Rrushkulli

Për Librin: "UDHËTIM NË SHPIRTIN LUNXHIOT"

MBROJTJE BIMESH nga Prof. Ass. Enver Isufi

TREGIME - NOVELA - RRËFENJA

Wednesday, 19 October 2016

LEGJENDA E DËBORËS - TOMORI DHE SHPIRAGU

                                                      nga Simon Vrusho


Simon Vrusho
      Tomori dhe Shpiragu na ishin dy vëllezër që na u zunë një ditë për punën e dëborës.
Tomori, si vëllai më i madh, i thotë Shpiragut se dëborën do ta mbash ti, jo unë. Ti je më i vogël dhe do të bësh si të them unë. Shpiragu ia kthen se ai do të bënte si të të ishte e drejta. Shpiragu kishte dhe një vëllamë: Detin, të cilin e pyeste në rastet e vështira, kur gjendej ngushtë. Dhe Shpiragu na e pyet detin se si duhej të vepronte, kujt i takonte ta mbante dëborën. Dhe deti, pasi u mendua pak, u trazua ca dhe ngriti një dallgë, por jo të madhe.
-Dëbora, - itha Deti Shpiragut,- i takon më të madhit, Tomorit, sepse ai ndodhet në zonën e dëborës dhe se ai është më i lartë, është dy herë sa ti, por kur ndonjëherë dëbora do të jetë shumë e madhe, e paparë, atëhere edhe ti do ta ndihmosh Tomorin, edhe ti do të mbash një pjesë të dëborës për disa ditë, jo më shumë.
      I kënaqur nga gjykim i drejtë dhe i saktë i vëllamë Detit, Shpiragu e kthen atë si përgjigje për vëlla Tomorin, por Tomori u nxeh, shkundi krifën e ftohtë dhe kështu filloi grindja, filloi ndeshja. Tomori qëllonte me shpatë, Shpiragu me topuz. U ndeshën sa i zuri dimri, ia arriti dëbora. Dhe dëbora ra si melhem i bardhë mbi plagët e tyre dhe ishte dëborë e madhe. Një pjesë e saj ra dhe mbi Shpiragun. Dëbora ishte dhe si fasho mbi plagë.
      Kur po mjekonte plagët, Tomori e kuptoi se Shpiragu kishte pasur të drejtë, sepse kur zihen dy vëllezër nuk fiton asnjeri. Fiton vetëm e drejta dhe urtësia. Plagët e Shpiragut u mbyllën shpejt e u mbulua me sherebelë, por plagët e Tomorit nuk u mbyllën kurrë. Edhe sot që flasim bashkë, nga plagët e Tomorit rrjedh pa pushim gjak i bardhë... Nuk e keni parë?... Shkoni dhe shikojeni!....

Regjistroi: Simon Vrusho
10 mars 2013
Mali Tomorit
TRE LISAT E GJALLË-Rrëfenjë
      Na ishin dy vëllezër hyzmeqarë tek një zotni i madh që bënin punë të ndryshme.
Një herë, për disa ditë, u ngarkuan të bënin dru në pyll, siç u urdhëruan. Shkonin në pyll, bënin dru dhe ngarkonin tri mushka. Kjo punë për ditë, për disa ditë. Dhe këta prisnin vetëm dru të thata, nga ato degë që kishin goditur e thyer rrufetë, sepse pyll i madh- rrufe të mëdhaja.
Por zonjat, akçeshat u thanë një ditë që të bënin dru të njoma, se të thatat digjeshin shpejt dhe zjarri nuk mbante shumë. Dy vëllezërit hyzmeqarë ulën kokat dhe nuk folën. Shkuan në pyll, bënë dru, po dru të thata prapë, ngarkuan mushkat dhe as u shkoi ndësy që me spatat e tyre t’iu drejtoheshin lisave të gjallë, që qëndronin si azganë në këmbë.
      Zonjat akçesha iu ankuan zotnisë së madh. Zotnia i thirri dy vëllezërit hyzmeqarë, u foli dhe i urdhëroi që të bënin dru të njoma, sipas porosisë së akçeshave.
Shkuan në pyll dy vëllezërit hyzmeqarë, bënë dru, po dru të thata prapë, ngarkuan tri mushkat dhe, para se të niseshin, goditën lehtë, si me përkëdheli tre lisa viganë, duke iu thënë:
Nisuni tani se ju kërkuan zotëria... Dhe tre lisat azganë, brof hoqën rrënjët e mëdha e të gjata nga toka, nga dheu dhe si këmbë po i hidhnin rrugës së pyllit dhe pastaj nëpër rrugën e madhe në mes të lëndinave të fshatit... Tre lisa të mëdhenj në krye të karvanit... pastaj tri mushka ngarkuar dhe në fund dy vëllezërit hyzmeqarë... 
      Kur i panë banorët e fshatit duke ardhur, u trembën, u pataksën. U futën brenda. Brenda u futën dhe hyzmeqarët e tjerë, dhe akçeshat dhe zotëria i madh që u ngjit në odën më të lartë... Pamje e paparë, ndodhi e pa dëgjuar: të ecin lisat me rrënjët si këmbë...
Dhe ndërsa mbërritën në oborr, të tre lisat i ngulën rrënjët thellë në avlli dhe, ndërsa fryu një erë e lehtë, ata i lëvizën degët lehtë, sikur përshëndetnin zogjtë, pyllin tej në korie a mbase dhe gjindjen aty... Tre lisa jeshilë që nuk u bien gjethet kurrë...
Zotnia, pasi u qetësua gjindja, i thirri dy vëllezërit dhe pasi i pagoi se ç’u detyrohej, u thotë:
-Më falni për gjynahun që mund t’ju kem bërë. Jeni mekam që duhet të ngrini mekam. Zgjidhni, ku doni të shkoni. Dhe shkuan në .... C....

