluhuri sa mezi dallohej ngjyra e zezë e mushamasë. Dukej që vinte prej një rruge të largët e të paasfaltuar. Nga dera e pasme e makinës zbriti një polic dhe pas tij një burrë trupmadh, i kërrusur nga prangat e hekurta që kishte në duar. Më ngriu gjaku. Si u ndodha atë moment aty? I arrestuari ishte Lutua, dora vetë, miku im. Desha ta shihja në sy, por ai nuk ngriti krye. Kur hyri tek dera kryesore e Degës drejtoi trupin dhe u fut brenda serbes duke u tretur brenda barkut të frikshëm të godinës. Nuk mund të shkoja në shtëpi pa marrë vesh se çfarë kishte ndodhur. Vazhdova të zvarrit këmbët dhe ja ku mbrrita para Turizmit. Ca nga dritat e zbehta të fenerëve të sheshit e ca nga buzëmbrëmja që afronte, nuk mund të dalloje fytyrat e njerëzve që venin e vinin më këmbë apo duke bërë shëtitjen e mbrëmjes. Hyra brenda lokalit dhe zura një tavolinë në cep. Më dukej sikur isha ulur mbi gozhdë e jo mbi karrige druri. Shokët e mi nuk kishin mbrritur ende. Truri më punonte me shpejtësi. Kisha pirë dy kafe ekspres njëra pas tjetrës. Me siguri e kanë arrestuar për agjitacion e propangandë, mendova. Duan të trembin të tjerët. Po sikur t’i kenë kapur armët, po sikur ai të nxjerrë emrin tim? Keq do t’i kisha punët. Lamtumirë nëpunësi. Unë sa isha emëruar me detyrë të mirë në qytet. Kujtova edhe njëherë të gjitha bisedat që kisha bërë me të. A e kishim sharë ndonjëherë pushtetin popullor së bashku? Nuk më kujtohej asgjë. Diçka kishim folë për Kanadanë dhe të arratisurit bashkëfshatarë që banonin aty. Për armët nuk kishim folë asnjëherë. M’u kujtua një bisedë për librat kur ai më pyeti në se e kisha lexuar romanin “Lulja e kujtimit” dhe monografinë e “Mustafa Qemalit”. Më tregoi se romanin “Bija e mallkuar” e kishte lexuar, por unë jo. Ishte hequr nga qarkullimi dhe nuk kisha mundur ta gjej tek librar Alizot Emiri. Si nëpër tym më dukej sikur më kishte premtuar të ma siguronte. Po më mirë që nuk ma kishte gjetur. Si mundet ai burrë i zgjuar të kishte rënë në kurthin e sigurimit? Ai kishte një informacion të jashtëzakonshëm për çdo bashkëfshatar. Zakonisht u shmangej bisedave kolektive dhe dasmave, qoftë edhe tek njerëzit e tij më të afërt. Thuajse nuk besonte me asnjë. Ashtu si i ati, vazhdonte të mbante lidhje me miq të largët.
Dalëngadalë kafja e hotel Turizmit po mbushej me njerëz dhe më në fund nuk mbeti asnjë tavolinë bosh. Ja ku erdhi edhe një nga shokët e mi të kafes. U ul përballë meje. Do të vinin edhe të tjerë. Ai nuk po ia ndante sytë fytyrës sime.

- Çfarë të ka ndodhur, pse je zbehur në fytyrë, mos je sëmurë? - më pyeti duke u rehatuar në karrigen e tij.
- Kam parë Luton të arrestuar. Nuk ka një orë që e sollën në Degë me pranga lidhur. Ecja rrugës për këtu kur e pashë, ja me këta sy. As xhaketë nuk kishte veshur, po një triko leshi ngjyrë kafe.
- Kush, ai parashikuesi, ai profeti që ka thënë se në atë botën tjetër do shkojmë pa këpucë?... Mbahej i fortë? - pyeti shoku im gjithë merak. “Mbahej i fortë?”, ishte nga pyetjet më të zakonshme në ato vite të jashtezakonshme kur arrestimet ishin dendësuar.
- Nuk di si të them sepse nuk ia pashë fytyrën. Dy policët që e shoqëronin nuk e mbanin për krahu, - iu përgjigja unë me zë të ulët - si ta marrim vesh akuzën, këtë dua të di me çdo kusht?
- Akuzën? Mos u nxito, prit ta pij edhe unë kafen. Aty në krye të sallës është një hetues, kushëriu im. Do ta pyes, shpresoj të më thotë diçka, - më tha ai duke më hedhur dorën në sup e duke më dhënë zemër. 

Nuk më durohej gjersa të merrja vesh çfarë kishte ndodhur. Fati im ishte i lidhur me çfarë do të deklaronte Lutua në hetuesi. Ajo kohë që zgjati për të pirë kafen shoku im, m’u duk shekull. Pasi shkundi edhe pikën e fundit të lëngut të zi, ai u ngrit dhe unë porosita kafen e tretë. E veçoi kushëriun hetues dhe diçka flisnin të dy me këmbë e duar.
- Qetësohu, - më tha kur u kthye në tavolinë - e kanë arrestuar me këmbënguljen e organizatës bazë të partisë në fshat. Është qesharake, e kanë arrestuar për thashetheme.
- I sigurtë?
- Shumë i sigurtë, por se mos të shkasë goja dhe e bisedon me njeri tjetër akuzën. Ma more në qafë kushëriun, - më porositi. Më erdhi zemra në vend. Kafen e tretë që sapo kishte ardhur, nuk e vura në buzë. Kisha besim se Lutua 
do t’ia hidhte paq. Unë e njihja mirë inteligjencën dhe kapacitetin e tij, zgjuarsinë natyrale të malësorit trim e të ndershëm.

