(Pelargonium zonale L’Her – Pelargonium radula (Cav.)L’Her)
Në kujtimet e mia
Lulemëllaga dhe barbarozi janë nga lulet e para që kam
njohur, të cilat zbukuronin shtëpinë ku kam lindur dhe kam kaluar moshën
fëminore. Edhe në shtëpinë në qytetin e Gjirokastrës, këto lule nuk mungonin në ballkonin tonë, ashtu si
në gjithë dritaret apo ballkonet e oborret e këtij qyteti.
Barbarozi ne oboret e Gjirokastrës(foto H. Bita) |
Shtimi ose shumëzimi bëhej me pjesë të bimës: shpatulla e
filiza të rinj dhe rrallë me farë. Gjat verës hiqeshin gjethet e verdha,
kërkesat për ujë ishin të pakta. Ishte e lehtë për t’i mbajtur. Me pak kujdes mjediset e shtëpive
dukeshin të stolisura, të gjelbëruara e të bukura.
Këto lule kërkojnë një klimë të butë dhe kur zinin
ngricat e para i futnin brenda shtëpive, e i mbanin aty deri në pranverë. Para
se t’i nxirrnin jashtë u kryhej një krasitje e lehtë si dhe u hidhej pleh. Rreth
Detit Mesdhe këto lule janë aq të zakonëshme, të kultivuara, sa që të krijojnë përshtypjen se janë bimë
vendase. Jo vetëm kaq, por është krijuar edhe një eksperience e traditë e gjërë
mbarëpopullore qindra vjeçare për rritjen e tyre. Çdo vit, sot në Evropë shiten
rreth 600 milion fidana.
Lulemëllaga dhe barbarozi gjenden kudo, të shpërdara në
gjithë botën, të cilat kultivohen edhe në mënyrë intesive, në mjedise të
mbrojtura dhe plantacione të mëdha komerciale. Më është dhënë rrasti të kem
punuar në një kompani me serra lulesh e cila mirresh kryesisht me kultivimin e
lulemëllagës(Pelargonium zonale) që e
tregëtonte në pjesën Verilindore të SHBA-ve e deri në Kanada. Aty prodhohej farë, fidana, tregëtoheshin
bimë të gatëshme në vazo, si dhe bëheshin kryqëzime për të krijuar lloje të
reja me lule shumngjyrëshe. Ishte me të vërtetë një prodhim industrial i kësaj
luleje. Ky biznes e kishte zanafillën e vet që në vitin 1912. Si fillim mirreshin
fidana nga Amerika Qëndrore e tregëtoheshin, dhe më pas u krijua mundësia të
mbilleshin aty me farë në mjedise të mbrojtura. Lulemëllaga tregëtohet me
shumicë në Amerikë në ditën e “Memorial
day”, për ti vendosur në memorialet
e të rënëve nga forcat e armatosura.
Përveç luleve shumë të bukura erëmirë, këto bimë kanë dhe
përdorime të tjera. Thuhet se fletët e lulemëllagës gatuhen si të gjitha
perimet e tjera gjethore, e përdoren si ushqim për njerëzit.
Një përdorim të gjerë në Shqiperi kanë gjethet e
barbarozit, ato përdoren për t’i dhënë një shije e aromë fantastike reçelërave,
glikove, marmalatëts, sherbetit të bakllavasë, kadaifit; përdoret gjithashtu në
çajra e pije të ndryshme komerciale, në pastiçeri, në kozmetikë, etj. Gjen përdorim
dhe si bimë mjekësore.
Në Shqipëri në disa zona për këto bimë thuhet se sjellin
fat në familje. Konsiderohen si bimë çlodhëse, mënjanojnë stresin, ankthin dhe
depresjonin. Ashtu si në gjithë
botën janë futur shumë hibride të geraniumeve si hibride P.
graveolens që mund të shërbejë edhe si bimë repelnte(frikësuese)
për të mbajtur larg mushkonjat dhe mizat.