Regjistroi: Simon Vrusho

Saturday, 15 October 2016

Të mbrojmë ullinjtë shekullorë.

Fotot dhe teksti nga Enver Isufi, Durrës.

                 Ulli  shekullor  i  djegur, Bestrovë  dhe Panaja, Vlorë, 13 Tetor, 2016

Është ulli i djegur  kjo foto artistike
Nuk na shkakton
Kënaqësi  estetike
Një ulli  i djegur, një  kala  e  shembur
Ju  a  sollla  Ju se ka për t´ju dhëmbur
U mbyll  një  minierë  ari
U shëmb një farmaci
U shemb  një kishë
U shemb një xhami
Kur  digjet  nga flakët një mijë vjet ulli
Pronari  dhe fshati
Duhet të mbajënë  Zi.
___________________________________________________________________


Të mbrojmë ullinjtë  shekullor,Vorë, Tiranë, 2004 (E. Isufi)
Rromanat, Durres, 2004 ( E. Isufi)
Ullinj  shekullor, Linez, Tirane, 2004 (E. Isufi) 

Friday, 14 October 2016

Mirë se vini në Rahovec!

Duke ndjekur rrugën e mbarë të verës së Rahovecit në botë

                                        nga Namik Selmani, shkrimtar

            Vetëm pak kilometra larg Prizrenit dhe Suharekës (Therandës) në Kosovë, në rrugën që është mes Prizrenit dhe Rahovecit sheh një nga fabrikat më të njohura të Kosovës së lirë e të pavarur. Është fabrika e Verës së Rahovecit që është në Komunën që mban të njëjtën emër.. Nuk e di se sa natyrshëm më vjen gëzimi i Ditës së Pavarësisë së Kosovës kur shoh këtë investim evropian apo prek me dorë këtë verë të mrekullueshme. Liria e Kosovës nuk mund të jetophet e plotë dhe të kuptohet edhe pa urimin që jep dhe merr këtu për atë që është barë kaq lavdërueshem. E në këtë rast më vjen jehona e përshëndetjes shumë të ngrohtë: “Mirë se vini në Rahovec për të provuar verën më të mirë të Balkanit!
            Më tej, pas saj të mbeten në sy plantacione të mëdha të mbushur me vreshta. Harron se diku këtu është bërë luftë.Nëse në Prekaz apo në Prishtinë në Perizren mund ta shohësh jehonën e luftës këtu e ke të vështirë se çdo gjë ka ndryshuar shumë shumë. Të punuara në çdo grimcë dheu , të rregulluara a më saktë të përkëdhelura në çdo pëllëmbë toke, në çdo filiz, gjethe, bistak për ta ardhur te vjeshta e begatë rahovecase me kalaveshë të zinj të bardhë të duket se je mes magjisë që të jep puna e balldjersiturve . E kur mëson se në këto vreshta të mrekullueshme rritet rrushi më i vjetër në botë e më i vjetri edhe në Ballkan që quhet ndryshe VRANAD gëzohesh shqiptarisht Vera që prodhohet nga ky rrush ka një emër të veçantë STONECASTLE. Të rritet krenaria po aq edhe kureshtja që të shkruash për të , të krenohesh jo vetëm për këtë pasuri shqiptare, por edhe për punën që bëjnë shqiptarët e mirë në këtë vend për të përtërirë traditën e prodhimit të verës dhe për të konkurtuar më tej, pse jo edhe për të fituar në tregjet e verës botërore. 
          Askush nuk mund të thotë të kundërtën se sot jo në Ballkan apo në Evropë, por edhe në mbarë botën shumëgjuhëshe e shumëkulturëshe gara për verëra të mira cilësore ka pushtuar tregjet, televizionet, radiot, posterat, bukurishe që bëhen propoganduese të verës, rrugët , lokalet nga më të shtrenjtët në bote (ka shumë lokale në botë që vetëm një shishe verë të mirë e shesin ende edhe 1000 euro) Po rahovecarët e mençur që e duan tokën punën me ballë të djersitur sa edhe lirinë e fituar me gjak, i janë drejtuar kësaj gare me mentalitetin e fitimtarit. Dikur deri para lufte vera shqiptare e Rahovecit administrohej nga Beogradi. E serbët e Beogradit që dinin të bënin luftë për të vrarë popullin e pafajshëm të Kosovës, ia dinin fort mirë vlerën edhe verës që bënte Rahoveci.