Qëkurse ishte arrestuar Lutua, gratë e Gjeshnikoshit që shkonin për ujë në çezmën e re, vonoheshin më shumë se zakonisht. Debatonin, shanin, ngrinin zërin, a thua se përlesheshin me njëra-tjetrën. Secila jepte mendimin e vet për “atë gjëmë” që i kishte ndodhur fshatit. Lëshoheshin lloj-lloj pandehmash dhe në shumicën e rasteve vinin gishtin për tërë ata “munafikë” që kishin ngritur këtë çark të shëmtuar kundër njeriut të shenjtë, birit të zotit. Përgjithësisht ato zienin nga inati se si mund t’i hidheshin hekurat një njeriu të drejtë, të ndershëm e duarflori që kishte bërë aq shumë bamirësir për të gjitha fiset. Hajria i dëgjonte me durim bisedat rreth të vëllait, Lutos, një pjesë e të cilave ishin ngushëllime, por as ndërhynte dhe as përgjigjej kur e pyesnin. Ishte bërë më e kursyer në fjalë dhe nuk i pëlqente të shoqërohej me asnjë grua, qoftë edhe kushërirë. Hidhërimin e mbante përbrenda kraharorit të saj që kishte filluar të rreshkej.
*** 

Ai pati hetuesi të vështirë. Herë pas here unë isha në dijeni çfarë po ndodhte. Kishte kërkuar t’i sillnin nga shtëpia veprat e Partisë, ndryshe nuk do të hapte gojën as në hetuesi dhe as në gjyq. Avokat mbrojtës nuk pranoi. Kur e panë se e kishte seriozisht, ia sollën të gjitha librat që kërkonte. Për çdo akuzë ai përgjigjej me citime nga literatura e Partisë, madje ai nxirrte një kryesi të tërë abuzuese dhe të korruptuar si dhe shpërdoruese e mallit të përbashkët. Solli shembull rojën e natës në magazinë që thoshte ashiqare se “unë i ruaj mallrat në magazinat gjithë natën pa vënë gjumë në sy dhe këta i hanë ditën në dritë të diellit”. Babushin, kështu i thoshin rojës, e thirrën në hetuesi si dëshmitar dhe ai pohoi ato që kishte deklaruar i akuzuari Luto. E pyetën si mund të përmirësohej situata ekonomike dhe Lutua kishte përgatitur pesë faqe me shkrim se si të dyfishohej prodhimi në kooperativë, si të administrohej dhe organizohej më mirë puna. Me një kusht: e gjithe kryesia të shkonte në prodhim dhe në vend të tyre të zgjidheshin të rinj, të pa molepsur.
- Pra, ti mendon se drejtuesit do të na katandisin të shkojmë në atë botë pa këpucë, ashtu siç ke deklaruar në varrimin e Bilbil Bejos? - i tha hetuesi dinak. Lutua e nuhati menjëherë kurthin. Nuk duhet ta kruante me ata aty lart në Tiranë.
- Dëgjo zoti hetues, uji lart buron i kthjellët, por turbullohet rrugës. E shkrove?
- Jo...
- Shkruaje, ata drejtues që keni zgjedhur ju në fshatin tim, të siguroj se jo vetëm do na përcjellin pa shollë, por fare lakuriq.

E megjithatë ai u dënua me katër vjet burg, nga të cilat bëri vetëm dy, por asgjë nuk iu faktua nga ato që mendoja unë. Kështu u mbyll përgjithmonë dosja “Orakulli”. Armët nuk u përmendën asnjëherë dhe motra e tij Hajria mbrriti në Kanada me karrocë me rrota, e thyer në moshë. Shumë nga ato që u quajtën “thashethemet e Lutos”, këtij burri të zgjuar e largpamës, u vërtetuan edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, të tjerat më vonë. Ai nuk rron më. As motra e tij Hajria. Ajo prehet në një lëndinë në Otava të Kanadasë krahas bashkëshortit të saj që e priti për 45 vjet me radhë. 
Fund

Fjalor shpjegues:

Orakull - parashikues ngjarjesh të trishta; velen - ngopen; çeturët - hambarë të vegjël; syfeti - pamja, fytyra; zhapa - lëkura; çervenisur - shpartalluar; kurspullosur - ngrirë, tharë; gjuhustra - llafazane; gjalmë - fije leshi e dredhur; ezber - gojëtar; farimin - shfarosjen; xhenet - parajsë; shollë - opinga lëkure; xathur - zbathur; xhorrek - kalli misri i madh; motamo - pikë për pikë; rrezhda - hoje dylli; maliher grek - pushkë teke, grykëshkurtër; derexhe - gjendje; rreshkej - vyshkej; ashiqare - hapur, në dritë të diellit; munafik - spiun.
Toronto, Dhjetor 9, 2018


Fshati Golem ne dîmër