Për t’i mbyllur këto kujtimet e mia, në kujtesën më kanë
mbetur dhe disa këngë: Në një këngë dasme që i këndohesh nuses të shtunë mbrëma
nga gratë dhe vajzat thuhet:
Barbarozi në dritare
Moj nuse si u gënjeve
Fjalën babait ja ktheve…etj.
Ose
Dola këtu sipër-o lulealle
Sipër e më sipër-o lulealle
Në një vend të luleve lulealle
Qan lulia lulen-o, lulealle
Se do na këpusin-o, lulealle
Të na hedhin xhepeve, lulealle
Xhepeve jelekëve, lulealle…etj.
Gjithashtu është dhe një
këngë e bukur çame që këndohet me saze e hidhet vallia e katjushës:
Barbaroz, vasiliko
Dhëntë e mia kush i do
Se sjam i zoti për to
Se do loz me mikeno-o
Me mike suloten-o
Shqiptarët gjithmonë i kana pasqyruar në këngë e tyre bimët që i duan, i kultivojne ose i admirojnë.
Origjina dhe shpërndarja
“Lulemëllagë” dhe “barbaroz” , i kam quajtur kështu,
sepse pjesa më e madhe e shqiptarëve me këta emra i njef. Përveç kësaj, me këto emra i gjejmë tek
“Flora Eskursjoniste e Shqipërisë” (M. Demiri,
1983) dhe në “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” (shkenca. org, 2017). Barbarozi tek fjalori i gjuhës shqipe gjëndet
me emrin “elbarozë”. Për këto lule ka shume emra sipas krahinave. Barbarozit i
thonë dhe: Hidershah, eldersha, lulelivandoje, etj. Lulemëllagën e thërrasin
dhe lulealle, mollo, etj.
Duke u nisur nga emri ”lulemëllaga”, shpesh këto lule i
ngatërrojnë me mëllagat, bimë të egra vendase që rriten rreth Detit Mesdhe. Mellagat
bëjnë pjesë në Familjen Mëllagore(Malvaceae),
Gjinia Mëllaga(Malva L.). Në
Shqipëri përshkruhen rreth gjashtë
specie që janë kryesisht bimë të egra barishtore shumëvjeçare, disa medicinale,
që rriten në kullotat dhe pyjet. Ndërsa lulemëllaga dhe barbarozi ani se kanë
ngjashmëri me mëllagat(ndoshta prandaj e kanë marrë dhe këtë emër), ato
klasifikohen e bëjnë pjesë në familjen Geraniore(Geraniaceae) dhe gjinininë Pelargonium.
Rreth Detit Mesdhe nuk gjënden bimë të kësaj Gjinie në kushte natyrale, këto
gjënden vetëm të kultivuara ose si bimë zbukuruese, ornamentale.
Si lule mëllaga(P.
zonale) dhe barbarozi(P. radula),
origjinën e tyre e kanë nga Hemisfera Jugore, Afrika e Jugut. Sipas Clifford,
1970, disa lloje të kësaj Gjinie gjënden edhe në Australi, Madagaskar, Zelanden
e Re, etj. Një nga këto specie sipas këtij autori gjëndet edhe në Azinë Vogël.
Në Turqinë e sotme dhe Veriun e Irakut, në fakt gjënden në rritje natyrale
specjet P. quercetorum dhe P. endlicherianum por studimet tregojnë
se këto nuk kanë shërbyer si bimë prindërore për lulemëllagën dhe barbarozin që
rritet si lule në këto vende. ( B. Baser,
M. Firat, A. Aziret, 2016)
Format e egra prindërore të barbarozit
dhe
lulemëllagës gjënden vetëm në Afrikën e Jugut, të cilat rriten natyralish në sipërfaqe të gjëra gjat bregoqeanit në Kepin Jugor, në shpatet e maleve, luginave dhe kodrave të zonës parapyjore: në kullotat dhe kryesisht në zona shkëmbore, ashtu si bima e sherebelës në Shqipëri. Në afrikën e Jugut këto lule kanë një gjelbërim gjithvjetor.
lulemëllagës gjënden vetëm në Afrikën e Jugut, të cilat rriten natyralish në sipërfaqe të gjëra gjat bregoqeanit në Kepin Jugor, në shpatet e maleve, luginave dhe kodrave të zonës parapyjore: në kullotat dhe kryesisht në zona shkëmbore, ashtu si bima e sherebelës në Shqipëri. Në afrikën e Jugut këto lule kanë një gjelbërim gjithvjetor.
Sot ato gjënden të shpërndara në gjithë ruzullin tokësor.
Arsyeja kryesore e përhapjes në rajonet tropikale, e në të gjithë botën, është
për përdorimin si një bimë ornamentale, lulëzuese e zbukuruese në kopshte,
shtëpi, parqe, rrugë, etj.
Si dhe kur kanë ardhur këto bimë në Mesdhe dhe Ballkan
nuk ka të dhëna ose studime të sakta. Hyrjen e këtyre luleve në Evropë të
gjithë autorët e përshkruajnë para viti 1600, kur një anije angleze ndaloi në
Kepin e Shpreses së Mirë për t’u furnizuar me ujë e ushqime. Në ato vite në
ekipet e anijeve kishte dhe natyralistë për të kryer ekspedita për eksplorime
shkencore. Në këtë udhëtim grupi i
natyralistave u tërhoq rrastësisht nga aroma e Palergonium triste dhe e sollën në Evropë, ku u mbuall në kopshtet
botanike të Anglisë dhe Hollandës(Tejlor,
2014). Më pas me metodat e hibridizimit ta asaj periudhe kryesisht nga
francezët u krijuan llojet: P. pollenans,
P. odoratissimum, P. peltatum, P. vitifolium dhe P. zonale, dhe nga viti
1724 këto lloje u futën në të gjithë Evropën. Lloi P.
zonale është përdorur si një specie mëmë në programet e mbarështimit në të
gjithë Evropën dhe Amerikë që nga shekulli i tetëmbëdhjetë (Walt, 1977; Miller, 1996; SANBI, 2014).
P. trieste. University of California, Botanical Garden. |
Me shpejtësi në Evrope u çfaqën lloje të shumta hibridesh
për arsye se pelargonet kanë aftësinë të krijojnë lehtësisht hibride të reja. Për
herë të parë 10 llojet e pelargonieve janë dekumentuar në kopshtin botanik
Leyden në vitin 1686. Një shtytje i dha dhe puna F. Masson në vitet 1771 ku për 5-6 vjet ai mbledhi
në Afrikën e Jugut lloje të ndryshme të pelargoniumeve aromatikë. Ai zgjodhi
ose veçoi: P. quercifolium, dhe P. graveolens, P Crispum, me erë limoni, etj.
Shumë interesante për shpërndarjen e lulemëllagës është
dhe një legjendë arabe. Sipas saj kjo lule në këto vende ju çfaq për herë të
parë Profetit Muhamed. Legjenda thotë se: Në fund të një dite të lodhëshme në
punë, Profeti lau rrobat dhe i vuri të thaheshin në disa bimë mëllage(Malva sp.). Kur rrobet u thanë dhe shkoi
për t’i marrë, vuri re se në vend të mëllagës gjeti lulet e bukura të lulemëllagës. Kjo legjendë të bën të dyshosh se në brigjet Jugore
të Medheut, këto lule gjëndeshin shume kohë më përpara se ti sillnin
evropianët. Por kjo është vetëm një legjendë e pa vërtetuar ende shkencërisht. Në
se kjo bimë ka egzistuar në të vërtetë që në atë periudhë sipas kësaj legjende
egjyptiane, këto lule duhet të jenë futur në Ballkan shumë me herët se
ta kenë prurë Evropianët Veriore. Dyshuese është dhe vet emëri “Barbarozë”në
gjuhën shqip. Këtë emër ndoshta e ka marë nga vëllezërit shqiptarë që u kishin
venë nofkën “Barbaross”, ata ishin admiralë të flotës Osmane në Mesdhe reth
viteve (1450-1550), të cilët përshkruhen si zotër të Medheut në atë periudhë. Regjenca e formuar nga Mjekërkuqët më 1515, do
të ekzistojë deri më vitin 1830 (si vilajet otoman), derisa erdhi pushtimi
francez. Ndoshta këtu eshtë edhe vatra e parë e shpërndrjes së pelargoniumeve
në Ballkan.
Për t’ju përgjigjur pyetjes që shtruam në fillim, këto
lule sipas disa burimeve ajo që dimë deri tani, duhen të kenë hyrë në Ballkan dhe në Shqipëri gjat Periudhës
Otomane dhe, pas vitit 1700.
Në fillimet e shekullit të 18-të Pelargoniet tërhoqën
vëmendjen e industrisë parfumeve dhe më pas asaj farmaceotike. Në Francë u
krijua hibridi Pelargonium cv. rose një hibrid i krijuar midis P. capitatum dhe P. Radens për të
prodhuar vaj për këto industri. Më
pas Franca kultivimin komercial të këtij hibridi e shtriu në koloninë e saj në
Algjeri, dhe në vitin 1800 u ngritën plantacione të mëdha në ishullin e
Reunionit, në lindje të Madagaskarit. Sot prodhuesit më të medhej të vait të Pelargonium cv rose janë: Kina, Egjypti,
Afrika e Jugut, Maroku, Krimea, Madakaskar, etj. Prodhimi botëror është 400 ton
në vit, ndërsa nevoja llogaritet deri në 600 ton(IFEAT World July 2015).
Barbarozi dhe lulemëllaga në Amerikë u futën që me mbritjen
e evropianëve të parë. Në fillim u ndje nevoja më shumë si erëz dhe më pas u
përdorën për zbukurimin e shtëpive, parqeve, rrugëve, etj. Presidenti Tomas
Xheferson(1743-1826) thuhet se ka patur
një koleksjon me këto lule në shtëpinë e tij, të marra nga Franca. Sot këto
lule në Amerikë janë nga lulet më popullore dhe kanë një shtrirje të gjërë në
të gjithë vendin.
Një fermë në Afrikën e Jugut për kultivimin e pelargoneve për prodhim vaji. |
Etimologji
Si emëri “lulemëllagë” dhe emëri “barbaroz” nuk kanë ndonjë
ngjashmëri me emrat në gjuhët lindore apo dhe ato perëndimore. Emri në shqip i
lulemëllagës, bimë e ardhur në trojet shqiptare rreth viteve 1700, i është
vendosur sepse ka ngjashmëri nga forma e gjetheve me bimët e egra vendase,
mëllagat. Ngatërresa të tilla ka dhe gjuhët e tjera. Ndërsa emëri barbarozit
mund të jetë edhe rrjedhojë e një historie shqiptare siç e kemi përmendur më
lart. Në Shqipërinë e Jugut, Çamëri madje dhe në një pjesë të Greqisë, quhet
barbaroz kurse në Shqipërinë e Veriut, kryesish në Shkodër, quhet elbaroz,
ndërsa në Lindje të Trojeve Shqiptare hidershah ose idershaj. Me emrat
“Idresha” dhe “Idreshaj” në Shqipëri ka
dhe emëra e mbiemra njerezish.
Në gjuhën angleze dhe disa gjuhë të tjera quhen “geranium” ose sipas emërtimit në gjuhen
latine “palergonium”. Geranium rrjedh
nga fjala greke “γερανός” që do të thotë vinç, sepse lulet
dalin mbi gjethet si krahu i një vinçi ose dhe fara ka një zgjatim si vinç.
Lulemëllaga emrin
latinisht “Palergonium” e ka marrë
nga gjuha greke (πελαργός-pelargos)
që do të thotë lejlek, pasi farërat kanë një zgjatim që i ngjajnë sqepit të
lejlekut Ndërsa zonale( P. zonale) rrjedh nga gjuha latinish “zona”, e cila të
kujton dhe fjalën shqipe të vjetër “Zonë” që është një brez në kostumet
popullore. Gjethet e lulemëllagës kanë një brez si patkua. Ky emër ju dha nga botanisti
francez Charles Louis L'Héritier de Brutelle (1746-1800). Ndërsa barbarozi( P. radula) fjala “Radula” ka rrjedhur
nga gjuha latine, që do të thotë se i ka gjethet të ashpra, kruajtëse.
Gjethe dhe farë e pelargoneve |
Dobitë për njeriun i
këtyre dy luleve janë të shumta. Qysh kur u zbuluan keto lule nga evropianet,
është vrejtur se fiset vendase afrikane i çmonin shumë dhe i përdornin në shumë
drejtime veçanërisht në mjeksinë popullore për përmirësimin e shëndetit të tyre.
Në literaturën shkencore gjënden shumë të dhëna për dobitë që i sjellin
njerëzimit këto lule. Sot kërkimet në mjekësinë moderne janë drejtuar mbi të
dhënat e mjekësisë popullore dhe vazhdimisht po zbulojnë e publikojnë të dhëna
të reja mjaft interesante. Këto lule vazhdojnë të kenë një përdorim të gjerë
në: mjekësi, kozmetikë, kuzhinë dhe si bimë zbukuruese.
1. Bimë zbukuruese. Arsyeja
kryesore pse këto bimë nga Afrika e Jugut u shpërndanë shumë shpejt në të gjithë
botën, dhe sot janë lulet më popullore, është sepse kanë nje bukuri të veçantë,
kanë kërkesa të pakta ndaj tokës dhe ujit, përshtaten e kultivohen lehtëshit në
çdo mjedis si: kopshte, parqe, shtëpi, hotele, oborre, anës rrugëve, etj. Janë
bimë paqësore për njeriun.
2. Antistres: Në
praktiken e gjate popullore barbarozi, si një lule e shtëpiave tona është vlerësuar
si një bimë qetësuese, çlodhëse, antistres. Si antistres përdoret edhe çaji
aromatik, të përgatitur me gjethe të thara. Ndikon dukshëm në sistemin nervor
duke ulur faktorët që shkakëtojnë ankthin dhe stresin. Ndërsa vajin që del nga
distilim i kësaj bime, mund ta përdorim si antistres duke e hedhur në pëllëmbën e dorës 2-3 pika dhe të
marrim erën, do të ndjejmë se do të lehtesohemi nga stresi ose akthi.
Ndikimi
i barbarozës në sistemin nervor është i njohur dhe është përdorur në këtë
mënyrë shumë kohë më parë. Barbarozi përmban lëndë të tilla organike të
cilat ndikojnë pozitivisht në sistemin endokrin dhe ndihmojnë balancimin e
hormoneve që shkaktojnë stres, ankth ose depresion.
3. Aromatik & Antimikrobik: Duke
e përdorur si aromatik në ëmbëlsirat e ndryshme(gliko, reçel, sherbete për
bakllava, kadaif, etj.), jo vetëm që atyre u jep një aromë të veçantë magjike,
por njëkohësisht ndikon në pakësimin, asgjësimin ose frenimin e infeksjoneve të
ndryshme kerpudhore e bakterjale që mund të përmbajnë këto ëmbëlsira dhe mund
të jenë shume të dëmshme, si toksina, ose të shkakëtojnë sëmundje për organizmin
e njeriut. Sipas studimeve të koheve të fundit në laborator, ekstrakte ose
distilatet e marra nga bima e barbarozit janë shumë aktive ndaj shumë bakterieve
e kerpudhave dëmprurëse për organizmin e njeriut, madje frenimi është i
krahasueshëm me atë të marrë nga përdorimi i një substance të përshtatshme e të
njohur si antimikrobike.( C. Gabriel et al., 2014; F. R. Fakari et al, 2015)
4. Redukton infalmacionet & lehtëson dhimbjet.
Inflamacionet janë reagimi i indeve të trupit të njeriut ndaj patogjenëve
të ndryshëm. Reagimi qelizave të dëmtuara ndaj irrituesve të ndryshëm. Studimet
shkencore bashkekohore të mbështetura në të dhënat e mjekësisë popullore
tregojnë se përdorimi në dietë si çaj i rrënjëve por edhe i fletëve të disa
lloje barbarozësh lehtëson dhimbjen e muskujve, inflamacionet e brendëshme te stomakut ose të sistemit
kardiovaskular. Gjithashtu është provuar se çai i barbarozës heq dhimbjet e
kokës, migrenën.
5. Ndihmon sistemin imunitar.
Në Afrikën e Jugut në mjekësinë popullore tradicjonalisht është përdorur
nga vendasit, fiset Zulu, për të
trajtuar infeksionet gastrointestinale, çregullimet hepatike dhe të
frymëmarrjes. Nga zbulimet që kanë kryer dhe po kryejnë shkencëtarët e
mjekësisë moderne në gjithë botën dëshmojnë se Pelargoniumet in vitro veprojnë
kundër infeksioneve virale dhe bakteriale duke penguar lidhjen me qelizat me
viruset shkakëtar si: HIV-1, HSV,
coronavirus, RSV, virus parainfluenzës, EMCV, virus coxsackie, Streptococcus
pyogenes dhe Helicobacter pylori. Rrjedhimisht
çai ose ekstraktet nga kjo bimë janë mrekullueshme kundër ftohjeve, bronkit
akut, laringit, bajameve, sinuseve, virozave dhe gripit, etj. Në Angli thuhet
se është përdorur me sukses kundra tuberkulozit, kur e prunë për herë të parë këtë
bimë nga Afrika. Të dhëna ka edhe për përdorime tek kafshët.
6. Mbron shëndetin e veshkave. Po
punohet nga studjuesit për të evidentuar efektin e mirë të barbarozit për
veshkat. Çai i barbarozit ka dhënë efekte për largimin e lëngjeve, toksinave,
kriprave dhe yndyrnave të tepërta nga veshkat.
7. Largon mushkonjat dhe disa insekte të
tjerë që bezdisin njeriun. Flitet për mushkonjat, morrat dhe pleshtat.
Një lule e tillë në dritare ndihmon që të jeni të qetë ndaj këtyre insekteve
shume të bezdisëshme për njeriun në shtëpi.
Rreth kësaj ka shumë debate e
mendime kontraditore madje edhe nga shkenca. Lidhur me këtë kam eksperencen
time. Në vitin 2016 isha për një vizitë në Sarandë dhe Korfuz. Në hotelin në
Sarandë kishte shumë mushkonja. Kur i thashë pronarit të hotelit përse nuk
mbjell palergoniume sepse ato ndikojnë në pakësimin e mushkonjave, ai u
përgjigj se kam mbjellë po nuk kanë dhënë rezultat. Për mua ai jo vetëm që nuk
kish mbjellë nga këto bimë, por kishte mbjellë lule të cilat i tërhiqnin
mushkonjat dhe insektet e tjera. Në hotelin në Korfuz ishte ndryshe. Jo vetëm çdo
dritare e ballkon por dhe në oborr e tracë kishte mbjellë vetëm këtë lule, dhe mushkonjat
nuk të shqetësonin edhe pse afër kishte një vend moçalor..
Foto e hotelit në Korfuz me lulemëllage mbjellë kudo. |
Në fillim nuk dëshiroja që ta renditja këtë veti të
pelargonieve, sepse nuk ka studime të mirfillta që e vërtetojnë, por duke qenë
një diskutim i gjërë, mbarë botëror, nuk prish asnjë punë në se mbillet me
shumicë kjo lule kaq e bukur. Së fundi, këto bimë, edhe në se e kanë këtë veti,
nuk mund të sprapsin re mushkonjash, por
me masa të tjera mbrojtia nga këto insekte shumë të bezdisëshme për njeriun bëhet
edhe më e lehtë.
Një ndërtesë në qendër të Bostonit ku në çdo ballkon ka lulemëllagë |
Disa nga përdorimet e vait të pelargonieve në kozmetikë. Sot
në botë prodhohet një sasi e konsiderueshme e vait të pelargoniumeve, rreth 400
ton në vit, dhe prodhimi ka tendecë në ritje.
Ky vaj përveç përdorimit në farmaceutike, ka gjetur një përdorim të
gjerë në kozmetikë dhe sallonet e bukurisë, kundër infeksoneve të ndryshme të
lëkurës.
- Si antiseptik, pra për të
penguar ose shkatëruar direkt myqet dhe bakteriet e ndryshme në lëkurë dhe inde
të ndryshme, rreth 24 lloje bakterje e kërpudha. Përdoret edhe për të
parandaluar ose luftuar acnet, puçrat e fytyrës. Përmirëson shëndetin e lëkurës,
per nje lekurë të butë, gjen përdorim
edhe si deodorant e për flokët.
- Si asterigent, në përbërjen e tij ndodhen lëndë që veprojnë për
ngushtimin ose zvogëlimin e indeve të trupit të njeriut. Kështu mund të bëjë
heqjen e rrudhave në fytyrë dhe zvogëlimin ose rrudhjen e muskujve të barkut,
celluliteve, etj.. Gjithashtu heq dhimbjet kur muskujt janë të lodhur ose dhembin
për ndonjë arsye tjetër.
-
Anti-iflamator, vaj esencial i pelargoniumeve ka veti qetësuese, zbut
inflamacionin e lëkurës, relakson muskujt e fytyrës dhe nxit qarkullimin e
gjakut. Ndihmon plagët të shërohen shpejt, ndihmon pastrimin e toksinave,
papastërtive, grimcave dhe dhe qelizave të ngordhura nga thellësitë brenda
poreve të lëkurës.
Veçoritë biollogjike dhe botanike
Pelargoniumet bëjnë pjesë në Familjen Geraniaceae, Gjinia Pelargonium.. Kjo Familje përmbledh rreth 230-300 specie. Ka një konfuzion në klasifikimin taksonomik të Gjinisë Pelargonium. Kjo ngatërohet me Gjininë Geranium(Mëllagore) qysh me fillimet nga keqemërimi i kësaj gjinie. Ky konfuzion vazhdon edhe sot. Botanisti francez Charles L'Heritier, jo pa debate,e klasifikoi për herë të parë pelargoniumet si një gjini të veçantë, në fund të viteve 1700.
Në Gjininë Pelargonium përfshihen kryesish bimë shumvjeçare, me gjelbërim gjithvjetor në vendin e tyre të origjinës. Janë të përshtatura në zona të thata shkëmbore, me pak reshje. Disa janë edhe tuberoze. Gjethet e tyre kanë aroma të ndryshme si: limoni, luleshtrydheje, portokalli, trëndafili, kajsie, molle, etj. Këto shpesh quhen edhe pelargoniume aromatike, nga aroma që kanë bëhet dhe klasifikimi formal i tyre. Gjethet lehtesisht të vringëlluara, mund te kenë madhësi dhe forma të ndryshme, shpesh janë të mbuluara me qime, të ashpra por dhe si kadife. Ngjyra e tyre eshtë e larmishme.
Pas vitit 1880 janë krijuar hibride të shumta, edhe këtu janë çfaqur ngatëresa, midis hibrideve dhe specjeve. Në Shqipëri janë dy specie të kultivuara që përmenden nga studjuesit, P. zonale(lulemëllaga) dhe P. radula(barbarozi). Me hapjen e kufijëve gjat viteve 1990 e në vazhdim ndoshta kanë hyrë edhe lloje të tjera.