         Klima mjaft e favorshme me rreth 220 ditë me diell e bënte më të interesuar këtë biznes që ata e kishin të shtetit të tyre. E kur kujtoj këtë lukuni serbe që këtë radhë kishte djersën e shqiptarëve, m’u kujtua një çast biseda me një atashe të ambasadës shqiptare në Pragë që e kam takuar para disa viteve e që për të cilin bëra edhe një shkrim në një libër. Kur kishin ardhur gjermanët në vitet e Luftës së Dytë Botërore për të pushtuar Çekinë, gjëja e parë që bënë që në ditët e para ishte një kërkesë e çuditshme. Kërkonin me ngulm…. të gjithë inxhinierët teknologë të birrës çeke. Donin formulën e saj, mënyrë e përpunimit, të konservimit. Ata e kishin kuptuar se për të pushtuar saktësisht Çekinë duhet të “ pushtonin” birrën që krahas birrës gjermane do t’i jepte atyre të ardhura të pallogaritshme, gati sa qymyrguri i Ruhrit të pambaruar me këtë pasurui nëntokësore. E në vitet e luftës kur ugaret e Kosovës u dogjën,u shkrumbuan, kur u vranë me mijëra gra, fëmijë .U dogjën shkolla, Serbët, si të thuash e “kursyen” pak Rahovecin. Ia dogjën vreshtat, po jo bodrumet. Në vitet e luftës kishin siguruar verën nga këto bodrume që e pinin çdo natë. Pas lufte gjithçka u përtëri. Në shtetin e ri të Kosovës duket se një nga betejat që duhet të fitohej ishte edhe përtëritja e verës së Rahovecit. Mbase në atë thënie të madhe të Klintonit “Ju duhet të fitoni paqen!” ishte edhe kjo betejë me Verën e Rahovecit 
          Në virtin 2007 u privatizua pjesa më e madhe e vreshtarisë së Rahovecit . Në vitin 2009 vetëm dy vjet pas këtij privatizimi të suksesshëm një emision i veçantë do të jepej edhe në stacionin televiziv “Zëri i Amerikës“ në Uashington. Që në vitin e parë një shishe vere u paraqit në tregun më prestiogjoz të Londrës. Në etiketën e saj ishte vënë edhe emërtimi “Stonecastle Vranac Premium 2007”. Nga 2200 hektarë tokë që ka Komuna e Rahovecit mbi 650 hektarë janë mbjellë vetëm, me vreshtë ku mbizotëron ky rrush i vjetër sa bota që nuk e gjen në asnjë vend. Nga mbi 300 000 hektolitra verë që merren këtu 5 milion litra verë janë vënë në fuçi prej druri ku nuk harrohet të vihet edhe flamuri kombëtar. Janë në bodrumet e vjetër të Rahovecit duke ia siguruar kushte më të mira kësaj vere. I gjithë stafi i fabrikës, po edhe menaxherët, vjelësit, kudo ku flitet e punohet për verën e Rahovecit janë në këmbë natën dhe ditën, duke e rreshtuar këtë mes bizneseve më të të suksesshëm të Kosovës Vreshta sipas burimeve zyrtare u blenë me 5 milion euro e brenda një kohë të shkurtër për të pasuruar teknologjinë sidomos atë të shisheve, u investuan mbi 6 milon euro në këtë vreshtari kaq të madhe. Sot vera e Rahovecit, edhe pse Kosova nuk ka hyrë në Bashkimin Evropian, qëndron denjësisht pa droje përbri verërave franceze, kiliene, gjermane, kroate, etj Që para 3 vitesh ajo gjendet me çmime konkurruese në shumë lokale luksozë në Gjermani, në Angli. Rezervat e verës këtu arrijnë në 18 milion litra. Brenda një viti përpunohen në fabrikën e Rahovecit rreth 15-20 milion kilogram rrush i cilësisë së parë.