Lulet janë të vendosura në një mbajtëse si umbrellë(pseudo-umbrelore), që përmban 1-50 lule. Petlat 5-10 petla(hibridet kanë 8-10 petla) janë té vendosura në dy rrathë. Kjo e bën këtë Gjini që té dallohet nga Gjinia Geranium. Lulet kanë ngjyra të ndryshme: të kuqe, të bardha, rozë, të verdha, rozë, etj. Jo të gjitha lulet e Pelargoniumeve janë aromatike.
Veçoritë agroteknike
Pelargoniumet mund të shtohen me farë dhe pjesë vegjetative. Me farë mund të kultivohen specjet natyrale, jo hibridet. Mbjelljet e reja mund te bëhen në vazo, mjedise té mbrojtura, dhe direkt në kopështe ose oboret.
Me farë:Nuk preferohet të mbillet direkt në obore ose kopshte por në një enë ose vazo. Mbulohet fara me dhe rreth gjysme cm., duhet të ketë lagështi optimale. Mbulohet me xham ose diçka tjeter dhe pas mbirjes hiqet xhami.
Me copa:Priten me një brisk një pjesë e bimës me 4-5 nyje, mundësisht të ketë dhe rrënjë. Periudha më e mirë e marjes së copave është kur bimët jane në vegjetacion aktiv. Kësaj i hiqen fletet dhe lulet, i lihen vetëm 1-2 fletë më të voglat. Mbillet në vazo ose direkt në vendin e përhershëm, 3-4 nyje futen në dhe dhe 1-2 nyje lihen jashtë. Bëhet ujitje dhe bima tani është e gatëshme. Mund te mbillen ne një sere dhe për 3-6 javë janë të gatëshme për ti vendosur në vendin e përhershëm.
Pelargoniumet dun toka të kulluara, prandaj vazove për një ritje té mirë mund që tu shtohet pak zhavor. Pelqejnë pH pak acid 6.0-6.8. Temperatura optimale e ritjes është për natën 10-160 C, ndësa e ditës 20-250 C. Eshtë provuar në sera se palergoniume durojnë deri në 490 C, por temperaturat e larta të Korrikut shkakëtojnë përzhitjen e gjetheve prandaj gjat kësaj periudhe mund të planifikohet ndonjë masë mbrojtëse.
Per të patur një lule të bukur e të shëndetëshme mund të bëhen dhe krasitje. Fillimisht filizit të ri mund ti pritet maja, për t’u degëzuar ose për të patur një formë që dëshirojmë. Hiqen dhe fletët e verdha e të thara sidhe fletët e brendëshme për të patur një ajrosje të mirë. Gjat dimërit priten pjesët e thara. Palergoniumet nuk duan shumë ujë, mund të vaditen 1-3 here në javë. Në kopshte sipas zonave mund të jenë të mjaftueshme dhe shirat.
Përgatiti
K. Mosko
Literatura:
2. Baser B, Fırat M, Aziret. A (2016) “The pollen morphology of Pelargonium endlicherianumand Pelargonium quercetorum” (Geraniaceae) in Turkey.
4. “Phylogeny of Pelargonium (Geraniaceae) based on DNA sequences from three genomes” – F. T. Bakker, A. Culham, P. Hettiarachi & al.
8. “Rose geranium production” Department of Agricultur , Forestry and Fisheries- Rep. of S. Africa, February 2012.
9. Antimicrobial and Antifungal Activity of Pelargonium roseum Essential Gâlea Carmen, Gabriel Hancu Adv Pharm Bull. 2014 Dec; 4(Suppl 2): 511–514. Published online 2014 Dec.
10. Prostaglandins protect kidneys against ischemic and toxic injury by a cellular effect.Paller MS1, Manivel JC.