            Në pronësinë direkte të Fabrikës së verës në Rahovec janë 2240 hektarë vreshtë dhe në këtë plantacion të vërtetë punojnë rreth 350 vjelës të profesionstë të aftë duke përdorur mjetet më bashkëkëohore të këtij procesi teknik,
           Është verë e shëndoshë, verë natyrore, verë e pastër, e përpunuar sipas standardeve më të larta të kualitetit, e ambalazhuar dhe finalizuar me teknologjinë më të mirë nga ekspertët më të mirë ndërkombëtarë dhe vendorë. Vranaci karakterizohet me ngjyre intensive-margaritari, aromë specifike të pemëve të imta malore, me shije të këndshme dhe buke të veqantë. FABRIKA “STONECASTLE” , RAHOVEC, KOSOVE është e pranishme me sasi të konsiderueshme në Kroaci, Slloveni, Angli edhe në shtetet e tjera në Skandinavi. Gjthashtu nuk mungon dhe ne restorante me emër në Njy York      Bashkëpronarë të “StoneCastle” janë biznesmenët shqiptaro-amerikanë Harry Bajraktari, Rrustem Gecaj dhe Hysen Gecaj. Ky i fundit jeton e punon në Kosovë. “StoneCastle” Bërnjakë, 
          Në ballafaqimin me tregun evropian ajo ka fituar edhe mjaft Çmime. Sot shijen e verës së Rahovecit e prek edhe në Tiranë. Ndoshta duhet të vinte më parë po që në hapat e parë ajo ka nisur që të gjejë tregun e saj. E nuk është vetëm fama e merituar, po edhe vetë cilësia e saj. Duke biseduar me një nga menaxherët e këtij dyqani të verës, një djalë shumë energjik dhe i aftë në punën që bën na duhet ta urojmë pë dyqanin e verës së Rahovecit që është hapur në një rrugë kryesore në Tiranë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, mësojmë se ajo është shumë e kërkuar nga mjaft personalitete të politikës artit, diplomacisë në Tiranë. Ai është shumë i preokupuar për ta bërë sa më të njohur këtë gjë. Nuk do do të jetë e largët që një pjesë e trupit diplomatik të ndodhur në Shqipëri të bëjnë një vizitë në Bodrumet e Rahovecit e kjo nuk është pak për njohjen e kësaj pasurie në Evropë e në Botë.
         Është pak e vështirë që të kuptojë saktësisht se kush ia ka dhënë nderin njëri tjetrit toka e bekuar e Rahovecit dhe rrushi i njohur mbase që në Iliri kur edhe ka filluar prodhimi i verës në këtë krahinë apo këta bujq të aftë ky grup teknikësh dhe biznesmenësh që e quajnë atë pasuri të vetë Kosovës dhe të mbarë kombit tonë sot e nesër. Të dy palët jetojnë në paqe me njëri-tjetrin në një harmoni shekullore. Veç një gjë dihet, Rahoveci është krenaria jonë, është rruga nga duhet të ecin shumë biznese që kanë lulëzuar në këto vite, pse jo edhe ato që ende nuk janë krijuar. Është njëkohosisht edhe forca jonë e Bashkimit. Përtej doganave, përtej diplomacive, përtek prokekteve kryeministrore apo e asaj administrative, me makina, me përkthyes seriozë, me letra, buzëqeshje që bëhet në shtetet tona apo edhe në Evropë, vera e Rahovecit është “ambasadorja” më e aftë për të shkuar sa më shpejt dhe me dinjitet në Evropë e në Botë.
 Marre nga facebook


fotot nga interneti: